E shtune, 20.04.2024, 05:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Musa Ahmeti & Flora Durmishi: Shpresa Gashi, një ikonë që lidh dy shekuj

E marte, 14.09.2010, 07:51 PM


Shpresa Gashi, një ikonë që lidh dy shekuj

 

Nga Musa Ahmeti & Flora Durmishi

Shpresa Gashi është një artiste e madhe, një boheme e vërtetë e muzikës shqiptare. Është yll, por, në të njëjtën kohë sillet fare zakonshëm, thjesht e normalisht, siç dinë të sillen vetëm njerëzit e mëdhenj artistët dhe krijuesit. Një grua e mrekullueshme, fisnike dhe tradicionale njëkohësisht. Si artiste është dhe do të mbetet e njohur për kualitetet e jashtëzakonshme të zërit të saj, për timbrikën e veçantë ose siç do të thoshte studiuesi i madh i muzikës shqiptare, Ramadan Sokoli: “Shpresa këndon shqip dhe ka timbrin shqip”. Një zë i pasur, fisnikërues, por edhe një paraqitje e jashtme, gjithashtu, e mrekullueshme. Shpresa nuk imiton askënd, ajo është vetvetja. Ajo arriti me punën dhe me aftësitë që i ka dhuruar Zoti ta krijojë individualitetin e saj, si në muzikë ashtu edhe në paraqitjen e jashtme dhe në stilin e veshjes. Një intervistë, madje edhe dy apo tre, janë shumë pak për ta njohur Shpresa Gashin dhe botën e saj. Madje edhe po të flasësh çdo ditë me të, thonë ata që e njohin, nuk mjafton ta njohësh atë, sepse çdo ditë nga ajo mund të mësosh diçka të re, të panjohur më parë për të. 

Shpresa dje dhe Shpresa sot, një hap qe lidh dy shekuj... 
Konstatimi juaj është interesant! Përsa kohë që ish-Jugosllavia ishte stabile të gjithë kishim sado kudo një siguri dhe stabilitet, si në planin familjar ashtu edhe në atë shoqëror. Sidomos në planin psikologjik, kishim siguri. Për të gjitha të këqijat e akuzonim shtetin dhe popullin sundues. Ne ishim të mirët, ata ishin të këqijtë. Kjo formulë krijonte një kompaktësi mes nesh. Ne ishim ne, ata ishin ata dhe faji gjithmonë u takonte atyre. 
Po për ju cila kohë ka qenë më e mirë, cila ju ka pëlqyer më shumë? 
Sot kemi telashe me emërtimin e fajtorit, ku ta shprehim mllefin tonë, s’dimë kujt t’ia lëmë kilen. Kemi shumë telashe, nervozizëm, papunësi, anarki, pasiguri, pandershmëri.... Dhe, ajo harmoni e dikurshme, në mes shqiptarëve, çdo ditë e më shumë po zhduket. Ka të tillë që vazhdojnë të fajësojnë përsëri të tjerët: dikur serbët, sot ndërkombëtarët por, duhet thënë se ndërkohë edhe kemi mësuar ta kritikojmë pak edhe veten ashtu siç bëjnë popujt e civilizuar. Më duket se duke e kritikuar veten i konstatojmë të metat tona dhe kështu dalëngadalë ecim para. 
Po muzika sot, cili është mendimi juaj për të? Mundësitë teknike janë shumë më të mëdha tani (muzika e kompjutërave). Sot edhe maqedonasit kompozojnë për shqiptarët, edhe serbët edhe bullgarët... 
Më shumë më pëlqen kjo kohë se është më reale. Të mirat dhe të këqijat i bëjmë vetë. S’ka më alibi, jemi këta, jemi ata. Koha e përrallave ka marrë fund. Në mesin e krijuesve paska shumë antishqiptarë të pamëshirshëm që shkelin jo vetëm idealet por edhe normat elementare: vjedhin, abuzojnë, korruptojnë, keqtrajtojnë, vrasin etj... 
Po me muzikën si qëndron puna? 
Me ardhjen e demokracisë u krijua mundësia e lirisë së veprimit dhe mendimit. Sot çdokush ka të drejtë të merret me çka dëshiron mirëpo fatkeqësisht dëshirat me mundësitë nuk janë njëlloj, meqë Zoti kështu i ka falë punët. Shumë dështojnë në çdo lëmi: duke filluar që nga biznesi deri në krijimtarinë artistike. Kohët ndërrojnë, së këndejmi edhe mënyra e krijimtarisë. Mund të thuhet se sot nuk ka krijimtari të pastër autoriale. Sot më shumë se gjysmën e punës e bën kompjuteri dhe stabilimentet e tjera teknike. Këngët ngjajnë si veza-vezës, plagjiatura është legalizuar, ngase autorësia, sidomos sa i përket ritmit. Autori i sotëm nuk krijon, por zgjedh. Rastis që tre-katër autorë zgjedhin të njëjtin ritëm. Jemi në një fazë që veçoritë muzikore kombëtare humbin cilësitë dalluese. Jo vetëm huazimet, që janë bërë normale, por edhe autorët e huaj haptas kompozojnë këngë për interpretët shqiptarë. Kështu që sot, në rrafshin e muzikës moderne, nuk a dallim mes kulturave muzikore. Në këtë fazë të globalizimit muzika e popujve të vegjël humb veçorinë e vet.  
Po, pse ndodh kjo, sipas mendimit tuaj? 
E gjithë kjo është e lidhur me zhvillimin ekonomik të popujve. Ata që janë më të zhvilluar ekonomikisht, imponojnë kulturën e vet. Sensibilitetet e tyre bëhen trend botëror. Shpeshherë ndodh që në provincat e ndryshme të planetit ngulitet një trend dhe vazhdon të kultivohet edhe pse në qendrën prej nga ka ardhur është parë demode ose është harruar fare. Jam e bindur që në provincat e ndryshme të botës, si në Kosovë bie fjala, Rrepi dhe ARB-i vazhdon të kultivohet, edhe pse në vendet e origjinës është bërë bajat. 
Shpresa, pse disa drejtime pranohen më lehtë e disa më vështirë? 
Do ta përforcoj, pyetjen tuaj me një pyetje timen. Pse jo, Lorena MeCenit ta zëmë, një interprete e shkëlqyer e baladave? Pse kaq shumë rep e jo baladë? Përgjigja është e thjeshtë: Repi buron nga shtresat e ulëta të popullsisë me probleme sociale. Përmes këngës protestohet duke shfryrë mllefin dhe kështu çlirohet një shtresë e madhe e popullatës nga frustracionet. Situata sociale dhe politike në Kosovë ishte e ngjeshur me tensione të natyrave të ndryshme dhe repi ishte mënyra më e përshtatshme e shfryrjes. Është me interes të theksohet se repi kosovar është më i zhvilluar se sa në viset e tjera shqiptare. 
Pse kjo specifikë, a ka ndonjë analizë. Si shpjegohet kjo? 
Kjo shpjegohet me faktin se rinia kosovare përjetoi një kohë të gjatë nën një klimë të represionit të vazhdueshëm. Në kushtet e tilla u farkua ai shpërthim i revoltës ndaj çdo standardi. Madje, madje edhe gjuhësor. Gjuha e repit kosovar është kosovare! 
E kujtoni këngën e parë me të cilën u dallua prirja juaj për këndim? 
Kënga e parë ishte “Këndo kitarë me gjuhën time”, të cilën më vonë, në rininë time të hershme, e këndoja së bashku me Jusuf Gërvallën, në përcjellje të kitarës së tij. Ata që e kanë njohur Jusufin, e dinë se ai nuk ka qenë vetëm patriot i rrallë, por edhe artist i vërtetë i këngës dhe poezisë. 
Shpresa, ju keni punuar në RTV të Prishtinës çfarë mund të na thuash për këtë kohë! 
Angazhimi im në TVP përputhej me përfundimin e studimeve. Themelimi i këtij institucioni aso kohe ishte ngjarje e madhe, çdokush donte të punonte në të: gazetarët, inxhinierët, juristët, krijuesit e ndryshëm. Krijuesit e ndryshëm linin vendet e punës nëpër institucione të tjera dhe kalonin në RTP. Mediumi i ri u bë hit. U pranova menjëherë. Në atë kohë dhe në çdo kohë, mediumet elektronike kanë mundësi shumë më të madhe të ndikojnë në opinion, dhe në çdo segment të shoqërisë, në kulturë, politikë, sport etj. Edhe në Kosovë fituam një instrument që çdo ditë masovizonte vlerat. Për ta kryer këtë mision duheshin kuadrot. Hapja e televizionit krijoi një nevojë për profile të specializuara që deri atëherë nuk kanë ekzistuar. Për të plotësuar atë kërkesë, në atë kohë dërgoheshin shumë të rinj për specializime në qendrat e tjera televizive në vend e në botë si gazetarë, kameramanë, inxhinierë etj. Shumë shpejt u plotësua si në planin teknik, artistik, figurativ, gazetaresk etj. Në ato vite u bë një bashkëpunim shumë i frytshëm në mes të krijuesve të vjetër siç ishte Fahredin Gunga, Petrit Dushi, Ismail Bajra, Riza Alaj, Besim Sahatçiu, Ekrem Kryeziu, Shahin Kryeziu, Nazif Perjuci, Xhevat Juniku, Samedin Mumxhiu dhe kuadrot e gjeneratës së re siç ishin: Eqrem Basha, Arbër Xhaferri, Hysen Mika, Ali Llunji, Skënder Blakaj, Rudolf Sopi, Akil Koçi, Severin Kajtazi, Mehdi Bajri, Drita Gërmizaj, Veli Vraniqi, Agim Kasapolli, Fahri Axhanela, Fatos Kadiu, Sahit Kokoli, Fahri Pallaska, Fatmir Bajrami, Lumnije Tufa, Bejto Jusufi, Violeta Rexhepagiqi etj. Me këto kuadro, kërkoj falje nga ata që kam harruar t’i përmend, ne krijuam një televizion konkurrent në nivelin jugosllav. Pas fillimit të ri, në vend të kontinuitetit, vazhdimësisë, udhëheqësit e televizionit të ri, zgjodhën variantin e diskontinuitetit; në vend të shfrytëzimit të përvojave të vjetra u zgjodh rruga e gabuar dhe më e kushtueshme e krijimit nga e para e një televizioni të ri me kuadro që sërish duhej të specializoheshin. Sot njerëz inkopetentë, dje dhe sot, vendosin për çështje të ndjeshme kulturore si bie fjala: a duhet zonja Nexhmije Pagarusha apo unë të marrim pjesë në koncertet humanitare etj? 
Shpresa, a ke pasur dilema, në përzgjedhjen e repertorit tënd, të zhanrit ta zëmë? 
Kryesisht nuk kam pasur dilema dhe atë për dy shkaqe: për shkak të edukimit tim profesional që më mundësoi të vlerësoj dhe dalloj vlerën nga e kundërta, nga antivlerat, si dhe mundësitë e mia vokale për shkak se jam thellë brenda tabanit kulturor kombëtar të traditës sonë muzikore. 
E filluam bisedën me Shpresën e shekullit 20 dhe Shpresën e shekullit 21. Cila është periudha më e begatshme më produktivja dhe pse? 
Janë disa periudha të begatshme në zhvillimin e një populli. Ata që i kuptojnë këto punë thonë se Kosova hodhi shtat në vitet e 70-ta. Këto vite ishin vendimtare për proceset që do të zhvillohen në të ardhmen. 
Pse i jepni kaq shumë rëndësi kësaj periudhe? Ku qëndrojnë meritat? 
Pyetje me vend, përgjigja është shumë e thjeshtë. Në këto vite filluan të hapen institucione shtetërore, kulturore, informative etj., të cilat u bënë bartëse të zhvillimit të gjithanshëm. Unë pata fatin që të isha njëra nga të punësuarit e parë në TV të Prishtinës në vitin 1974- 1975, apo 1976 nuk jam e sigurt. Redaksia e programit televiziv në gjuhën shqipe që aso kohe transmetonte programin në gjuhën shqipe nga Beogradi u bart në Prishtinë. Ishte shans i mirë për rininë e atëhershme që bëhej themeluese e një institucioni kaq të rëndësishëm që do të bëhej bartëse e zhvillimit kulturor informativ, gjuhësor dhe kombëtar në përgjithësi. 
Ju në televizion, në atë kohë, jeni pranuar si prezantuese! U pranuat se ishit e bukur, e zgjuar, e mençur, apo për të gjitha këto? 
Po, merre me mend, unë konkurrova për dy vende pune për spikere dhe bashkëpunëtore në programin muzikor! 
Dhe... çka ndodhi? 
Çuditërisht u pranova në të dyja! Në të parin, për spikere, sigurisht kalova testin, ndoshta për shkak të sharmit, ndërkaq testin e dytë e kalova për shkak se kisha përgatitje profesionale. Nga këto konkurse dolën yjet e Televizionit të Prishtinës siç ishte edhe Drita Gërmizaj... 
Cili ishte roli yt në TV aso kohe, Shpresë? 
Po në televizion asokohe kam pasur katër role: isha bashkëpunëtore e muzikës serioze, ilustratore, gazetare e emisioneve muzikore si dhe këngëtare. Në atë kohë i përcaktonim zhanret, redaksitë, programet shumë shpejt filluan të mateshin me programet e tjera jugosllave me traditë të madhe. Shfrytëzuam rastin që në rrjetin televiziv jugosllav t’i plasojmë edhe emisionet e krijuesve tanë e madje, madje edhe krijuesit e Shqipërisë siç ishin filmat, dramat, programet muzikore etj. Televizioni, aso kohe, marrë në tërësi, kërkonte organizim të madh në disiplinë dhe standarde në të gjitha aspektet, intelektuale, pamore, profesionale etj. Hapja e televizionit kishte funksion dhe mision të madh shoqëror dhe kulturor. Krijoi mundësi për seleksionim të kuadrove, të vlerave. Televizioni, teatri, institucionet e tjera shoqërore ndikuan që të perfeksionohej shija. Standardet që u arritën atë kohë, jo vetëm që ishin më të larta në krahasim me të kaluarën por edhe me të sotmen, të paktën në disa fusha. Janë xhiruar filma, drama, janë incizuar këngë që sot e kësaj dite nuk janë tejkaluar. 
Po përsa i përket standardit gjuhësor, sa respektohej ai në mediume në atë kohë? 
Standardi gjuhësor që përdoret në mediume sot është nën nivelin e kohës për të cilën po flasim. Në kohën tonë gabimet e tilla dënoheshin, ndërkohë që sot kam përshtypjen se tolerohen jashtë çdo mase. Hapja e televizionit kishte funksion dhe mision të madh shoqëror dhe kulturor. Ajo krijoi mundësi për seleksionim të kuadrove, të vlerave kështu që prej një mjedisi të fjetur dhe të amullt përnjëherë si me shkop magjik u shfaqën talente të reja. Televizioni i Prishtinës u bë një strumbullar i ri ku lidheshin krijuesit e lëmive të ndryshme. Ky është funksioni fisnikërues i televizionit brenda një shoqërie. Pa institucione nuk ka seleksionim dhe ruajtje të vlerave. A je dakord? 
Patjetër! Vetëkuptohet kjo! 
Kjo më së miri u pa gjatë okupimit kur standardet u privatizuan, personalizuan dhe kësi soji degjeneruan. Ai që kishte para, pa kurrfarë kriteri themelonte gati institucione duke prodhuar kështu jo-vlera. Degjenerimi instaloi një standard të gabueshëm që vështirë çrrënjoset. Në kohën tonë standardet të paktën ishin shumë më të larta. Vlerat që u zbuluan aso kohe mbetën vlera të njëmendëta. 
Dhe në fund fare, çfarë ka ndryshuar për mirë dhe për keq sa i përket muzikës? 
Natyrisht që ka ndryshime për mirë, por edhe për keq. Është shtuar produksioni muzikor, por vërehet tendencë e diskontinuitetit me traditën. Po ashtu vërehet tendenca që të kontrabandohet muzika që nuk ka nivel, për hir të vlerave të tjera ose të pamjes atraktive të këngëtarëve, spoteve të shtrenjta që mbushin syrin, por dëmtojnë veshin. 
Shpresa, kjo dukuri është e shprehur, shumë, vetëm në Kosovë apo kjo ndodh edhe në vendet e tjera të rajonit? 
Çdokund ndodhin këto gjëra, por ka një dallim të vogël. Në vendet e zhvilluara krahas kësaj, të dyshimtës, prodhohet edhe muzika me vlera të njëmendta. Te ne nuk ndodh kjo të paktën jo në mënyrë proporcionale. Unë kam respekt për krijimtarinë muzikore urbane, por krahas kësaj dëshiroj që të mos harrohen vlerat tona në kuadër të trendeve. 
A mund të presin adhuruesit tuaj ndonjë projekt të ri nga ju? 
Kam një ofertë për një projekt i cili do të punohet filmikisht, në shqip për të parën herë, e mendoj që do të pëlqehet nga adhuruesit e artit dhe adhuruesit e mi! Le të jetë kjo një surprizë për to. Gjithashtu, kam edhe një ide tjetër në kokë të cilën individualisht nuk mund ta realizoj. Është punë kolektive prandaj nuk jam e sigurt për realizimin e plotë. 
Nuk do ta zbuloni fare se për çka është fjala? 
Fjala është për një kabare muzikore në të cilën do të marrin pjesë Nexhmije Pagarusha, Enver Petrovci dhe unë. Autorët janë të përzier, nga Shqipëria dhe Kosova, prandaj edhe realizimi do kohë.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora