E premte, 19.04.2024, 10:37 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Atë ditë qante edhe Prishtina

E shtune, 15.12.2007, 12:20 AM


”As vetë nuk e di sa ditë kishte që kur kishin filluar bombardimet”- e filloi rëfimin vajza nga Prishtina.” Ne rrinim të strehuar në bodrumin e shtëpsë. Ishim i gjithë farefisi mbi 20 veta. Ushqim kishim siguruar, por frika nuk na linte as të hanim e as të rrinim të qetë. Rrallëkush po dilte nga shtëpia për të parë se çka po ngjante me të tjerët. Kuptonim nga diçka vetëm nga radio dhe TV-të e huaja. Pas masakrës së Obiliqit, frika e bëri të vetën, ajo na kaploi të gjithëve. Kishte ditë që po prisnim se kur do të na dëbonin edhe neve nga shtëpia. Unë, dhe dy nuset e vëllezërve frigoheshim të dilnim dhe të iknim jashtë Kosovës. Nuk ikëm as atëherë kur ikën pjesa më e madhe e Kosovës. Ishte mëngjes i ftohtë dhe si për inat, të gjithëve na kishte zënë gjumi. Trokitja në derë ishte aq e fortë dhe aq e tundëshme, sa për një moment mu duk se u lëkund e gjithë shtëpia! Kur babi e hapi derën, disa policë me shpejtësi u futën brenda, dhe, më së pari e rrotulluan dhe përmbysën djepin ku ishte foshnja. Nusja klithi dhe kur iu afrua djepit të përmbysur, polici i ra me kondak të pushkës dhe ajo u alivanos, e foshnja vazhdonte të qante e trembur. Unë edhepse e frikësuar, iu afrova djepit . Kur provova ta marrë foshnjën, njëri nga policët më kapi për flokësh dhe më nxorri jashtë shtëpisë. Aty pashë se në oborrin tonë kishte sjellur edhe shumë meshkujë të tjerë. Ishin të rrahur e të përgjakur, kishte edhe të plagosur, kishte fqinjë dhe të tjerë që nuk i njifja. ”Lidhi me këtë”- më urdhëroi një polic - e unë vetëm dridhesha. Nuk kisha fuqi, por edhe nuk doja ta bëjë një gjë të tillë. Kur ai pa se unë po hamendesha, filloi ti godasë ata me zingjirë, por ata nuk kishin fuqi t’u bënin rezistencë, ngase përreth tyre kishte edhe dhjetëra policë dhe ushtarë të tjerë serbë që ishin vënë në gjendje gatishmërie me armë në dorë. Unë kujtova se me atë skenë do të përfundonte çdo gjë, por befas erdhi një kamion i mbyllur në të cilin i futën meshkujtë një nga një. Mendova se aty do ti fusnin të gjithë, por barbarët i ndanë meshkujtë nga femrat, dhe pas pak i sollën edhe disa të tjera. Nuk di sa femra ishin saktësisht, por kur hyra në bodrum pashë se aty ishte plot femra, dhe se brenda ishin edhe pesë policë serbë. “Sikur të kishim ndonjë armë“ i pëshpërita një gruaje që nuk e njihja, në sytë e së cilës e pashë trimërinë.
”Tani edhe ju në Prishtinë po kërkoni armë, e ne në Drenicë na akuzuat pse po përballemi me armikun, pse i kemi burrat në luftë. Tani është vonë, vazhdoni edhe më tutje me mënyrën paqësore”- më tha ajo.
Unë po rrija ashtu e shtangur pa kuptuar asgjë, kur në dhomë na u futën edhe disa policë të tjerë. Ata na ndanë në dy grupe. Grupin e parë e dërguan dikah, e ne, gjashtë femra të tjera mbetëm aty. Me grupin e parë që e dërguan ishte edhe nusja me foshnjën. Nuk e di as sot ku i dërguan, nuk i gjetëm as ato as kufomat dhe nuk dihet se çfarë saktësisht ndodhi me to. Vetëm zoti mund ta di atë. Kur po binte muzgu njeri nga policët na urdhëroi që të zhvishemi, dhe aty erdhën disa policë që na lidhën një nga një. Mua më dërguan në dhomën e pritjes, dhe vetëm kur erdhi polici gjysëm i zhveshur e kuptova se do të më dhunonte. Vetëm atë ditë e arsyetova luftën e UÇK-së, vetëm atë ditë e kuptova çka do të thotë kur populli nuk është i bashkuar, kur po duhej që ne, me trupin tonë, ta paguanim mosunoitetin e udhëheqësve tanë. Sikur të ishim të organizuar më mirë, nuk do të ndodhnin dhunimet. Nuk do të ndodhnin të gjitha ato burgosje që u bënë. Oh zot, sa e dëshirova vdekjen vetëm e vetëm mos t’a përjetoja ankthin dhe mos të isha viktimë e dhunës së atyre që vranë e prenë, dhe që mua bashkë me shumë femra të tjera na dhunuan barbarisht. E lidhur qaja e thërrisja, por askush nuk më dëgjonte! Askush s’mundi të më ndihmonte. Policët ndërroheshin njëri pas tjetrit, e unë duhej të duroja gjithçka, pasi nuk kisha mundësi të rezistoja. Në ato momente, më të rëndat në jetën time, mu kujtua edhe ajo gruaja që më tha, se nuk e kisha përkrahur Drenicën dhe UÇK-në. Ditën e shtatë i dëgjova dy policë që po flisnin për një të vdekur, por nuk kuptova a flitej për ndonjë femër apo për ndonjë polic. Atë natë kur e dëgjova derën që po hapej nuk e di për të satën herë lotët ma mbuluan fytyrën, dhe trupi im filloi të dridhej edhe më shumë. Unë frikësohesha nga policët, por kur dera u hap aty ngadalë hyri gruaja nga Drenica, e cila ma hodhi një pallto dhe më tha: “Nëse nuk mund të ecësh, mos u nis me mua sepse, së pari duhet ti vrasim rojet”. E di se jam ngritur në këmbë, e më pas jam ulur përsëri. Ajo doli. Kur mendova se kishte ikur, erdhi dhe më tha: “Të tjerat janë në duartë e tyre dhe s’mund ti shpëtojmë”. U nisëm, por nuk mund të ecja shpejtë si ajo. Rrugicës pashë se edhe në shtëpitë e fqinjëve kishte ende shumë policë. Kur dolën nga lagjia kishte zbardhur drita. U futëm në një shtëpi,në të cilën gjetëm veshmbathje dhe ushqim por nuk më hahej. Aty kah mesdita dolëm dhe shkuam në stacionin e trenit. Prishtina ishte më e heshtur se kurrë më parë. Të dukej se nuk kishte asgjë shqiptare në të. Unë qaja për të, e për vete, për njerëzit që ishin aty. Për të vdekuritë dhe për të gjallët, dhe kur arriti treni filloi të bie një shi i imtë. Atë ditë, më bëhëj sikur qante edhe Prishtina…

Nga Libri i Luljeta Selimit ''Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora