E premte, 26.04.2024, 12:06 AM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Vajtojcat e Zajazit

E hene, 30.08.2010, 09:59 PM


KALOSH ÇELIKU

 

VAJTOJCAT E ZAJAZIT

 

       Histori më vete: sa herë që sharronte në bërllok ndonjë grua ose burrë, Nëna ime thoshte: është bërë për ta vajtuar me gra Zajazi. E vrisja mendjen nateditë, nga vinte deri te ky përfundim. Më në fund e gjeta shtegun: Nëna ime i kishte dajtë e nënës në Zajaz. Edhe, siç duket kishte marrë pjesë në shumë dasma e varrime të asaj ane. Një gjë të tillë e dija edhe unë si fëmijë, duke shaluar një “kalë” shelgu përmes livadhit në Katund, rrëzë Çukës. Gratë e Zajazit ishin vajtojcat më të mira në rrethin e Kërçovës. Pse të mos e them haptas: edhe në rrethin e Gostivarit, Tetovës, Dibrës... E vajtonin kufomën aq bukur, sa të shkonte mendja se, a janë duke vajtuar, apo janë duke i kënduar mbi kokë. Ndonjëri, edhe thoshte: vajtojcat e kësaj ane mortin e shndërrojnë në gëzim. Varrimet në dasma.

       Kulminacioni, e di se një kope me zgjebe e shqiptarëve janë bërë për t’i vajtuar me gra Zajazi. Edhe atë: ditë – natë, jo me dajre, po me tepsia të arnuara magjupi. E them këtë se, dita – ditës po na vdesin “patritotët” e vonuar e nuk ka hoxhë me çallmë turku në kokë, e as njeri t’i shti në varr xhenazet partiake. Për marre të Zotit na mbetën mbi tokë. Hoxhallarët për shërbimin e tyre të varrimit kërkojnë lekë, varrtarët poashtu pagën e tyre të përditshme. Edhe, më kujtohet një rast që ka ndodhur gjatë një varrimi: hoxhallarët kur janë zënë në mes vete se cili do t’ia këndojë mbi kokë të vdekurit “tallkinin”. Cili më i pari t’i rrëmbej paratë e ceromonisë së varrimit. Në mes të varreve janë zënë edhe me grushta shërbetorët e Allahut. Mezi i ka ndarë xhemati. Përpak ta lënë kufomën mbi dhe, pa e futur në varr.

       Xhenazet e “partriotëve” të vonuar po na mbesin mbi varre. Edhe atë, në këtë kohë vere, përpara këmbëve të Urës Gurit, brigjeve të Vardarit. Në këtë vapë të madhe, kur dielli djeg si saç mbi kokë. Nën këmbët e kuajve me shalë të Goce Dellçevit dhe Nikolla Karevit. Kryqave të misionarëve fetar grek dhe Metropolitit të Beogradit. Luanëve roje mbi urë, rrëzë Kalasë me kokën në Qeveri e bishtin në Bit – Pazar. Edhe, kanë filluar të krimben, qelben. Era u vjen nëntë sahat larg. Përmëkeq, edhe kalben mbi dhe, pas vdekjes. Nuk i shihni: politikë teknefese, skandali në arsim me tekstet shkollore shtatë vjet me radhë jeton nëpër shkollat tona, merr lirisht frymë mbi banka përpara nxënësve. Edhe atë: me ministra e zv. ministra shqiptar të arsimit, universitete shtetëror e privat, akademikë, profesorë universitar, “ekspertë të arsimit”, që partitë politike shqiptare i kanë strehuar në Ministrinë e Arsimit e Shkencës (MASH), Byroja për Zhvillim e Arsimit (BZHA), me dy Lidhje të arsimtarëve shqiptar, me dy-tre Union-forume të “intelektualëve” shqiptar... Shtatë vjet pas me vonesë t’i shohin tekstet shkollore plot mangësi profesionale. Vallë, thua gjatë këtyre viteve nuk i kanë pasur nëpër duar, apo nuk kanë punuar me to fare me nxënësit nëpër shkolla.

       Heshtja e partive politike shqiptare me ministra, zv. Minsitra shqiptar, drejtorë, zv. drejtorë në Byroja për Zhvillim e Arsim e këshilltarë në Ministrinë e Arsimit e Shkencës, është për t’u vajtuar me gra Zajazi. Shkaku: shqiptarëve nëpër këto tekste shkollore u shtrembërohet dhe falsifikohet historia, paraqiten si cuba dhe ardhacakë me prejardhje të përzier sllave, çerkeze, turke, a rome. “Shoqëria” për klasat e pesta: me portretizimin e profetit Muhamed në mes të Shkupit “mysliman” me më shumë xhami se shkolla, me llogaritjen e Kosovës si “krahinë autonome e Serbisë”.

       Përçudi, përmbajtja skandaloze e librave politizohet me shtatë vjet vonesë pa vetëkritikë të “profesionistëve” shqiptarë. Gjeografia e R. Së Maqedonisë për vitin e dytë gjimnaz është i botuar që herët, edhe atë në vitin 2003, nga shtëpia botuese “Prosvetno Dello” - Shkup, grupë autorësh të gjithë maqedonas. E kanë përkthyer shqiptarët, e kanë lektoruar “profesionistët” me diploma universitare e tituj shkencor. Vite me radhë ky libër vazhdon të ribotohet dhe servohet për mësim jo vetëm në paralelet maqedonase, por edhe në ato shqiptare.

       Skandali i teksteve shkollore në arsim, përveç defekteve të rëndomta në sistemin arsimor, po nxjerrin në sipërfaqe edhe neglizhencën e mësimdhënësve, nxënësve, prindërve dhe sidomos studiusve të fushave përkatëse në arsim. Dhe, është pasqyra më e mirë për ta parë veten partitë politike shqiptare duke punësuar me pakicë e shumicë partizanë të tyre gjysëmanalfabetë nëpër këto institucione me diploma e tituj universitar. Ndoshta, edhe e shohin si të arsyeshme, nuk kanë kohë të merren me këto theshetheme të “vëllezërve”, kur kanë punë edhe më të mëdha patriotike, turren pas diplomave universitare dhe titujve shkencor. Vendeve të punës me të cilat i shpërblen Nëna Parti si partizanë të “demokracisë”. E pyes veten: për çka na duhen gjithë këta universitete të politizuar deri në palcë edhe nëpër katunde, kur ne nuk kemi shkolla fillore.  Planprograme shkollore në gjuhën shqipe. Tekste shkollore. Lektyra shkollore. Aty për aty edhe i përgjigjem vetes: për të prodhuar me pakicë e shumicë diploma universiteti me vula partiake. Trusakatë. Tituj politiko-shkencor, për t’i mbushur këto fabrika neokomuniste me kunguj Stambolli.

       Habia: Heshtja e mësimdhënësve shqiptar të gjeografisë, të cilët kanë punuar, apo nuk kanë punuar gjithë këtë kohë me këta libra!? Ose, u del gjumi arushës pas shtatë vjetëve vonesë pa vetëkritikë. Kohë kjo, me këshilltarë të ministrave të arsimit. Përmëkeq, teksti shkollor ribotohet disa herë, edhe kur ministri i arsimit dhe shkencës ishte shqiptar, alamet patrioti me bagazh partiak.

       Vazhdimi: Fajet i ka kryetari i BDI – së, Ali Ahmeti. Menduh Thaçi, i PDSH –së. Imer Selmani i DR, i cili gjatë muajit të Ramazanit merret me aktivitetet e hoxhallarëve: e shtron iftarin nën qiell të hapur. I gjithë faji, përpiqet të hudhet tek një person, parti politike në pushtet. Po, të tjerët shqiptarë “patriotë”?! Kryesia e partisë politike, ministrat, zv. Ministrat, deputetët, këshilltarët në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës... Populli e ka thënë moti: Trimi i mirë me shumë shokë. E, a kanë shokë trimat tanë të sotshëm të partive politike shqiptare?! Jo. Fatkeqësisht, vite me radhë janë të rrethuar me trusakatë, gjysëmanalfabetë dhe hajdutë qeveritar duke shëtitur parti më parti, si kurva burrë më burrë në Shtëpinë publike.

       Qëllimi ynë historik, nuk arrihet me këtë bërllok shqiptar, që na e ka zënë me vite frymën. E kanë ngushtuar rrethin e tyre partiak me familjarë, miq interesi të biznesit e këlyshë me zgjebe, që moti e kanë shitur veten një torbë taxhi, ose një asht. Përditë i sheh se si “vuajnë” për popullin me makina luksoze, libreza kursimi nëpër banka jashtë vendit e shtëpi moderne në disa kate. Populli i shkretë, përsëri pas katër vjetëve ua jep votën haramëve, që janë duke e shti për së gjalli me gjithë lecka në varr.

       Fajtorë: përsëri kryetari që zbriti nga mali, partia politike në pushtet. Partizanët e partive tjera politike, nuk janë fajtorë. Shkaku se, ata: çdo katër vjet e rrëmbejnë ajkën me bekimin e kryetarit dhe partisë argate. Punemadhe, që janë të paaftë    ulen ballë për ballë me palën tjetër në një tavolinë. Kryesorja, dinë të notojnë nëpër dallgët politike. Edhe, t’ua vënë gjoksin para “problemeve”, kur janë në pytje postet në Qeveri, emërimet nëpër institucione të Shtetit. Zjarr e flakë vjellin nëpër tubime partiake, Akademi përkujtimore, shënimin e përvjetorëve të personaliteteve shqiptare, zbulimin e përmendoreve të dëshmorëve të luftës para kamerave televizive.

       Edhe unë, çka shkruaj tashti si shkrimtar?! I bie samarit, t’i teket gomarit. Punë që nuk është e imja, po e Ali Ahmetit me shokë. I di Meta, punët e veta. Po, ec e heshtë në këtë vapë të madhe te këmbët e Urës së Gurit, përpara heronjëve bullgarë e Metropolitit të Beogradit. Shqiptarët, kur janë bërë si dhentë. Ose, si pula kur i vjen veja te bytha, turret të gjej furrikun në kotec, dhe e lëshon në mes lëmës. Gjithë kohën janë në gjumë dhe bëjnë sefa nëpër institucionet e Shtetit. E, kur u lindin problemet: enciklopedia maqedonase, tekstet shkollore... Një dele kërcen në ujë, dhe gjithë kopeja pas saj njëra pas tjetrës bythekrye në lumë. Në skenë dalin alamet akademikësh, profesorë universitar, analistë politik, gazetarë të “pavarur” e shkrimtarë oborri. Gurë e dru hudhin mbi palën tjetër maqedonase, ato ua kanë fajin. Shoqatat “joqeveritare” edhe ato me kumtesa pas gjumit të arushës ngrejnë krye në mjetet e informacionit, fotografohen para kamerave televizive. Mjeranët shohin ëndrra ditën. E gjithë natën, vite me radhë kanë gërhat në gjumë si arusha polare.

       Përinatë, edhe këto ditë të nxehta gushti nuk bie shi, dezinfektojë xhenazet e tyre mbi varre, laj nga faqja e Dheut. Në fund, përsëri të dalë një Diell i nxehtë, djeg me gjithë eshtra. Nuk i duhet Natyrës, njerëzimit një pisllëk i këtillë, të cilit i vjen era nëntë sahat larg matanë maleve. Qelbet me vite.

       Edhe shqiptarëve nuk u duhen këto qelbësira, që nuk gjendet njeri i gjallë t’i fus në varre, hudhë një kaci dhe në gropë. Unë sa për vete, do t’ju hidhja një çerre gjiriz. E kanë merituar këtë nderim varrimi “patriotët” kuqezi. Gjumin do t’ua kisha zgjatur edhe në atë jetë të amshueshme matanë Ferrit. Pse jo, edhe t’i mbuloja me ndonjë flamur partiak. Referate patetike të poetëve të Oborrit mbi kokë. Edhe atë, me shumë kujdes që të mos i përlyej duart me këto coftina, që gjithë jetën na janë ngatërruar nëpër këmbë. E, shi sot pas vdekjes: edhe me xhenaze mes varreve.

       Amani, o burra së paku xhenazet e tyre i futni nën tokë! Edhe, i mbuloni mirë me dhe se, ndodhë të na ngriten pasmesnate lugetër nëpër Shtëpi. Rezen e derës të na e luajnë në hale. Kusia të na rrokullisin nëpër dhomë. Natën të na i trembin fëmijët në gjumë.

       Dhe, në fund: Xhenazet e këtyre “ekspertëve” të arsimit me libreza partiake, me diploma universiteti e tituj shkencor të blerë në Bullgari e Qafë Thanë, nuk ka hoxhë e as njeri të gjallë t’i shti në varre, janë bërë për t’i vajtuar me gra Zajazi...



(Vota: 71 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora