E shtune, 20.04.2024, 01:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Naim Kelmendi: Poezi shtresimesh metaforike dhe mesazhesh poetike

E hene, 27.09.2010, 09:28 PM


Poezi shtresimesh metaforike dhe mesazhesh poetike

 

Ndue Ukaj: ”Ujëvarat e metaforave”, poezi, botoi Ura, Tiranë 2008

 

Nga Naim KELMENDI

 

Poezia e Ndue Ukajt në vëllimin “Ujëvarat e metaforave”, priret kah niveli metaforik i shprehjes, për ta shtresuar atë dhe për ta ndërtuar në tërë konceptin e ndërtimit të poezisë  dhe kah mëtimi i saj për të ofruar mesazhe sa më të qarta për recepientin. Diskursi i kësaj poezie të Ndue Ukajt hap horizonte më të gjera të shprehjes dhe kuptimit, të fjalës dhe vargëzimit, por dhe pasurimit të figuracionit të ngjeshur si prurje poetike brenda këtij libri, duke thyer në të shumtën shabllone, si kuptim dhe mendësi në shkrimin dhe gjuhën metaforike të poezisë, ndoshta të një pjese të saj nga pararendës, të një pjese të saj të krijuar në Kosovë apo andej në Shqipëri, para viteve nëntëdhjeta dhe më herët. Kjo prurje poetike, brenda këtij libri, e dallon poetin Ndue Ukaj, si parashenjë e veçantë për një identitet të sforcuar poetik, që në nismë të rrugës së gjatë e të vështirë krijuese. Këtë e shpjegon më së miri poezia “Alfabeti im”, sikur tek vargjet:

 

”Unë jam hapi im dhe rruga deri tek atdheu i poezisë…”, apo menjëherë pas kësaj:

 

”Maratona e poezisë nëpër shpirtra të djegur/

Shumëzon ujin tamam si Krisht”.

 

Pra, poeti e kupton qartë dhe mirë misionin që ka arti i të shkruarit dhe një mendësi e tillë e të kuptuarit ka dhe barrën e vet që peshon mbi shpirtin e poetit, në këtë rast të krijuesit, por që ai do t’ua përcjellë këtë të tjerëve, si kuptim dhe si ndjenjë, për t’i ndërgjegjësuar pastaj për peshën dhe misionin e fjalës së shkruar. Këtë do ta gjejmë të shprehur më së miri te poezia me titull”Udhëtimi i vargut”, ku poeti shprehë vetëdijesimin për misionin që merr poezia:”Sot do marr rrugën e gjatë, që fund as fillim nuk ka…”.

 

Ka në këtë poezi mjaft raste të krijimit të shprehjes metaforike, e që mesazhet e tyre poetike, janë aq të fuqishme dhe përbëjnë botën e pasur të poezisë së Ndue Ukajt, i japin peshën asaj si një gjuhë metaforike përplot origjinalitet krijues, si përkah shprehja dhe si përkah ndërtimi, çka në esencë i duhet çdo krijimi të mirë dhe me nivel. Në të shumtën, ironia është ajo figurë metaforike, që ka zënë vend në krijimet e kësaj bote poetike të Ukajt, por poezia e tij nënshtresohet në shumë kahe të shprehjes dhe ndërtimit figurativ të vargut. Mbase poeti është kërkimtar i ngulshëm në krijimin dhe ndërtimin e figurshëm të vargut, për të krijuar poezi që reziston në kohë dhe hapësirë, dhe këtë Ndue Ukaj ia arrin në të shumtën, te vëllimi “Ujëvarat e metaforave”:

 

“Nga të vërtetat dalin rrenat si buburrecat/

Ndërsa këmbët tona nga turbulence e mendimeve/

Humbasin drejtpeshimin/

Në kozmosin e fjalës e tundin pendimin…”.

 

Poezia e Ndue Ukajt kap spektër të gjerë vrojtimesh poetike. Gjuha e kësaj poezie ngërthen në vete specifikat e veta të zgjedhjes dhe skalitjes së fjalëve brenda ndërtimit të vargëzimit, që e funkcionalizon në të shumtën, këtë gjuhë brenda poezisë edhe përkah aspekti semiotik.

 

Poezia e Ukajt mbruan në vetvete një gjuhë të pasur edhe kur ironizon, edhe kur metaforat shpërfaqen ndonjëherë përmes figurave që s’do t’i hasnim tek ndonjë poezi tjetër, apo s’i kemi hasur si të tilla, ato funksionalizojnë kuptimin, ndjenjën, dhe mesazhin e poezisë së Ndue Ukajt, pra i japin asaj shenja të origjinalitetit të theksuar krijues. Dhe, këso shtresimesh gjejmë në shumë raste te poezia e Ndue Ukajt, si te poezia “Thirrje”:”…Përkulem para teje/

 

digjem e flakë s’jam/

muzë, në fillim ishte fjala/

dhe fjala ishte gjithçka/

tanimë s’mbet gjë tjetër/

përpos fjala dhe dashuria/

më dëfto kufirin e jetës dhe vdekjes/

dhe mbretërinë e poezisë…”.

 

Ligjërimi poetik i Ukajt shkon dhe më tej në lashtësinë biblike, duke e theksuar peshën e fjalës, misionin e saj, jo vetëm në botën e shkrimit, por edhe si funksion jete, por mbase poeti e pranon se tash se fjala ka pësuar në transformimin e saj mijëravjeçar një humbje të peshës, dhe ai këtë nuk e pranon, pra nuk e do të këtillë fjalën as misionin e saj, prandaj kërkon që të kuptimësohet pesha e fjalës, apo edhe pesha e poezisë, si te pyetja: ” më dëfto kufirin e jetës dhe vdekjes dhe mbretërinë e poezisë, pra këtu poeti kërkon t’i ketë kuptimet dhe peshën e vlerësimit të këtyre kategorive të ndara dhe të qarta, mbase më shumë për t’i hapur më mirë hullitë e kuptimit jetësor, jo vetëm të vetvetes, në këtë rast, por edhe për recepientin…Dhe, këtu pikërisht duke i dhënë shkak kësaj kuptimësie, poeti dëshiron dhe peshën e poezisë, që në të shumtën e herave Ndue Ukaj e kupton si një mision shpirtëror poezinë, pra krijimin poetik, dhe pikërisht kjo mendësi e vë atë para aq thellësish kuptimore dhe ndjenjore në tërë gamën e kësaj poezie, dhe duke i dhënë asaj rëndësinë dhe peshën artistike si krijim me identitet.

 

Kërkimi i poetit shkon më tej duke sjellë në botën e pasur të kësaj poezie konotime të ndryshme që i japin peshën dhe ndjesinë e veçantë krijimit të vargut pas leximit dhe përjetimit të saj. Te poezia “Fati yt”, poeti njëjëson fatin njerëzor, mbase ai është i vetëdijshëm se një fat kemi të gjithë dhe në përsëritje përgjithmonë:

 

”Unazave të ndryshkura rrokulliset/

Gjumin e vret në heshtje/

fati yt është fati im/

unë s’jam profet e as Krisht s’jam/

unë i besoj dashurisë…”.

 

Pra, fati këtu është fat i përveçëm, por konoton dhe me fatin e përgjithshëm, fatin njerëzor. Poeti në këtë rast i ngre hymën dashurisë, asaj që edhe është perceptim njerëzor më i formësuar në jetën e njeriut, por dhe një vetëbesim do të thosha, mbase për vetë substancën jetësore të tij.

 

Por, theksime të forta metaforike për fatin e njeriut në kohë, në këtë rast edhe të etnikumit të vetë poetit, apo ngapak dhe si fat të tijin jetësor, ai do t’i theksoi me ngjyrime të thella poetike, te poezia”Të gjithë jemi Odise”. Struktura dhe gjuha poetike e Ndue Ukajt, jo vetëm te kjo poezi, por përgjithësisht në sistemin e vet shprehës dhe ndjenjor, brenda librit “Ujëvarat e metaforave”, sjellë aspekte të veçanta ligjërimore, duke i dhënë dimension jetësor të rezistueshëm në kohë dhe hapësirë, poezisë dhe ligjërimit poetik.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora