E enjte, 18.04.2024, 05:43 AM (GMT+1)

Editorial

Fadil Lushi: Liria e gjithkujt mbaron te liria e tjetrit

E enjte, 30.09.2010, 09:59 PM


LIRIA E GJITHKUJT MBARON TE LIRIA E TJETRIT

 

Nga Fadil LUSHI

 

Vështrimet ose gjykimet e gjithsecilit ndaj një problemi a një çështjeje mund të jenë të veçanta, të përgjithshme (jo) personale, kritike, materialiste, idealiste, shoviniste, nacionaliste, përbuzëse, qortuese, makiaveliste, kureshtare, të rreme, të nxituara, të gabuara, megalomane, me havale, pa havale dhe në instancë të fundit liberale. Të gjitha këto vështrime mund të provokojnë te disa njerëz  ndjenjën e mospajtimit ose, po deshët të thoni, edhe ndjenjën e kundërshtisë, te të tjerët të krijojnë ndjenjën e pajtimit, te disa katandisjen, inatin, kurse te të tjerët edhe ndjenjën e harresës, harresë kjo që shpesh shndërrohet në një heshtje selektive apo edhe kolektive.  E gjithë kjo harresë, padyshim se krijon përshtypjen se ky problem  ndoshta asnjëherë  nuk ka ekzistuar, po si i tillë është imagjinuar nga njerëzit që udhëhiqen me paradë paragjykimesh. 

    Historia e politikëbërjes thotë se shumë njerëz duke u marrë me politikë, kohë pas kohe ose edhe shpesh, e kanë tradhtuar kauzën kombëtare, ca të tjerë atë çështje e kanë mbrojtur me këmbëngulje, kurse disa të tjerë atë e kanë heshtur. Këtë e kanë bërë nga mosdija, injoranca, mendjemadhësia, nihilizmi dhe në raste të veçanta, edhe për qëllime abuzive. Ndërkaq, te disa të tjerë kjo tradhti ka qenë rrjedhimisht rezultat i inteligjencës  minimale dhe i miopisë  politike. Për këtë fenomen shoqëror, dikur presidenti i Francës, Sharl de Gol, kishte thënë: “Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin tënd. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin”.

     Me sa duket, Sharl de Goli me këtë shprehje sa filozofike, politike, paksa makiaveliste dhe po kaq edhe morale, nuk kishte parapëlqyer ta tradhtonte Francën, e cila tok me elektoratin kishte qenë pjesë e origjinës dhe trashëgimisë së tij. E kundërta, ose anasjella e kësaj shprehjeje filozofike të de Golit gjen shprehje në shtetet Gadishullit Ballkanik, në veçanti te shtetet diktatoriale dhe demokratike, të cilat edhe sot e kësaj dite, kalojnë një tranzicion të zbehtë, të bezdisshëm, të stërzgjatur qoftë politik a ekonomik.

    Çdo qytetar i rëndomtë, apo edhe ai që është laik në politikë, sot nuk ka nevojë të bëjë kushedi çfarë investigimesh në kërkim të ndonjë shembulli të De Golit, ndaj historisë së suksesit  apo edhe ndonjë rezultati që mund të ketë dalë nga politikëbërja e cilësdo qoftë parti politike a të lidershipit të saj. Përkundrazi duhet kërkuar një lidership karizmatik e me mendje të ndritur, i cili do të përmbushë misionin e tij dhe premtimet e dhëna nga udhëheqësit e mëparshëm, të atyre që kanë jetuar historinë e fillimit të pluralizmit.

    Nëse çdo politikan edhe më tutje do të bëjë përpjekje që të aktrojë politikëbërjen me llafe boshe, me llafe takimesh, llafe premtimesh, llafe ngatërrestare, llafe kabinetesh e foltoresh, me llafe të cilave u mungon çatia politike, morale po edhe materiale, atëherë gjithsesi do ta ketë gabim, pasi që e gjithë kjo për elektoratin dhe për votën e tij deliberative, lëre që do të jetë një përsëritje e mërzitshme, por do jetë e trishtueshme dhe me shpërthime zemërimi.

     Politikanët shqiptarë qofshin ata edhe në poste udhëheqëse, pavarësisht se çfarë kanë qenë gjykimet a vështrimet e tyre të deritanishme ndaj një problemi, a kanë qenë ato kritike, të rreme, subjektive, nihiliste, megalomane, a kanë qenë të përçarë a jo, sot e gjithë ditën e Perëndisë, do të duhet  njëherë e përgjithmonë të ulen  rreth  një tavoline shqiptare (jomaqedonase) për të ndërtuar një qëndrim të njësuar politik, sa për ta sfiduar apo edhe për ta kundërshtuar politikën djallëzore të institucionit, siç është ai i Entit Shtetëror të Statistikës, institucion ky i cili ka për detyrë të merret me regjistrimin e popullsisë dhe pronës së tij. Heshtja e pamoralshme dhe demagogjike e këtij institucioni, gjithsesi se te popullata dhe në veçanti te partitë politike shqiptare, si dhe te shoqatat joqeveritare do të prodhojë jo vetëm mospajtim, por edhe një zhurmë shurdhuese e të moralshme. Ky institucion, realisht duhet të reflektojë gjendjen objektive dhe faktike të demografisë në Maqedoni dhe jo të transformohet në kurvëri politike ku klandestohen dhe trafikohen të dhënat statistikore. Se ky institucion do shndërrohet në një “karabina” prostitucioni, do të duhet që edhe kësaj radhe shqiptarët  të presin të dëgjojnë e të shohin çka do të ndodhë. 

     Për këtë dhe arsye të tjera çdo parti politike shqiptare, çdo demograf, çdo kureshtar, çdo qytetar i rëndomtë shqiptar dhe çdo shoqatë joqeveritare shqiptare, ka të drejtë të dyshojë në punën e një institucioni si ky, që mëton të merret me regjistrimin e popullatës, gjegjësisht që me një proces të pakontrollueshëm gjithherë numrat i ka shndërruar në politikë, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, nëse ky institucion rezulton të jetë neutral, serioz dhe apolitik, duhet që politikës aktuale po edhe asaj shoviniste, t’i thotë “sikter”, një dhe e dyta, rrobat e saj të palara shtëpiake, jo gjithherë duhet t’ia pastrojë partia politike shqiptare, e cila kohë pas kohe merr pjesë në ndarjen e pushtetit, të ndërtuar nga maqedonasit.

    Partitë politike shqiptare që veprojnë në Republikën e Maqedonisë, lëre që nuk kanë nevojë të jenë me një mendje me këtë institucion, i cili pandeh dhe mëton që me këtë regjistrim të radhës prej shqiptarëve të nxjerrë as më pak e as më shumë se 20, 01 për qind, por edhe nuk kanë nevojë të përpiqen që ta kuptojnë ndryshe këtë institucion, përkundrazi duhet me çdo mjet ta kundërshtojnë dhe t’i bojkotojnë aktivitetet djallëzore të tij, sepse ky organizëm shtetëror, kështu siç funksionon me ato 3, 5 ose 10 për qind!???  shqiptarë të punësuar në të (në Qendrën analitike thonë se nuk ka të punësuar asnjë shqiptar) nuk mund të transmetojë as edhe minimumin e transparencës etike të procesit në fjalë. Në instancë të fundit, rezultatet që do të dalin nga ai regjistrim gjithqysh do jenë të gjymtuara, po edhe të shtrembëruara dhe këto gjymtime lëre që do i sikletosin  shqiptarët, por edhe mungesa e transparencës do të jetë një provokim i rëndë anti-shqiptar.

    Për këtë dhe arsye të tjera, sot nuk mjafton që vetëm një parti politike shqiptare (pa marrë parasysh a është në pozitë a në opozitë) t’i bëjë thirrje elektoratit që t’i bojkotojë  aktivitetet  rreth procesit të regjistrimit të popullsisë këtu në Republikën e Maqedonisë. Tekefundit, duke qenë se regjistrimi i popullatës, është një proces tejet i rëndësishëm, i ndjeshëm dhe i sikletshëm, nuk mund të vihet në një rrafsh, pra nuk mund të identifikohet me një referendum, a me zgjedhjet qofshin ato (të jashtëzakonshme, të parakohshme) parlamentare, presidenciale dhe vendore.

     Fillimi i një dialogu ndërpartiak, ose edhe ndërshqiptar, për të unifikuar qëndrimet politike, karshi regjistrimit të popullsisë në Maqedoni, ndoshta nuk është vonë, por as edhe herët, aq më tepër kur dihet se ne shqiptarët, kur bëhet fjalë për çështjet politike, po edhe parimore, zor se gjejmë marrëveshje. Partive politike shqiptare, këtu në Maqedoni, nuk u duhen rreshtime akuzash, nuk u duhen mosmarrëveshje të reja, ata duhet të rreshtohen në një front të vetëm politik, për të kundërshtuar inatet e tyre ndërpartiake, inate këto që më shumë u përngjajnë atyre të adoleshentëve se sa të njerëzve që hiqen për politikanë të matur, kompetentë, të moshuar dhe seriozë.

     Ndoshta regjistrimi i radhës i popullatës këtu në Maqedoni do jetë në sebep i mirë a i gëzuar që shqiptarët të esëllohen e të ndërgjegjësohen politikisht.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Walter Isaacson: Zeri i Transmetimeve te Shteteve te Bashkuara duhet te jete i besueshem Frank Shkreli: Te Drejtat e Njeriut ne Politiken Nderkombetare Kastriot Myftaraj: Himara shqiptare mbrohet në Sheshin "Skënderbej", në Tiranë Frank Shkreli: Levizja qe po trondite partite politike amerikane Arben Llalla: Grekët përmes shkollave private mundohen të shtojnë numrin e minoritetit në Shqipëri Gani Mehmetaj: Kosova, gjashtë sfidat e pavarësisë Arben Llalla: Grekët do të provokojnë shqiptarët në Himarë më 19 shtator Halit Bogaj: Pse Serbia nuk mund ta pranojë zyrtarisht pavarësinë e Kosovës? Fidel Castro: Sistemi Komunist Kuban ka Deshtuar Elida Buçpapaj: Katedralja e Nënë Terezës e bekuar nga Rugova shprehje e pasurisë kombëtare dhe evropiane Frank Shkreli: Keshilli Kombetar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA) nderon Ambasadorin Nicholas Burns Vladimir Bruçaj: Shqiptarët në Europë duhet të shkojnë të bashkuar, por si europian Ndue Ukaj: Njëqindvjetori i lindjes së Nënës Terezë dhe Katedralja e Prishtinës Frank Shkreli: Tridhjetë Vjetori i Krijimit të Lëvizjes Solidarnoshq Albert Vataj: Zelli i një politike demagogjike Kosova Martire: Zorraxhinjtë e Gjilanit vëllazërohen me zorraxhinjë osmanlinj të Bajram Pashës Frank Shkreli: Nënë Tereza - Nderi i Kishës Katolike dhe Krenaria e Kombit Shqiptar Dorian Koçi: Histori të stisura konfliktesh dhe Himara Modeli tirolez, shkatërrimtar për Kosovën ISLAMI DHE PASOJAT E TIJ

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora