E enjte, 18.04.2024, 07:50 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - S'kam fuqi te kthehem ne vendlindje

E shtune, 15.12.2007, 12:43 AM


" - Edhe sot e kësaj dite nuk e di se sa ditë kishin kaluar kur policia serbe na hyri brenda. Aq shumë u frikësova por, shpëtova,nuk na ndodhi asgjë. Na i dhanë tre minuta të dilnim nga shtëpia, dhe dolëm. Kur arritëm në Pejë, policia na ndalën përsëri, na kërkuan nga 50 DM për person nëse donim të vazhdonim për në Shqipëri. Ne kishim vetëm 200 DM, e ishim nentë veta. "Kush do të shpëtonte? Cilin do ta ndalnin? Pyesnim në heshtje, ndërkaq babai ua dorëzoi paratë dhe u tregoi se ishim nëntë veta. Na shikuan dhe pasi ia morën nënës dhe mua unazat nga duart, na lëshuan. Në dalje të Pejës, na ndali grupi tjetër i policisë. Edhe ata na kërkuan para dhe nuk do t'na lëshonin sikur një familje nga Gllogjani të mos i jipte 200 DM. U nisëm. Disa metra më larg, policia kishte ndalur kolonën që ishte e gjatë deri në kufi. Ata ishin banorë nga fshatrat e Ferizajit, Suharekës, Rahovecit, Prizrenit, Malishevës e ndoshta edhe të Gjakovës. Policia nuk lëshonte askë pa e kontrolluar dhe ne duhej të prisnim në rrugë. Edhe pse nuk bënte shumë vapë, ishte vështirë të rrije e të prisje aty. Nuk kishim as ujë e as bukë. Policia nuk na lejonte as të ktheheshim por as të vazhdonim, madje as të uleshim. Ashtu në këmbë, të mbështetur në njëri-tjetrin, qëndruam mbi 11 orë. Kishte rënë errësira e parë kur kolona filloi të lëvizë ndagalë. Ishim aq të lodhurë, por, megjithatë, shpresonim se do të arrinim të gjallë në Shqipëri. Rruga ishte e gjatë por, ajo u vështirësua edhe më shumë kur gjatë natës filloi një shi i madh dhe mëngjesi gëdhiu i ftohtë. Fëmijët të lodhur filluan të qanin, e policët ishin egërsuar shumë. Si dukej, ata kishin humbur shokët e tyre diku. Kishim edhe dy-tri kilometra për të arritur deri te kufiri,dhe në momentin kur arritëm tek vendi ku bëhej pengesa për vazhdimin e rrugës, policët filluan të na kontrollonin sërish. Na preknin trupit, kurse meshkujtë i rrahnin dhe i detyronin t'u jepnin para. Ne nuk kishim, edhe herën e fundit na ndihmuan të tjerët. Kur vëllanë tim 12 vjeçar filluan ta rrahnin, unë i ika nga dora e policit që po më kontrollonte dhe u hodha mbi vëllanë. Doja që, së paku, një të rame t'ia marrë unë. Eshtë vëllau i vetëm pas nëntë motrave. Polici që po e rrahte, më tërhoqi për flokët e gjata dhe më drejtoi kah kryepolici i cili, në prani të kolonës, me majën e thikës filloi t'mi zhvishte rrobat. Mi hoqi të gjitha në prani të babës, nënës, vëllaut,burrit dhe fëmijëve të mij. Fëmijët filluan të qajnë me të madhe, por aq u bënte atyre, dhe kryepolici më tërhoqi deri tek strehimorja e tyre e improvizuar që ishte në afërsi të rrugës. Më hodhën mbi tavolinë, mi lidhën duart për të, të cilën siç duket e kishin përgatitur enkas për t'i dhunuar femrat shqiptare. E di që pasi filloi të më ç'nderojë, me kokë i rashë tavolinës, kurse ata qeshnin e flisnin sikur të ishin në spektakël. Tërë këtë e shihnin edhe të afërmit e mi, e shihnin edhe qytetarët e tjerë dhe tërë kolona e gjatë që po lëvizte andej. Si në ëndërr më kujtohet kur i urdhëruan familjarët e mi të ecin. Edhe sot më tingëllon në kokë zëri i nënës sime, e cila nuk kishte dashur të vazhdojë pa mua. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet se ku është. Më kujtohet se përveç dhunimit, më goditën disa herë me kondak në kokë. Nuk më kujtohet si, dhe kush më ka dërguar deri në Kukës, por e di se aty kam dëgjuar edhe shumë klithma, dhe shumë gjëmë, shumë thirrje për ndihmë nga shumë femra të tjera që i dhunuan. Në spitalin e Tiranës qëndrova e shtrirë 19 ditë. Gjashtë ditë me radhë më kishte qëndruar burri tek koka, e unë nuk e njihja. Nga goditja në kokë kisha harruar çdo gjë.Vetëm zëri i bijës sime 5 vjeçare që më thërriste e qante pse nuk i flisja, më nxorri nga ajo komë, që edhe mjekët u befasuan. Sot nuk kam fuqi të shkojë e të jetojë në vendin ku kam jetuar më herët me burrin dhe fëmijët. Nuk mund të kthehem as në vendlindjen time, sepse nuk kam fuqi. Më vjen turp për atë që më ka ndodhur. E kanë parë edhe qindra bashkëfshatarë të mi. Unë kam pasur fatin të më kuptojë burri, por jetoj me dy plagë që nuk do të më shërohen kurrë. Jetoj me plagën që ma morën nënën, dhe me plagën e dhunimit, që është më e rëndë se vdekja", - theksoi, në fund të rrëfimit, D.R. nga një fshat i Pejës.

Nga Libri i Luljeta Selimit ''Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë” 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Jeta ma këtheu shpinën atëherë, e tash vetëm e shikoj atë Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Ju lutem, me lini te vdes! Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - E vetmja gjë që më ka mbetur janë fëmijët Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Jeta e saj përfundoi në valët e Adriatikut Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Tragjedi në një familje Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Tmerri në ditën e “gënjeshtrave” Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Nënës i plasi zemra Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Prova e burrërisë Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Plagët e cigares Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Do të doja të harroja çdo gjë Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Ecja në vdekjen e paralajmëruar Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Caku i policëve ishte bunari i axhës!!! Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Ju e gëzofshi lirinë, mua më mbetet t’i qajë plagët Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Më shpëtoi shiu që binte rrëmbyeshëm Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Atë ditë qante edhe Prishtina Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Ajo do të mbetet e çmendur pëgjithmonë Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Më braktisi mua dhe fëmijët Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Rrëfimi i vogëlushes nga Dukagjini Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Ankthi që nuk po përfundon Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Cilat janë shifrat e vrasjeve dhe dhunimeve?

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora