E premte, 19.04.2024, 05:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Asgjë sikur dielli, Rrok nën rrezet e diellit

E diele, 16.12.2007, 01:29 AM


Rrok nën rrezet e diellit   

Çfarë mund të gjejnë të përbashkët një grafik dizajner, një inxhinier mekanik, një teknik zëri, një veteriner dhe një regjisor teatri? Duket se asgjë nuk mund të lidhë bashkë profesione ekstremisht të ndryshme dhe mundësia e një pikëtakimi të përbashkët nuk ekziston. E megjithatë, pesë djemtë e kanë gjetur lidhjen e përkryer me asgjënë. Ata i bashkon “Asgjë sikur dielli” edhe pse përpara njëmbëdhjetë vjetësh ky emër shihej vetëm për pak, por ishte ky emër që i dha kuptim pasionit të tyre, muzikës.

Suadela Balliu - One

Asgjë sikur dielli
Vera duket se i gjeti dhe i la pak të hapërdarë, jo vetëm në mendime por edhe në vendime. Vokalisti i grupit Alban Nimani e përcolli verën duke vënë kurorë me dashurinë e jetës së tij, të cilën e gjeti pikërisht në Tiranë. Ndërsa dozat e ëmbla të mjaltit të kaluar në Maltë, i duhej t’i kapërdinte me pilulat e punës dhe, me t’u kthyer, do të fillojë punë në studion më të re. Atë që mendon të hapë shumë shpejt në Tiranë, në rrugën “Muhamet Gjollesha”. Veçse, kësaj here, nuk bëhet fjalë për muzikë, por për një studio grafike që Albani mendon ta sjellë edhe në kryeqytetin shqiptar, pas një eksperience të vyer në Prishtinë. Nuk ka ndërmend aspak ta braktisë muzikën e as ta lërë pas dore, se, sa për këtë Albani di t’i injektojë të njëjtat doza respekti dy pasioneve më të mëdha të tij. Edhe pse herë pas here u rrëmben nga pak kohë për t’i lënë hapësira edhe pikturës, me frymëzimin e së cilës ka dekoruar ambientet e studios grafike. Nuk është vetëm Albani që këtë verë e ka shoqëruar me pak largësi bandën  “Asgjë sikur Dielli”. Edhe pse patën pak kohë të bashkoheshin të pestë e të digjnin shaminë e beqarit me Albanin në një të diel tradicionale dasme, e hëna i shpërndau secilin në destinacionet e veta. Fatosi për shembull, udhëtoi drejt Irlandës. Nuk kishte ndërmend të largohej përgjithmonë, as të aderonte në një bandë irlandeze rroku, por për asgjë në botë nuk do të linte t’i shpëtonte, koncerti i grupit “Police”. Ishte eksperiencë unike, përderisa edhe ish-grupi i këngëtarit Sting ishte bashkuar vetëm për koncertin në fjalë. Në fakt, Fatosi nuk ndodhej atje për të dëgjuar zërin e paimitueshëm të Sting-ut, këtë, më e shumta, mund ta bënte Albani, që është edhe personi që u jep zë këngëve të tyre. Fatosi ndodhej atje për të ripërtërirë edhe njëherë imazhin e performancës së idhullit të tij, bateristit Stewart Copeland, të cilit mundohet t’i ngjasojë në performancat me ASD-në, siç e thërrasin shkurt grupin. Ndërsa për të tjerët, vera e zakonshme, me mundësinë e gjetjes së pak kohe për të pushuar, shpejt do ia lërë vendin punëve dhe planeve për të ardhmen e grupit. Alban Nimani, Visar Qeska, Bujar Hundozi, Pëllumb Ballata dhe Fatos Berisha tashmë janë mbledhur në Prishtinë dhe së bashku po ideojnë surprizat, me të cilat mendojnë t’u rishfaqen publikut, pas dy albumesh dhe një sërë koncertesh të suksesshme, jo vetëm në viset e Kosovës.

Përgatitjet për albumin e ri

Ndoshta po mendojnë për një album të ri, apo qoftë edhe për një këngë të vetme, që, duke e qëndisur me të gjithë komponentët provokues, do arrijnë të kenë po aq sukses si me këngët e mëparshme. Idetë nuk u mungojnë dhe frymëzimin e kanë me doza të pesëfishta. “Ende nuk e kemi vendosur qartë se nëse do të bëjmë një album apo do të nxjerrim disa single herë pas here, duke i shoqëruar edhe me videoklipe”, shprehet Albani kur shpjegon planet e për të ardhmen, por për të qenë i drejtë, përsërit disa herë se ky është thjesht mendimi i tij e duhen pyetur edhe të tjerët se çfarë mendojnë. Por, edhe pse nuk janë në të njëjtin vend kur japin mendimin e tyre, bien plotësisht dakord. Edhe Visari, basisti i grupit, pohon saktësisht të njëjtën gjë: “Pakëz jemi disi skeptikë se a vlen të punohet me një album të tërë kur dihet gjendja e mjerueshme e diskografisë në Kosovë dhe interesimit të publikut për të blerë një CD të re. Në kohën e sotme, kur interneti pothuajse gjendet te shumica e të rinjve, duket më “në modë” që të download-ohen këngët sesa të blihet një CD origjinale. Në anën tjetër, mjafton që të shihet vetëm një klip në televizion dhe me kaq përfundon e gjithë puna e një albumi”. Për këtë arsye edhe ata mendojnë të nxjerrin vetëm një këngë në vend të një albumi të tërë. Ndërsa për realizimin e videoklipit për ta nuk duket aspak e vështirë. Idetë e Albanit me punën e Fatosit, i cili është edhe regjisor, nuk duket të gjejnë pengesa për t’u veshur me imazhe, që si gjithmonë premtojnë të jenë metaforike dhe të thella. Sepse është e vërtetë që djemtë janë fleksibël dhe i përshtaten tendencave të reja, por nuk heqin dorë nga rryma e tyre. Luajnë rrok alternativ dhe nuk kanë ndërmend të përqafojnë një tjetër rrymë, as me kushtin se në këtë mënyrë do të kishin mundësi më të gjera për t’u njohur nga publiku dhe të fitonin më shumë. “Muzika jonë nuk perceptohet menjëherë, do pak më shumë kohë për t’u përthithur, sepse është e thellë dhe ndryshon nga ajo komerciale, që konsumohet menjëherë” - rrëfen Albani. Duket se nuk kanë për ta braktisur asnjëherë rrokun alternativ. “I jemi bashkuar grupit një nga një dhe nuk kemi qenë ne që kemi gjetur muzikën alternative, por ka qenë e kundërta. Ishte ajo që na gjeti ne”, thotë Visari, i cili i është bashkuar grupit fill pasi Albani dhe Bujari menduan të krijonin një grup muzikor. Albani e di mirë se muzika e tyre, sado e mirë të jetë, nuk do të arrijë asnjëherë mjaftueshëm në planin komercial. Ai vetë në ditarin e faqes virtuale të grupit e shpreh problemin nga një përshkrim i shkurtër mbi një tjetër grup të talentuar kosovar. “Një ditë derisa po shkoja diku me makinë në qytet, kisha lëshuar Urban FM-in dhe papritmas po dëgjoja një temë interesante me gitarë. Nuk isha i sigurt se ku e kisha dëgjuar, më binte si eko e ndonjë kënge të Radiohead apo ndoshta Coldplay, apo diçka tjetër..., por kur filloi këndimi m’u kujtua se është “Përtej” e Retrovizores. Sapo kishin nxjerrë albumin e ri dhe ma kishte sjellë shoku im, Kresha. Sa i përket kualitetit dhe nivelit muzikor, ky album ishte një milestone në Rock’N’Rollin shqiptar. Mirëpo, mjerisht, ishte një dështim për sa i përket marketingut, prandaj as nuk arriti të përhapet shumë te publiku”.

Duke marrë nismë nga përpjekjet, shpeshherë të dështuara të bandave simotra, Albani, bashkë me të tjerët mundohet të gjejë një rrugë të artë për ta bërë “Asgjë sikur Dielli” të njohur e të dëgjuar për të gjithë publikun, sepse, fundja, ashtu siç thotë edhe ai: “Ky është qëllimi i çdo muzikanti: të këndojë për publikun.” Për ta do të ishte ëndërr nëse do të kishin të njëjtin fat me grupin britanik “Radiohead”, një nga idhujt e djemve. Të bëhen të njohur pa bërë kompromise me komercialimin.

Por “Asgjë sikur Dielli” nuk është i panjohur në mjedisin muzikor. Jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri kanë arritur të fitojnë admirimin e mijëra të rinjve. Askush nuk i ka harruar vargjet “I marri, thosha çdo gjë merr fund pa ty...” nga kënga që u shndërrua në hit-in e të rinjve për shumë pak kohë. “Mendoja se çdo gjë merr fund pa ty” nuk do të ishte e vetmja që e bëri publikun rrokdashës t’i dëgjonte në “Top Fest”, ku ata kanë qenë të pranishëm në të katër edicionet, në koncertet e organizuara nga “Mjaft” e ftesa të tjera, të cilat djemtë i kanë pranuar përherë me kënaqësi. Të rinjtë i pëlqejnë për tingujt, për alternativat, për videot... “Një nga arsyet se pse të rinjtë na dëgjojnë dhe na pëlqejnë është se sjellim rrokun alternativ me tinguj të përzier dhe elektronikë”, shprehen bujari dhe Fatosi. Ata i përkasin asaj botës alternative të muzikës në Prishtinë. Por jo vetëm kjo. Këngët e tyre janë një lloj lirikash sociale dhe metaforike rreth politikës, jetës, njerëzve... dhe ata flasin nga brendia e këtyre problemeve.

Jo më në “Top Fest”

Këtë vit mendojnë të mos marrin më pjesë në “Top Fest”, sepse pas 11 vjetësh nuk u duket vetja edhe aq të rinj për të marrë pjesë në një festival ku pjesa më e madhe janë grupe dhe këngëtarë në fillimet e karrierës së tyre. Madje, Albanit i pëlqen që çmimin e parë në edicionin e katërt e fitoi një këngëtare e re. Megjithatë, i janë mirënjohës “Top Channel”-it dhe “Top Fest”-it, sepse aty gjetën hapësirën e parë për t’ju prezantuar publikut shqiptar. Tashmë, kanë kaluar njëmbëdhjetë vjet nga dita kur Albani dhe Bujari u bashkuan për t’i dhënë jetë grupit “Asgjë sikur Dielli”. Pjesëtarët e tjerë iu bashkuan një nga një deri me ardhjen e Pëllumbit, që, sipas Albanit, ishte copëza që i mungonte puzzle-it për të qenë të kompletuar. Jo gjithmonë u ka shkuar vaj, jo gjithmonë janë kuptuar më së miri me njëri-tjetrin. Albani rrëfen sinqerisht se edhe janë grindur, kanë kaluar edhe një kohë të gjatë pa folur me njëri-tjetrin, e megjithatë e kanë kaluar sprovën, e sot janë sërish bashkë. “Është gjë e mirë kur në një grup ka kontradikta, përballje mendimesh, se do të thotë që ka ide, ka jetë dhe se çdo gjë ecën përpara. Do të shqetësohesha sikur të mos ndodhte kështu”. Bashkë kanë kaluar edhe momentet e tmerrshme që kaloi Kosova në vitin 1999. Si pothuajse të gjithë shqiptarëve të Kosovës, edhe atyre iu desh të braktisnin shtëpitë, jetën që bënin çdo ditë e të gjenin një rrugë shpëtimi. “Atëherë vetëm mendoje si të shpëtoje dhe nuk kishe luksin e kohës të merrje gjërat me vete. Shtëpinë nuk e merrje dot në krahë, as kolltukët apo televizorin. E vetmja gjë që munda të marr me vete ishte masteri i albumit tonë të parë”. Ajo ishte gjëja më e shtrenjtë që Albani mundi ta shpëtonte, me gjithë keqardhjet se i shkoi një punë e tërë dëm, sepse edhe videoklipin e kishte gati në të përfunduar. “Albumi i parë është incizuar në një atmosferë tepër të rëndë. Dita-ditës, deri sa ishim në studio, vinin lajme për të vrarë nga vende të ndryshme të Kosovës edhe kërcënimet për luftë vetëm sa rriteshin. Të mbaje grup në atë kohë ishte sikurse të kesh një dritare nëpërmes së cilës shihje botën normale”, shprehet Visari. Për një kohë të gjatë nuk patën kontakt me njëri-tjetrin, por, kur u kthyen, patën mundësi ta nxirrnin albumin e parë. Aty ku kishin edhe këngën “Mendoja se çdo gjë merr fund pa ty”. Djemve u vjen për të qeshur kur mendojnë se këtë këngë, një prodhim i parë nga Grupi “Gjurmët”, e kishin menduar ta këndonin me liderin e bandës, Migjen Kelmendin. Për pamundësinë e Migjenit, Albani e këndoi vetëm. “E kemi regjistruar shumë shpejt, sepse duhet të mbyllnim albumin. Dhe në atë kohë e menduam thjesht si plotësim të numrit të këngëve”. Por jo edhe për aq çudi, kënga u kthye në hit. Edhe pse djemtë e talentuar të viteve ’80 e kishin kënduar bukur, “Asgjë sikur dielli” i injektoi formulën e vet të suksesit, pa i shpëtuar provokimeve metaforike për të cilat janë aq të njohur në të gjithë Kosovën.

Djemtë që luajnë Live

Dhe reagimet deri më sot djemtë i kanë pasur veçse pozitive. Edhe atëherë kur Albani reagoi ashpër në “Top Show”, fill pas përfundimit të “Top Fest”-it. Nuk mund të rrinte gojëkyçur e të dëgjonte njerëz që s’kishin haber nga muzika të shpreheshin si profesionistë. Në atë kohë, - tregon duke qeshur Albani, - nuk e dinte sa audiencë kishte emisioni, madje nuk ishte i përgatitur as për temën, sepse Alban Dudushi i kish paraprirë thjesht me frazën “Do flasim për muzikën”. Shumë ndryshe kish menduar Albani dhe krejt ndryshe iu desh edhe të përballej në debat. Megjithatë, të nesërmen, ishin bërë të njohur deri në stacionet e karburantit. Nuk do u shpëtonin reagimeve as për këngën “Ku ka më mirë se me qenë shqiptar”, pjesë e albumit të dytë “Ndodhemi”. “Ishim nisur për të ardhur në Shqipëri dhe, ndërsa po kalonim përmes Maqedonisë, një shqiptar nga Maqedonia na pyeti ku shkonim. I thamë se ishim nisur për Shqipëri. Ai na tha: “Sa e çuditshme! Nga Shqipnia, përmes Shqipnisë për n’Shqipni”. Nga kjo u frymëzuam dhe bëmë këngën”- rrëfen Albani. Kënga nuk është një himn për nacionalizmin e as përsëritje në një tjetër formë e brohoritjeve nëpër stadiume “O sa mirë me qenë shqiptar, o ehu”. Në fakt kënga ka një nëntitull, të cilin djemtë e kanë vendosur jo krejt pa qëllim. “Kush m’ka faj që jam shqiptar”, është edhe konteksti i vërtetë të këngës. Por shqiptarët nuk kanë arritur ta kuptojnë si duhet dhe e marrin për një këngë nacionaliste. Në fakt, djemtë nuk duan të ironizojnë ata atdhetarë që ndihen krenarë se janë shqiptarë, por duan të tregojnë me anë të rrokut dhe animimeve të klipit se nuk është në dorën e askujt të zgjedhë vendin ku lind. “Asgjë sikur dielli” janë të pranishëm me performancën e tyre edhe në shumë pub-e e klube, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Tiranë e gjetkë. Janë gjithmonë të gatshëm të këndojnë e madje ta improvizojnë shpejt e shpejt një minikoncert. E vetmja gjë që nuk pranojnë kurrsesi është të shtiren sikur këndojnë. Albani thotë se ka frikë të këndojë me superpozim e nuk arrin të kuptojë se si mund t’i kërkohet një grupi, fill pas një nate ku ka kënduar live, të vërë CD-në e të bëjë sikur këndon. Duket frazë e stërdëgjuar nga shumë këngëtarë e pseudo të tillë, por djemtë nuk e bëjnë aspak për megalomani, veçse e kanë treguar me fakte. Iu ndodhi natën e dytë kur ishin të ftuar në një nga klubet e Tiranës. Pas një nate të kënduar live, pronari u kërkoi të luanin me superpozim dhe djemtë refuzuan menjëherë. Ndoshta ai nuk e dinte se djemtë nuk kanë kënduar kurrë me superpozim, veçse në rastet kur ky ishte rregull i përgjithshëm për të marrë pjesë në një konkurs. U ka ndodhur të këndojnë me playback vetëm në “Top Fest” dhe askund tjetër. Albani nuk ka pasur frikë të këndojë live në skenë as atëherë kur u aksidentua e theu këmbën. “Këndova gjatë gjithë kohës me këmbë të vrarë dhe vetëm pasi mbaroi mbrëmja vajta në urgjencë për ta mjekuar”. Ashtu me këmbë të thyer nuk iu duk aspak e vështirë të dilte dhe të jepte koncert në rrugët e Prishtinës. Një eksperiencë që, edhe pse e dhembshme fizikisht, Albani e ka shënuar si një nga më të preferuarën mes kujtimeve dhe eksperiencave me grupin.

Muzika, profesionet dhe preferencat e tyre

Të gjithë kanë nga një tjetër profesion që duhet t’u përkushtohen për një pjesë të mirë të ditës. Albanin, përveç studiove në Tiranë dhe Prishtinë, e presin auditorët e Universitetit të Prishtinës. Pedagogun e ri të grafikës dhe dizajnit e presin qindra detyra kursi të studentëve të akademisë së arteve. Fatosin e presin projekte dhe filma të ndryshëm, ku ai angazhohet jo vetëm në regji, por edhe në post-produksion e kështu me radhë. Mungesa e një turi koncertesh në të gjithë Shqipërinë, apo koha e gjatë që këtë verë e kaluan larg njëri- tjetrit, nuk ua ka penguar angazhimet e përditshme, por janë mundësitë ekonomike e teknike që e nuk po e bëjnë të mundur. Por ata shpresojnë rreth kësaj, edhe pse shprehen pak pesimistë mbi tendencat e reja muzikore “Hm..., kam përshtypjen se shumica e të rinjve më shumë janë të orientuar nga fast fond-muzika, apo recycle-muzika”- shprehet Visari. Megjithëse jo të gjithë janë kaq pesimistë sa Visari. Fatosi, bateristi i grupit, mendon se të rinjtë janë mendjehapur dhe e kanë më të lehtë të përqafojnë kulturën perëndimore se sa brezi i vjetër. Nuk ka sesi të rinjtë që preferojnë muzikën e grupeve si “Radiohead” apo “Depeche Mode”, të mos pëlqejnë edhe atë të “Asgjë sikur Dielli”, sepse do të ishte e pamundur të mos ndjenin ngjashmërinë në tinguj.

Mendojnë se kanë arritur të jenë të famshëm, gjithmonë në kornizat e asaj që mund të jenë në mundësitë e realitetit shqiptar. Nuk ëndërrojnë që këngët e tyre të transmetohen në MTV, megjithëse në arenën ballkanike janë bërë të njohur. Në Festivalin Ndërkombëtar të Artit Ballkanik, i zhvilluar në Slloveni në vitin 2006, fituan Çmimin e

Muzikës mes muzikantëve dhe grupeve nga i gjithë Ballkani. Shumë shpejt do të udhëtojnë drejt Egjiptit, në një Festival Rroku, ku do të performojnë live. Kanë arritur të bëhen të njohur, kanë fituar trofe dhe çka është më e rëndësishmja kanë arritur të transmetojnë atë që kanë dashur më shumë. Nuk e kanë arritur me një pulitje sysh, siç ndodh rëndom në tregun muzikor shqiptar, por plot njëmbëdhjetë vjet punë shprehen se ende i pret edhe ca rrugë për të bërë që të arrijnë aty ku kanë dëshiruar gjithnjë të jenë.

“Asgjë sikur dielli”

Alban Nimani Vokal. Është diplomuar për Graphic Design në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Më pas u largua drejt Anglisë për t’u specializuar në Multimedia, në Institutin e Arteve në Bournemouth.

Bujar Hundozi Kitarë. Është diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë mekanike në Prishtinë. Ndikimet muzikore i ka pasur nga David Gilmour, Johnny Greenwood, The Edge dhe Mike Olfield.

Visar Qeska Bas. Është diplomuar në Fakultetin e Veterinarisë në Sarajevë (Bosnje-Hercegovinë). Filloi t’i binte kitarës bas që në shkollë të mesme.

Fatos Berisha bateri. Është diplomuar për regjisurë teatri. Punon si regjisor dhe producent ekzekutiv në RTK. Influencat më të mëdha i ka pasur nga Stewart Copeland (The Police) dhe Larry Mullen (U2).

Pëllumb Ballata Tastierë. Profesioni i tij i dytë është teknik zëri.

Në vitin 1996 Alban Nimani, Bujar Hundozi dhe Visar Qeska formuan grupin “Asgjë sikur Dielli”. Në vitin 1998 përfunduan albumin e parë, por arritën ta publikojnë vetëm në vitin 1999, pas përfundimit të luftës në Kosovë. Album “1” është një përzierjeje e rrokut tradicional me muzikën alternative. Më 16 maj 2004 në “Top Fest”, edicioni i parë, fitojnë çmimin “Grupi më i Mirë Pop Rock”. Në verën e vitit 2005 publikojnë albumin e dytë “Ndodhemi”.

Në vjeshtë të 2005-ës fitojnë çmimin “The best alternative video”(videoja më e mirë alternative) në Zhurmashow Festival, për videon “Ku ka më mirë se me qenë shqiptar (kush m'ka faj që jam shqiptar)”.  Më 30 Shtator 2006 fituan çmimin e muzikës në Festivalin Ndërkombëtar të Artit Ballkanik në Ljubljanë të Sllovenisë. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora