E premte, 19.04.2024, 05:09 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Cilat janë shifrat e vrasjeve dhe dhunimeve?

E shtune, 15.12.2007, 12:00 AM


Cilat janë shifrat e vrasjeve dhe dhunimeve?

Në Kosovë, numri i femrave të dhunuara sipas statistikave kap shifra të ndryshme varësisht nga organizatat e ndryshme të cilat kanë bërë hulumtime në këtë drejtim. Ato shifra sillen nga dymijë deri në dhjetëra mijëra! Unë, gjatë punës sime me Organizatën Joqeveritare “Jeta në Kastriot” mund të flasim për 2018 femra të dhunuara për të cilat përveq dëshmive gojore, videogjirimeve, dëshmive me shkrim dhe fotografive kemi edhe raportet e mjekëve: gjinekologë, infektologë, neoropsikiatër, si dhe raportet mujore të të gjithave së bashku për ta konstatuar gjenedjen e tyre momemntale si dhe diagnozat e secilës veq e veq bashkë me tërapinë e përdorur. Mosha e këtyre femrave është kryesisht e re duke filluar nga 14 e deri të 44 vjeq. Ne, përveq se i vizitojmë së paku një herë në muaj dhe kontrollojmë gjendjën momentale te tyre, vazhdimisht kujdesemi që 209 prej tyre të cilat janë në gjendje më të rëndë shëndetësore t`iu sigurojmë barna dhe ilaqe të nevojshme. Poashtu saherë na jipet rasti ushtrojmë ndikimin tonë mbi organizatat e ndryshme qofshin ato të huaja apo vendase, qeveritare apo joqeveritare në mënyrë që të kuptohet domosdoshmëria e ndihmimit dhe trajtimit të kësaj kategorie të braktisur nga shoqëria! Prej rreth 24.000 të vrarëve gjatë luftës në Kosovë 31.2 për qind janë femra të të gjitha moshave dhe në bazë të të dhënave tona vetëm 1,3 për qind nga numri i përgjithshëm kanë qenë në moshë të shtyer. Ndërsa tek ata që kanë përjetuar trauma të të gjitha llojeve, problemet e shëndetit mental janë tejet aktuale. Sipas hulumtimeve tona të bëra pas luftës, del se 62 për qind të të hulumtuarëve kanë qenë buzë vdekjes, 49 për qind viktima të torturave apo abuzimit, 42 për qind të ndarë nga familjet e tyre, 26 për qind kanë përjetuar vrasjën e ndonjë anëtari të familjes apo farefisit, 10 për qind kanë qenë të burgosur dhe 4 për qind të abuzuar seksualisht. OJQ-ja jonë ka ndihmuar aq sa ka patur mundësi megjithatë jemi të vetëdijshëm së nuk kemi mundur as për së afërmi t´i përmbushim nevojat e të dhunuarave. Projektet tona për të bërë më tepër në këtë drejtim shpesh injorohen prandaj edhe njëherë shfrytëzojmë rastin t`i thërrasim të gjitha shoqatat dhe individët që kanë mundësi dhe vullnet të mirë që në të gjitha format e mundëshme t`iu dalin në ndihmë këtyre femrave në mënyrë që t`ua rikëthejmë kuptimin e jetës me gjithë bukurinë e saj. Me duhet të them se përveq punës sime, një ndihmesë shumë të madhe e ka dhënë edhe bashkëdrejtuesja Myrvete Morina si dhe stafi ynë mjekësor dhe profesional. Gjatë punës sime në teren kamë parë nga afër gjendjën e rëndë shpirtërore të të dhunuarave! Ato shpesh, duke ngurruar të tregojnë, i ndryjnë në shpirt brengat dhe vuajtjet derisa u keqësohet aq shumë gjendja saqë edhe ndihma dhe trajtimi mjekësor është i vështirë. Prandaj ato duhet hapur zemrën sepse në këtë mënyrë më së shumti e sherojnë vetvehtën por edhe ndihmojnë të tjerët që t`iu ofrojnë ndihmë atyre. Gjatë punës sonë me këto femra por edhe gjatë punës sime si gazetare kamë mundur të konstatoj se përveq femrave të dhunuara dhe atyre të vrara ekziston edhe një numër i madh i atyre që konsiderohen të zhdukura! Fatkeqësisht të dhënat flasin se shumica e femrave të vrara së pari janë dhunuar e më pas janë vrarë, prandaj ndërkombëtarët kur gjykojnë për krimet e luftës në Kosovë duhet ta kenë parasyesh se plagët e vdekjës së shumicës se femrave bartin me vete edhe plagët e dhunimit. Dhe prandaj gjenocidi dhe dhuna e ushtruar mbi popullin e Kosovës ka përmasa shumë më të mëdha sesa që japin të dhënat dhe hulumtimet tona...

Autorja Luljeta Selimi

Recension: nga Azem Azemi

Rrëfime që të mbulojnë me trishtim e pikëllim

Këtij libri specifik të këtyre rrëfimeve tronditëse, s’duhet shtuar absolutisht, kurrfarë parathënie e as pasthënie. Këto rëfime flasin vetë. Me gjuhën më të pastër , me argumentin më të vrazhdtë, flasin me shpirtin e vrarë të një femre,të një nëneje,të një motreje, të një të fejuareje, të një nuseje. “ Fytyrën e zotit do ta shohësh , kur të mos jesh më në jetë “ po shkuante në Bibël. Edhe këto femra më s’kanë çka të fshehin. I kanë përjetuar të gjitha të ligat që mund ti bëjë qenja apo antiqenja njerëzore.Kanë prekur fundin e detit dhe kulmin e qiellit. I kanë parë të gjitha, i kanë dëgjuar të gjitha. Ua kanë vrarë shpirtin , prandaj s’është rastësi kur me ngulm kërkojnë që ti lëmë të qeta në bërjen edhe të gjysmës së rrugës tjetër, vdekjen e trupit. Ato, më mirë e kërkojnë vdekjen komplete se gjysma-gjysma. Dhe absolutisht nuk kanë të drejtë. Sepse, a jeton njeriu vetëm për vete? A nuk kanë shumica e tyre fëmijë , për të cilët vlen secila sakrificë? A s’është ky shkrim (libër)shkrim shërim për to, vuajtje jona, e turpi ynë lehtësim për to? A s’jemi dhunuar të gjithë me dhunimin e tyre? Edhe nënat tona , edhe motrat tona edhe nuset tona? Edhe ne vëllezërit e tyre, edhe ne bijtë e tyre, edhe ne burrat apo burrecat e tyre? Dhe ato e dinë këtë ,dhe janë të forta, sikurse i dinë dhe sakrificat e atykëtushme të njerëzve tanë, të njerëzve të thjeshtë, burra e gra për ndihmën e dhënë atyre në fotografinë e familjes nga Peja, fytyrën e “mjekes së re” që sakrifikon çdo gjë për ti ndihmuar fatëkeqes së lënduar (edhe fizikisht). Prandaj, ylberi është shumëngjyrësh. Edhe jeta. Edhe njerëzit,edhe këto rrëfime të cilat marrë veç e veç secili e përballon peshën e një skenari filmik, për t’mos u harruar. Ky libër dëshmon se këto qenie të lënduara, nuk janë edhe të lëna terësisht në harresë. Borgjet janë të shumëta të secilit prej nesh. Pa dyshim vlen të përmendet me këtë rast, puna e palodhshme, por edhe inventive e gazetares së vyeshme, autores së librit, Luljeta Selimi, e cila edhe në rastet e tjera ka dëshmuar përkushtim në hulumtimin e fateve (tragjike) njerëzore sidomos të femrës. Bie në sy një sintaksë e rrjedhëshme në rekonstruimin e rrëfimeve me një gjuhë të pastër me plot variacione letrare –artistike. Por medet,vetëm kur të bie ndërmend se fatkeqësia e treguar nuk është krijuar nga mendja e krijueses, por nga dora (gjakatare) e (anti)njeriut. Të rrokë trishtimi për fatet e këtyre njerëzve dhe të rrokë pikëllimi dhe brenga për fatet e të dhunuarave. A thua çfarë përfundime do të kenë ato si njerëz dhe si kolektivitet? Prandaj nevoja që ndërgjegjja njerëzore të jetë e zgjuar gjithmonë, sikurse rojtari –ushtari, sepse e keqja është gjithmonë permanente,
gjithnjë e ke afër si jakën e këmishës.
A.Azemi

DHUNIMET

Dhunimet sipas të drejtës ndërkombëtare dhe Statutit të Tribunalit të Hagës, janë vepra penale, të cilat radhitën në Krime kundër njerëzimit. Sipas Statutit të Tribunalit të Hagës (neni 5) dhunimet janë krime kundër popullsisë civile të cilat kryhen në konfliktet e armatosura, qofshin ato ndërkombëtare apo të karakterit të brendshëm. Një ndër format më të rënda të krimit kundër njerëzimit, të cilën e ka përdorur regjimi serb ishte edhe dhunimi masiv i femrave shqiptare. Kjo formë e dhunës është përdorur si mjet lufte dhe ka qenë e planifikuar nga vetë shteti serb, si dhe është kryer në forma të ndryshme. Në këto raste nuk mund të flitet vetëm për cenim të integritetit fizik dhe psiqik të femrës, por para së gjithash edhe për cenim direkt të integritetit moral dhe shpirtëror të popullit, për këtë edhe kjo formë e dhunës dënohet me të gjitha rregullat ndërkombëtare. Dhunimet seksuale të cilat forcat policore-ushtarake dhe paramilitare serbe i bënë kundër femrave shqiptare, kanë pasur karakter poshtrues, politik, hakmarrës, si dhe kanë pasur karakter të thyerjes morale dhe shpirtërore të popullit shqiptar, si dhe ka qenë një ndër format më të rënda të krimeve të luftës në Kosovë, para dhe gjatë luftës në Kosovë.Në bazë të të dhënave nga tereni, intervistave të ndryshme, dëshmive të vetë viktimave por edhe nga dëshmitarët e rastit shihet se, dhunimet seksuale kanë qenë të përhapura në krejt Kosovën. Ato kanë qenë të organizuara dhe të planifikuara nga regjimi serb, kanë qenë mjaft masive dhe kanë atakuar femrat e të gjitha moshave. Shumica e viktimave kanë qenë të moshës prej 12-13 deri 40-45 vjeçare. Ndërsa struktura e të dhunuarave ka qenë e shumllojshme, kështu në mesin e të
përdhunuarave ka pasur të mitura, nuse, gra shtatzëna, gra të moshuara, fshatare, qytetare, studente etj.Karakteristikë e këtyre dhunimeve është se ato janë bërë:
1. Në mënyrë masovike.
2. Se ato janë bërë në prezencën e të afërmve të të dhunuarave.
3. Se ato janë bërë në objekte dhe kampe të ndryshme.
4. Se ato kanë qenë të programuara nga regjimi serb, dhe të kryera nga
forcat policore-ushtarake dhe paramilitare serbe, për qëllime politike,
hakmarrëse, dhe thyerjes morale dhe shpirtërore të popullit shqiptar.
5. Se këto akte janë manifestuar me sadizëm, bizariteti, mizori dhe me vrazhdësi të paspjegueshme.
6. Ka pasur raste kur viktimat mbas kryerjes së aktit të dhunimit janë vrarë për fshehjen e gjurmëve.
7. Dhunimet janë bërë ndaj të gjitha shtresave të femrave shqiptare.
Edhe pse përmenden shifra të ndryshme të të dhunuarave, prap se prap është vështirë të dihet numri i saktë i të dhunuarave, për shkak të pasojave që mund ti kenë viktimat në të ardhmën, si dhe për shkak të turpit që e ndjejnë ato nga familjarët etj. Nga të dhënat e mia nga tereni kam mbledhur shënime për 857 femra të dhunuara: 126 prej tyre iu dihet identiteti, vendi, koha, dhe në disa raste edhe emrat e dhunuesve të tyre.
1. 28 femra pasi janë dhunuar janë vrarë.
2. 8 femra pasi janë dhunuar, janë marrë nga dhunuesit dhe nuk dihet më për fatin e tyre.
Në fund duhet theksuar se një pjesë e madhe e femrave të dhunuara janë në gjendje të rëndë psiqike, materiale, sociale etj. fati i tyre në të ardhshëm është vështirë të prognozohet…

Mentor NEZIRI Jurist i diplomuar.
Student i studimeve postdiplomike në Fakultetin juridik në Prishtinë.
Drejtimi penalo-juridik

RECENSION

Opinioni publik kosovar është shumë i interesuar që të ketë një pasqyrë të qartë të pasojave të krimeve të cilat pushteti serb i kreu ne Kosovë kundër popullsisë së pambrojtur shqiptare gjatë periudhës së luftës (shkurt 1998-qershor 1999).
Krahas personave të vrarë dhe të zhdukur, në piedestal të këtij interesimi qëndron edhe nevoja për një hulumtim të thellë dhe të gjithanshëm të çështjes së dhunimeve seksuale të femrave shqiptare.
Duke e ndjerë këtë nevojë, si një obligim njerëzor e kombëtar, autorja arrinë të hedhë në dritë një varg aspektesh të trajtimit të kësaj çështjeje komplekse e të ndjeshme.
Meritë e veçantë e librit është se ai bazohet në rrëfimet autentike të femrave të dhunuara gjë që i mundëson studiuesit e lexuesit të rëndomtë qasje të avansuar dhe shumëdimensionale në problematikën e dhunimeve seksuale të kryera në Kosovë gjatë periudhës së përcaktuar.
Nga analiza që u ka bërë autorja Luljeta Selimi fakteve konkrete ka nxjerrë konstatime të argumentuara dhe me vlerë për të gjithë ata që u intereson dhe merren me këtë lloj krimi.
Studiues dhe njerëz të rëndomtë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e vende të tjera do të kenë në duartë e tyre një punim të shkruar në gjuhë të thjeshtë, të pastër dhe me një stil të veçantë.
Autorja, emër i njohur në gazetarinë shqiptare në Kosovë, përmes këtij libri tregon përkushtimin e madh për punë, si kuadër e re me plot përspektiva.

Prishtinë, janar 2003 Dr.sc. Azem Hajdari
Zyrtar i Lartë Ligjor në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës

Të gjitha mjetet nga ky liber do tu dhurohen të dhunuarave apo do të shpenzohën për të blerë barëra dhe ndihma të dhunuarve



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora