E premte, 19.04.2024, 02:33 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Ushtria shqiptare, bëmat më të mëdha i ka me veten?!

E diele, 16.12.2007, 12:29 AM


Nga Ben Andoni

Orët numëroheshin pas ngadalë. Tiranën e kishte kapur një ngërç i frikshëm, ndërsa propaganda e italianëve i kishte topitur njerëzit. Të varfër, të pashpresë, shqiptarët shikonin se përballë po u mbërrinte një gjë tjetër e re. Pas zallamahive të zakonshme, aty-këtu kryengritjeve që mbylleshin më shpejt sesa plasnin, ushtria shqiptare kishte ballafaqimin e parë të saj me zjarrin. Deri më atëherë, njerëzit e mbretit e kishin kuruar me kujdes imazhin e saj. Por, në det- ishte nisur Flota e Italisë për të okupuar. Jo shumë larg qendrës së kryeqytetit dhe bash në zemër të ngjarjeve, krye-adjutanti i mbretit, Hysen Selmani është duke bërë rakordimet e fundit. Na ka lënë shënime patetike, ku gjërat shkojnë ‘fjollë’ në Pallat...Derisa... Telegrami i Seregjit: Romë 6 Prill 1939, Ministrit Libohova Tiranë. Pasi propozimet e marra nën përgjegjësi janë këtu të papranueshme, stop, për të shkarkuar çdo përgjegjësi nga personi im lutemi pranoni dorëheqjen time sot. Seregji. Ky është i pari, që tërhiqet. Në këtë telash na vjen Komandanti i Mbrojtjes Kombëtare Gjeneral Xhemal Aranitasi në Pallat në orën 7 pasdite. Ai vjen në biro tek unë. Ishte krejt i demoralizuar, e m’u drejtua: “Ju lutem lajmëroni Lartmadhërinë e Tij Mbretin se dua të hyj ta takoj pak”. Takimi zgjat fare pak, por gjenerali i jep një letër në dorë mbretit, ku i kumton dorëheqjen. Ka më pak se një ditë nga pushtimi. Çfarë komandanti?! Pasi merr vesh dorëheqjen e Sereqit tërhiqet:”... Nga gabimet dhe mosplotësimi i detyrës së urdhëruar më kanë gënjyer e tradhtuar. Ngaqë nuk kisha si t’i dilja Mbretit përpara dhashë dorëheqjen. Ama Huseum Beg të kam vëlla, rregulloje ta marr prapë dorëheqjen dhe duke pranuar përgjegjësinë mbi vete. Nuk jam Italian dhe nuk jam tradhtar”. Sot, që gjykohen ftohtas gjërat dihen, se pushtimi ishte i kryer, por duhet t’i japim një imazh ushtarakut tonë. Të shikojmë se ç’bëjnë oficerët e tjerë shqiptarë në të njëjtin burim (kujtimet e Hysen Selmanit). Ndërkaq, dhjetëra aeroplanë italianë, kanë filluar propagandën me trakte pafund nga qielli. Në orën 7.50 të mbrëmjes më telefonoi kolonel Ali Riza Topalli, prej Vlorës - ku më deklaroi: “Këtu skam asnjë fuqi përveç kapiten Dod Nikollës, me një kompani të R. Kufirit në Pasha Liman. Tjetër nuk kam. Tani urdhërova vetë batalionin e instruksionit në Korçë që të niset sa më parë për në Tepelenë. Kapiten Haxhi Xhilaga, me dy kompani të R. Kufirit është gati në afërsi të Delvinës, ku po ndërlidhet me toger Taifor Dibrën në Sarandë. Armët nuk i merr kurrkush deri tani. Kanë mbetur në kazermë, sepse propaganda këtu është shume e madhe prej italianëve. Major Gjok Mirashin e kam urdhëruar me batalionin e xhandarmërisë të niset për Tepelenë. Ai m’u përgjigj se nuk kam urdhër e nuk kam lajme të mira për këtë. Major Bilal Nivica akoma nuk ka ardhur në kontakt, as nuk e di se ku ndodhet, nuk është në Gosmar. Kam kërkuar shpeshherë komandën e Mbrojtjes Kombëtare në telefon, e nuk është përgjigjur askush”. Ushtri e shkërmoqur si me sustë, ndërkohë që deri më atëherë para njerëzve është dhënë imazhi i një ushtrie të fortë. Zogu, kryekomandanti i ushtrisë kombëtare, bën aktin e fundit me këtë mesazh me radio: “Italia i ka bërë kërkesa të tilla Shqipërisë që do t’i hiqnin asaj pavarësinë. Unë dhe qeveria ime nuk do të pranojmë kurrë kërkesa të tilla. Përballë agresionit, ftoj të gjithë popullin shqiptar të bashkohet në këtë çast rreziku, për të mbrojtur sigurinë e vendit dhe pavarësinë e tij me gjak…. Nuk duhet të humbisni kurajën dhe dashurinë për Atdheun, i cili shpejt ose vonë do t’i fitojë të drejtat natyrore. Rroftë Shqipëria! Rroftë populli shqiptar!” Kujt ia bën, në fakt? Ai duhet të dijë mirë se çfarë ushtrie ka. Pushtimi italian kryhet shpejt. U luftua simbolikisht në Durrës dhe në Vlorë. Shumë ushtarakë shqiptarë, duke përfshirë edhe funksionarë të lartë të Zogut, janë bashkuar normalisht me okupatorin...Vetë, Mbreti largohet për të mos shkelur më kurrë në vend.

Intermexo-Ushtria deri më 1939
Nëse më 1921, kur nis riorganizimi i FA-ve i raportohej Shoqërisë së Kombeve, se buxheti i ushtrisë, me 7000 pjesëtarë dhe i Xhandarmërisë, se bashku kapte shifrat 6.500.000 Franga Ari, më 1931-32, ky buxhet ishte rritur tashmë në shifrat marramendëse për kohën 16.491.200 Fr. Ari, ose mëse 53-54 përqind të gjithë buxhetit të shtetit. Kështu në se më fillimet e organizimet të Forcave të Armatosura, në Vlorë, numëroheshin vetëm 150 nënoficerë të karrierës, më 1937- Ushtria Shqiptare numëronte 1400 të tillë, ndërkohë që ajo kishte vetëm 600 oficerë. Janë disa kuadro italianë që drejtojnë të gjitha, mbi të gjitha, atasheu i parë ushtarak në Shqipëri, Koloneli Alberto Pariani. Në mesin e viteve ’30, funksionarët italianë arritën rreth 240 vetë. Megjithatë luftëtarë të admirueshëm në malet e tyre, të gjithë këta burra humbnin shumë nga efikasiteti i tyre në një betejë në fushë të hapur, thotë Quaroni, një nga misonarët kryesorë për shqiptarët. Rritet ndjeshëm shkalla e kualifikimit të oficerëve dhe nënoficerëve shqiptarë në shkollat ushtarake italiane etj, por kjo nuk mjafton se politika ishte bërë mbizotëruese dhe përcaktuese, gjë që u shfaq kërcënueshëm në 7 prillin e vitit tragjik 1939. Për më tepër, shqiptarët mbeten konfuzë Populli shqiptar është më pak logjik se çdo popull tjetër. Dhe, pastaj nuk ka asgjë më pak të lehtë sesa të pajtosh një politikë logjike me ambicie kontradiktore..., shton Quaroni.

Sërish nga ushtria shqiptare
Në orën 05.00 të mëngjezit, më 7 prill të vitit 1939, Shqipëria sulmohet nga Italia. Të paktën, në këtë orë forcat italiane kanë zbarkuar në Vlorë, Shëngjin, Sarandë dhe Durrës. Rezistenca ka qenë e pakët dhe duket se përkon me dhjetëra urdhrat, e çuar dëm, që janë dhënë për të forcuar brezin mbrojtës prej javësh nga Lartmadhëria?! Nga Vlora kolonel Ali Riza Topalli lajmëron me telefon: “Flota italiane tani filloi bombardimet prej detit e ajrit dhe shkarkoi në Portin e Vlorës e Karaburun. Luftën e fillova vetëm me një kompani ushtarake të R. Kufirit nën komandën e kapiten Dod Nikollës e 50 xhandarësh. Asnjë fuqi tjetër akoma nuk kam. Jam duke u tërhequr ndër shpatet e Sevasterit e të Llogarasë për sistemimin e ndërlidhjeve me fuqitë tona që po i presim orë më orë”.Njësoj fatkeq, nga Durrësi Major Abaz Kupi, lajmëron me telefon: “Flota italiane ka rrethuar Durrësin dhe hyri në Port. Janë mëse 30 copë anije në Durrës, Porta Romane e Zonat e Banjave. Nuk patëm kohë për të minuar portin. Ne do të bëjmë detyrën, aviacioni po na dëmton shumë. Urdhëroni komandën e Shijakut, që të na vijnë në ndihmë, e sidomos të sigurojë Zonën e Banjave”. Kur bisedon në telefon fillon bombardimi dhe mitralozat ndjehen deri në telefon...derisa nuk më sinjal. Këtë të dy janë nga të vetmit, që luftojnë. Ndërkohë, që në Torren e Durrësit vritet kapteri trim Mujo Ulqinaku, që drejton lokalist një rezistencë ndaj italianëve. Kaq. Pas dy telegrameve, qeveria shqiptare, vendos që të dërgojë ministrin Rrok Gera dhe nënkolonel Sami Kokën për të folur me komandantin italian të zbarkimit Guzzoni. Kjo është e vetmja.

Pak për pjesën tjetër
Pa asnjë dyshim, Forca e armatosur më e madhe në numër, e cila paraqiti një skemë organizative me formacione më të qëndrueshme sulmuese, të cilat erdhën në rritje në përfundim të luftës, ishte ushtria Nacional-Çlirimtare. Këta ishin vullnetarë, që zotëronin një fuqi të madhe goditëse, disiplinë dhe shpirt të lartë luftarak. Pavarësisht se në kujtimet e emisarëve britanikë ka shumë mospëlqim për ta- në një vend bashkohen, që ata të paktën reagojnë ndaj fashistëve. Falë dhe mbështetjes së Aleatëve, deri në fund të nëntorit të vitit 1944 numërohen 70.000 luftëtarë të rreshtuar në 24 brigada, 8 divizione sulmuese dhe 3 Korpormata, si dhe dhjetëra formacione territoriale në tërë sipërfaqen e vendit. Shumë prej ushtarakëve janë të shkolluar jashtë dhe numri i tyre i kalonte të 120 vetët. Duke iu referuar një materiali, cituar nga ish-shefi i shtabit Pëllumb Qazimi ushtria shqiptare, e quajtur Kombëtare prej 10 korrikut 1945 deri në korrik 1949 dhe pas kësaj e deri në vitet ’90 Ushtria Popullore kaloi përmes një zinxhiri të gjatë ndryshimesh e reformimesh. Fillimisht, ajo u zvogëlua shpejt dhe ndjeshëm. Në korrik 1945, efektivi i saj ra në 45.000 vetë; në fillim të viteve 1946 zbriti në 35.000 vetë; për të vijuar më 1954 në 33.500 veta; më 1955 në 41.000 veta; më 1958 në 27.000 veta drejt shtimit të limiteve në vitet ’60 e më pas. Ushtria jonë përshtati një filozofi tjetër “duke provuar skema të reja organizimi dhe vendosjeje, në raport me kërkesat dhe situatat politiko-ushtarake të kohës, për një mbrojtje sa më të sigurt”, cituar nga Gjeneral Qazimi ashtu si të dhënat më parë. Në ag të demokracisë ishin 61.000 ushtarakë aktivë ose mbi 2% të popullsisë, 360.000 rezervistë dhe mbi 200.000 forca vullnetare-territoriale, pa folur për mobilizimin e rinisë studentore e shkollore të armatosura. Ushtria la kazermat dhe u shkoq në afro 2200 pika hapje dhe garnizone në të gjithë sipërfaqen e vendit. Por luftë nuk pa me sy. Armiqtë ishin kudo, por për të luftuar nuk luftoi. Përjashtim bënë përgjigja ndaj incidenteve të grekëve me 1949.
...
Xhemal Aranitasi, ish komandanti i Mbrojtjes Kombëtare në Mbretërinë shqiptare, e pranoi sërish detyrën atë ditë. Të paktën kështu thotë Hysen Selmani. Sesa luftoi dihet. Një gjë është e saktë: u largua nga Shqipëria me Mbretin Zog. Do të vdiste në Turqi në vitin 1961, kur Shqipëria filloi të bënte karshillëk dhe në “Traktatin e Varshavës”. Vendi u mbush me bunkerë dhe shqiptarët shikonin luftë kudo. Por, luftë nuk kishte. Është një postulat, që duhet të ketë burim ushtarak, sipas të cilit, një ushtri është e fortë nëse kalitet ndër luftëra dhe sprova. Pavarësisht patetizmit tonë, Shqipëria nuk pati “fat” të bënte luftëra, veç asaj kundër fashizmit dhe gjithë kohën u përgatit për një armik që nuk ishte. Ndihma e vetme ishte në Luftën e Kosovës, kur shumë ushtarakë u mobilizuan direkt kundra armatës serbe. Për të ardhur në fund, ku tashmë e reduktuar në minimum është duke u përgatitur për sfidën e saj të futjes në NATO. Këtë herë patrullat tona, që shërbejnë në misione paqeruajtëse Afganistan, Irak dhe Bosnje janë si dallëndyshe për një ushtri tjetër, të cilës po i shpeshtohen orët për në NATO. Deri më atëherë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Në vend të parathënjës Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - S'kam fuqi te kthehem ne vendlindje Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Jeta ma këtheu shpinën atëherë, e tash vetëm e shikoj atë Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Ju lutem, me lini te vdes! Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - E vetmja gjë që më ka mbetur janë fëmijët Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Jeta e saj përfundoi në valët e Adriatikut Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Tragjedi në një familje Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Tmerri në ditën e “gënjeshtrave” Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Nënës i plasi zemra Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Prova e burrërisë Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Plagët e cigares Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Do të doja të harroja çdo gjë Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Ecja në vdekjen e paralajmëruar Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Ju e gëzofshi lirinë, mua më mbetet t’i qajë plagët Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Caku i policëve ishte bunari i axhës!!! Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Më shpëtoi shiu që binte rrëmbyeshëm Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Atë ditë qante edhe Prishtina Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Ajo do të mbetet e çmendur pëgjithmonë Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Më braktisi mua dhe fëmijët Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Rrëfimi i vogëlushes nga Dukagjini

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora