E premte, 29.03.2024, 02:11 PM (GMT)

Editorial

Albert Vataj: Zelli i një politike demagogjike

E marte, 31.08.2010, 09:00 PM


Zelli i një politike demagogjike

 

Nga Albert Vataj

 

Gushti jo vetëm stinë pushimsh

 

Iku vallë, vapa me gushtin? Është kjo një pyetje, jo dhe aq tipike, se sa retorike. Sepse në një çorbë retorike e pa vetën teksa përzihej, ndërsa gatuhej, ajo që do ta quanim zatetje e shtetit. Një lojë me miliona euro dhe me nervat e acaruara të shqiptarëve halleshumë, i ngjet më shumë një komedie të zezë se sa një politikëbërje ogurbardhë. Kjo verë e nxehtë, dhe zërash shpuzë të politikës kanë yshtur prejsllimi të sezonit të pushimeve, vullnesën tonë të përfytyrimit, për të pranuar të tashmen e politikës së konsumit, si një demagogji. Zelli i protagonizmit politik, i vënë re kryekëput në radhët e opozitës, (nëse guxojmë të nënkuptojmë me këtë PS-në), qaset të jetë lajmësi, më i pashpresë për një të sotme të zgjidhur nga shpërgenjt e të shkuares. Opozita, duke i besuar më shumë oktavëve të tellallit, se sa brendisë së faktit, më shumë ngasjes se sa qasjes, më shumë demagogjisë se sa betejës pa kompromis ndaj një lëngate, e ka transformuar atë shtjellë në një pështjellim. Duke u zvargur, e gjithë kjo masë e madhe boshësie dhe duke u vërsulur si një ortek i zashëm, na përfund, duke na bërë pjesë të saj, në rrugën përnga duhet të kalojë babëzia e atyre që sot janë akuzatorët, dhe po sot janë ato që akuzohen. Ngasje “hidhe e prit”, nuk merr përsipër të bëhet dëshmitari i një lufte të madhe. Kjo për faktin se besojnë si efikase spariherë bindjen e dynjase, se këto pushtetarë po vjedhin e po na rjepin dhe këtë e ofrojnë si shërbesë politikëbërje.

 

Gjithnjë para mikrofonit

 

Përgjatë gjithë këtij sezoni pushimesh, opozita nuk ka reshtur të akuzuari për korrupsion dhe përfshirje në afera të pista shtetarë dhe të afërm të tyre. Me libër shtëpie ka dalë PS-ja e po u bëri xhindin zotëruesve të pushtetit. Të paktën kështu mendon ajo. Dhe ne s’kemi pse t’ia pridhim avenirin gjithë këtij taborri politikanësh njomzakë dhe pozuesish të pushtuar nga Narcizi. Foltorja e Partisë Socialiste gjatë këtyre ditëve ka pritur dhe përcjellë pothuaj të gjithë çfarë hyn dhe del në këtë parti. Kuptohet, ata që kanë pushuar në korrik dhe i janë përveshuar Berishës në gush. Aq tellall doli nga ajo godinë dhe aq pranë u gjend media këtij vullneti për kushtrim, sa përnjimend kujtova se PS-ja ishte shkulur nga trojet e saj të kahershme për tu ngulur para televizioneve dhe gazetave. Por “nuk paska ken kysmet”. Aniqysh de, mikrofonin se lëshuan nga dora përgjatë gjithë këtyre ditëve. Kudo që ngasja mediatike shfaqej me gjithë drobitjen e dhe shterpësinë e saj të lajmit, gjindeshin ata, fillërojtësit e Ramës. Gojtaria dhe ligjërimi, i tonacioneve të ndryshem dhe timbreve të çfarëdoshëm përnga gjinia, feja, krahina dhe ideja, e kulmoi në hit jetën e kësaj partie. Një për të gjithë dhe të gjithë për një, u rreshtuan në një ofensive të pamatë kundër vijës së parë dhe nevralgjikes së qeverisjes Berisha. Miliona euro kanë fluturuar nga një foltore në tjetrën, duke e bërë qiellin adh të këtij gushti, një arenë të përjargshme, akuzash dhe kundërakuzash. Sa del një syresh nga PS, flakë për flakë i’a pret i shënjuari, ose nga folturja e partisë, e pse jo dhe nga ajo e digasterit që drejton.

 

Tragjikomedia e një kohë lëngimi

 

Banale, e ndyrë dhe fyese mu shpërfaq e gjithë ky masiv i politikëberjes së opozitës, e gjithë kjo ngrehinë ndjellakeqe. Miliona euro, që i ka dhënë njëra palë dhe i ka marrë tjetra (lus Zotin që të mos ketë asnjë të vërtëtë nga kjo piskamë), hidhen dhe priten mbi kokat e shqiptarëve që përballen me një jetë që sa vjen e u’a shtëngon lakun në fyt. Milona euro flakërojnë nga një pod në tjetrin, në trajtë akuzash dhe as se e vret mendjen ndonjëra nga këto palë, se poshtë këtij vërshi të tërbuar parashë luhet fati i mbijetesës së shumë shqiptarëve. As se e ka vënë kush ujin në zjarr për ta kuptuar ndjenjën e poshtrimit që përcjellin ato zgjedhës. Kjo betejë eurosh dhe dollarësh, derimtash i ngjet një tragjikomedie, madje mediokër, ku mungojnë elementet më të domosdoshme estetike dhe artistik të këtij përfaqësimi, anipse po e quajnë politikëbërje. Jeta artistike në këtë sezon rreshkjeje në diell, duke qenë më se e varfër, ka përthithur përnga kjo skenë bajate tërë interesimin e opinionit. Kjo ka bërë që të dalin në pah shumë mangësi profesionale dhe artistike të këtij përfaqësimi të politikës. Gjithqysh nga plateja nuk kanë munguar duartrokitjet. Fakti se në këto radhë zakonisht janë të ftuarit, dhe publiku i zgjedhur, kjo nuk e shpëton komedinë politike nga anatema.

 

Art për andralla

 

Ndërsa gushti i përket tashmë të shkuares dhe sytë i kemi lëshuar babëzitshëm të gjithë përnga shtatori, mbetet të shpresojmë që të rikthehet jeta e gjallë artistike dhe njerëzit të kenë mundësi të zgjedhin, nëse do të vazhdojnë të kundrojnë dhe të përcjellëin komedinë e pështirë politike, apo t’i kushtohen një asimilimi më qënsishëm artistik. Por kjo gjithëpoaq, nuk do të dëshmojë se ky teatër absurdi nuk do të ketë shikuest e saj. Aq më tepër kur përvoja na tregon se populizmi në art, duke filluar me politikën, duke vazhduar me atë dhe duke mbetur vetëm tek ajo, si admirues më të zellshëm, ka popullin. Për ironi të fatit, ne si popull shquhemi për instinkte të ndrydhura të perceptimit dhe të ndjesive etiko-estetike të artit politik. I këtij mendimi jam edhe për anatominë e bashkëjetesës së tij edhe me gjallime të tjera të nalta. Vullneti për ta ushqyer mediokritetin me duartrokitje, nuk na ka munguar. Sikundër nuk na ka munguar dhe besimi se duke qenë të mashtruar, të nëpërkëmbur, të përçudnuar, të persekutuar, të fyer, jemi popull, ose siç u pëlqen ta quajë politika në vigjilje të fushatave, sovrani. E drejta e çdo mase për të bërë pjesë në turmë, munet me kenë ushqim i përkohëshëm i vetë politikës për ta parë si të tillë dhe për ta trajtuar përkundër asaj çfarë është njerzia. Por kjo nuk do të thotë se tragjikomedianët politik, duke mbajtur skenën gjithnjë të hapur, do të mund të mbyllin plagët që po gangrenizojnë shtatin shëndetlig të një Shqipërie që shpreson të ndryshojë.

 

Iku vallë, vapa me gushtin?

 

Shterpësia ligjore e kamuflon qëllimin dhe vesh me fars gjithë këtë armatë të ngrefosur për turr. Mungesa e një strategjie për të kahur përnga stinë e acartë ekzekutivin e Berishës, tregon mediokritet politik dha amatorizëm. Turravrapi për ta pasuruar dekorin e denoncimeve, tendosja e skajeve akuzë-kundërakuzë, larushia aktoriale e foltoreve, duke e çoroditur, i heq thelbin kësaj lufte. Duke u mjaftuar me gërvishtje në sipërfaqe, opozita i’a heq vetes të drejtën të përftojë ndonjë dobi në favor të mbërritjes tek forcimi i pozitave të saja në pushtet. Gjithë këto tam-tame akuzash, dhe ndryshimi i kursit së politikës së votës, i jep mundësi të favorshme PS-së, të tërhiqet nga paranoja e hapjes së kutive, si nga një betejë e humbur me turp. Por nuk i’a rikthen asaj të drejtën për të rimarrë pozitat e domunimit në pushtetin lokal, fat i cili po parathuhet ditëpërditë, anipse këtë të drejtë e kanë zgjedhjet. Heshtja e Berishë, tregon edhe një pikë të dobët të kësaj ofensive të PS. Nëse ata ende nuk e kanë tërhequr personazhin kryesor në rolin e tyre, tregon se jo gjithçka, më mirë të themi se kurrçka nuk është bërë si duhet, kjo ose nga mosdashja, ose nga padija, por le të besojmë këtë të dytën. Gjithsesi ata diçka po bëjnë. Diku do të dalë, ose më saktë duhet të dalë nga gjithë kjo gurgule. Ndryshe si ta kuptojmë gjithë këtë energji të konsumuar, gjithë këtë minutazh televiziv e terren mediatik të uzurpuar. Një mëndje më thotë se kjo ndoshta do të përshpejtojë dhe do të këtë ndikuesit e vet tek kthimi që do t’i bëjë xhaketës mbrapsht, Berisha në shtator.



(Vota: 12 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora