E shtune, 20.04.2024, 08:10 AM (GMT+1)

Speciale

Mark Krasniqi: Rojtarët e kishave në Kosovë

E diele, 05.09.2010, 12:02 PM


Rojtarët e kishave në Kosovë

 

Gjurmë e gjurmime

Prishtinë 1979

 

Nga Akademik Mark Krasniqi

 

Kisha e Deçanit është ndërtuar rrëzë Bjeshkëve të Nemuna, në terrenin e fshatit Deçan, mu në hyrje të Grykës së Deçanit, nëpër të cilën rrjedh lumi Lumbardh, e rrethuar me pyje gështenjash e pishash, përmbi të cilat ngrihen majet a larta e të zhveshura të Bjeshkëve të Nemuna. Arkitekt i kësaj vepre madhështore, që u ndërtua në periudhën prej vitit 1327-1335, ka qenë frati katolik Vita nga Kotorri.1

 

Kisha e Deçanit, që gjendet e vetmuar midis pyllit, dhe ajo e Pejës, gjithashtu rrëzë maleve, kanë mbetur të paprekura gjatë shekujve plot trazira, ndërmjet popullësisë shqiptare të besimit musliman, gjatë atyre periudhave kur edhe kullat e trimave të njohur sulmoheshin nga turqit, ose nga njerëzit e vendit që merreshin me punë të pamira. Këtë priftërinjtë dhe murgjit e shpjegojnë në mënyrën e vet. Ata thonë se këto kisha i ka ruajtur perëndia, e cila ka bërë edhe çudi të ndryshme për mbrojtjen e tyre. Madje, sipas përrallave të priftërinjve, këtë rol mbrojtës e kanë luajtur edhe skulpturat e mermerit të luanjve përmbi portalin e kishës së Deçanit, të cilët në momentin kritik qenkan "ngjallur" e vërsulur përmbi sulmuesit. Mrekulli të tilla paska bërë edhe shenjti Janiçije, padroni i Kishës së Deçanit.

 

Për hir të së vërttetës duhet cekur se edhe sulltani ka dhënë disa urdhëra me të cilat ndalohet çdo sulm kundër kishës së Deçanit, nga kushdoqoftë. Mirëpo në Rrafshin e Dukagjinit dhe në viset e tjera të Kosovës, shumë urdhëra e fermane të sulltanit mbeteshin vetëm letër. Popullësia shqiptare nuk i kryente me rregull as detyrimet financiare ndaj perandorisë osmane; shpesh herë çohej në kryengritje etj, kështuqë një urdhër i sulltanit me të cilin mbroheshin kishat nuk ka pasur kurrfarë efekti për sigurinë e tyre. Këtë mbrojtje ato e kanë gëzuar nga fshatarësia e thjeshtë.

 

Rojtarët e kishave në Rrafshin e Dukagjinit e në Drenicë i quanin vojvodë të kishës. Zakonisht familjen e tillë e zgjidhte fshati, ose fisi dhe kryefamiljarin ia prezentonin kryemurgut. Vojvoda ka pasur për detyrë që, në emër të fisit ose të fshatit, ta mbrojë kishën në rast nevoje, duke rrezikuar edhe jetën e vet. Në kishën e Deçanit vojvoda ka pasur edhe një dhomë të caktuar ku ai banonte e ruante ditë e natë. Kjo dhomë ka qenë e vendosur përmbi derën e oborrit. Kur kërcënohej ndonjë rrezik këtu bënin roje disa vetë nga ky fshat. Pozita e vojvodës trashëgohej nga e njëjta familje, derisa mos ta ndërronte fshati ose fisi.

 

Në kishën e Deçanit vojvodë ka qenë familja e Salih Rrustës (që në kohën kur biseduam me të , 1955, ishte 90 vjeç).

Të parët e Salih Rrustës dikur moti kanë jetuar në Piprraj në Mal të Zi. Ata kanë qenë shqiptarë të besimit katolik, kështuqë kanë rënë në konflikt me disa shtëpi malazeze, ku janë shkaktuar disa vrasje mes tyre. Për këtë arsye këta ikin para hakmarrjes dhe vendosën në Malësi, diku ndërmjet fiseve Gash e Krasniqe. Por edhe këtu ngatërrohen me komshi të cilët nuk i kanë pasur në sy të mirë ardhacakët në mesin e tyre. Edhe këtu vrasin një malësor dhe detyrohen të ikin. Me këtë rast vijnë e vendosen në Deçan, ku më vonë braktisin fenë katolike dhe bëhen muslimanë. Sipas traditës kjo ka ngjarë para rreth 300 vitesh. Salihu i mban mend emrat e të parëve si më poshtë: Salihu (90 vjeç) - Rrusta - Dema - Uka - Isufi - Ibra - Hyseni - Caca - Kola.

 

Kisha e Deçanit shumë herë ka qenë në rrezik, por ka shpëtuar nga plaçkitjet e djegia vetëm në saje të rojtarëve të kishës e të fisit Gash në katundet përreth, duke lënë edhe kokën për mbrojtjen e saj, sepse kjo qysh me kohë gëzonte besën e tyre. Në vitin 1878 me mijëra familje shqiptare janë dëbuar përdhunisht nga vatrat e tyre në Toplicë nga ushtria e pushteti serb. Me këtë rast shumë shqiptarë janë vrarë, shtëpitë ua kanë djegur e pasurinë ua kanë plaçkitur. Përveç kësaj, të gjitha xhamitë janë bërë rrafsh me tokë. Në shenjë të hakmarrjes, organet e pushtetit turk i kanë organizuar malësorët që ta rrënojnë kishën e Deçanit. Është mbledhur një numër i madh njerzish për ta kryer këtë detyrë. Mirëpo vojvoda i atëhershëm Rrustë Alija (babai i Salih Rrustës) thirri fisin Gash e shumë fshatra përreth, pa dallim fisi, që ta mbrojnë kishën. Ata u mblodhën shpejt të armatosur në oborrin e kishës dhe u çuan fjalë sulmuesve se pa luftë nuk do të hyjë brenda dyerve të kishës asnjë prej tyre. Duke parë se do të derdhej gjaku, ata u tërhoqën dhe kisha shpëtoi nga shkatërrimi i sigurtë. 2

 

Se me ç'fanatizëm e kanë ruajtur fshatarët kishën e Deçanit, shihet edhe nga një shembull tjetër. Me një rast, njëfarë Zekë Syla prej Deçani ka vrarë një të afërm të vetin, - Mal Nimonin dhe vëllanë e tij, vetëm pse Mala ia paska marrë kapuçin një nxënësi të kishës.3

 

Kisha e Deçanit ka qenë në rrezik, sidomos në kohën e kryengritjes së parë serbe në Serbi (1804). Vetëm në saje të mbrojtjes së fshtarëve shqiptarë, me familjen e vojvodëve të kishës në krye, ky monument historik mbeti edhe në ato momente kritike i paprekur nga askush. Atëherë iguman i manastirit ka qenë Haxhi Danillo. Kur plasi kryengritje në Serbi, Danilloja e dinte se turqit do ta sulmojnë kishën, prandaj lut shqiptarët që këtë ta ruajnë edhe më mirë se deri atëherë. Megjithatë, për çdo eventualitet, ai shumë gjëra të çmueshme nga thesari i kishës i fshehi ndër shqiptarë; në disa raste këto i jepte si peng për një shumë të hollash. Në ato ditë pashai turk erdhi me ushtri nga Peja në kishë dhe kërkonte nga igumani të holla për mbajtjen e ushtrisë turke; në të vërtetë, ai donte ta plaçkisë manastirin. Mirëpo, shqiptarët e bindën se kisha është e varfër dhe se para disa ditësh igumani ka marrë të holla hua edhe nga këta. Kështu u largua pashai dhe kisha shpëtoi pa ndonjë të keqe.4

 

Patrikana e Pejës gjithashtu ka shpëtuar pa u rrënuar gjatë shekujve plot trazira në saje të padronëve të vet nga Rugova. Ky regjion etnografik malor në Bjeshkët e Nemuna, përmbi Pejë, ka 13 fshatra, të gjitha të fisit Kelmend. Të gjithë banorët kanë qenë katolikë, kështu që familjet e fundit kanë kaluar në fenë muslimane aty kah dhjetëvjetshat e fundit të sundimit turk. Por edhe pas kësaj, rugovasit kanë vazhduar ta ruajnë kishën e Pejës, ashtu si e kanë ruajtur vojvodët atë të Deçanit.

 

Historiani serb Stojan Novakoviq, i cili ka qenë në Pejë më 1889, me atë rast ka shënuar disa të dhëna edhe për vojvodën e patrikanës së Pejës. Veç tjerash ai thotë: "Shqiptarët e Rugovës e zgjedhin mes veti eprorin që duhet të kujdeset për sigurinë e patrikanës, i cili quhet vojvodë i kishës. Atë që e zgjedhin ia paraqesin igumanit të manastirit të Pejës, e ai është i detyruar që ta pranojë atë që zgjedhin ata vetë." Novakoviqi mandej thotë se rugovasit e ruajnë këtë manastir tash 300 vjet. Në ditët e rrezikut gjithëmonë përforcohej roja, kështu, gjatë luftës ndërmjet Serbisë e Turqisë më 1876-1878, gjithëmonë kanë qenë te manastiri i Pejës 10 deri 15 rugovas të armatosur. Ky autor tregon se më 1889, disa serbë të pasur nga Peja, të cilët, për raporte personale, ishin kundër igumanit të atëhershëm Sofronije, megjithëse ky gëzonte simpati të madhe në Pejë e në rrethin e saj, e akuzuan këtë te mitropoliti Milentije në Prizren dhe kërkuan që këtë ta heqin nga kjo pozitë, gjë që ky e bëri. Kur dëgjuan për këtë rast, rugovasit shkuan menjëherë te mutesarrifi i Pejës Halil-Pashë Mahmutbegolli dhe kërkuan nga ky që ta marrë në mbrojtje Sofroniun, përndryshe Rugova do t'a mbrojë vetë ashtu si e ka zakon, si njeri të mirë e të ndershëm. Me këtë rast ata ia tërhoqën vërejtjen mutesarrifit se 400 shtëpi rugovase janë gati për luftë, ashtu siç kanë luftuar në Deçan rreth manastirit. Pashai i thirri ata pasanikë serbë dhe u dha urdhër që menjëherë ta përmirësojnë gabimin e tyre, gjë që këta bënë. kështu në saje të rugovasve, igumani Sofronije u kthye përsëri në pozitën që e kishte më parë.5

 

Siç e ka thënë edhe historiani Novakoviq, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar (shek. 19 - shën. im) në Ballkan ka pasur trazira të mëdha; këto kanë ngjarë në Kosovë sidomos për arsye të ndjekjes së shqiptarëve nga Toplica, Jabllanica e viset tjera prej Prokuple deri në Nish gjatëluftës serbo-turke 1876-1878, të vrasjeve të shumta e të djegies së shtëpive të tyre nga ana e ushtrisë e borxhezisë serbe. Jovan Haxhi Vasileviq shkruan se si në atë kohë Imer Agush Aga, me fis Berishë, e kishte mbledhur fisin e vet dhe kërkonte që, për shkak të dëbimit e vrasjes së shqiptarëve nga Toplica e Jabllanica, të bëhet hakmarrja në serbët e Pejës. Vasileviq veç tjerash thotë: "Kjo edhe do të ngjante, sepse fisi Berishë është fis trim shqiptar, sikur mos ta kundërshtonte këtë parësia e fiseve Gash e Krasniqe. Atëherë është caktuar Mehmet Zajmi, i pari i fisit më të fortë - Krasniqes, që me shqiptarët e vet të patrollojë nëpër mëhallët serbe në Pejë e në fshatrat e rrethinës për t'i mbrojtur serbët".6

 

Duket se patrikana e Pejës ka pasur kushte më të volitshme për sa i përket mbrojtjes, se manastiri i Deçanit, sepse pozita e saj gjeografike e bën të mundshme një mbrojtje më të sigurtë. Patrikana e Pejës është fare afër qytetit, ku sigurimi publik gjithëmonë është më i madh se në fshat, ndërsa në anën e kundërt të saj menjëherë fillon Rugova, nën patronazhin e së cilës ka qenë kjo.

 

Vojvodë i patrikanës së Pejës ka qenë shtëpia e Zhuj Veselit (Zhuj Rugova) nga vëllazëria Nikqi, në fshatin Shtupel i Madh (Rugovë). Kjo familje është me origjinë të lashtë nga rrethinat e Shkodrës. Të parët e saj janë vendosur në Rugovë para mëse 300 vjetësh. Ata kanë qenë katolikë, por duket se islamizmin e kanë pranuar mjaft herët. Gjenealogjia e kësaj familje është kjo: Rama (i lindur më 1938) - Kapllani - Zhuji - Veseli - Muça - Elezi - Rexha - Plaku, të gjithë të lindur në Rugovë. Ata i kanë kushërinjtë e tyre (Nikqët), rreth 80 shtëpi, në Rekë të Allagës dhe në Shtupel të Madh në Rugovë, pastaj në Kralan dhe në disa fshatra të tjera në fushat e Dukagjinit. Por këta kanë një numër të madh kushrinjsh të tyre të largët në Peshter (Sanxhak, rreth Tutinit, Sjenicës e Novipazarit), si psh në fshatin Ugël (rreth 100 shtëpi) ku quhen Plakiq (sipas të parit të tyre Plaku, që e përmendëm pak më parë në gjenealogji. Nikqët i kanë kushërinjtë e tyre edhe në disa fshatra të tjera të Sanxhakut si psh në Devreç, Leskovë, ku ka edhe Shkrelë, të cilët me shumicë jetojnë në fshatin Borovshticë (rreth 60 shtëpi), Naboj, Megjugur, dhe në disa fshatra të tjera në mbarë rrafshnaltën e Peshterit, ku popullësia shqiptare në kohët e fundit flet gjithnjë e më shumë serbisht se shqip, por e dinë se janë kelmendas dhe i ruajnë disa tradita kombëtare.

 

Sipas traditës, i pari i kësaj shtëpie është emëruar për vojvodë të patrikanës së Pejës nga vetë veziri i Shkodrës.

 

Se sa me zell e kanë ruajtur rugovasit kishën e Pejës, tregon vetë fakti që shtëpia e vojvodëve i ka humbur disa meshkuj duke mbrojtur këtë kishë, bashkë me rugovasit e tjerë. Kështu është vrarë mu në derë të manastirit Muç Elezi, nga familja e vojvodëve. Kryemurgu i atëhershëm e ka lagur dorën në gjakun e tij dhe kështu e ka vënë shuplakën në mur pranë derës së oborrit të kishës. Kjo shenjë sëhtë ruajtur dhe është nderuar nga populli si totem deri para disa dekadash, ku lumi Lumbardh i ka rrëzuar muret e oborrit. Djali i Muçës, Veseli, gjithashtu është vrarë pranë kësaj kishe nga njerëzit, të cilët nuk dëshironin të ruhet e të mbrohet kisha. Madje, edhe biri i Veselit, Zhuji (të cilin kallogjerët e quanin Sulo Vojvodiq) është vrarë duke mbrojtur manastitin e Pejës. Po këtë fat e kanë pasur edhe tre djemtë e tij: Beka, Asllani e Kapllani. Ky i fundit ka qenë i ati i vojvodës së tanishëm Ramë Kapllanit. Kështu vetëm prej kësaj familje janë vrarë 6 meshkuj duke mbrojtur patrikanën e Pejës, përveç rugovasve tjerë.

 

Kjo familje e vojvodëve dikur ka qenë familje e madhe patriarkale. Në kohën e Muçës e të Veselit ajo ka pasur 53 pjestarë. Shumica e meshkujve të kësaj familje janë vrarë, ose për gjak ose duke ruajtur kishën. Gjatë luftës së dytë botërore, më 1941, mashkulli më i vjetër në familjen e vojvodëve ka qenë Ramë Kapllani njëmbëdhjetë vjeçar. Meqenëse, në këtë kohë kisha kërkoi përsëri ndihmën e rugovasve, ata e kanë lënë Ramën në manastir si vojvodë e përfaqësues i Rugovës në atë vend. Ky megjithëse ende fëmijë, ka qëndruar gjatë gjithë luftës, i armatosur në manastir. Gjatë luftës nuk e ka sulmuar asnjë individ kishën e Pejës, sepse dihej se do të çohej e gjithë Rugova për ta mbrojtur.

 

Mirëpo më 1942, disa eksponentë politikë së bashku me italianët, përgatiteshin që në mënyrë të organizuar ta sulmojnë kishën. Porsa dëgjuan rugovasit për këtë qëllim, ata dërguan te prefekti i Pejës një delegacion, i cili këtij ia shpjegoi se rugovasit shekuj me radhë e kanë ruajtur kishën dhe se do të ishte fyerje e madhe për ta nëse dikush e sulmon tash. Prandaj, në rast se ngjan një gjë e tillë, ata të gjithë së bashku do ta mbronin si gjithëmonë. Pas kësaj, kurrkush nuk e merrte mbi veti një përgjegjësi për pasojat që do t'i kishte sulmi eventual kundër kishës. Mirëpo rugovasit për, çdo rastësi, qëndruan edhe dy ditë në manastir, e pastaj u kthyen në male të tyre, duke lënë aty një roje më të fortë.7

 

Kisha e Deviçit në Drenicë gjithashtu i ka pasur vojvodët e vet. Mbahet mend nga pleqtë se dikur në kohën e turqve, vojvodë i kësaj kishe ka qenë njëfarë Behram Vojvoda. Tani në fshatin Llaushë, afër Serbicës, në rrethinat e së cilës gjendet ky manastir, ekzistojnë 15 shtëpi të një vëllazërie që quhen me një emër të përbashkët Vojvodë. Të gjithë rrjedhin nga familja e vojvodëve të vjetër të Deviçit, e cila gjatë kohës është rritur dhe është ndarë. Këta i përkasin fisit Gash.

 

Sipas tregimit të Avdyl Vojvodës, plak 70 vjeç (më 1955) qysh moti e deri më 1912 kishën e Deviçit e kanë ruajtur nga 1 ose 2 meshkuj të shtëpisë së Vojvodëve. Prej vitit 1913-1915 kisha nuk ka pasur nevojë për mbrojtjen e popullësisë shqiptare të këtyre viseve, për arsye se gjendja politike ka qenë e favorshme për manastirin, e shumë e vështirë për shqiptarët. Mirëpo, më 1916 e deri më 1918, siç dihet, kjo gjendje ka ndryshuar, kështuqë kisha përsëri kërkon mbrojtjen e vojvodëve, përkatësisht të popullësisë së Drenicës. Këtu përmenden si vojvodë Avdyl Vojvoda, babai i tij Halimi, gjyshi Ajeti, stërgjyshi Behrami etj. Gjatë Luftës së Dytë Botërore kisha e Deviçit nuk ka pasur vojvodë.

 

Vojvodët e kanë pasur dhomën e tyre në konaqet e kishës. manastiri u ka dhënë njëfarë shpërblimi për rojën që bënin aty. Nëse ruante vetëm një njeri ai merrte 60 grosh në muaj (1 dukat), por kur ruanin dy, këtyre së bashku u jepnin 80 grosh. Këta rrinin në manastir ditë e natë, prandaj nuk punonin asgjë në shtëpi të tyre.

 

Kah fillimi i shekullit XX, njëherë e sulmojnë pasurinë e kishës së Deviçit, serbët nga fshati Kijevë (krahina e Llapushës). Duke mbrojtur kishën nga këta, janë vrarë vojvodët Sejdija e Delija, ndërsa kushëriri i tyre Ajeti plagoset në dorë. Më vonë vojvodët e marrin gjakun. Kur shkonin murgjët për regjistrim ndër besimtarët, këta i përcillte njëri nga rojtarët e kishës, ndërsa tjetri qëndronte në Deviç.

 

Megjithëse edhe në mbrojtje të këtij manastiri kanë dhënë jetën disa rojtarë të tij, ka pasur mosmarrëveshje edhe ndërmjet popullësisë së këtushme në lidhje me zgjedhjen e vojvodëve, konkretisht ndërmjet fiseve Gash e Berishë. Por, megjithëse fshatarët e Drenicës e kanë ruajtur dhe e kanë mbrojtur këtë kishë me kohë, ajo, gjatë luftërave ballkanike, dhe gjatë Luftës së Parë Botërore, e sidomos në kohën e sundimit të Jugosllavisë borgjeze, e ka humbur kuptimin e një shejtnoreje, prandaj edhe respektin e fshatarëve, dhe ka shërbyer për qëllime tjera - si qendër e organeve të pushtetit e të policisë. Kështu në kohën e Jugosllavisë borgjeze manastiri u shëndrrua për një periudhë në seli të "naçallnikut" të rrethit, në burg e post-gjandarmëri. Kështu pra, kjo kishë, të cilën popullësia e Drenicës e ka ruajtur e mbrojtur shekuj me radhë, tani u bë qendër ku, po kjo popullësi burgosej, torturohej, plaçkitej e vritej nga organet e pushtetit antipopullor që kishte për qëllim t'i zhdukë shqiptarët nga trualli i tyre.

 

Si duket, vojvodët e manastireve janë një dukuri, një institucion i llojit të vet, që paraqitet vetëm në Rrafshin e Dukagjinit e në Drenicë, të paktën në një formë të këtillë. Në viset veriore të Shqipërisë e në Mal të Zi, me organizim të jetës shoqërore në baza të normave të posaçme të solidaritetit e të kompaktësisë në çdo pikëpamje, nuk ka pasur vojvodë të kishave.

 

Në Dukagjin e në Drenicë në kohën e turkut ka pasur shpesh herë trazira e turbullira të mëdha, sepse popullsia e këtyre viseve kundërshtonte urdhrat e shtypjen e pushtetit osman, kështu që në këto anë kryengritjet e përleshjet kundër organeve të pushtetit e ushtrisë turke kanë zbërthyer shumë herë me përmasa të ndryshme.

 

Përveç kësaj, të gjitha kishat e kosovës gjenden midis popullsisë myslimane shqiptare, dmth midis një elementi etnik që nuk ka kurrfarë lidhjesh fetare me këto. Në vendet tjera ky fakt do të mjaftonte që këto të bëheshin rrafsh me tokë në periudhat e gjata të kushteve jo normale e të vështira siç kanë mbretëruar gjatë shekujve në Kosovë. madje edhe atëherë kur prej Kurshumlije e deri në Nish me dhjeta xhami u dogjën e u rrënuan deri në themel, e kur në këtë kohë (1876-1878) me dhjeta mija shqiptarë u dëbuan nga këto vise, u torturuan e u masakruan, e ata që shpëtuan u vendosën nëpër fshatrat e qytetet e Kosovës me familje të tyre të quajtura si muhaxherë, - edhe në këto kushte, shqiptarët i ruajtën kishat ortodokse në Kosovë, duke dhënë jetën në pragun e tyre. Madje ka pasur raste (si në Deviç) kur rojtarët shqiptarë e kanë mbrojtur kishën edhe nga sulmet e serbëve, që donin ta plaçkitnin.

 

Nga ana tjetër, patriku i Pejës ka arritur që, me ryshfet e dhurata të mëdha, të marrë prej sulltanit autorizime për të mbledhur taksa të ndryshme edhe në popullësinë katolike shqiptare të Kosovës, të Malit të Zi e të viseve tjera. Në librin e historianit serb Jovan Radoniq ka shumë të dhëna për terrorin e kishës ortodokse në Kosovë e Mal të Zi ndaj katolikëve shqiptarë, të cilët kanë qenë të shtrënguar që të kalojnë në fenë ortodokse me shumicë ose në atë myslimane, për të shpëtuar, nga zullumi i klerit ortodoks me patrikun e Pejës në krye.8

 

Të gjitha këto fakte kanë krijuar rrethana të papërshtatshme për angazhimin e shqiptarëve që t'i mbrojnë kishat ortodokse në këto vise, kur atyre u kërcënohej rreziku. Por, megjithatë, ky angazhim ka qenë aq i madh, saqë një gjë të ngjashme nuk kemi pasur rastin ta konstatojmë në vise tjera të Ballkanit.

 

Ka pasur edhe në vise tjera raste kur shqiptarët i kanë mbrojtur kishat ortodokse serbe sipas traditës brez pas brezi. Për këtë ka mjaft shembuj nga literatura, por edhe më shumë nga terreni. Kështu në Sanxhak sipas të dhënave nga ky terren të etnografit se Petar Zh. Petroviq, shqiptarët e atjeshëm i kanë ruajtur disa kisha ortodokse. Kishën e njohur mesjetare Sopoqan, pranë burimit të lumit Rashkë, e kanë ruajtur Nokiqët nga Tvrdosheci i Poshtëm. Ahmet Hoxhiqi e ka ruajtur një kishë-shpellë pranë fshatit Palevë. Elez Eleskoviqi e Avdyl Beriqi, që të dy nga fshati Ribariq, e kanë ruajtur gjithashtu kishën-shpellë të Sh.Pjetrit në Crna Rekë (Koloshini i Ibrit). Etnografi Petar Petroviq e vë në dukje faktin se të gjithë këta i kanë ruajtur këto kisha pa kurrëfarë shpërblimi.9 Për popullësinë shqiptare të Sanxhakut ka të dhëna interesante në veprën e konsullit rus në Sarajevë A. Hilferding kah gjysma e shekullit të kaluar, e cila me kohë e ka humbur gjuhën, por i ka ruajtur shumë tradita të tjera kombëtare,10 ndër të cilat edhe botëkuptimet ndaj nderit e burrërisë, që kanë ardhur në shprehje edhe në lidhje me ruajtjen e kishave në këtë trevë. Familja e njohur e Boletinëve, rrethi i Mitrovicës, e ka ruajtur e mbrojtur kishën Sokolicë afër Mitrovicës dhe një tjetër në fshatin Vraç.11 Në rrethinat e Prizrenit ka pasur disa raste të këtilla. Kështu më 1890 shqiptarët nga fshati Zoqishtë e plagosin një bashkatdhetar të tyre nga fshati Pagarushë, duke e mbrojtur kishën e popin, nga sulmet e tij në Zoqishtë. Në kronikën e kishës së Sh. Markut afër fshatit Korishë në Podgurin e Prizrenit, është shënuar edhe kjo: "U dogjën kthinat, u dogj libri i ligjdhënësit, edhe kishat do të digjeshin sikur mos të vraponin shqiptarët, të cilët fikën zjarrin".12

 

Tradita e ruajtjes së kishave nga popullsia përreth tyre është mjaft e lashtë. Kanuni thotë: "Kisha shpatë e konop s'ka". Kjo do të thotë se kisha nuk ka me çka të mbrohet. Pastaj: "Kush dhunon kishën, dhunon famullinë. Nderën e kishës e lyp famullija". Kanuni parasheh dënime të rënda për ata që i thyejnë këto norma të tij: "Kush e thyen kishën, asht i djegun e i pjekun e i qitun me rob e robí jashta Bajrakut. Fajtori - dorasi - bahet batare prej Bajrakut, e shkon gjakhupës. Vllaznija a fisi ma i afërmi i bakeqit e blen tokën e tij, e çmimi i saj i shkon kishës së thyeme".13 Po në këtë mënyrë Kanuni mbron edhe famullitarin e pasurinë e tij.

 

1. Vladislav Petkoviq - Gjurgje Boshkoviq, Deçani, Beograd 1941.

2. Sipas kallëzimit të vojvodës së kishës, Salih Rrustës.

3. Arhimandrit Leontije Ninkoviq, Srpska Lavra Visokih Deçana, Pejë 1923.

4. Arhimandrit Deçanski Serafim Ristiq, Deçanski spomenici, Beograd 1864.

5. Stojan Novakoviq, Godishnjica Nikole Çupiqa, Beograd 1889.

6. Jovan Haxhi Vasileviq, Pokret arnauta za vreme srpsko-turskih ratova 1876 i 1877-1878, Beograd 1905.

7. Sipas kallëzimit të igumanit të patrikanës së Pejës Tadeja Shtrbulloviq, 1955 Pejë.

8. Jovan Radoniq, Rimska kurija i juzhnosllovenske zemlje od XVI do XIX veka, Beograd 1950.

9. Shënimet e etnografit Petar Zh. petroviq, nga kërkimet në Sanxhak e Rashkë më 1830.

10. A. F. Gilferding, Putovanje po Hercegovini, Bosni i Staroj Srbiji, Sarajevë 1972.

11. Të dhënat e Radosllav Pavlloviq, gjeograf, nga terreni më 1939.

12. Panta Sreqkoviq, Sinan Pasha, Beograd 1865.

13. Shtjefën Gjeçovi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shkodër 1933.

 



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora