Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arbën Xhaferri: Kush e çliroi Kosovën?

| E shtune, 15.12.2007, 07:43 PM |


Nga Arbën Xhaferri

Kush e çliroi Kosovën? Këtë pyetje e shtrojnë historianët, që zhvillimet historike detyrimisht i kundrojnë nga një distancë kritike, intelektualët, që nuk i lejojnë vetes mundësinë e një vetëmashtrimi të ri, cinikët, që me ironi krijojnë distancën ndaj triumfalizmit euforik të shqiptarëve, cinikët, që gjithnjë riprodhojnë diskursin për paaftësinë proverbiale të shqiptarëve dhe të tjerët që monotinë e përditshme e trazojnë me polemika për çështje të ndryshme.

Kjo pyetje parashtrohet me qëllime të ndryshme, herë me vend e herë pa vend, me dashamirësi dhe dashakeqësi, me mburrje dhe përbuzje, me pietet dhe përdhosje... Kjo është e natyrshme për shoqëritë e lira dhe të hapura.

Natyrisht se edhe unë në vazhdimësi jam i pushtuar, jo aq nga kjo dilemë sesa nga habia për mënyrën e shndërrimit të çështjes së Kosovës, çështjes shqiptare në çështje globale, gjithnjë duke pasur parasysh peshën tonë në kandarin botëror. Këtë habi e shfaqin madje edhe ata që u pleksën në çështjen e Kosovës, si Havier Solana, i cili ishte Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në kohën e bombardimeve dhe tani inspektor i lartë i UE-së. Në botë pra, jo vetëm në mediume, por edhe në qarqet më të larta intelektuale dhe politike nuk ekziston, ose më saktë thënë nuk ka rëndësi dilema me peshë polarizuese se kush e çliroi Kosovën, por habia se si një çështje e vagët u shndërrua vezullimë që tërhoqi në fillim vëmendjen dhe më vonë edhe angazhimin e faktorit ndërkombëtar në zgjidhjen e kontestit.

Çuditërisht në hapësirat shqiptare nuk shfaqet, në mos mahnitja me këtë mrekulli, atëherë të paktën habia me këtë katapultim të papritur të çështjes së Kosovës në agjendat kulmore ndërkombëtare. Në këtë mes serbët duken më të habiturit, të cilët duke mos kuptuar asgjë prodhojnë teori sa më të pabesueshme konspirative, në pellgun e të cilëve sot grymet çështja serbe. Njëri nga eksponentët më të grymur, Shesheli, këto ditë në Gjykatën e Hagës, zdap si e ka falur Zoti, përpiqet ta mbrojë çështjen serbe me zbulim të komploteve të ndryshme të organizuara nga forcat e errëta. Si argument i nxjerr librat voluminozë që kanë kompiluar ai dhe bashkëpunëtorët e tij. Temë e përbashkët e këtyre shkresurinave mijëra-faqëshe është akuza për Vatikanin si seli e Satanës, për papët, Palin dhe Bdekun si kriminelë në shërbim të Djallit, për F.Tugjmanin si shërbëtor të Vatikanit, për A.Izetbegoviqin si shërbëtor i CIA-s... Çfarë kotësie, çfarë fiksacioni çmendurak, çfarë katandisje të një populli që vështirë se do të çlirohet nga pozita e pengut të paragjykimeve dhe iluzioneve narcisoide.

Pra, dilema se kush e çliroi Kosovën, ose cili flamur e çliroi Kosovën, ai i NATO-s apo ai kombëtar shqiptar, mund të jetë interesant si fakt empirik, por kurrsesi si argument që e minimizon deri në trajta qesharake rolin e shqiptarëve në këtë proces historik.

***

Pra, a patën shqiptarët ndonjë rol të rëndësishëm në procesin e shthurjes jo vetëm të Jugosllavisë, por edhe në proceset e tjera me rëndësi strategjike, a ishin ata instrument, material shpenzues, përshpejtues, katalizator apo epifenomen i një projekti të drejtuar nga qendrat e huaja që për interesa të tyre gjeostrategjike, gjeopolitike, ekonomike apo nacionale e iniciuan këtë proces të jashtëzakonshëm historik? Mendoj se kjo dilemë duhet të zgjidhet me maturi, me argumente dhe kurrsesi me kompleks të superioritetit apo të inferioritetit. I vetëdijshëm se një vlerësim serioz i këtij procesi kërkon një distancë kohore, qasje të lirë ndaj dokumenteve historike, megjithatë e marr guximin që të spikas disa fakte që më duken të rëndësishme dhe që shpesh anashkalohen në polemikat tona, kryesisht empiriste, induktive, të cilat, nga tepria e fakteve, konkretizimeve banale, nuk arrijnë ta zbulojnë idenë, cilësinë e re, ngjashëm me situatën kur prej drunjve nuk shihet pylli.

Jugosllavia filloi të humbë betejën me vetveten në Kosovë, pas demonstratave të vitit 1981. Nëse merret parasysh se në bllokun lindor, qëllimisht ishin gërshetuar popuj dhe kultura të ndryshme, për ta bërë të pamundshme vetëvendosjen e popujve, sipas doktrinës që Lenini e huazoi nga U.Uillsoni, nëse merret parasysh se çështje si ajo shqiptare ka pasur me dhjetëra, duke filluar prej Çekosllovakisë e deri në Kazakistan, prej Bullgarisë e deri në Latvi, nëse merret parasysh se asnjëri nga këta popuj, gjithsesi të pakënaqur nga pozita e tyre në këto sisteme, nuk mori guximin që haptazi ta shfaqë pakënaqësinë që krijonte iluzionin se në sistemet e demokracive të ashtuquajtura popullore çështjet etnike, njëherë e përgjithmonë janë zgjidhur, atëherë demonstratat e shqiptarëve në Kosovë të vitit 1981 marrin një peshë tjetër, një cilësi tjetër, që nuk ekzistonte në kampin lindor. Shqiptarët në ato kohë represive treguan gatishmëri, guxim dhe përkushtim, që të rihapin kapitullin e çështjes etnike në kampin lindor, që ta sfidojnë sistemin me vetëdije të plotë për pasojat e rënda. Këtë e bënë vetëm shqiptarët, por jo vetëm kaq. Ata vazhduan të qëndrojnë në pozitat e tyre, vazhduan t'i bëjnë ballë represionit, në fillim me organizim ilegal dhe më vonë gjithnjë e më hapur dhe më gjerë. Qëndresa e shqiptarëve, pak nga pak filloi të nxjerrë në sipërfaqe realitetin e hidhur të këtyre sistemeve, të ligën, që me kujdes fshihej prapa kuintave demagogjike, e cila në fund të procesit u shfaq e zhveshur nga çdo skrupull. Në aktin e fundit të kësaj drame u pa qartë standardi i ulët i vlerave të një sistemi, indoktrinimi masiv shovinist i të gjitha shtresave të shoqërisë, prej akademikëve e deri te klerikët që pa dilema morale, politike dhe intelektuale e bënin avokaturën e krimit. Qëndresa e drejtë e shqiptarëve, urtësia dhe guximi i tyre nxori në shesh të ligën, kështu që Kosova u shndërrua në Armagedon ku përfundimisht u ballafaqua e mira me të ligën. Ky ballafaqim jo vetëm i së mirës me të ligën, por edhe i origjinalit me surrogatin, vazhdon dhe zgjerohet, tanimë edhe në institucionet globale, prej Gjykatës së Hagës e deri në OKB. Sot shtetet e vërteta demokratike ku zbatohet ligji, ku respektohen realisht të drejtat dhe liritë e tjera të njeriut e mbështesin pavarësinë e Kosovës, ndërkaq ato të demokracisë surrogate e pengojnë këtë, jo për shkak të Kosovës, por për shkak se e humbin luftën në planin global.

***

Një fjalë e urtë malazeze, thotë "Nuk bie bora për ta mbuluar bregun, por për ta zbuluar bishën". Në Kosovë u zbuluan gjurmët e bishës; sfida shqiptare e sistemit që pretendonte se përfundimisht i ka zgjidhur çështjet etnike, nxori në shesh mungesat e këtyre formacioneve shoqërore, kështu që, radhët e shqiptarëve gjithnjë e më shumë ngjisheshin, ndërkaq ato të jugosllavëve sa vjen e shthureshin;

Shqiptarët, jo vetëm që patën guxim dhe gatishmëri ta iniciojnë këtë proces, por edhe t'i durojnë pasojat. Ato ishin të tmerrshme, por megjithatë, falë moralit të lartë dhe idealizmit masiv, sado që sot këto cilësime duken romantike, anakronike, të gjitha ato burgime, gjymtime, dhunime, largime nga puna, vrasje u përballuan. Kjo rezistencë, ky durim, detyrimisht e testoi, e vuri në sprovë cilësinë e sistemit të zonës së surrogatit. Kjo matje përfundoi me fitore morale dhe politike të shqiptarëve dhe me humbje të mbrojtësve të sistemit, të relacioneve të pabarabarta etnike në të. Po të kishin pranuar shqiptarët kompromisin me regjimin e Millosheviqit, atëherë proceset historike do të merrnin kah tjetër;

Në atë kohë të fillimit të përballjes, faktori ndërkombëtar e mbronte idenë e ekzistimit të Jugosllavisë, si dhe garantimin e të drejtave të njeriut. Me këtë pohim eliminohet teza e konspiracionit të jashtëm kundër Jugosllavisë.

Rezistenca e matur dhe e përgjegjshme e shqiptarëve ishte më qytetëruese sesa manifestimet degutante të nacionalizmit shtetëror serb, që i shfrytëzonte kapacitetet shtetërore për t' i frikësuar popujt e tjerë. Mitingjet e tyre, në fakt, ishin paralajmërime të luftës. Në dallim nga të tjerët, shqiptarët shfrytëzonin vetëm mënyrat demokratike të manifestimit të pakënaqësisë. Manifestimet e këtilla organizoheshin në vend dhe në botë, pa eksese dhe pa përdorim të gjuhës së urrejtjes.

Në dallim nga të tjerët, shqiptarët gjatë tërë procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë nuk e ndryshuan orientimin properëndimor, përkatësisht përcaktimin e tyre demokratik, në përputhje me konventat ndërkombëtare, duke filluar prej demonstratave të para, bashkëpunimit me OJQ-të dhe qeveritë e shteteve perëndimore, nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë, transformimit i UÇK-së në TMK, organizimit të zgjedhjeve demokratike, dakordimit me të gjitha të drejtat dhe garancitë që u ofrohen serbëve dhe minoriteteve të tjera.

Shqiptarët, në fund të procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë formuan ushtri të rregullt, që respektonte konventat ndërkombëtare. Asnjëherë nuk organizuan aksione terroriste, qoftë brenda ose jashtë Kosovës. Formacionet ushtarake shqiptare luftuan kundër objektivave ushtarake dhe siushtarake serbe dhe jo kundër popullatës serbe etj.

Pyetja se kush e çliroi Kosovën, ose cili flamur, në thelb e banalizon dhe e ngushton misionin që pati Kosova dhe shqiptarët në procesin e evropeizmit, të implikimit të Evropës në Gadishullin Ilirik. Pa rolin e faktorit shqiptar këto procese nuk do të zhvilloheshin.

Nocioni evropeizim tani e tutje duhet kuptuar dhe pranuar më konkretisht. Ky nocion nuk vlen vetëm për të tjerët, ai nuk duhet kuptuar si ndëshkim i të tjerëve dhe shpërblim për shqiptarët. Pas shpalljes së pavarësisë Kosova detyrimisht do të evropeizohet, që nënkupton nevojën e ndryshimeve të mëdha, jo vetëm në planin formal-juridik, por edhe në atë të mendësisë. Shteti kosovar, si fryt i flijimeve të mëdha të vetë qytetarëve dhe i përkrahjes së faktorit ndërkombëtar, duhet të strukturohet dhe të funksionojë në përputhje me standardet evropiane, që nënkupton funksionimin e padiskutueshëm të ligjit. Pavarësia e Kosovës, do të ketë kuptim vetëm nëse qytetarët e saj do të jetojnë më mirë se në regjimet e mëparshme. Në Kosovë duhet të mbretërojë toleranca ndërnjerëzore, ndëretnike, ndërfetare, mendësia inkluzive, vlera këto që sot e cilësojnë qytetërimin evropian. Këtë proces Evropa do ta mbikëqyrë me rigorozitet, për ta arsyetuar para opinionit të vet implikimin e saj në këto hapësira dhe pengimin e tentativave që cilësohen si gjenocid. Bashkëpunimi me këtë projekt duhet të jetë i vetëdijshëm, i vullnetshëm dhe kurrsesi si detyrim, si imponim nga jashtë.