E premte, 19.04.2024, 05:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Thoma Kacori: Poezitë e panjohura të “rilindësit të fundit”

E marte, 28.09.2010, 06:18 PM


Nga Arjola Hekurani

 

Së shpejti, shtëpia botuese “Argeta LMG” do të botojë librin me poezi të Thoma Kacorit. Publicisti Kristaq Laka do të kujdeset për përzgjedhjen e më të mirave prej tyre. Në Shqipëri, poezitë e panjohura të “rilindësit të fundit”, i solli bashkëshortja, Violeta Kacori

Ende përballet me trishtimin e dhimbjen. Arrin t’i bëjë ballë vetëm përmes muzikës. Ajo është soprano. Një prej më të njohurave të Operës së Sofjes. Violetën, kënga e ka shoqëruar kurdo. Madje edhe atëherë kur djali nga Shqipëria, Thoma Kacori, i propozoi të martoheshin, ajo i vuri një kusht të vetëm: të mos e ndante nga muzika. Ai pranoi menjëherë. E donte dijen, artin... gjithçka që lartësonte shpirtin. Thomai ishte një djalë ndryshe. Kështu kaluan vitet bashkë. Ai shqiptar, ajo bullgare, e megjithatë, shqiptare po aq sa edhe i shoqi. Ky ishte Thoma Kacori, personalitet i shquar i letrave shqipe. Njeriu që konsiderohej i fundit i rilindësve shqiptarë. Ndërroi jetë më 13 dhjetor të vitit 2008, në Sofje të Bullgarisë, në moshën 86-vjeçare... Tani Violeta jeton vetëm në shtëpinë numër 5 në rrugën “Totleben”, në Sofje. Është një shtëpi e mbushur me histori të shumta, me ngjarje, me pritje e përcjellje të shqiptarëve, kushdo qofshin ata, personalitete ose jo. Një shtëpi që për një kohë të gjatë ishte kthyer në një ambasadë shqiptare në Bullgari. Thomai të gjithë i fuste brenda, ndërsa Violeta i priste si një nuse e vërtetë Shqipërie. Ai nuk jeton më dhe Violeta ia ndjen mungesën çdo çast. Ndonjëherë, kur vërtet dëshiron “të takohet” me të, mbyllet në bibliotekën e madhe dhe rrëmon mes shënimeve të tij. Ka mjaft të tilla. Dorëshkrime, ende të pabotuara. Puna e një jete e Thoma Kacorit mes letërsisë, përkthimeve, studimeve shkencore e hulumtimeve të rralla të gjuhës shqipe. Kështu Violeta gjeti poezitë e pabotuara të Thomait. I mblodhi të gjitha, i grupoi dhe një ditë vendosi t’i botonte. Veç poezitë e dashurisë, ato për atdheun, ato për bukuritë natyrore... Për këtë erdhi për pak ditë në Shqipëri. Dëshiron që puna të nisë menjëherë. Do të jetë shtëpia botuese “Argeta LMG”, e cila do të kujdeset për botimin e një vëllimi të plotë me poezi, ndërsa publicisti Kristaq Laka me përzgjedhjen e më të mirave prej tyre. Violeta është e kënaqur. Më parë, disa prej poezive të tij lirike, janë kthyer në këngë, të cilat i ka interpretuar vetë bashkëshortja e tij, Violeta. Vazhdon të ndjekë me kujdes veprën e të shoqit. Ai ka punuar mjaft për këtë. E kur e pyet zonjën elegante nga Bullgaria në ka të tjera dorëshkrime të mbetura në bibliotekën e shtëpisë, pohon me kokë. Me shqipen e saj të pastër thotë se janë të shumta. Me kohën do të kujdeset edhe për to. Janë dorëshkrime që i përkasin fushave të ndryshme, por nuk ka kujtime të hedhura në letër. Ato, Thomai nuk i ka shkruar asnjëherë, edhe pse jetën e ka pasur të mbushur plot ngjarje, e takime që kanë pasur rëndësi. Puna si profesor në Universitetin e Sofjes, në katedrën e linguistikës krahasuese indoeuropiane dhe, më vonë, të ballkanistikës, i dhanë mundësi të kishte kontakte me shumë personalitete të letërsisë dhe të shkencës shqiptare në konferencat dhe simpoziumet ndërkombëtare të kulturës dhe të shkencës në përgjithësi. Thoma Kacori, shkencëtari dhe shkrimtari, profesori dhe intelektuali lindi në vitin 1922 në Shtikë të Kolonjës. Kur pushtuesit italianë e mbyllën liceun e Korçës, Thomai emigroi te vëllezërit e nënës në Bullgari, pasi i ati ishte mërgimtar në Amerikë. Ai shkoi në Sofje kur Shqipëria u pushtua nga fashistët italianë. Ishin vitet ‘40 të shekullit të kaluar. Thomai shkoi në Bullgari në një kohë kur aty kishte mjaft shqiptarë. Kolonia ishte ende gjallë dhe me ndihmën e disa patriotëve ajo bënte përpjekje për të ekzistuar dhe për ta vazhduar punën. Mes tyre u fut edhe Thomai. Kolonia shqiptare e Sofjes, me traditat që kishte krijuar, la mbresa e ndikoi në formimin e tij atdhetar. Në Bullgari, Thomai mbaroi studimet e larta në Universitetin e Sofjes, Fakultetin e Drejtësisë Administrative. Në Tiranë e në Sofje filloi të botojë krijimet e tij të para në shtypin letrar. Më 1957-n botoi në Tiranë vëllimin e parë me tregime “Jetë me brenga”; më 1958-n novelën “Ditë që s’harrohen” me të cilën mori çmimin e dytë në Konkursin Letrar Kombëtar. Në vitin 1961 boton romanin “Për Mëmëdhenë”, me dy vëllime dhe më pas novelën “Dashuria”, për të vazhduar me romanin “Shpata e Kastriotëve”, “Fabula” më 1989, romanin “Bijtë e shtrëngatës”, “100 Fabula”, “Kandili i De Radës”, si dhe romanin “Kryetrimi i Arbërisë-Skënderbeu”, i cili u botua në vitin 2007 me rastin e 600-vjetorit të lindjes, si dhe librin me tregime “Tregime të moçme”. Më 1998 u botua në Sofje libri “Albania”, me bashkautor Bobi Bobev. Thoma Kacori ka një veprimtari të gjerë edhe në fushën e studimeve shkencore. Është bashkautor dhe redaktor i pjesës në gjuhën shqipe të “Fjalorit bullgarisht-shqip”, si dhe autor i dy librave për mësimin e gjuhës shqipe nga të huajt, njëri në versionin bullgarisht, ndërsa tjetri në anglisht, të cilët janë botime të Universitetit të Sofjes. Thoma Kacori është shquar në hulumtimin e zhvillimin e shkencave albanologjike. Ka botuar një numër artikujsh shkencorë e libra që kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve për thellësinë e mendimit, për argumentet shkencore, ku një vend me rëndësi zë libri “Ndriçime”. Thomai është një hulumtues i rrallë i gjuhës shqipe, i formimit, prejardhjes, evoluimit e pasurimit të saj ndër shekuj. Njihte mjaft mirë 6-7 gjuhë të huaja çka e ndihmoi në përkthimet e tij. Për gjuhën e përdorur dhe për përkushtimin ndaj vendit të tij, Thoma Kacorin e kanë quajtur rilindësi i fundit shqiptar. Në maj të 2008-s, pak para se të ndërronte jetë, Thoma Kacori u nderua nga Presidenti me titullin “Nder i Kombit”. Violeta tregon se ky gjest i fali lumturi të madhe, sepse Thomai ishte shqiptar deri në fund.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora