Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adi Hadribeaj - Djali i Karatese Shqiptare

| E diele, 16.12.2007, 01:58 AM |


Nga Elert Yzeiri

Ashtu si një pasqyrë që reflekton imazhet pa asnjë deformim, si një greminë që kthen jehonën, kështu edhe një student i karatesë duhet të çlirohet nga vetvetja, nga mendimet egoiste dhe të këqija, pasi vetëm me një mendje dhe ndërgjegje të pastër dhe të qartë, do të mund të kuptojë atë që po merr.... Forma thelbësore e universitetit është bosh dhe po kaq bosh është edhe vetë studenti (Gichin Funakoshi, themeluesi i Shotokan Karate)

Adi Hadribeaj
Kur na qëllon të shqiptojmë fjalën karate, pak kujt i shkon të mendje se ky është një sport që praktikohet në Shqipëri, por në mënyrë instiktive na kalon ndërmend një film i vjetër amerikan “Karate Kid”, me atë djaloshin e brishtë, pa përkrahje dhe mbështetje, por me një dëshirë dhe pasion të jashtëzakonshëm për të praktikuar karatenë. Takimi i tij me mjeshtrin e madh Kesuke Miyagi i dha atij mundësinë të kuptojë dhe mësojë gjithçka sporti i forcës, mendjes dhe shpirtit. Kështu është edhe historia e personazhit tonë të radhës. Adrian Hadribeaj, i cili 10 vjet më parë shkonte në palestër përdore me trajnerin e tij, Parid Dule; sor pas 10 vjetësh ata janë dy miq të mirë, që e ndajnë kohën e tyre duke paktikuar taktikat e pafundme të karatesë, duke hapur një rrugë të pashkelur më parë nga shqiptarët, por që nuk duhej të mungonte.

Në imazhin e të gjithëve karateja është krijuar si një pjesë filmi, ku një djalosh i brishtë stërvitet për një kohë të gjatë me një mjeshtër të madh të arteve marciale dhe më pas bëhet një kampion absolut. Ka ndodhur e njëjta gjë me ju?

Jo, jo ajo është pjesë filmi, është një paraqitje figurative. Por që është pak a shumë e ngjashme me historinë time. Mendoj se është një fabul e goditur dhe shumë sinjifikative, pasi për të gjithë ne është e rëndësishme që rrugën e jetës të na e tregojë dikush. Mendoj se dhe unë me “mjeshtrin” tim këtë gjë jam duke bërë, përveç anës sportive.

Shumë prindër synojnë t’i çojnë fëmijët e tyre të argëtohen në sporte të tjera, shumë më tradicionale dhe të frekuentuar, pse prindërit e tu zgjidhën karatenë?

Në të vërtetë kanë qenë prindërit që më shtynë që unë të merresha me sport dhe fare rastësisht fillova të merresha me karate, pasi dëshira ime ashtu si të çdo fëmije tjetër ka qenë të luaja futboll. Jam dalluar që në fëmijëri për superioritetin tim mbi shokët, por për më shumë për agresivitetin, ku në më të shumtën e rasteve e tregoja forcën me grushta. Nëser nuk gaboj ka qenë viti 1997 kur unë kam nisur të praktikoja për herë të parë karatenë dhe që nga ajo kohë ajo është bërë pjesë e pa ndarë e jetës sime, saqë unë nuk bëj dot pa të.

Pra aktivizimi në karate të bënte më të fortë se shokët?

Po, po në fillim ashtu e mendoja sidomos në ditët dhe javët e para, se mendoja se në këtë mënyrë do të isha më i forti i shokëve, por nuk është kështu. Me ndihmën e mësuesit tim, Paridit, mësova që karateja nuk është sporti i dhunës, i demostrimit të fuqisë mbi të tjerët, por është arit i vetëmbrojtjes dhe ndihmës, vetëm në raste të veçanta.

Le të flasim hapur, çfarë është karateja për ju?

E thashë edhe më lart, nëse në fillim e shikoja si një “armë” superiore mbi moshatarët e mi, tani e shikoj si një “dhunti”, ku unë mund të largoj stresin dhe fuqinë time në zbrasëti. Karateja më shumë se sporti i forcës, është sporti i mendjes, pasi çliron veten nga frika, krenaria e tepruar, mendimet e këqija, nga larmia etj. Karateja për mua është simboli i një aktiviteti të gjithanshëm të trupit, mendjes dhe shpirtit.

Ju po kaloni një moment delikat edhe në jetën tuaj, pasi jeni në momentet e fundit të pjekurisë dhe në përfundim të gjimnazit do të zgjidhni edhe drejtimin e jetës tuaj, ju pengon ndopak marrja me karatenë?

Sigurisht që unë kam edhe detyrime të tjera në jetë, pasi shkolla është primare për mua, megjithatë marrja me karatenë nuk më pengon aspak. Përkundrazi, praktikimi i saj më ka ndihmuar mjaft, që të çlirohem edhe më shumë nga stresi dhe gjendja shpirtërore. Që ta them më mirë për mua karateja është si mbiemri, që nuk mund të rrojë dot pa emrin. Unë zhvillojë një proces mëse normal stërvitor gjatë javës, i cili intesifikohet gjatë periudhës përgatitore për aktivitete të ndryshme. Duke qenë se artet marciale janë strikte, edhe unë jetën time e kam ndërtuar në mënyrë të tillë, që gjithçka ka vendin dhe kohën e vet.

Çfarë marrëdhëniesh ekzistojnë mes jush dhe trajnerit, kur tashmë keni lënë pas 10 vjet?

Me profesor Parin ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera. Është miku dhe mësuesi im më i mirë. Dikur e shikoja si një njeri shumë të madh, pasi tek ai mishëroja mitin e një kampioni (që ai është vërtetë), ndërsa sot shikoj mikun tim më të mirë. Dikur ai më mbante për dore teksa kaloja rrugën, ndërsa sot ne jemi dy shokë që diskutojmë bashkë gjithçka. Kalojmë shkëlqyeshëm dhe mendoj se do të jetë një miqësi, që do të vazhdojë për gjithë jetën.

Gjatë karrierës tuaj 10 vjeçare numërohen shumë fitore dhe trofe, kë do të veçonit nga të gjitha?

Nuk mund të bëj dallime, pasi çdo aktivitet çdo ndeshje ka rëndësinë dhe bukurinë e saj. Për mua ato janë të pandara nga njëra-tjera dhe kur i kujtoj i kujtoj si njësh të pandara. Kur garova për herë të parë në kampionatin ballkanik më dukej shumë e frikshme dhe mendoja a do të arrij unë të fitoj një ndeshje. Atë vit arrita të marr vendin e tretë. Një vit më pas u ngjita një shkallë më lartë në vendin e dytë dhe në vitin 2006 i shpalla kampion i ballkanit. Kështu mendoj të vazhdoj edhe më tej.

Cili është objektivi i radhës për Adrianin, kur tashmë në palmaren tuaj numërohen shumë tituj dhe trofe në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare?

Karateja ndryshe nga sportet e tjera nuk ka limit kohe dhe moshe dhe unë ndonëse kam një eksperiencë 10 vjeçare mendoj se jam në fillimin e saj. Karateja është një sport që duhet perfeksionuar çdo ditë dhe unë këtë kërkoj të arrij pas çdo stërvitje, pas çdo kampionati. Përfaqësimi në shumë aktvitete kombëtare dhe ndërkombëtare më ka bërë ta njoh më mirë këtë sport dhe të fitoj eksperiencë pas çdo ndeshje dhe kundërshtari që takoj. Unë kam gjetur rrugën time dhe tani është shumë e rëndësishme që të mos devijoj, por të shkoj drejt. Duke u kthyer tek objektivat ato lidhen më shumë me përfaqësimet ndërkombëtare dhe për mua e rëndësishme është që të ruaj pozicionin që kam, për të kërkuar akoma edhe më shumë në të ardhmen. Vendi i 16-të në renditjen botërore dhe vendi i tretë në Europë, apo titulli kampion i ballkanit në vitin 2006 janë një frymëzim shumë i madh për mua, që më vë përpara një përgjegjësie shumë më të madhe. Aktualisht jam duke u stërvitur shumë për kampionatin europian që do të zhvillohet në fillim të vitit të ardhshëm dhe synimi im është për të arritur në finale.

PARADI, TRAJNERI PASIONANT

“Karateja është një art, ashtu sikundër dhe piktura që duhet ta shikosh dhe më pas të vësh në lëvizje të gjitha shqisat për ta kuptuar. Karateja është perfeksioni i gjithçkaje në botë”, thotë Paridi, që edhe pse në profesionin e tij është piktor, e shikon karatenë si pjesën më të rëndësishme të jetës së tij. Paridi është një ndër pionerët e karatesë shqiptare, që në fillimin e viteve ’90 ju përkushtua këtij sporti me një përkushtim të devotshëm. Shumë vite stërvitje, shumë ndeshje dhe shumë orë leksione për të kuptuar atë që ka brenda ky sport dhe sot ai flet plot krenari për sportin më modest në Shqipëri. Nuk ka patur fatin e Adit që të koleksionojë dhjetra tituj dhe trofe kombëtarë e ndërkombëtare, por ka fatin e madh që ka rritur një kampion të madh. Paridi është në paqe me veten, pasi jetën e shikon me shumë optimizëm, duke jetuar mes artit dhe sportit, një binom që i plotëson të gjithë kohën që ka për të jetuar. Ka kaluar në duar shumë kampionë, por sot ka një ëndërr, të cilën nuk ka frikë ta thotë me zë të lartë: kërkon të shikojë të birin kampion në sportin e karatesë. Është ende i vogël, por një talent i lindur: ndoshta ka marrë më shumë nga geni reçesiv i të atit.

KARATEJA NE SHQIPERI

Edhe pse karateja praktikohet prej 17 vjetësh në Shqipëri, ajo vazhdon të jetë e eklipsuar nga sportet elitare, që mbeten në qendër të vëmendjes nga ministria dhe institucionet e tjera përkatëse që kontribuojnë në zhvillimin e sportit. Por pavarësisht këtij fakti titujt dhe trofetë e fituar nga sportisët karateristë janë të panumërt dhe fama e Shqipërisë nëpër botë nuk ka mbetur vetëm në emrin e Afrim Latifit, një kampioni absolut në Botë dhe Europë për shumë vite, apo edhe të Adrian Hadribeaj, një kampioni që po korr çdo vit lavdi, por shumë emra të tjerë, që kanë ngritur lart flamurin kuqezi në aktivitete të rëndësishme. Karateja nuk është zhvilluar në Shqipëri si sport masiv, por si një sport që gjeneron një pafundësi talentesh.

Prej vitesh në vendin tonë organizohen në mënyrë shumë korrekte aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat janë shembull edhe për sportet dhe federatat e tjera në vend. Mund të veçojmë këtu kampionatet kombëtare “Tirana Open”, “Elbasani Open” dhe “Shkodra Open”, që kanë marrë përgëzime dhe vlerësime edhe nga krerët e lartë të federatës botërore të karatesë. Këto radhë janë një këmbanë e “vogël vëmendje” për shtetin shqiptar, që herë pas herë t’i hedhë sytë edhe te këta sportistë, që të mos i lërë të “vegjetojnë” vetëm brenda guaskës së tyre të pasionit.

SKEDA PERSONALE

ADRIAN HADRIBEAJ

Datëlindja: 1990
Sporti: Karate
Pesha: 65kg
Kategoria: Kadet
Trajner: Parid Dule
Shenja të veçanta: Kampion i padiskutueshëm

Shqip