E hene, 14.10.2019, 09:39 PM (GMT+1)

Komente

Shefki Ollomani: Kosova shtet, rradhën e ka Ilirida

E premte, 14.12.2007, 06:08 PM


Kosova shtet, rradhën e ka Ilirida

Shkruan: Shefki Ollomani

Historikisht, në të shumtën e rasteve, Shqiptarët kanë luftuar kundër pushtuesve të tyre ndaras: fis pas fisi, principatë pas principate, pashallëk pas pashallëku e krahinë pas krahine. Numrohen në gishta ato raste në histori kur Shqiptarët janë bashkuar dhe ngritur në luftë çlirimtare si një popull i vetëm dhe i bashkuar.
Këtu mund të numrohet Lidhja e Lezhës, Lidhja e Prizrenit dhe Kryengritja e Përgjithshme e 1912-së, të cilat nuk mund të themi se ia kanë arritur qëllimit final, sepse, pas formimit të tyre, Udhëheqjet e tyre nuk kanë funksionuar në unitet të plotë, por ka pasur ndarje e mosmarrëveshje midis krerëve udhëheqës të këtyre Lidhjeve dhe mosunitet mendimi e veprimi brenda Udhëheqjes së Kryengritjes së Përgjithshme.
Luftërat çlirimtare pas 1912-së populli ynë i ka bërë i ndarë, veç e veç dhe secili në krahinën e vet. Edhe luftërat e fundit çlirimtare u bënë me rend dhe ndaras, prandaj u fitua aq pak liri e të drejta kombëtare.
Pavarësia e Kosovës vetëm do ta thellojë këtë ndarje, do ta përligji këtë vazhdimësi të përpjekjeve të çdo krahine shqiptare që me forcat e veta të luftojë për të hedhur qafe zgjedhën e robërisë sllavo-greke.
Kosova-Shtet, do t’i hypi "Trenit të Europës", porsi Shqipëria e Tiranës, dhe krahinave tjera shqiptare: Iliridës, Kosovës Lindore, Malësisë së Madhe, Çamërisë, Sanxhakut e Toplicës, do t’u thotë: "Zoti ua bëftë çaren, unë i hypa trenit, eca,… - mirupafshim në Bruksel"!
Kosova-Shtet nuk ishte dhe nuk është aspiratë e popullit shqiptar të ish-Jugosllavisë. Republika Shqiptare e Kosovës, nga Ulqini në Manastir dhe nga Struga në Medvegjë, ishte përpjekja dhe lufta e Shqiptarëve nën ish-RSFJ. Bashkimi i kësaj Republike me Shqipërinë ishte dhe është vullneti politik dhe kombëtar i popullit shqiptar të Trojeve Shqiptare nën ish-Jugoasllavi, tanimë të copëtuara sërish midis Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe një "Shteti artificial" në formim e sipër të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës! Kosova-Shtet nuk është aspiratë e shumicës së  shqiptarëve të Kosovës prej 62%, të cilët nuk dolën në zgjedhje, por është vetëm e militantëve dhe antëtarëve të Partive politike që morën pjesë në votimet e 17 Nëntorit dhe 8 Dhjetorit 2007, pjesëmarrje e cila mezi i arriti 38%! Ndaj, Kosova do të jetë 38% "shtet" i kosovarëve naivë që ndoqën partitë politike kolaboracioniste shqiptaro-kosovare dhe 62% do të jetë  Krahinë Jugore Serbe (Srpska Juzhna Pokrajina), apo Kosovë e Metohi!!!
Prandaj lufta dhe përpjekjet e Shqiptarëve të këtyre trevave shqiptare nuk do të ndalen deri në çlirim dhe ribashkim kombëtar. Është iluzion të mendosh se e ke zgjidhur Çështjen Kombëtare të Kosovës vetëm me formimin shtet të 1/3-së së saj! Kosova e vërtetë, etnike, reale, natyrore është trualli i Dardanisë Ilire, që shtrihet nga Tivari në Preshevë dhe nga Manastiri te Molla e Kuqe në Nish.
Sidoqoftë, Kosova, pas shumë vuajtjesh, luftërash e gjakosjesh, e meriton "biletën e trenit" për në Bruksel. Ndërsa, krahinat tjera shqiptare janë ende shumë larg mundësisë për të "blerë" atë biletë të lirisë e të pavarësisë që të udhëtojnë me "Trenin e Europës" për në Bruksel.
Kosova-Shtet do t'i kthehet vetvetes, shërimit të plagëve të veta të robërisë shekullore, ashtu sikurse Shqipëria londineze, e cila merret me vetveten qe 95 vjet rresht dhe nuk merret me çështjen kombëtare shqiptare dhe me krahinat e robëruara të Shqipërisë Etnike.
Solidariteti dhe bashkëpunimi ndërshqiptar po dobësohet vazhdimisht, sepse është në rritje egoizmi krahinor dhe xhelozia ndërkrahinore e ndërshtetërore midis Kosovës dhe Shqipërisë, se cila do të arrij e para në Bruksel. Kështu do të harrohen plotësisht nga këto dy shtete shqiptare problemet dhe aspiratat e krahinave tjera të pushtuara shqiptare dhe luftërate tyre për çlirim dhe ribashkim kombëtar!
Kosova e Pavarur do t’i ndihmojë krahinat e robëruara të Shqipërisë Etnike, aq sa i ka ndihmuar ata deri më tani Shqipëria e Pavarur e Tiranës: me fjalë, me deklarata kontradiktore, me destabilizim të vetvetes në momentet më kyçe që ka kaluar Kosova dhe trojet tjera shqiptare, me njohjen e shtetit të Maqedonisë e të Malit të Zi, me thirrjet patetike drejtuar "vëllezërve" të matanë kufinjve për të duruar robërinë, për të mos luftuar për liri, të mos prishin "paqen" e pushtuesve dhe thirrje e deklarata tjera antikombëtare!
Moskokëçarja e Shqipërisë londineze dhe e Kosovës unmikistaneze për çlirim dhe ribashkim kombëtar të Shqipërisë Etnike, do të imponojë shumë shpejt që krahinat shqiptare të mbetura edhe më tej nën pushtim të huaj të kthjellohen, të zgjohen, të binden për realitetin objektiv dhe ta marrin fatin e tyre në duart e veta dhe të mos presin ndonjë ndihmë të veçantë "vëllazërore" nga këto dy shtete shqiptare, sepse kjo ndihmë, në raste speciale, do të jetë shumë e vogël, më shumë deklarative, pak logjistike dhe aspak praktike dhe ushtarake.

   *****

Kosova do të bëhet ”shtet i pavarur”, me një gjysmë pavarësi, me një sovranitet të kufizuar, shtet pa tapi, me një ”sakat” intehritet, e cila do të jetë shumë pak funksionale dhe vështirë e përdorshme!  Kjo pavarësi do të jetë fasadë, sikurse Autonomia e mëparshme e KSA të Kosovës nën Jugosllavinë titiste, sepse tani Kosova do të ketë të njëjtën Autonomi, kurse në realitet ajo nuk do të jetë e vetëdijshme, do të jetë në ëndërr e në iluzion dhe do të kujtojë se ka ”pavarësi e sovranitet”, do të kujtojë se është ”shtet”!!! Kosova-Shtet, do të jetë një shtet i dobët që mezi do të qëndrojë në këmbë, por megjithatë, do të jetë shtet dhe ne ia urojmë shtetësinë e pavarësinë, me dëshirën e shpresën që ky "shtet", me kohën, do të bëhet vërtetë shtet.
”Pavarësia dhe shtetësia” e Kosovës nuk duhet t’ua rrisë mendjen dhe vetëkënaqësinë kosovarëve shqiptarë. Kjo gjendje deliri mund të bëhet shumë e rrezikshme për Kosovën dhe për mbarë Çështjen Kombëtare Shqiptare. Tani mund të jetë më vështirë që t’i bindësh shqiptarët e Kosovës, ”kosovarët” e ”shtetit” të Kosovës, që ata nuk kanë fituar asgjë nga ky pseudoshtet! Mund të jetë e vështirë t’i bindësh ata se janë të barabartë me shqiptarët e Iliridës, Kosovës Lindore e të Malësisë së Madhe në aspektin e lirisë, pavarësisë e sovranitetit kombëtar. Pra, janë edhe mëtej, sikurse vëllezërit tjerë: pa liri, pa pavarësi, pa sovranitet dhe në robëri, por që kjo robëri e ky pushtim tani kanë emër tjetër në Kosovë, më të sofistikuar, më të kamufluar, më tërheqës për naivët e mendjelehtët, ka emrin e ”Shtetit” e të ”Pavarësisë”, por realisht ka përmbajtjen e Protektoratit, i cili nuk është asgjë tjetër pos Neokoloni Evropiane!
Kush është tani ai filozof e patriot, ai lider e idealist, ai luftëtar e revolucionar që mund t’i bindë shqiptarët kosovarë se ata nuk kanë pavarësi, nuk kanë liri, nuk kanë shtet e sovranitet?! Kush është ai politikan udhëheqës e gjeneral prijës që mundet t’i bindë kosovarët shqiptarë se ata janë në të njëjtën pozitë politike, juridike dhe ekonomike me trojet tjera të Shqipërisë Etnike dhe se duhet t’u bashkohen atyre në luftë për liri, për çlirim e ribashkim kombëtar, për ribërjen e Shqipërisë Etnike?!
Vallë, kur dhe sa shpejtë do ta kuptojnë shqiptarët e Kosovës se ata jetojnë në një pseudoshtet, me një pavarësi të cunguar dhe me një liri të rrejshme dhe të ndarë nga trungu i Shqipërisë Etnike?!
As dje Shqiptarët nuk ishin aq të mirëorganizuar për një ide e një qëllim, kurse tani që Kosova do të bëhet ”shtet” pa pushtet, do të bëhet ”pavarësi” pa liri dhe do të ndahet  nga fronti i përbashkët mbarëkombëtar për bërjen e Shqipërisë Etnike, tani e tutje do të jetë edhe më vështirë për kombin tonë që të mobilizohet, që të solidarizohet dhe të ribashkohet në një Shtet Kombëtar!
Tani e tutje Kosova e kosovarët, të moderuar e të kulturuar, sikurse Shqipëria e shqiptarët, do t’u mbajnë leksione ”ex catedra” Shqiptarëve të Iliridës, Kosovës Lindore, Malësisë së Madhe e të Çamërisë se si ata duhet të jenë të ”qetë”, ”paqësorë”, të ”logjikshëm”, të ”matur”, ”konstruktivë”, ”bashkëpunuesë”, "elastikë", të ”dëgjueshëm”, "dialoguesë",  ”stabilizuesë”, ”jo kryengritës”, ”jo luftënxitës”,… dhe që të rrinë urtë e të mos prishin rehatinë e pushtuesve sllavo-grekë, që të pranojnë paqen në robëri, të mos prishin paqen e pushtuesve dhe të mos prishin paqen dhe stabilitetin e Ballkanit dhe të Europës!!!
Nga qëndrimi i politikës sektariste, egoiste e oportuniste të Shqipërisë londineze ndaj Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare jashtë saj, Kosova dhe krahinat tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi u detyruan që t’i largojnë shpresat dhe iluzionet tek ndihma politiko-ushtarake dhe ekonomiko- logjistike e Shqipërisë, u zhdehën nga propaganda paqësore e Tiranës zyrtare, u kthjelluan nga premtimet boshe për ndihmë vëllezërve të një gjaku,… dhe e morën fatin e tyre në duar të veta dhe u organizuan, u mobilizuan dhe ashtu siç mundën e sa dijtën, u ngritën në këmbë, rrokën armët dhe shpërthyen kryengritjen e armatosur, nisën luftën çlirimtare kundër pushtuesëve sllavomëdhenj.
Tani kësaj politike e propagande false, ”përkrahëse e vëllazërore” të Tiranës zyrtare, në ”mbështetje” të vëllezërve të tyre për liri e pavarësi, do t’i shtohet edhe propaganda dhe politika hipokrite e Prishtinës zyrtare! Këto dy kryeqytete shqiptare tani si në kor do të koordinojnë politikat e tyre të jashtme kundër përpjekjeve të vërteta, kundër kryengritjeve dhe luftërave për liri e pavarësi të trojeve tjera shqiptare: Iliridës, Kosovës Lindore, Malësisë së Madhe e të Çamërisë!
Do të ndodhë kështu, sepse këto dy shtete shqiptare do të shikojnë interesin e tyre e nuk do të çajnë kokën për krahinat tjera shqiptare a janë të robëruara apo të çliruara! Kështu veproi deri më sot Shqipëria e Tiranës ndaj Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, kështu do të veprojë këtej e tutje edhe Kosova e Prishtinës, bashkë me Tiranën, ndaj krahinave tjera shqiptare që ndodhen ende nën pushtimin e huaj sllavo-grek!
Ndodhë dhe do të ndodhë kështu sepse i ngopuri nuk e beson të uriturin, i pasuri nuk e beson të varfërin, i shëndoshi nuk e beson të sëmurin, i çliruari nuk e beson të robëruarin,…!
Nga realiteti i ri i krijuar me dredhi nga Fuqitë e Mëdha, Shqipëria Etnike nuk ka shkuar në drejtim të bashkimit të saj, por në drejtim të ndarjes së mëtejshme të saj! Me ”Shtetin” e Kosovës do të dobësohet edhe më tej solidariteti dhe lufta e përbashkët e kombit shqiptar për ribashkim kombëtar. Do të thyhet edhe një krah i fuqishëm i kësaj lufte. Ashtu siç bënte sehir Shqipëria londineze kur luftonte e përgjakej Kosova nga serbomëdhenjtë, poashtu do të shikojë e bëjë sehir Kosova unmikistaneze kur do të luftojnë e gjakosen për liri e pavarësi Shqiptarët e Trojeve tjera Shqiptare që ende kanë mbetur nën robëri dhe pushtim greko-sllav!
Ky është fati i Shqiptarëve dhe Shqipërisë Etnike. Shqiptarët e pafat dhe josolidarë në mes vete, janë të detyruar edhe më tej që të luftojnë të ndarë dhe secila krahinë shqiptare të luftojë e vetmuar dhe për vete!
Por sa kanë shansë dhe mundësi që të fitojnë lirinë dhe pavarësinë nga pushtuesit e tyre krahinat shqiptare me një popullsi të vogël, siç janë: Kosova Lindore, Malësia e Madhe dhe Çamëria?! Pa ndihmën e sinqertë politike, pa ndihmën e vendosur e konkrete ushtarako-logjistike të Shqipërisë londineze dhe të Kosovës unmikistaneze këto krahina shqiptare nuk kanë gjasa reale që të çlirohen vetë nga shtetet që i kanë nën pushtim e sundim.
Vetëm Ilirida bën përjashtim nga këto krahina shqiptare dhe ka parakushte më të përshtatshme që të çlirohet me forcat e veta nga IRJM dhe të fitojë shtetësinë dhe pavarësinë e vet, duke u bërë shteti i tretë i pavarur shqiptar i Shqipërisë Etnike. Ndërsa tri krahinat tjera shqiptare, hë për hë, duhet të pajtohen me një autonomi politiko-territoriale në kuadër të Serbisë, Malit të Zi dhe të Greqisë.

   *****

Për Iliridën dhe Shqiptarët e saj, këtej e tutje, pasi Kosova të bëhet "shtet i pavarur e sovran", ka dy rrugë:
1.Republika e Iliridës, në kuadër të Republikës Federative të Vardarit, dhe
2.Ilirida - Shtet i pavarur dhe sovran.
Republika e Iliridës dhe federalizimi i Maqedonisë (IRJM-së) mund të arrihet në rrugë demokratike e paqësore, përmes rezistencës aktive popullore, përmes demonstratave masive të parreshtura shqiptare dhe përmes bojkotit të të gjitha institucioneve qendrore dhe lokale të pushtetit zyrtar nga ana e të gjitha partive politike shqiptare të pozitës dhe të opozitës.
Dalja e Shqiptarëve nga institucionet dhe krijimi i një Këshilli Kombëtar Shqiptar me anëtarë nga të gjitha partitë politike shqiptare të Iliridës dhe me individë nga shoqëria civile, do të ishte fillimi i fillimit të veprimtarisë së bashkuar dhe aktive të Shqiptarëve për federalizimin e Maqedonisë dhe krijimin e Republikës së Iliridës.
Këshilli Kombëtar Shqiptar do të hartonte Platformën Politike dhe Planprogramin e veprimit Taktiko-Strategjik, do ta unifikonte forcën vepruese të popullit shqiptar, do të shtronte vullnetin dhe kërkesat politiko-kombëtare të Shqiptarëve të Iliridës ndaj palës sllavomaqedonase, si dhe do të udhëhiqte popullin tonë në protesta, marshime dhe demonstrata të parreshtura paqësore e demokratike, duke paralizuar e bllokuar gjithë jetën institucionale dhe funksionimin e shtetit, deri në arritjen e Marrëveshjes për Federalizimin e Maqedonisë, duke u krijuar në territorin e sotëm të saj dy Republika: Republika e Iliridës dhe Republika e Maqedonisë, të cilat do të përbënin Shtetin e pavarur e sovran të Republikës Federative të Vardarit (RFV).
Formimi i Republikës Federative të Vardarit, jo vetëm që do ta ndërpriste procesin e shpërbërjes së Maqedonisë së sotme, jo vetëm që do ta forconte bashkëjetesën demokratike e paqësore të Shqiptarëve dhe Sllavomaqedonasve në një Shtet të përbashkët Federativ, demokratik e stabil, por në të njëjtën kohë, apriori, do të zgjidhej edhe çështja e emrit të sotëm të Maqedonisë të kontestuar nga Greqia. Tani në OKB dhe në arenën botërore do të ekzistonte shteti i ri me emrin Refupblika Federative e Vardarit (RFV), i cili do të zëvendësonte shtetin e sotëm me emrin Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM).
Ndërsa Shteti i pavarur e sovran i Iliridës mund të vjen në shprehje në rast se populli sllavomaqedonas në asnjë mënyrë nuk do të dëshironte që të bashkëjetonte në një Shtet Federativ me popullin shqiptar. Në një rast të këtillë, me anë të Referendumit Popullor, të Shqiptarëve dhe Sllavomaqedonasve, do të vinte deri te ndarja paqësore e Iliridës nga Maqedonia (IRJM) e Sllavomaqedonasve dhe krijimi i Shtetit të pavarur e sovran të Iliridës.

   *****

Sidoqoftë, Kosova-Shtet, rradhën e ka Ilirida! Por, pse vallë ta ketë rradhën tani Ilirida?! Ç'është kjo rradhë, ky rend?! Pse duhet që Shqiptarët dhe krahinat shqiptare të luftojnë me rradhë e me rend dhe jo së bashku e së toku?!
Rradhën faktikisht e ka Kombi Shqiptar i Shqipërisë Etnike që të zgjohet, të pajtohet, të mobilizohet, të organizohet dhe të ngritet në këmbë, si një trup i vetëm, si një popull unik, me një Ushtri e një Komandë të përbashkët  dhe të çlirojë e të ribashkojë Trojet Shqiptare të Shqipërisë.
Por këtë imperativ të kohës, këtë detyrë e obligim, këtë mrekulli Kombi ynë nuk e bën, prandaj, pas Kosovës, tani rradha i ka ardhë Iliridës që të ngritet e të luftojë e vetmuar për lirinë dhe pavarësinë e saj, kurse pjesa tjetër e Kombit do ta shikojë nga ekranet televizive, sikurse sheh një film Hollivudian, përpjekjen dhe përgjakjen e saj për Liri!
Por, ajo më e turpshmja dhe më tragjikja do të jetë se, një numër i konsiderueshëm pushtetarësh e qeveritarësh shqiptarë Iliridën do ta quajnë "vatër destabilizimi", kurse Iliridasit luftëtarë e çlirimtarë do ti emërtojnë si "ekstremistë", "radikalë", "aventuristë" e "terroristë"! Këtij kori injorantësh e antikombëtarësh, pastaj, të nesërmen do ti bashkangjitet edhe Faktori Ndërkombëtar!
Dhe ecë e fito pastaj lirinë, kur gjendesh midis tre zjarreve: 1. zjarrit bombardues të pushtuesit, 2. zjarrit dëshprues të vëllezërve pushtetarë nga Tirana, Prishtina e Shkupi dhe, 3. zjarrit anatemues të Fuqive të Mëdha.
Pavarësisht se për paqën në robëri është çjerrë vazhdimisht Europa dhe Shqipëria, Shqiptarët e robëruar, krahinat tjera të Shqipërisë së pushtuar Etnike nuk e kanë ndalur për asnjë çast rezistencën, qëndresën, kryengritjen dhe luftën çlirimtare, sepse këtë e kanë amanet nga Abdyl Frashëri, i cili i tha Europës më 1878 se, "Pa zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të çështjes kombëtare shqiptare, nuk do të ketë paqë Europa dhe Ballkani!". Dhe kështu ndodhi në vazhdimësi, që nga ajo ditë zëri dhe pushka e Shqipërisë së copëtuar Etnike ka gjëmuar nëpër dekada, duke nxjerr tym e barot kundër pushtuesve sllavo-grekë për çlirim dhe ribashkim kombëtar.
Nga Ballkani u dëbua Perandoria Osmane si rezultat i luftërave të parreshtura të Shqiptarëve për liri dhe pavarësi kombëtare nga pushtuesi anadollak. Në Ballkan filloi Lufta I dhe e II Botërore. Nga Kosova shqiptare filloi shpërbërja e Jugosllavisë titiste më 11 mars 1981. Për shkak të kryengritjes së Kosovës shqiptare (1997-1999) filloi bombardimi i Serbisë millosheviçiane nga NATO më 24 mars 1999.
Për shkak të moszgjidhjes drejt dhe përfundimisht të Çështjes Shqiptare në Ballkan paqa dhe siguria në Europë do të jenë vetëm një iluzion. Tronditjet e turbullirat do ta ndjekin hap pas hapi, deri në shkatërrim, edhe perandorinë e re në formim - Bashkimin Europian, nëse nuk e zgjedh tani çështjen kombëtare shqiptare të Shqipërisë Etnike.
 Shqipëria Etnike është çelsi i paqes dhe sigurisë europiane, ose dryri i saj, nëse nuk merren parasysh aspiratat legjitime dhe historike të kombit shqiptar.

Dhjetor 2007



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT