Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Migjen Kelmendi: Kur Kosova perjetohet si republika Srpska

| E shtune, 15.12.2007, 09:26 PM |


Kur Kosova perjetohet si republika Srpska

Nga Migjen Kelmendi*
 

Migjen Kelmendi
Zgjedhjet 2007. Të fuqishme, për dike tronditëse e frapante, ishin rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Kosovë. Ma të fuqishme se rezultatet ishin mesazhet dhe mësimet e pësimet që dolën nga këto zgjedhje. Mesazhi kryesor ishte ai i përcaktimit për demokraci i shoqnisë kosovare, e cila me votën e saj bani që demokracia me funksionue n’Kosovë. Që rrota e demokracisë kosovare – me u sill.

Mesazh i fuqishëm ishte ai që mori partia LDK - se pushteti po përfundojka nji ditë, po t’rrshitka prej dore nji ditë. Të alarmuem e të trulluem nga kjo e vërtetë, protagonistë të kësaj partie, nisën me Kallë Kadastra, me i zhduk gjurmët e nji nga plaçkitjet ma të mëdha të pronës publike në historinë e shkurtë të Kosovës. Plaçkitja ma e madhe e pronës publike nuk u krye në kohën e Serbisë, por në kohën e qeverisjes së LDK dhe AAK. Kallja e Kadastrit asht metafora ma e gjetun që ilustron këtë qeverisje, dhe fatkeqësia asht se kjo nuk asht vetëm metaforë, po akt konkret që shenoi fundin e nji qeverisje në qytetin e Prizrenit dhe metaforizoi qeverisjen e LDK dhe AAK.

Mësim i randësishëm për partinë opozitare PDK ishte se sa zor e sa shumë po dashka me pritë me e marr pushtetin. Sa shumë po zgatka e sa shumë po kushtojka kjo punë. Po kam shpresë se kjo parti e pati mundësinë me kuptue se çka nuk duhet e nuk guxon me ba. E di, asht shumë zor me  besue se maca që ju ka afrue psheshit, s’ka me e hangër. Por, i garantoj kësaj partie se nëse lejon që po i njajti dimension korrupcioni me kaplue, ka me psue shumë ma keq se LDK e AAK. Elektorati kosovar kuptoi dhe mësoi diçka shumë të randësishme për demokracinë me këto zgjedhje: se me votë po u ndërprejka hajnia e keqqeverisja. Kur ata banë me i ardhë fundi pushtetit të LDK, që e kishin mitizue e tejçmue gjithmonë, imagjinoni çka i bajnë nji partie për të cilën nuk treguen asnjihere respektin e duhun e të pritun prej saj.

PDK e ka vetëm nji shans: me veprue në të mirë të qytetarëve të Kosovës.

Nacionalizmi i vonuem shqiptar. Njashtu si “Ilirët” kishin problem me shkrim, e s’na lanë gja shkrue, “Ilirët” e shekullit 21 kanë problem me lexim e me interpretim. Kanë problem me nacionalizëm. Paaftësia me e definue saktë nocionin “KOMB” ka ba që Kosova dhe Shqipnia, papritmas me u përfshie nga nji emocion i rigjetun nacionalist, i cili shprehet në shumë trajta në jetën publike të dy vendeve përmes çashtjes së “Flamurit”, “Gjuhës”, “Kombëtares në futboll”, “Rrugës”…dhe kjo zakonisht shkakton nji shpërthim iracional emocionesh, ku s’e din a asht ma shqiptar e ma “ilir” Blendi Fevziu a Baton Haxhiu:)

E keqja e këtij lloji nacionalisti të vonuem asht se këta vetëm sot, në shekullin 21, aty rranxë projektit maramendës “Europa”, e kanë zbulue që tek kokan shqiptarë. Ky asht ai njeri që bjen me flejtë shqiptar por njani tutet mos po zgjohet serb (gazetari bojë Khaki), e tjetri mos po zgjohet proletar (gazetari i gzuem), sepse shqiptarizma e tyne asht në latencë. E paformueme. E pakryeme. Ende s’e ka marr bojën e duhun (me gjasë të kuqe). Ende e ka bojën Khaki. Andaj i duhet me e theksue, ja tue folë për flamurin shqiptar, ja tue sha serbë, ja tue folë për Shqipninë e Madhe…ose versionin e moderuem Konfederatë …Ajo që të ban me u çuditë nuk asht aspekti karikatural i këtij nacionalisti të vonuem, si gazetari bojë Khaki, por emnat tjerë publik si Arbër Xhaferi, Veton Surroi, Shkelzen Maliqi…Shqiptarizma dhe nacionalizmi  kishin kuptim vetëm atëherë kur ishin të rrezikuem nën presionin e nji dhune shtetnore jugosllave e serbe. Ishte atëherë me randësi me e theksue edhe flamurin, edhe përkatësinë kombit, edhe vlerat e dimensionet e tij. Por sot, sot asht kollaj me qenë shqiptar. Sot ma shumë i shkon kangës “oh sa kollaj me qenë shqiptar” sesa “oh sa mirë me qenë shqiptar”.

Sot u ba kollaj me qenë shqiptar, po kurrë ma zor s’ka qenë me u ba njeri. Me dinjitet e vetrespekt.

E aspekti që ma së shumti kompromiton këte nacionalizëm të vonuem e këta shqiptarë të shekullit 21, e që me gjasë s’janë aspak koshientë këta shqiptarë të rigjetun kur flasin për Bashkimin, për Flamurin… asht se me këto ambicie bashkimi reduktojnë aspiratën e qytetarit të Kosovën nga mvetësia e shteti, nga integrimi n’Europë në nji diçka si – “Republika Srpska”. Ky model i të menduemit që reprezentohet përmes disa nga emnat publikë, na e redukton e përçudnon Kosovën në nji Republika Srpska të dytë. Nacionalizmi i vonuem i këtyne njerëzve ban që nji përpjekje legjitime për mvetësi, vetadministrim e shtet të pamvarun, përpjekja për integrim n’Europë, me u galucue e katandis mbrenda nji kompleksi të “Republika Srpska”, e cila gjakon me ju bashkue amës.  

Muj me qenë i gabuem, por mbetem i bindun se ambiciet e elitës kosovare kapërcejnë kompleksin “Republika Srpska”, dhe drejtohen nga Brukseli dhe Europa, e jo nga Tirana dhe gjakimi me ju bashkue amës. Destinacion i Kosovës s’asht Tirana, po Brukseli. Kosova s’po lufton me u integrue n’Shqipni, po n’Europë.

*Butuesi i gazetes ''Java''