E merkure, 24.04.2024, 09:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Ahmet Selmani: Shndërrimi i realitetit në fantazi

E hene, 27.09.2010, 09:57 PM


SHNDËRRIMI I REALITETIT NË FANTAZI

 

Zija Çela: “SOS një buzëqeshje” (roman), botoi “Ideart”, Tiranë

 

Shkruan: Ahmet Selmani

 

a) Harmonia e rrëfimit

 

Teksa i qasemi romanit me titull “SOS një buzëqeshje” të autorit Zija Çela, pikë së parë vërejmë se lënda e tij bashkërenditet përmes një rrëfimi tejet harmonik, gjithsesi në kuptimin e pleksjes së vazhdueshme të dy elementeve themelore: atij real dhe ireal. Megjithëse fundekrejas kemi të bëjmë me dy gjëra që kanë amëtyrë të kundërt, prapseprapë, në ndërthurjen e tyre arrijnë ta krijojnë një vijë lineare. Thjesht, ngjarjet e romanit ndërlidhen fare lirshëm, kalojnë pa ndonjë pengesë nga njëra kohë te tjetra, përmbysen kokëteposhtas sipas nevojës, por njëherësh edhe ngrihen lart. Si të tilla, kryekëput i përkasin përditshmërisë sonë, shpalosen një nga një si reflekse të çuditshme, manifestohen me anë të thashethemeve të panumërta, vijnë si reagim i brendshëm, si vegulli marramendëse etj., për t’u shkoqitur me anë të fantazisë krijuese të autorit. Sado që të gjitha përthekohen midis dy skajeve polarizuese, në të vërtetë duket sheshit se funksionojnë në mënyrë të njëjtësuar, herë duke ndërhyrë njëra e herë edhe tjetra, gjithnjë sipas shtysës së fuqishme krijuese e imagjinative, me qëllimin e vetëm që të ngjizet një brumë i homogjenizuar e i ndërlikuar. Nëpërmjet lakadredhave të shumta rrëfimore, përplot thyerje e shtresime, detyrimisht autori na fut nëpër sfera të brishta, të cilat aq sa ngjajnë reale dhe aq sa na përkasin neve, po aq ngjajnë edhe të fytyruara dhe po aq i kalojnë kufijtë e njëmendësisë sonë. Kjo harmoni e lakueshme na krijon ndjesi të thellë dhe na lidh me një botë ku përplaset ëndrra dhe zhgjëndra, konkretja dhe abstraktja, e mundshmja dhe e pamundshmja, si tendenca të paracaktuara për t’u shfaqur gjithmonë në trajtën e një elementi të përbashkët. Prandaj, vetvetiu kuptohet se rrëfimi i këtillë ka ndërtim mjaft të përsosur. Përmes rrjedhës së tij, synon plotësisht që gjërat t’i vendosë në pozita antitetike; ato reale t’i bartë në skajet ireale dhe, anasjelltas, ato ireale t’i bartë në skajet reale, që si e si të shfaqet një plotni e ndryshueshme. Por qëllimi është që për çështjen e realitetit të rrëfejë kryesisht nëpërmjet syrit fantastik, si një mundësi artistike, ku do të mund të përkapet e gjithë ajo që është thelbësore për qenien njerëzore brenda kohës dhe hapësirës së caktuar.

 

b) Transformimi fantastik

 

Meqë është e kuptueshme se pikënisja e krejt dëftimit qëndron në suazat e rrafshit real, përkatësisht në atë botë me të cilën ballafaqohet autori, atëherë gjatë vazhdës shtjelluese vërehet se mishërim kryesor bëhet transformimi i saj, për t’i dhënë forcë më të madhe receptuese. Dhe, për sa i përket kësaj, duhet thënë se, ta kundrosh jetën në bazë të asaj që e sheh përreth, nganjëherë ngjet shumë më e fytyruar sesa që mund ta paramendosh në vetvete. Pikërisht në këtë aspekt rrënohet kufiri i prerë ndërmjet reales dhe ireales, shkrihet vija e kuqe që i ndan në mes. Pra, kemi të bëjmë me një koncept tipik si ai i F. Dostojevskit: Nuk ka asgjë më fantastike se realiteti. Ose, si ai i H. L. Borgesit kur thoshte: Tashmë nuk i ngjet letërsia jetës, por jeta i ngjet letërsisë. Sipas kësaj, mund të pohohet se edhe Zija Çela bën një transformim fantastik të realitetit, sigurisht për t’i dhënë kuptim sa më të çuditshëm atij. Parimisht, kishte të drejtë edhe teoricieni C. Todorov, kur elementin e të çuditshmes e pandehte si një kategori estetike, me të cilën veçohet letërsia si zhanër fantastik. Ky element brenda romanit në fjalë është zotërues, ngaqë pothuajse çdo gjë i nënshtrohet një ëndërrimi të pazakontë, madje edhe me përmasa mbireale. Njëri nga personazhet e romanit, Rudi Bodinaku, qysh në fillim thotë: Në qytetin tonë tani të gjithë shohin ëndrra ( fq. 14). Pra, kjo është gjendja tipike që mbretëron brenda romanit; personazhet edhe kur veprojnë në mënyrë aktive, gjithnjë ëndërrojnë jashtë caqeve të arsyeshme, sjellja iracionale e tyre i bën që të përfundojnë larg thelbit të duhur, të zhvendosen lehtë nga njëri rrafsh në tjetrin, të shndërrohen në tipa komikë dhe tragjik njëkohësisht. Të gjitha situatat që lidhen me ta, zhvillohen si një rrjedhojë e pritur, si diçka e paracaktuar, jashtë logjikës dhe asyes së shëndoshë. Vendi i kryqëzimit të ndodhive është Balbona, si topos i vërtetë dhe i rremtë njëkohësisht, ku kryhen veprime nga më të nduarnduarshmet: që nga ndjenjat e dashurisë në kuptimin erotik, kujtimet për fejesat e dikurshme, shtysat e çuditshme për martesë, dasmat larg syve të njerëzve, idetë për biznese të larmishme, përpjekjet për të falur buzëqeshje, e gjer te ëndrrat e shumta për jetë. Zhbirimet e këtyre gjërave paraqesin retrospektivën dhe perspektivën fatale. Nga kjo pikëpamje aty e ardhmja duket si e tashme, kurse e kaluara ngjet si paqenë. Thjesht, kemi të bëjmë me një çrregullim rrënjësor, me një humbje të ndjenjës realiste, ngaqë askush nuk e di ku fillon njëra çështje dhe ku tjetra. Autori orvatet ta zhvedosë realitetin nga shtrati i vet dhe ta bëjë të fluturojë nëpërmjet ëndërrimit të personazheve, për t’i ravijëzuar gjerësisht përmasat fantastike të tij. Duke e përqëndruar vëmendjen brenda Balbonës, ai së pari krijon atmosferën e rrëmujshme dhe kundërthënëse, zhurmën marramendëse të thashethemeve dhe dinamikën jashtëzakonisht të çuditshme jetësore. Dhe, pa asnjë dyshim, ia del që ta tipizojë edhe me figura të veçanta, me njerëz të rëndomtë dhe të ndërlikuar, të cilët janë paradoks i vetvetes dhe i shoqërisë, me ata që realitetin e bëjnë ëndërr, por ëndrrën kurrë s’e bëjnë realitet, për të fshirë çdo kufi dallues dhe për t’u endur si somnambulistë të pashërueshëm. Në mes të këtij kundërveprimi ringjallen fanitjet e tyre të vjetra, por sakaq zhbëhen edhe ato të rejat; ata dëshirojnë të krijojnë bëzëqeshje pas një tragjedie që ka ndodhur, të bëjnë biznes pa e patur të qartë idenë e ekzistencës, të lidhen me martesë pa e ditur se kujt i përket partneri etj. Ky është fati komik dhe tragjik, e mundshmja dhe e pamundshmja që ecin doradorazi. Personazhet, siç janë Rudi Bodinaku, Jari Kaçinari etj., jetojnë sikur të mos kenë të kaluar, për ta ekziston vetëm e sotmja, megjithëse kjo nuk ka të ardhme. Ata gjallojnë në një mjedis të çuditshëm, ku lehtësisht rrëshqasin nga realiteti drejt ëndrrës, për t’u bërë prototipa të pakundshok në kuptimin më komik të kësaj fjale.

 

c) Loja komike

 

Mund të shihet qartë se, një element shumë i rëndësishëm brenda romanit “SOS një buzëqeshje” të Z. Çelës, pa dyshim është edhe loja komike që zhvillohet prej fillimit e deri në fund. Të gjitha situatat e paraqitura nëpërmjet rrëfimit përshkohen nga një humor i hollë, tek shfaqet nëpërmjet veprimeve konkrete ose dialogut të drejtpërdrejtë të personazheve. Tek i vëmë re bëmat e shumta me shthurje të befasishme, në një mënyrë fitojmë përshtypjen se ata vetëdemaskohen ose vetërrënohen, duke dëshmuar katërçipërisht se janë pjellë e rrethanave të çrregulluara, se janë pasojë e rrënimit të çdo ligjësie morale e ekzistenciale. Ajo që ngjet me Rudi Bodinakun dhe Jari Kaçinarin, si dy figura kryesore, mund të thuhet se është një mbretëri e vërtetë komike, ngaqë gjithë kohën e lume ëndërrojnë për ta bërë të njëjtë gjë: të martohen me vajzën e quajtur Nertila. Thënë më saktë, i pari synon të martohet me të, ngaqë ashtu ka kërkuar e ëma e tij, Shushja, ndërsa i dyti synon t’i rikthehet asaj, ngaqë ajo ka qenë e fejuara e tij në fëmijëri. Ëndrrat, hamendjet, shpresat, zbërthimet, përpjekjet etj., që lidhen me ta, vetvetishëm krijojnë një situatë paradoksale me efekte të jashtëzakonshme komike. Prania kaq e gjallë e tyre vetvetiu të përvetëson dhe ta krijon përfytyrimin e një animal ridensi. Dhe, është krejt afër mendsh që edhe në këtë aspekt të zhduken barrierat midis reales dhe ireales, por edhe komikja të shkrihet me tragjiken, duke u krijuar një qesëndi absolute ndaj gjithçkaje që ndërmarrin ata. Prandaj, gjykuar kështu, del qartë se komikja në strukturën e romanit na del si një element estetik tejet i pranishëm dhe i këndshëm për lexuesin. Ajo paraqet kulmin e rrëfimit të ngjarjeve, çendjen e domosdoshme të dukurive që ngjajnë. Nëpërmjet Jari Kaçinarit, i cili njihet edhe për faljen e të vetmes gjë që e ka, pra të buzëqeshjes, si dhe për faktin që nga i varfri bëhet i pasur, gjithçka shndërrohet në komedi, porse e rrëfyer nëpërmjet formës romaneske. Prandaj, kur i sheh këta tipa duke u përpjekur gjithandej të realizojnë ëndrra të zbrazura, duket sikur e vetmja shkëndijë mbetet fati se janë gjallë, se lëvizin lirshëm, se shohin ëndrra pa kufi, se dashje pa dashje shkaktojnë ndonjë buzëqeshje përmes celularit etj. Kështu, s’kemi si të mos e ndiejmë këtë gjendje: shërbimi SOS (Save Our Souls), Shpëtoni Shpirtrat Tanë, është kushtrim thelbësor. Kjo është një thirrje për ta shpëtuar njeriun që e ka humbur ndjenjën dhe vizionion ndaj njëmendësisë ku jeton. Kështu Zija Çela prek një çështje të hollë e të ndjeshme, duke e futur lexuesin në sferat aq të nevojshme të ndërgjegjes njerëzore. Pikërisht në këtë mënyrë romani “SOS një buzëqeshje” mbetet si një metaforë tragjike e realitetit modern, i cili ende vazhdon të kundrohet e të trajtohet si një realitet i ashtuquajtur në tranzicion që çdo ditë e më tepër po e rrënon individin, duke e bërë ëndërrimtar të sëmurë dhe iracional.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora