Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Remzi Limani: Vlerë e veshur me kombëtaren dhe artistiken

| E diele, 29.08.2010, 07:58 PM |


VLERË E VESHUR ME KOMBËTAREN DHE ARTISTIKEN

 

(Në prag të shënimit solemn të 60 - vjetorit të lindjes së këngëtares, Shpresa Gashi, që do të organizohet në Teatrin Kombëtar të Prishtinës më 7. shtator 2010.)

 

Këngëtarja jonë e mirënjohur, Shpresa Gashi dhe kënga e saj e një fryme  dhe specifike në kuptimin e interpretimit individual dhe cilësorë, mbeti gjithmonë e kushtuar të frymoj shqip për ta kuptuar dhe dëgjuar nga të gjitha moshat. Këto vyrtyte e bëjnë këngën dhe zëri i saj miklues, të mbesin me të njëjtin shkëlqim, duke i mbetur besnike vlerave kombëtare pa iu nënshtruar lakmive dhe rrebesheve të kohërave,  të cilat patën tendencën e ngulfatjes të një kulture të një populli që diti ta kultivoj kombëtaren.

 

Nga Remzi Limani

 

Zëri plot ëmbëlsi i një emri të veçuar dhe shumëherë i lakuar, me theksime të veçanta në sensibilizimin e vlerave dhe të arriturave të shumta në fushën e kulturës, përkatësisht në lëmin e artit muzikor është sopranja jonë Shpresa Gashi. Së këndejmi, të shkruash për emrat e veçuar të kulturës sonë, është nder dhe obligim njerëzor, por edhe përgjegjësi morale dhe intelektuale, ngase emrat e mëdhenj meritojnë respekt, mirënjohje shoqërore dhe qasje të drejtë ndaj autoritetit individual, me të cilin vishet dhe krenohet edhe vetë shoqëria jonë me të arriturat e individit të suksesshëm siç është në këtë rast zonja Gashi,. Në këtë kontekst, zonja Gashi , qëmoti u vesh me petkun e merituar kombëtar në fushën e muzikës së kultivuar shqip. Kjo aksiomë, lë të kuptojmë se kemi të bejmë me një personalitet, e cila mbi dyzet vite mbeti mbi krahët e këngës, duke na dhuruar shpirtin dhe zërin e saj prej një artisteje të merituar dhe fisnikeje të vërtetë, duke e dhënë një kontribut të çmuar e të begatë në pasurimin e vlerave të dëshmuara kulturore në kuptimin e evoluimit historik të këngës shqipe nëpër kohë me të gjitha tiparet e një kënge, e cila do të jetojë me ne e pas nesh. Kënga e saj vazhdimisht udhëtoi nëpër kohë dhe pati qëllimin e dëshmive të vlerave të stampuara, që nuk do të shuhen kurrë.

Znj. Shpresë, me kohë e zuri hapin e duhur dhe e nxori nga mendja kuptimin, thelbin ose pjesën më thelbësore të shoqërisë shqiptare, ku pjesa më e ndieshme rreth nesh dhe brenda nesh, është pikërisht fryma kombëtare e artit dhe e kulturës sonë. Në këtë kuptim, kënga e saj u ngrit mbi bazamentin e kombëtares, duke mbirë nga rrënjët e veta, për t`u pasuruar dhe për t`u shndërruar në margaritarë plot shkëlqim në vargun e gjerdanit të kulturës sonë kombëtare. 

 

Pra, kur flasim për këngët e saja siç janë: “Kroi i fshatit tim”. “Balada për Drenicën”, “Nostalgjia” e shumë këngë të tjera nga repertori i saj i pasur, duhet të themi pa hezitim dhe pa modesti, se kjo këngëtare mbeti emblemë e çmuar me të gjitha premisat e interpretimit professional, me qasjen dhe simbolikën e kultivimit të këngës shqipe - asnjëherë pa e vërejtur asnjë disonancë që do ta prishte harmininë, ëmbëlsinë dhe ngrohtësinë e një timbri të veçantë, duke i anashkaluar prej kohësh të huazuarat dhe  antivlerat e përditshmërisë sonë komerciale të cilat, fatkeqësisht ende çirren nëpër gjëmat e sëmuara të pandemisë së shundit dhe antivlerave të pakripura, të cilat na servohen pa asnjë kriter që e vrasin të bukurën tonë shqipe.

 

Dhe, krejt në fund, shfrytëzojmë rastin, që në emër të këngës shqipe dhe të adhuruesve të saj, artistes respective - Shpresa Gashit, t`ia urojmë 60- vjetorin e lindjes, me një jetëgjatësi e rrugëtim të mëtejmë mbi krahët e  këngës së bardhë, duke i dëshiruar gjithë të mirat në mendjen dhe trupin e saj, që  edhe më tej, zëri i saj të rrjedhë si uji i kroit të nartë.