E shtune, 20.04.2024, 11:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Gjergj Fishta: Bukurija prej së cilës ngjallitë arti

E hene, 27.09.2010, 09:58 PM


Bukurija prej së cilës ngjallitë arti

 

Nga At Gjergj Fishta

 

Po i ra nierit me kulturë të mjaftueshme, me edukatë fisnike e ndiesi njerzore me pi për të parën herë - fjala vjen - nji Apollo del Belvedere, ndonji Madonna të Rafaelit, a se nji ç'do tjetër kryeveper artistike, aj me nji herë ka për t'u shtangue, të thuesh, m'kambë prej habije e me gojë hapte me soditë ato bukuri qiellore; i kndellen shpirti e jeta, e 'i herë për nji herë e ndien vedin për njimend të lum, ke mendja i rrmehet e i shuken cektimet e vullndesës, e aty për aty as mendon gja, as lakmon gja, as nuk i epet me thanë fjalë tjetër, veç se: ah! sa bukur!"Ah! sa bukur!" Tri fjalë të vetme janë kto, por ndër kto tri fjalë asht përmbledhë e gjith natyra e artit: bukurija. Bukurija, po, asht njajo qi përban artin, sa qi pa të art nuk ka- as në Shqypni, ku nëpër dekrete ministrore po mund u krijojshin artistat, po, por arti jo. Ma e para punë pra, qi na do të sprovohemi me shqertue ktil asht me ia caktue kuptimin e vërtetë fjalës: "të bukurt" (pulchrum, il bello).

Para vshtirsis së saj theme u asht dridhë pupla në dorë der nji Platonit, nji Aristotelit, nji Akvinatit, jo ma po mrrijm na me e zhvillue si duhet e sa duhet. Me gjith kta po ia himë ksajë barre, e në mos na zafet frymën nën peshë të vet, zhyte-mbyt do t'i dalim përtej. E me kallxue të drejtën, do të më vite fort mirë, po mund shkruem gja mbi kët themë, qi mos të jetë krejt të dejë për "kosh", pse kshtu kishim me u diftue a slav a grek - me gjithë shqype na sod mund të zhvillojm ma të vshtirat çashtje të filozofis.

 

Gjithshka zehet e përftohet në kët jetë, zehet e përftohet - si thonë të diejshemt e eksperjenca vetë na mson-për nji qëllim. Edhe kshtu sendet të gjitha, tue u individualizue në natyrë, do të bijn me vedi të gjith elementat e përmvehtsit (proprietates) e lypuna, për t'u kapë te qëllimi i vet secilla. Prandej sendet të gjitha, në sy të qëllimit të vet e të Shkasit të Parë qi i trajtoi, janë të mira e të pëlqyeshme, e njiheri, edhe të bukura; pse, shka pëlqen, asht gjithmonë edhe të bukur.

 

Por kjo bukuri e sendevet, të trajtueme mbas ligjeve të paluejshme të natyrës, nuk asht bukurija prej së cillës ngallite arti. Tue kenë se vepra artistike do të jetë nji krijesë (creatio) - si hi me u pa ma vonë - ajo asht nji dishka ktejt m'vedi (quid unicum), nji individuum përmbrenda rruzullimit, por qi nuk asht pjesë e rruzullimit: asht si mrekullija, e kuptueme mbas filozofijet. Të gjitha sendet e mrekullueshme në vedvedi. Harmonija e qiellvet, - fjala vjen, - ligjet e randamenis (gravitatio), të përftuemt e nji fijes së barit etj. janë përnjimend sende të mrekullueshme, por nuk janë mrekulli; pse janë pjesë e rruzullimit e shkaktohen nëpër do ligje të caktueme të natyrës. Ndërsa mrekullija zehet se asht nji fakt sporadik, i çuditshëm e qi shkaktohet në natyrë, po, por jashta ligjeve të natyrës; prandej nji fakt krejt m'vedi e qi s'hin në rend të sendevet të rruzullimit. Edhe kshtu bukurija e sendevet të rruzullimit nuk mund të përbajë nji vepër artistike, të marrnë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Fotografija, për shembull, na paraqet bukurin e sendevet të natyrës fort ma besnikisht se ç'do artist; me gjith kta fotografija nuk asht art, asht nji zanat (mestiere); tue kenë se paraqet sendet si janë pjesë e rruzullimit, e jo si gja krejt me vedi e të shkëputna prej stillit të rruzullimit, sado qi të shkaktueme mbrenda rrethit të tij, ashtu si do t'i paraqesë arti. Prandej edhe ka i herë kryeveprat artistike quhen mrekulli (miracula muridi). T'a imtojm pra, tash, punën e të shofim se ne shka përmbahet bukurija e artit.

 

Të kenunit artist

 

U tha sypri, se bukurija asht nji rreze, nji dritë, e cilla - ku ma pak mbas brumit të landës në të cillën konkretohet sendi, si dhe mbas mëndyret nëpër të cillën nieri ia paraqet vedit bukurin - buron prej harmonijet qi kanë ndërmjet vedit tri përmvetsit kensore të sypripërmendura të sendit. Po pse, m'atëherë, mbasi bukurija e sendevet mund të dallojet prej ç'do nierit, njerzt të gjith nuk jane artista, si na e dishmon vetë eksperjenca? Arsyeja asht, pse ma parë ma dalë bukurija, si kjo shkëlxen prej sendevet t'individualizuem n'ekzistencë, nuk përban natyrën e artit; së dyti, pse, tue hi ndër faktorë të veprës artistike edhe artisti, më do cillsi të veçanta, për me kenë artist nieri duhet qi të ketë le artist.

 

Për me zhvillue kët të vërtetë edhe ma mirë, e mbasi u tha se bukurija asht dritë, ktu po biejm nji shembull të buruem shi prej dritet. Thonë naturalistat e vetë eksperjenca na mëson - prej të thyemit ç'do rreze dielli gjinden të shtatë njyrët e ylberit. Pse, pra, nuk shifen ylbere ditë për ditë e vend për vend sa herë qi bjen dielli? Arsyeja asht pse, për me u nde ajrit lëmaja e ylberit, lypet nji gjeje e posaçme e atmospherës. Kshtu, për me dallue me sende at bukurin qi përban natyrën e artit, lypet në nieri nji fuqi cilsijet të veçantë: lypet fantazija. Edhe, me pasë për t'u thanë se shpirtent e njerzvet janë të gjith të nji zotsije, pse substanca të fjeshta, fantazija, tue kenë se ka si nji dishka natyret të shpirtit e të trupit, intenziteti, gjallnija e tjerat cillsi të saja ndrrojn mbas shumimit të trupit të njerzvet, e kta në mëndyrë qi, sado me pasë për t'u rovatë nieri, kurr nuk mundet me ia ndrrue a me ia mëndyrsue (modificare) cillsit fantazis së vet. E prandej ka mbetë fjalë ndër intelektual: orator fit, poeta nascitur. Qe pra arsyeja për të cillën të gjith njerzit, sado qi të gjith përfshijn me mend (percipere) bukurin, nuk janë të gjith artista.

 

Madhnija

 

Për me kenë artist, ma parë ma dalë lypet "geni" - nji shpirt bujar, mendjet të kthjelltë, depertuese (intuitive), me nji fantazi gjallnijet të posaçme. Kur sendi i paraqitet nji fantazije kso dore të gjallë, me nji herë rrezet e bukuris s'atij sendi kanë për t' a përshkue anë e kand e me e shndritë si rrezja e diellit nji kristal të kulluet a nji pike vese m'gjeth të lilit, edhe fantazija trandet n'ata të dukun. E pse edhe drita e bukuris, si ajo e diellit, vjen tue shkue e tue u shtue, kshtu fantazija ma tepër kndellet, xehet, entuzjasmohet, rrmehet. Tash sa ma në dritë të madhe të jenë të përfshijmë sendet, aq ma të mdhaja duken - si mundet me u konstatue prej syzave të mikroskopit - kshtu mendja e artistit e shef sendin të smadhuem në fantazi fort ma tepër se nuk gjindet në natyrë. E pse mendja e artistit iden e sendit të bukur e sendergjon jo mbas arsyetimit, por mbas intuicjonit, kshtu proporcjonet e ides së sendit në mendje t'artistit janë gjithmonë ma të mdha se në natyrë. Madhnija pra asht elementi ma i parë i bukuris a se i natyrës s'artit. Kshtu duket se e kishte pase mendue punën edhe Aristoteli, i cili thotë: Pulchrum in magnitudine et ordine consisti. .. Qui major est, quatenus patet, pulchrior est secundum magnitudinem... Pulcritudo semper in magno corpore existi: unde parvuli "formosi" dici possunt, non "pulchri': Por edhe Averroes dan se ka kenë ktij mendimi, pse diku shkruen: Pulchritudo est proportio inter membra media et extrema.

 

Roli i intuicjonit

 

Dikush pat pvete nji herë Rafaelin, tue i thanë se kah aj e nxierte at bukuri aq te bindshme të "Madonne-vet" të veta: "Da una certa idea': i përgjigjet Rafaeli. Pra jo prej ndonji ideje të zakonshme të sendevet si gjinden në natyrë, por prej nji ideje të përftueme nëpër intuicjon në mendje t'artistit mbi sendin, si ky gjindet i smadhuem në fantazi. Prandej gabojn ata qi thonë se arti asht nji ndërndjeksim a imitacjon i natyrës; si mundet me u vërtetue puna edhe prej fotografijet, e cilla sigurisht paraqet natyrën ma besnikisht se ç'do artist në nam e në za, megjith kta ajo nuk asht art. Ma tepër shifet se madhnin e ides s'objektit të veprës artistike e sendergjon geni, a se shpirti, substancë individuale, e fjeshtë e arsyetuese - të thonë shka të thonë idealistat e materjalistat e ksokohshëm, pak a shum nipa e stërnipa majmunash, jo aq pse shum ndër t'a e mbajn vehten se jane rodit të majmunit, sa për punë qi të gjith - po thue, se si majmuni - imitojnë teorit e straplakne të kohvet të kalueme...



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora