E premte, 29.03.2024, 02:16 PM (GMT)

Kulturë

Kujtim Agalliu: Thjesht, për një fjalë goje...

E marte, 28.09.2010, 06:10 PM


KUJTIM AGALLIU

 

THJESHT, PËR NJË FJALË GOJE...

 

Tregim

 

Nasipi ishte drejtori më i mirë i ndërmarrjes së poçerisë. I dashur, fjalëpakë, shpirt njeriu, si i thonë. Ai doli në pragun e drejtorisë, një ndërtesë e thjeshtë diku afër stacionit të trenit, hodhi sytë nëpër oborrin e saj dhe thirri:

- Gani, eja pak këtu!

Ganiut iu tha pështyma në gojë. Ai ishte nga ata punëtorë që s’para kishin qejf t’u dilnin të mëdhenjve të ndërmarrjes para syve. I zhytur në hallet e tij, i urtë, i bindur dhe hazër xhevap me këdo, ai ndali këmbët kur dëgjoi zërin e drejtor Nasipit mbas shpine. Aty për aty mendja i shkoi për keq, por edhe drejtorin e njihte që ishte burrë i mirë, dhe nuk priste ndonjë të keqe nga ai. “Megjithatë, drejtori është drejtor, dhe kush e di ç’i thotë mendja!”, mendoi dhe u drejtua te dera e drejtorisë ku e priste ai. 

- Dëgjo, Gani, brenda në zyrë kam një porosi për te stacioni i trenit. Është për një mikun tim. Eja brenda ta marrësh dhe ta çosh se atje po të pret.     

  “Epo, paska qenë e thjeshtë, mori frymë i lehtësuar Ganiu. Kot u merakosa. Ja, tani e çon Ganiu, sa hap e mbyll sytë.”

Ai ishte i papërtuar, mjaft t’i kërkoje diçka, apo t’i lije një porosi dhe nisej pa mënuar. Hyri brenda në zyrë, mori kutinë e kartonit në qoshe të saj dhe u lëshua nga porta për të kryer porosinë.

Këtë herë, drejtor Nasipi i thirri nga dritarja e hapur:

- Dëgjo, Gani! Që të mos lodhesh e të shkosh e të vish sa më shpejtë merr biçikletën time. Mirë? Ja ku e ke te garazhi i biçikletave. 

Gani s’tha asnjë gjysmë fjale. Urdhri është urdhër dhe ai nuk ishte mësuar të kthente fjalë askujt, qysh se kishte filluar punë në këtë ndërmarrje, veçanërisht drejtorit, për të cilin kishte respekt të veçantë.  Shkoi atje, ku i thanë, mori biçikletën, vuri kutinë mbi portopagale dhe doli nga porta e ndërmarrjes. Tani që Ganiu u nis, drejtori e fjeti mendjen dhe u zhyt në punët e tij.

Kaloi më shumë se një orë. Ganiu ende s’po dukej të vinte. Drejtori kishte filluar të bezdisej nga meraku. Ai kishte edhe punë të tjera për të bërë. Më në fund Ganiu u dha te dera. I kredhur në djersë, por i qeshur. Porosinë e kishte çuar në vend. Tani si mbetej veç të njoftonte drejtorin për përmbushjen e porosisë dhe ikte në punën e tij. Drejtori e pa nga dritarja dhe doli ta priste te pragu i drejtorisë, siç bëri herën e parë.

- Ë, Gani, erdhe? U vonove pak, por s’ka gjë. Nuk e kemi me ngut, ditën e kemi përpara. – Ai nuk e la Ganiun, që u bë gati të fliste, të nxirrte një fjalë nga goja, por ia preu menjëherë: - Do të shkosh pak edhe te Fabrika Ushqimore. Kam edhe një porosi për atje. Të lutem, mos përto, mbaro edhe këtë dhe je i lirë pastaj. Merre biçikletën, mos e lërë se të lehtëson punë. Fabrika është pak më larg.     

  Ganiut gati i ra të fikët. Edhe një rrugë tjetër me biçikletën për dore, një rrugë më të gjatë. Ai guxoi e mërmëriti:

- Shoku drejtor, unë...unë nuk di t’i jap biçikletës. Për dore e mora, për dore e solla. Po iki në këmbë më mirë, – dhe u nis.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora