Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Këze Kozeta Zylo: Mes shkrimtarëve vlonjatë që injektojnë gërma me mall të zjarrtë

| E enjte, 30.09.2010, 08:57 PM |


Gezim Llojdia duke i dorezuar K. Zylos Diplomen e Mirenjohjes ne emer te shoqates Petro Marko
Gezim Llojdia duke i dorezuar K. Zylos Diplomen e Mirenjohjes ne emer te shoqates Petro Marko

Mes shkrimtarëve vlonjatë që injektojnë gërma me mall të zjarrtë

 

Radhima me yjet mbledhur nën sqetull

 

Nga Këze Kozeta Zylo

 

            Radhima e Vlorës dukej sikur i kishte mbledhur nën sqetull Yjet e saj, dhe ndriçonte me hije të zbehtë, si me qirinj hëne vendet ku ishin strehuar pushuesit…

Nëpër atë natë me pikëza hëne, shtangeshin degët me kurorë ulliri, dhe treteshin gjithë bukuritë e stinëve në psherëtima valësh që lagnin këmbka pulëbardhash papushim…

Nga ballkoni i katit tim, kundroja e magjepsur hënën, që ishte varur mbi supet e Karaburunit, deri në agun e mëngjesit sa u mbulua nga një qerpik dielli …

Ç’mrekulli të jesh nën shoqërinë e Hënës, që me sytë e saj të kadifejtë zbut dhe honet e serta të fshehura nëpër shkëmbinj deti…

U mundova t’ja rrëmbeja vështrimin e butë, dhe ta sillja në kontinentin tjetër, që edhe këtu poetët të ngelen pagjumë si unë…

            Që në mëngjes bregu i Radhimës mbushej me djelmosha simpatikë dhe vajza lozonjare që rrëshqisnin brenda ujit me të gjitha nuancat marramendëse të blusë, ku rrezet e diellit dukeshin sikur thyenin kokën brenda tyre, ndërsa zogjtë nëpër portokalle mbeteshin të mekur. 

Tutje në horizont në ishullin e Sazanit krijoheshin fragmente të moçme fytyrash, me copëra dielli dhe re të bardha të qelqta, ndërsa vargjet e poetëve të Vlorës lexoheshin në harkun e ylberit!

Në Vlorë ka shumë fenerë në udhët prej drite, dhe ti si udhëtar mund të trokasësh në çdo portë Labërie.  Ju mund ta provoni të trokisni lehtë-lehtë dhe ata do ju presin me krahët hapur, dhe do të kuptoni si do të ringjalleni nga bukuria e isos labe, nga mikpritja plot aromë lulesh erëmirë.

Aty do të dëgjoni mërmërimën e valëve të Jonit, fëshfërimën e gjetheve të ullirit, dhe në pëllëmbët e duarve tuaja do të prisni lot shelgjesh, ndërsa më tutje do të këpusni gonxhe trëndafilash të kuq për t’i çuar në sheshin e Vlorës, pranë Monumentit të Pavarësisë, aty ku burrat e Kombit me Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin shpallën Shqipërinë të MOSVARME!

Aty do të ndjeni se si përqafoheni me historinë, si merrni bekimin prej Vlorës së shenjtë dhe së fundi do të largoheni duke u betuar, se do të vazhdoni me dinjitet rrugën e tyre…

Të paktën mua kështu më ka ndodhur më parë dhe vazhdon të më ndodhi…

 

Mes shkrimtarëve vlonjatë “Petro Marko”

 

            Shkrimtarët duken sikur ju injektojnë gërmave mall të zjarrtë, ndaj dhe të përqafojnë si miq të njohur prej kohësh.

Kjo është bota e shkrimtarit, botë me fytyrë dielli, që ndërton urën e ëndrrave të mbështetura në kollona antike vargjesh, ku prej andej dalin zërat e bukur të tyre...

Në një verandë me fytyrë nga deti u ndodha mes shkrimtarësh vlonjatë, si me z.Gezim Llojdia së bashku me bashkëshorten e tij fisnike, Mimozën, sot pedagoge, me shkrimtarin e mirënjohur z.Myrteza Mara, kryetar i shoqatës së shkrimtarëve “Petro Marko”, me znj.Laureta Petoshati shkrimtaren, përkthyesen dhe publicisten e mirënjohur, të cilët kishin ardhur për të na takuar. 

Kishja kohë që kishja lexuar për shkrimtarët e Vlorës, si dhe për shoqatën nga më të nderuarat e Kombit tim, shoqatën e shkrimtarëve “Petro Marko”.

            Biseda e ngrohtë mes tyre vazhdoi këndshëm, ishte një bisedë poetike që do të më ngelet gjatë në kujtesë. 

Secili prej nesh gjatë asaj kohe recitoi vargje nga poezi të ndryshme, vargje që më rrënqethnin të tërën.  Shkrimtari Myrteza Mara është një mjeshtër i të shkruarit, të përjetimeve të sjella me aq elegancë dhe mençuri në librat e tij. 

Poezia e tij gjithmonë më ka dhënë një shije të mirë, arti i fjalës në penën e tij është një kod paksa i veçantë.

Poezia që më bëri më shumë përshtypje ishin vargjet për bashkëshorten e tij si:

 “Ne e ndajmë bashkë një copë psherëtimë, Nëpër buzën tënde kalon zëri im!...”

Shkrimtari Mara di të percjelle tek lexuesi mesazhe të fuqishme, mesazhe që të japin siguri se ky autor me penën e tij do të na dhurojë ne lexuesve edhe vepra të tjera në një të ardhme të afërt, ngase pena e z. Mara e gjen frymëzimin brenda qytetit perlë të Vlorës

dhe nuk mund të heshtë…

            Ndërsa shkrimtari dhe studjuesi Llojdia sekretar në këtë shoqatë, fliste me pasion të veçantë për historinë tonë të lashtë, për vendin e bukur Shqipërinë.  Ka të drejtë thoshja me vete duke e dëgjuar me vemendje, pasi ka një kohë të gjatë që po punon dhe po jep një kontribut të vyer në këtë fushë aq të vështirë dhe delikate. A nuk ka prezantuar pena e tij sa e sa shkrime analitike dhe studjuese për parkun arkeologjik “Amantia”, apo për portrete udhëheqësish shpirtërorë që kanë bërë vetëm bamirësira?

Shpesh në poezitë e tij gjejmë një lirizëm të ngrohtë, origjinal dhe ja si:

Ti se di o mik, si flenë  vajzat në Goronecë,

flok-shpupurishurat në vjeshtë,

trazimi ma mbulon trupin e brishtë,

-Shikoji me sy, hesht dhe mos i prek.

            Që në momentin e parë të takimit ndjen se ç’kanë një zë tjetër poetët, një zë sikur vjen lart prej qiellit, një zë pak si ndryshe…

Të paktën unë ashtu u ndjeva atë mbasdite poetike me miqtë e shoqatës së shkrimtarëve të Vlorës “Petro Marko”, emër që kjo shoqatë e meriton plotësisht.

Hapja e bisedës që të afrojnë poetët është prapë ndryshe, sepse qysh ne momentin e parë poetët të përshëndesin me ndonjë strofë të bukur poezie, apo me ndonjë thënie që të ngel gjatë në kujtesë, për mesazhin që mbart me mjaltë mënçurie.

Pena e shkrimtarëve të Vlorës ka qëmtuar me kujdesin më të madh për traditat e popullit tonë, për kulturën e lashtë, për historinë që aq shumë kanë luftuar të parët tanë.

            Z.Mara dhe z.Llojdia më sollën dhe të falat nga z.Nase Jani kryetar i Klubit  të shkrimtarëve në botë “Drita” në Greqi, të cilin e falënderoj publikisht që mori pjesë në promovimin e dy librave të mi në Muzeumin Kombëtar në Tiranë.  Një takim i bukur dhe befasues ishte dhe me mjeshtrin e madh z.Miho Gjini i cili së bashku me artisten Merita Dabulla kishin ardhur enkas në ditën e promovimit, ishte një takim që më dha emocione të papërshkrueshme, ngase siç thashë më lart, poetët, artistët, shkrimtarët  të sjellin takime si në legjenda me një botë tjetër yllësie.

            Këtij takimi poetik i jepte bukuri dhe prania e shkrimtares Petoshati.

Shkrimet  publicistike, të perkthyeses, poetes Laureta Petoshati se ç’më sillnin një mall të largët!  Në shkrimet e saj kam gjetur një penë të zhdërvjellët, një penë që sjell mjeshtërisht aktivitetet dhe historinë e lashtë të popullit tonë.   Pena e saj mjekon plagë të Kombit tim, ngase dhe vetë ajo si gazetare ndjen të njëjtën dhimbje që ndjen Çamëria, Kosova dhe trojet e tjera të cilat akoma nuk kanë zgjidhur shumë probleme të lëna nga kohërat e egra rënduar mbi supet e popullit tonë.  Shkrimet e saj të befasojnë jo vetëm për artin që kanë brenda, por edhe për guximin, që aq shumë të nevojshme e ka gazetaria shqiptare…

Ja këto më kujtonte takimi me zonjushen e nderuar Laureta Petoshati e cila po lë gjurmë të pashlyeshme me reportazhet e saj dhe këtu në kontinentin tjetër, në diasporën shqiptaro-amerikane.

Në verandën me reflekse blu dhe të bardhë përballë detit, pasqyrohej qartë shpirti i kësaj laureshe të bukur, laureshe të gazetarisë profesioniste.

Biseda me të ishte tejet inspiruese, ngase di të vlerësojë atë që duhet çmuar atë që shtyn proceset historike vetëm përpara.  Unë nën shoqërinë e tyre u ndjeva sikur t’i kishja takuar prej kohësh, pranë tyre pashë mikpritjen e poetëve, mikpritjen vlonjate, atë sofër bujare të shtruar me aq kujdes nga amvisat bukuroshe të Labërisë!

Rrezet e diellit qe të lëbyrnin sytë nga reflekset e ujërave blu, të jepnin një ndjesi sikur këtë shkëlqim dielli e merrte pikerisht nga këta shkrimtarë, që dinë ta gatuajnë mirë bukën poetike!

Eshte bukur kur i takon direkt autoret e sa e sa krijimeve, reportazheve, dhe studimeve te lashtësisë, që me penën e tyre na kanë befasuar herë pas here. 

U ndamë me njerin-tjetrin me mall miqsh, e sigurt se së shpejti intervistat e tyre që morëm pranë bregut të detit Jon, do t’i transmetojmë në TV Alba Life, New York, ku dhe shumë teleshikues do të shijojnë të njejtën ndjesi që patëm ne, me miqtë tanë shkrimtarë në Radhimë të Vlorës.

            Në po atë ditë patëm dhe një telefonatë nga prof.Bardhosh Gaçe, i cili na uroi mirëseardhjen në qytetin e Vlorës, por për arsye pune ishte i pamundur takimi me të.  Zeri i tij burrëror dhe kultura e tij, gjithmonë me kanë dhënë një respekt të veççante për studimet e tij shkencore dhe për mënyrën e këndvështrimit të tyre.

Diten tjeter nje takim i befasishëm ishte dhe me z.Luan Çipin dhe bashkëshorten e tij mësuesen veterane, fisniken Hanëme Çipi.  Bisedoja me ta dhe ndërkohë kishja si në ekran historinë e bukur të dashurisë së tyre, që pena e Luanit e ka sjellë aq sinqerisht atë qëndrueshmëri të dashurisë së tyre për dekada të tëra.  A nuk janë bërë shkrimet e Luanit të hedhura në formë kujtimesh shumë interesante për ne lexuesit?  Ai ka ditur të prekë sa e sa figura të dashura të qytetit të Vlorës, ku punoi dhe jetoi një jetë të tërë.  U ndamë me ta me shpresën se do të takohemi përsëri, dhe krenarë për fëmijët e tij të mrekullueshëm, ku djali i tij sot është mjek në Çhicago.

Gjatë takimeve me shkrimtarë, ndodh që dhe mund të mos i takosh dot fizikisht, si psh me z.Petraq J.Palin, të birin e intelektualit erudit qeparotas, Janko Palit, por nga ana tjetër takohesh me librat e tyre.  Z.Pali kishte ardhur enkas për të biseduar me ne vëllazërisht pranë verandës sonë, por ishte një takim që nuk u realizua dot. Ai na kishte lënë librat e tij si dhuratë pranë sportelistes, dhe të parin që lexova ishte  “Maja e Luleve”, tregim që më la mbresa të pashlyeshme…

            Kanë kaluar pak javë që u larguam nga Mëmëdheu ynë, dhe rutina e përditshme ta rrëmben kohën pakuptuar, sidomos këtu në emigrim, por tradita dhe zakonet labe ku të lënë të të mbysi rutina, ata sjellin vargjet e tyre dhe si arkitektë ndërtojnë ura shpirtërore midis Atdheut atje dhe gjithë vendeve të botës ku janë shpërndarë shqiptarët.

Duke lexuar këtë fragment letre që i shkruan z.Mara bashkëshortit tim si: 

"Miqte e mi të mirë!  Uroj te jeni mire me shëndet dhe punë!  Ishte më tepër se kënaqësi njohja dhe lidhja e miqësisë.  Jeni të mrekullueshëm!  Ju bëni aq gjëra të bukura dhe me vlerë dhe falënderimet tona janë nga zemra!  Ju përshëndes nga Vlora!

 "Atje është Vlora, ëndrra e ëndrrave të mia! Atje është Vlora, dashuria ime e parë, Atje dhe në gurë mbinë poezia, Atje dhe të vdes do mbetem i gjallë!""

Tashmë më shtohet malli dyfish, jo vetem si shqiptare por edhe per miqtë, poetët fisnikë që aq bukur dinë t’i këndojnë Vlorës, vendit të shenjtë të shqiptarëve!

Eshtë një mall që është injektuar në shpirt nga gërmat e zjarrta të shkrimtarëve vlonjatë!

 

Shtator, 2010

Staten Island, New York

Me bashkeshortet fisnike Luan dhe Haneme Cipi, ne Radhime te Vlores 2010
Me bashkeshortet fisnike Luan dhe Haneme Cipi, ne Radhime te Vlores 2010

Majtas: Myrteza Mara, Laureta Petoshati, K Zylo, Q.Zylo dhe Gezim Llojdia
Majtas: Myrteza Mara, Laureta Petoshati, K Zylo, Q.Zylo dhe Gezim Llojdia

Laureta Petoshati dhe Myrteza Mara
Laureta Petoshati dhe Myrteza Mara

Majtas M. Mara dhe G. Llojdia
Majtas M. Mara dhe G. Llojdia

Z.Miho Gjini dhe Merita Dabulla ne promovimin e librave ne M.Kombetar
Z.Miho Gjini dhe Merita Dabulla ne promovimin e librave ne M.Kombetar

Myrteza Mara dhe Nase Jani gjate promovimit
Myrteza Mara dhe Nase Jani gjate promovimit

Midis z.Petrit Golemi dhe Mimoza Llojdia
Midis z.Petrit Golemi dhe Mimoza Llojdia

Botuar në gazeta “Illyria”