E enjte, 25.04.2024, 10:50 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Ajo do të mbetet e çmendur pëgjithmonë

E shtune, 15.12.2007, 12:19 AM


Atë mengjes, Drita nuk vërehej se a rrinte e heshtur apo e kishte zënë gjumi, pas natës së rëndë që kishte kaluar. Ndonëse e motra i rrinte te koka, ajo nuk i hapi sytë edhe për disa orë. Edhe kur i qeli sytë më nuk fliste ajo. Shikimin e kishte drejtuar përtej dritares, dhe sikur po e analizonte lojën e zogjëve që po luanin afër dritares së saj. Atë ditë ajo as nuk provoi të lëvizte, se, ndoshta kishte nevojë të pushonte. Një medikament që e kishte gëlltitur në mëngjes, besonte se mund të ketë ndikuar kaq shpejt, sepse një natë më parë e kishte marrë të njejtin ilaç, por kishte pasur një natë të rëndë dhe me shumë dhembje. Mjeku, i alarmuar, i kishte thirrur edhe familjarët e saj. Mendonte se pas atij ankthi vështirë e kishte të ringjallej edhe një herë. Ajo që binte në sy në shikim të parë ishte gërvishja e fytyrës dhe një plagë që nuk mund ti hiqej kurrë, pastaj flokët e prera në mënyrë të çuditshme. Edhe plagët në kokën e saj, sikur ia bënin më të vrazhdtë sytë e saj të kaltër si dy burime. Ajo, tani e ndjente veten si një figurë që luhatej në mes jetës dhe vdekjes, prandaj edhe fjalët e saj ishin të tilla. Ajo fliste për jetën, për atë që kishte përjetuar, por edhe për vdekjen, si dhe për shumë gjëra të paqarta të cilat ne nuk i kishim parë e përjetuar si ajo. Derisa mjekja nuk u afrua që t’ia përkëdhelte dorën, ajo vetëm shikonte dhe një gurrë lotësh ia kishte mbuluar fytyrën. Kur e pa e motra, vetëm kafshoi buzën dhe iku nga aty, në mënyrë që ajo të mos e shihte duke qarë. Unë, kurrë më nuk do të mund të bëhem nënë, nuk do të mund të lindi fëmijë, nuk do ta kem familjen time, s’do të kem mundësi ta dij se ç’është dashuria dhe jeta e lumtur, kurrë më...E tëra me çka do të përballem do të jetë vetëm zbraztësia shpirtërore, jeta pa njerëz përreth, gjithmonë do të jem si e lidhur me litar si tani, me duar në pranga. Duart nuk mund ti lëvizë,- dhe ti mjeke kërkon që unë të qetësohem! Dhe ti kërkon që unë të jetoj. “Kjo është e pamundur”, fliste ajo sikur të ishte ndonjë njeri tjetër e jo ajo që një natë më parë qante e klithte, thërriste e bërtiste aq, sa jo vetëm në spitalin neuropsikiatrik, por dëgjohej edhe më tej. Nuk ishte e vështirë ta dëgjosh vetëm vajin e saj, por edhe fjalët. Më e tmerrshmja ishte kur fliste për fëmijën që ia kishin mbytur gjatë dhunimit. Ajo, ndonëse dihej që tashmë ishte çmendur, asgjë nuk kishte arritur t’ia largoj dhimbjen e ëmësisë. Dhe, kur askush nuk e priste një gjë të tillë, ajo e filloi rrëfimin e saj të trishtë: “Kur na ndalën, na nxorën të gjithave nga vetura. Vjehrra që priste nipin e saj të parë, më pëshpëriste ngadalë që të mos frikësohesha, dhe kur ata më vërejtën se jam shtatëzanë më thanë:
“Të gjitha stolitë e arit nëse don të jetosh”. Natyrisht, ua dhashë të gjitha, e kur nuk më mbetën më, njëri prej tyre më tha:
”Ky fëmijë, është edhe i imi, jo vetëm i burrit tënd”. Nuk thashë asgjë që të mos i nxisja edhe më. Kur njeri nga ata erdhi dhe tha se do të më ketë, sepse nuk paska patur kurrë në dorë grua shtatëzane, e aq më parë një shqiptare shtatëzanë. Kur e pashë se ai i zhveshur po më afrohej, më lëshoi fuqia dhe po mbahesha për vjehrrën. Dua ta kem, briti ai dhe i urdhëroi dy ushtarë të më mbajnë. Ma shploi barkun dhe më tha se ose duhej të shtrihesha, ose do ma vriste fëmiun në bark. Kjo ishte e tmerrshme dhe shumë-shumë e rëndë. Isha në muajin e tetë të shtatzënisë! E luta në gjuhën e vet, duke thënë se, zoti është mbi të gjitha dhe se për hir të tij të ketë mëshirë, por ai më ra fort në gjoks, e pastaj në bark dhe u alivanosa. Kur u këndella pak, pashë se
ai po më dhunonte, në prezencën e vjehrrës dhe burrit tim! Ndërsa kunatin e kishin vrarë, dhe kunata po qante vajtonte për të! Ai më pështyu, dhe kur desha të ngritesha, katili serb më ra fort me kondak në bark! Nuk di ta përshkruaj si u ndjeva, dhe se a matet ajo dhembje me ndonjë dhembje në botë. Që nga ajo ditë dhembja dhe tmerri nuk mu ndanë kurrë. Disa ditë më vonë linda në Luginën e Bllacës por fëmija im ishte i vdekur. Gjakderdhja nuk mu ndal, ndërkaq, kur më dërguan në Shkup më kishin operuar dhe ma kishin hequr mitrën, me arsyetimin se ajo ishte e vetmja mënyrë që unë të mund të jetoja. Burri im kishte thënë që jeta ime vlen më shumë, por e di se ai më nuk do të mund të jetoj me mua dhe as të më dojë! Nuk kam më pse të jetoj, nuk kam pse të qetësohem, andaj mos më thoni të jem e qetë, ju lutëm,- tha ajo dhe prapë filloi të shqetësohet, dhe sikur ta mirrte magjia ajo filloi ta kërkonte fëmiun e vdekur, i cili vdiç për shkak të dhunimit që iu nënshtrua e ëma nga ushtarët dhe policët serbë. Dhe, asnjë ngushëllim asnjë fjalë nuk kishte kuptim përballë dhembjes së saj.

Nga Libri i Luljeta Selimit ''Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora