Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Zholi: Ndihmoni Jetimët!

| E merkure, 12.12.2007, 09:30 PM |


Apeli: Ndihmoni Jetimët!

Nga Albert Zholi

Albert Zholi
Nuk është ditë feste. Është ditë apeli, ditë fushate, ditë sensibilizimi e iniciuar nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, ku mbarë shoqëria, shteti, politika,
organizatat, prindërit dhe biznesmenët duhet të jenë më afër fëmijëve jetimë. Në optikën e kësaj dite, shqiptari shikon përtej vetvetes,familjes, diku larg: Si ditën e dashurisë së veçantë, të një dite fushate hyjnore, ku të gjithë duhet të kthejmë sytë natyrshëm, ndjeshëm, emocionalisht, prindërisht, tek ajo pjesë e fëmijëve që quhen jetimë. Dikush nga aksidentet, dikush nga lufta, dikush nga gjakmarrja (plagë primitive në kohët moderne), dikush nga sëmundja, dikush nga braktisja (ka edhe prindër të tillë), dikush nga varfëria, dikush nga tradhëtia, dikush nga xhelozia, dikush... Por ata tashmë jetojnë pa familje, pa prindër, ata
kanë një emër që të shkakton dhimbje: Jetimë! Në botën e sotme të bollëkut dhe varfërisë, të kibernetikës dhe fiseve primitive, të shkëlqimit verbues dhe kasolleve me trarë, të luksit të shfrenuar dhe dëshirës për dy lecka, të pijeve brilante dhe etjes së madhe për një pikë ujë, të makinave luksoze dhe karrocave të dorës, ata qëndrojnë në miniaturë, më larg të dyja përballjeve. Ata nuk gëzojnë luksin, por as nuk i trishton varfëria. Ata janë më shumë se të varfër, ata janë larg kërkesës për luks, sepse u mungon diçka më e madhe se luksi dhe varfëria më e madhe: dashuria prindërore. Ata nuk mund t’i ngrohë as zjarri në vatër, as
temperatura e kondicionerit, as prushi në mangall, as soba elektrike, as lekët e shumta, as shtëpia e mobiluar. Jo! As dielli, as jorgani nuk mundet të ngrohë shpirtin e përvëluar të
fëmijëve, që, më së shumti se çdo gjë, u mungon dashuria prindërore. Ndoshta dhe për këtë mungesë ngrohtësie Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve është përcaktuar
më 20 Maj. Kjo datë përkon me pikun e pranverës, stinës më të bukur, stinës së luleve, të ajrit të pastër, të gjelbërimit natyror, të gëzimit fëminor me hapësira për lodra. Si vetë
sinqeriteti, buzëqeshja dhe dëshira për jetë e fëmijëve, është Pranvera. Kjo stinë për nga bukuria dhe gjallëria njësohet me vetë fëmijët. Kjo është stina e tyre, apo më mirë ata janë
vetë Pranvera. Nuk ka zemër të durojë lotët e tyre, nuk ka zemër, sado e sertë, të mos qeshë me gëzimin dhe çiltërsinë e tyre. Por kur sheh jetimët, të qeshurën e tyre të
venitur, strukjen e tyre brenda vetvetes, e ndjen sinqerisht se atyre u mungon jo diçka, por shumë. Sipas z. Ilir Çumani, drejtor i përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, në Shqipëri, në regjimin komunist ka pasur 25.000
fëmijë jetimë, të cilët, sipas brezave në vite, ishin sistemuar në Shtëpitë e Fëmijëve, të vendosura gjeografikisht në disa qytete të vendit. Ata kanë pasur një përkujdesje shtetërore të zakonshme, por që në fund të fundit nuk ekzistonte rreziku i trafikimit.
Njëkohësisht, ata qëndronin edhe nëpër familjet e të afërmve, apo në familjet shqiptare që nuk kanë pasur fëmijë. Ndërsa sot në Shqipëri ka 3- 4 herë më shumë jetimë. Aktualisht në Shqipëri funksionojnë me kapacitet maksimal 26 Qendra rezidenciale Jetimore shtetërore dhe joqeveritare (OJF) prej të cilave 11 janë Shtëpi Fëmijësh në juridiksionin e shtetit. Këto shtëpi ndodhen në Sarandë, Gjirokastër, Vlorë, Durrës, Elbasan, Tiranë, Shëngjin, Shkodër.
Nga viti në vit kushtet e tyre janë përmirësuar ndjeshëm, si dhe është rritur në maksimum siguria. Të tjerë fëmijë jetimë janë akomoduar në Qendra Jetimore Rezidenciale, që
drejtohen nga OJF të huaja dhe vendase dhe të vendosura kryesisht në Tiranë, Elbasan, Shkodër, etj. Në këto qendra ka pasur dhe ka probleme të ndryshme sigurie. Sipas
statistikave, rreth 1.300 fëmijë jetimë i takojnë komunitetit të romëve, pjesa dërrmuese e të cilëve janë të paregjistruar në zyrat e gjendjes civile. Zërat për trafikimin e qenieve
njerëzore dhe pikërisht fëmijëve, i përkasin këtij kontigjenti. Ndaj edhe
20 Maji është një apel mbarëshqiptar për t’i thënë “JO” trafikimit të tyre. Kjo ditë është shumë pranë 1 Qershorit, Festës së Fëmijëve, ku të gjithë ne duhet të shqetësohemi për
këtë kategori. Nuk ka muzikë më të bukur se zërat e të vegjëlve, s’ka ndjesi më të bukur për njerëzit, kur me dashamirësi të sinqertë ndihmojnë këta fëmijë. Jo më kot populli thotë se Kombi fillon te nënat dhe vazhdon te fëmijët. Nuk është malli pasuri, por pasuria e vërtetë është fëmija. “Gratë na bëjnë poetë, ndërsa fëmijët filozofë. Ruajini lotët e fëmijëve tuaj, që të kenë mundësi t’i derdhin mbi varrin tuaj”, ka thënë mijëravjeçarë më parë Pitagora. Kjo
thënie e tij sot është apel, një thirrje për një qëllim të madh. Dhe ky apel është se nuk ka nismë më të bukur, më sinjifikative se sa të punosh që fëmijët jetimë të jenë po aq të lumtur sa janë fëmijët e tjerë. Kush ndihmon këta fëmijë, nuk ka dhënë një ndihmë modeste, por, pa dashur, ka ndërtuar një kala.