E enjte, 25.04.2024, 06:36 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Kosova, gjashtë sfidat e pavarësisë

E diele, 19.09.2010, 09:00 PM


Kosova: gjashtë sfidat e pavarësisë

 

Nga Gani MEHMETAJ

 

Kosova do të jetë shteti i 194-të i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Me numrin e banorëve, territorin dhe pasuritë natyrore hynë në mesin e shteteve të vogla. Ka vende edhe më të vogla se sa shteti i ri, që janë anëtare të OKB-së, sikurse që ka edhe shtete të kësaj madhësie, apo edhe më të mëdha, që janë pranuar në dhjetëvjetëshet e fundit në OKB dhe në BE.

 

      Në Gadishullin tonë, Kosova është më e madhe se sa Mali i Zi, ndërsa afërsisht ka banorë, po edhe territor sa Sllovenia, tashmë anëtare e BE-së dhe e OKB-së; ka banorë sa Maqedonia, me të cilën BE-ja ka nënshkruar liberalizimin e vizave;  është më e vogël se sa Bosnjë-Hercegovina, Kroacia e Serbia, vende të rajonit të cilat janë pranuar në OKB dhe janë shtete që u krijuan nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë doli edhe Kosova, mirëpo shqiptarët, popullata shumicë nuk u takojnë kombeve të sllavëve të jugut. Kosova ishte pjesë e Shqipërisë deri me 1912-1913 dhe prej 1941-45 kur u ri okupua nga Serbia, përkatësisht nga ish-Jugosllavia. Kosova u bë shtet i pavarur me mundësi të integrimeve të brendshme, integrimeve evropiane etj.

 

 Shteti i ri është rast i veçantë, ka tërësinë territoriale e gjeografike, popullatën homogjene, traditën dhe historinë, kapacitetet njerëzore e ekonomike, pasuritë natyrore dhe vitalitetin e popullatës për të jetuar në mënyrë të pavarur dhe për të gjeneruar të mira materiale e standard të kënaqshëm për banorët e vet.

 

       Mëvetësia nënkupton edhe shkarkim të jashtëzakonshëm të energjive të brendshme pozitive, punë kreative dhe entuziazëm që mund të bëjnë çudira. Nuk është fjala se vendi ka popullatën mbase me të re në rajon dhe në Evropë përgjithësisht, por është fjala për energjitë e fjetura, të cilat dalin në sipërfaqe dhe gjejnë klimë të përshtatshme për t’u drejtuar për së mbari. Një gjë e këtillë pritet edhe në Kosovë duke marr për bazë këmbënguljen e popullatës për t’u pavarësuar. Mirëpo, mëvetësia njëkohësisht nënkupton përgjegjësi të madhe të shtetit të ri ndaj shtetasve të vet, përgjegjësi për veprime ose mosveprime të caktuara, kujdes e përgjegjësi ndaj bashkësisë ndërkombëtare, organizmave të ndryshëm dhe ndaj paqes në botë. Pavarësia po ashtu nënkupton edhe veprim për t’u ballafaquar dhe për t’i tejkaluar sfidat të cilat janë të pashmangshme dhe të pritshme në të gjitha fazat e lindjes, zhvillimit dhe të ecjes përpara të shtetit të ri. Prandaj, Kosova është para sfidave të mëdha, nëpër të cilat kalon secili shtet i ri kur të pavarësohet, ndërsa shteti i ri ka sfida të veçanta, sepse ka edhe specifikat e veta, të cilat ndryshojnë nga shtetet e tjera të rajonit e të botës.

 

         Njëkohësisht Kosova ka edhe përparësitë e veta. Është mirë kur shfrytëzohen përvojat e shteteve të tjera në rajon, por është mirë të ndiqet përvoja specifike, në mënyrë që të gjendet rruga e cila i përshtatet rrethanave krejtësisht tjera, të cilat janë të ndryshme nga ato shtete të cilat u pavarësuan më herët.

 

       Është edhe një përparësi e madhe: Kosova nuk pati ndërvarësi të madhe ekonomike nga Serbia, përkatësisht nga ish-Jugosllavia, sepse edhe ai shtet nuk u shqua për ndonjë ekonomi të fuqishme dhe për ndonjë aftësi të mbizotërimit me industri të fortë apo industri përpunuese. Më shumë ishte fjala për shfrytëzimin e burimeve natyrore të Kosovës  si xeheve, prodhimeve bujqësore e pyjore, fuqinë e lirë punëtore etj. Prandaj, ekonomia e re ka mundësi të riorientimit më të shpejt dhe pa pasoja me cilindo rajon apo shtet, pa pasur nevojë të ri programimeve, që dinë të jenë traumatike dhe të vështira.

 

Disa nga ekonomitë e këtyre ish republikave, të cilat mbizotëronin në atë shtet, edhe tash kanë marrëdhënie të mira me Kosovën dhe kanë qëndrim dashamirës, madje ka raste të investimit të tyre (Sllovenia dhe Kroacia), kështu që fare lehtë është zëvendësuar çdo vartësi e mundshme, sidomos tregtia gjysmë ilegale.

 

         Në anën tjetër edhe ajo ekonomi e mëparshme nga e cila trashëgoi Kosova ishte ekonomi socialiste, e cila qysh në kohën e shpërbërjes së shtetit me shumicë sllave pësoi tronditje të mëdha si pasojë e udhëheqjes socialiste të ekonomisë.

 

         Ekonomia e tregut nuk është përvojë e re për shtetasit e Kosovës. Ata edhe më herët janë orientuar në ekonominë e vogël, e kundërta e ekonomisë socialiste, kur mbizotëronte ekonomia e tipit të kombinateve, e dirigjuar nga shteti, sepse më së paku nga të gjitha republikat dhe krahinat e ish-Jugosllavisë shqiptarët ishin të punësuar në institucione shtetërore apo institucione publike, prandaj nevoja i futi më herët në një ekonomi atëbotë më të rrallë në ish-Jugosllavi, ekonominë e tregut, kështu që dyqanet e vogla argjendarie, restorantet, hotelet dhe shërbimet e tjera, përgjatë pjesë më të madhe të qyteteve bregdetare të Adriatikut dhe në pjesën më të madhe të gadishullit, ishin të shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë. Po ashtu, shqiptarët më se shumti u orientuan në Perëndim. Është diaspora më numër më të madh, krahasuar me numrin e banorëve, gati një e treta e popullatës aktive punon e jeton në Evropën Perëndimore dhe në SHBA, meqë papunësia në vend ishte dhe është e madhe. Kjo i pati dhe i ka përparësitë e veta: në të kaluarën ishte Diaspora ajo që e mbajti gjallë jetën sociale, ekonomike dhe e financoi rezistencën paqësore, e institucionet paralele të shqiptarëve,  pastaj Diaspora e financoi edhe luftën e armatosur. Më vonë ndërtimet më të shumta u bënë nga njerëzit tanë që jetojnë, ose punojnë në Diasporë.

 

        Nga Diaspora pritet të investojnë, sepse edhe ndihmat e emergjencës tashmë kanë pushuar nga ky komunitet, me ndonjë përjashtim. Është faza që shteti të përqendrojë të gjitha energjitë për të bindur bizneset e fuqishme të njerëzve tanë në Perëndim për leverdinë e investimeve në vendlindje, duke u dhënë përparësi dhe duke i liruar edhe nga taksat e ndryshme. Në anën tjetër duhet të përmirësohet imazhi i keq i pasluftës, kur një pjesë e njerëzve tanë në Diasporë u kthyen me entuziazëm për të investuar në Kosovë, por u zhgënjyen, ndeshën me format e ndryshme të mashtrimeve, shantazheve e grupeve mafioze të krimit të organizuar. Me një fjalë, në valën e parë të entuziazmit ata i dëbuan, sepse nuk patëm shtet dhe nuk patëm njerëz që do t’u kundërviheshin mashtruesve. As në këtë fazë shteti nuk është duke punuar në planin e punës me njerëzit tanë në Perëndim, por duhet  të vetëdijesohen, sepse koha, nëse vonohen nuk punon për ta, pa angazhimin e institucioneve.      

 

             Sfida më e madhe e Kosovës, dy vjet pas pavarësisë është aftësia e gjenerimit të të mirave materiale. Ish-pushtuesi vazhdimisht është përpjekur ta bind opinionin ndërkombëtar dhe shtetet të cilat ishin në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, se vendi nuk ka aftësi të jetojë në mënyrë të pavarur. Janë bërë kalkulime e spekulime të ndryshme për të treguar se vartësia e shtetit të ri nga ish-pushtuesi është e madhe. Këtë gjë e kanë bërë edhe përmes shqiptarëve, duke i stimuluar të bëjnë tregti të ndërsjellë me veprime të dyshimta, të trumbetojnë se nëse shkëputën rrugët me Serbinë, Kosova do të izolohet, gjë  që ishte e pavërtetët, por që një pjesë e shtypit tonë e sforconte në mënyrë të paarsyeshme dhe të paargumentuar pak para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në një qastë të caktuar një pjesë e medieve e krijuan përshtypjen se po u shpall pavarësia Serbia do të na i zë të gjitha rrugët e furnizimit. Doli se kjo ishte presion politik dhe që ishte shpifje.

 

        Me kohë u pa që ekonomia e Kosovës, më së paku është e varur nga Serbia, në të gjitha planet. Lidhjet  tregtare që ekzistojnë më shumë janë lidhjet e grupeve joformale, që të mos thuhet grupeve mafioze, meqë mallrat i fusin në mënyrë klandestine ose gjysmë klandestine në vend, sepse kufijtë nuk kontrollohen si duhet, prandaj janë edhe mallrat më të lirat në rajon, por njëkohësisht edhe mallrat më jo cilësore e me pasoja për shëndetin e popullatës, meqë kanë prejardhje e përpunim të dyshimtë e cilësi të pakontrolluar.

 

              Me forcimin e shtetit goditja e parë duhet t’i bëhet ekonomisë dhe tregtisë ilegale e gjysmë ilegale që vjen nga kufijtë e veriut, pra nga Serbia, prej nga vjen edhe pjesa më e madhe e krimit të organizuar. Natyrisht krimi i organizuar funksionon e vepron edhe brenda territorit të Kosovës.

 

           Ushtrimi i sovranitetit mbi gjithë territorin e Kosovës ka rëndësi të jashtëzakonshme për sigurinë e Kosovës jo vetëm se goditen forcat kriminale të shërbimit sekret serb, por edhe për mbrojtjen e kapitalit, të ekonomisë dhe të shtetit ligjor. Kontrollimi i kufijve është me rëndësi të madhe, sepse pos që e godet shteti kontrabandimin e mallrave të dyshimta, të drogës dhe të tregtisë ilegale, njëkohësisht e mbron ekonominë e vendit dhe tregtinë e ndershme nga konkurrenca e pandershme. Janë edhe shumë faktorë të tjerë të cilët e bëjnë imediate mobilizimin për të mbrojtur dhe kontrolluar gjithë territorin dhe të gjithë kufijtë, duke bashkëpunuar me forcat e KFOR-it - përgjegjëse kryesore për çështjen e sigurisë, mirëpo njëkohësisht duhet të binden edhe shtetet e fuqishme që e bëjnë politikën në rajon se sa më parë që të lejohet kontrollimi i kufijve, më shpejt do të stabilizohet rajoni dhe Evropa përgjithësisht.  

 

         Sfida tjetër, e cila me një përqendrim shumë më të madhe të institucioneve të Kosovës mund të përballohet pa vështirësi të mëdha është joshja e investimeve ndërkombëtare. Janë disa mundësi të joshjes së kapitalit të jashtëm: investimet e Diasporës, që do të bënin gjëra të mira për komunitetin dhe për shtetin; huat apo kreditë ndërkombëtare me kushte të pranueshme për zhvillimin e infrastrukturës dhe të projekteve të mëdha kapitale dhe investimi në fabrikat për përpunimin e ushqimeve; të teknologjisë së lartë si filiala të firmave të mëdha dhe të ndërtimit të qendrave të mëdha për mallra transite që do të kalonin nga përtej Adriatiku në Lindje dhe e kundërta.

 

          Ekonomia e Kosovës është mundësi e mirë për të investuar, por njëkohësisht duke investuar në këtë ekonomi, do të ndikonte në avancimin e standardit, sepse Kosova edhe më tutje është vendi më i varfër i rajonit për arsyet që dihen. Doli nga lufta, trashëgoi një ekonomi ish-socialiste, me kombinate të mëdha që prodhonin humbje, apo që punonin kryesisht për industrinë e ish-Jugosllavisë, pa marr shpërblimin e duhur, por me direktivat e shtetit merreshin xehet e përpunuara të Trepçës apo xehet e papërpunuara nga Kosova.

 

          Në planin ndërkombëtar, ndërkaq, janë disa gjëra në këtë mes që varen nga faktorët e jashtëm, mirëpo pjesa më e madhe varët nga faktorët e vendit: luftimi i krimit të organizuar, krijimi i infrastrukturës, ligjet e mira dhe të pranueshme, përgatitja e njerëzve për t’u përballur me të arriturat më të reja, varën nga institucionet e Kosovës, sepse ato gjëra i përcaktojnë institucionet e vendit e jo të tjerët. Arsimimi në të gjitha shkallët është më rëndësi të jashtëzakonshme, ndërkaq, realisht këtij segmenti të rëndësishëm nuk i është kushtuar vëmendje e duhur, prapë duke menduar se janë të tjerët që duhet ta marrin përgjegjësinë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora