E marte, 23.04.2024, 07:32 AM (GMT+1)

Kulturë

Intervistë me poeten Laureta Mema

E diele, 16.12.2007, 10:59 PM


Laureta Mema lindi në Kukës, me 1979. Shkollën e mesme dhe shkollën e lartë e mbaroi në Tiranë duke u specializuar për letërsi frënge. Gjatë viteve 2001-2003 punon për organizata jo-qeveritare të huaja për projekte të ndryshme humanitare. Aktualisht, vazhdon vitin e fundit të doktoratures  në Universitetin e Washingtonit ku në të njëjtën kohë jep mësim si pedagoge dhe shkruan në shqip poezi dhe tregime. Libri i saj i parë “Macet Kanë 7 Shpirtra” iu ofrua publikut shqiptar në shtator 2007.

Si ka lindur poezia tek ju?

Poeti nuk mundet t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. Poezia e ngjizur përfshin brenda edhe atë rrugë të panjohur drejt burimeve të lindjes së saj. Sidoqoftë, jam e sigurtë që jam ndeshur me të ballë-për-ballë kur isha pesë-gjashtë vjeç e kisha fatin të dëgjoja tërë ditën bjeshkëve historitë e ‘babagjyshit’, i cili i quante ato ‘historitë e gurëve’.  Unë besoja në atë kohë që gurët flisnin dhe ua ktheja me historitë e mia, e bindur se gjuha e re qe ‘thurja’ nuk ishte e huaj për ta.

Duke qenë se jetoni në një vend të largët, a ka ndikuar kjo largësi në poezinë tuaj?

Ardhja në Amerikë ka ndikuar patjetër në krijimtarinë time. Në vitin 2003 vendosa të ndjek studimet në Universitetin e Arizonës. Klima e shkretëtirës më thithi menjëherë në qetësinë e saj. Kam shkruar gjithmonë në Shqiperi ndërsa në Arizona e braktisa disi të shkruarin kreativ pasi iu përkushtova e tëra studimeve, kritikes teorike dhe letërsisë. Në vitin 2005 pas mbarimit të masterit vendosa të ndjek doktoraturën në Universitetin e Washingtonit. Kështu po kaloja nga një ekstrem në tjetrin, nga vendi i diellit në vendin e shiut. Me të mbërritur në Seattle kisha një nevojë të papërshkrueshme për të shkruar. Përveç poezisë, proza m’i hapi dyert dhe unë hyra si në shtëpinë time. Largësia mbart në vetvete kryesisht mallin, vetminë, meditimin, absurden, etj. me të cilat padyshim poezia vazhdimisht brumoset.

Çfarë ka të veçante të jetuarit në një vend të tillë?

Për mua Amerika ishte një rrugë e vështirë që ndërmora por e domosdoshme për të arritur aty ku dua të arrij. Letërsia ka qenë gjithmonë ushqimi im i përditshëm në Shqiperi dhe e lexoja në tre gjuhë por mundësia për të studjuar më tej në universitetet amerikane më ka ofruar sigurisht dimensione të reja. Të studjosh në Amerikë do të thotë në radhë të parë të kesh ne dispozicion një biblotekë shumë të pasur. Gjithashtu do të thotë të kesh mundësinë të takosh shkrimtarë dhe studjues të njohur nga e gjithë bota, t’i kesh ata profesorë, t’i dëgjosh në konferenca të ndryshme, të diskutosh me orë të tëra për tema të shumëllojshme multidisiplinare. Pra, e veçanta më e madhe për mua janë arritjet në anën profesionale. Shpesh më ndodhte të lexoja artikuj kritikë për shkrimtarë shqiptarë nga studjues të huaj dhe më dhembte në shpirt që studjuesit shqiptarë mungonin kaq shumë në debatin kritik. Kontributi im i ardhshëm në këtë fushë do të jetë i sigurtë dhe kjo më gëzon jashtë mase.

Cilat janë sfidat që ju është dashur të ndeshni?

Me të filluar masterin në Arizona, artikujt që duhej të shkruaja ishin në anglisht, pra në gjuhën time të katërt dhe stili akademik ishte pothuaj i panjohur për mua për shkak se shkollimi im i mëparshëm në Universitetin e Tiranës ishte i bazuar në leksione e jo në libra e arikuj siç ndodh normalisht këtu. Mendoj që mungesa e librave dhe planeve mësimore në përputhje me standartet jashtë janë një sfidë e papërshkrueshme për studentët shqiptarë që vendosin të ndjekin studimet pasuniversitare në një vend tjetër. Me anë të internetit sot është e lehtë t’i sigurosh këto standarte duke ndjekur shembujt e universiteteve të njohura, ndaj e shoh të paarsyeshme këtë boshllëk kaq të rëndë për brezin e ri. Sfida tjetër sigurisht ka të bëj me jetën e përditshme. Mua më është dashur shpesh të ja filloj nga fillimi, dhe kjo sigurisht që të forcon, por ndryshe është të jesh në vendin tënd e ndryshe në një vend të huaj ku ti gjendesh krejt papritur vetëm përballë një kulture krejt tjetër, larg familjes e miqve të tu, larg shumë gjërave që të mungojnë duke filluar që me gjuhën shqipe.

A keni plane të afërta për t'u kthyer?

Unë kam ardhur në Amerikë, siç e thashë, për të mbaruar studimet pasuniversitare. Me të mbaruar ato kam ndërmend të kthehem. Këtë verë isha në Shqipëri e askush nuk më mori seriozisht kur përgjigjesha kështu, as ish-profesorët e mi. Është e vertetë që në Amerikë apo Europë mundem të siguroj kushte më të mira jetese por unë jam shkrimtare dhe ndonëse flas tashmë në pesë gjuhë, Shqipja është e vetmja që është ulur denjësisht në fronin poetik e unë normalisht do t’i bindem gjuhës që më flet në shpirt. Në Shqiperi dua të angazhohem plotësisht për të dhënë kontributin tim në fushën që jam specializuar por edhe në jetën e përditshme. Nuk më trembin aspak problemet e shumta. Po të më kishin trembur nuk do të isha këtu ku jam sot. Shqipëria ka nevojë o sot o kurrë për intelektualë të zot që ta përfaqësojnë atë denjësisht si brendapërbrenda saj e si në arenën ndërkombëtare. Është lumturi për mua, kur takoj studjues të njohur letërsie këtu në Amerikë dhe sapo them “jam nga Shqiperia” ata buzëqeshin duke shtuar me admirim emrat e mëdhenj të shkrimtarëve tanë me famë botërore. Por jam edhe më e lumtur, kur pas studimit të kaq shkrimtarëve të huaj prapë frymëzimi im mbetet letërsia shqipe.  Për mua kthimi në Shqipëri nuk është sakrificë por zgjidhja e vetme. Kuptohet, pjesëmarrja në konferenca dhe detyrat profesionale në vendet e tjera do të jenë gjithmonë urë e domosdoshme shumëkalimshe.

Ku e shihni veten pas 10 vitesh?

Pas dhjetë vitesh? Dikush tha: “Nëse s’e di çdo të sjellë e nesërmja, shiko mirë të sotmen!”.  Një gjë e di me siguri, do të vazhdoj të shkruaj. Këtë vit që vjen do të shkruaj tezën në Francë dhe pas marrjes së doktoraturës në Universitetin e Washingtonit, do të kthehem në Shqipëri. Atje kam ndërmend të vazhdoj të shkruaj dhe të jap mësim në departamentin e letërsisë Shqipe si në Tiranë dhe në Prishtinë, jo duke shpresuar për standarte më të mira por duke ngulmuar që ato të arrihen sa më shpejt. Një ish-profesori im më pat ngacmuar dikur me shaka në Tiranë: “Ku e merr tërë këtë energji, sikur ushqehesh me barut mëngjes-drekë-darkë?”.  Poezia sigurisht do të më thoshte se ajo energji më vjen nga shumë larg, se ajo ka lindur e lirë tek unë me fjalën e parë shqipe. 
Në të ardhmen e shpejtë me siguri, populli shqiptar do ta rigjej dinjitetin e tij, me plot kuptimin e fjalës, si në Shqipëri, si në Kosovë, Maqedoni e kudo, edhe unë do të jem patjetër përkrah atyre të paduruarve që duan ta shohin e ta jetojnë këtë dinjitet sa më parë (jo duke ikur nga ‘vetja’ por duke u rikthyer tek ajo). Kur kjo të arrihet shumë shpirtra krahë-vrarë nëpër botë do të kthehen të shërojnë plagët e gjata të dhimbjes tek ‘zemra shqiptare’ që s’tha kurrë ‘Lamtumirë!’. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora