E marte, 19.03.2024, 08:41 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Dollia, tradita e respektit dhe e nderimit ndaj mikut

E diele, 29.08.2010, 06:58 PM


Dollia, tradita e respektit dhe e nderimit ndaj mikut

 

Nga Pëllumb Gorica

 

Krahina e Sulovës shtrihet në rrëze të malit Tomorr. Është e njohur për gjeografine e saj me lugina, kodra shkëmbore, ujëra, pyje,por edhe traditat historike, kulturore. Banorët e saj janë njerëz të qetë, të afrueshëm, natyrëbutë,të dashur me njëri tjetrin. Shpirti vëllazëror i sulovarëve, temperamenti i tyre i veçantë është i pasur me traditat e bukur të mikpritjes, bujarisë, respektit, nderit dhe gëzimit ndaj mikut. Dhe përmes mençurisë, në konakët kanë ushqyer brezat me këtë mikpritje e bujari. Sulovarët nuk e kursejnë përkujdesjen për këdo që u troket në shtëpi. Mikun e duam dhe nderojnë si mik qoftë i largët dhe i afërt, por edhe rrugëtarin e panjohur, që e zinte nata në rrugë, pritej e përcillej me bujari, dashuri e respekt siç e kërkonte zakoni. Ai që thërriste: “A do miq o i zoti i shtëpisë” edhe netëve të vona do të merrte përgjigje me dashamirësi: “Mirseerdhët” Dhe zakoni për të nderuar në bujtjen e tyre në konakun e sulovarit shoqërohej me dolli. Ndaj nuk mund të mos rrimë pa përmendur në traditat e kësaj krahine mikpritëse edhe dollinë, aq e njohur, e dëgjuar dhe e vlersuar për lezetin e saj, si një nga kulmet e shprehjes së shpirtit sulovar. Sulovarët e kanë për krenari të quhen sulovar e dollibash të mëdhenj. Dhe sa herë do të zihet në gojë Sulova, aq herë e më e fortë do të flasin për dollinë si një krenari e vjetër e tyre. Dolli, që me gjithë ngjyrimet që mund të ketë marrë në rrjedhat e kohës është në thelb një traditë e lindur herët, ndoshta që në mesjetë, që shoqëron me urime, rregulla, gostinë për nder të miqëve në gëzimet e tyre me pijen e njohur, rakinë. Sulovarët, dikur ishin tepër të dhënë pas saj. Tashmë sot është një fakt i njohur se, dollia po humbet çdo ditë e më tepër nga ajo madhështi dhe serioziteti i saj si diçka e vjetër.

Disa shpjegime për dollinë.Dollia përbën kodin më të rëndësishëm të një gostie të gëzueshme (lindje, fejesa, dasma, përcjellje e djemve ushtar, etj). Dhe askund dikur ( edhe para 20-30 vjetësh) në Sulovë respektohej e nuk kishte shtëpi të mos e kryenin mrekullisht zakonin e dollisë.

Kush shkonte për herë të parë në krahinën e Sulovës si mik, mirë ishte t’i mësonte rregullat e saj. Edhe kur vinte një mik bëhej dolli. Në dolli ngrihej shëndet për çdo të pranishëm, kujtojnë, respektojnë, këndojnë, muhabet, urime. Të pranishmit (burrat) të ftuar apo të ardhur si mik janë të detyruar të ndjekin e të respektojnë rregullat e saj  dhe kjo të bënë ta kenë mendjen te rregullat e saj. Se dollia ështe si valle. Kush hyn nuk del kollaj. Kohën e dollisë e matnin me shëndetet që pinë. Është e vërtetë se dollia të detyron të konsumosh sasi të madhe rakie, por edhe je i detyruar po u ule të respektosh rregullat e saj. Kthehej në shëndete të veçanta gota me fund. Këtë gotë e pinin të gjithë pa përjashtim dhe e detyrueshme. Në shumë familje gjendeshin gota të vogla (shtatë lekëshe siç i quanin) dhe pihej shëndeti i një personi me rëndësi, për çiftin që fejohej, martohej, për fëmijën që lind etj, dukuri që shprehet edhe sot. Mospranimi për të pirë këtë gotë quhej si e rëndë ndaj të zotit të shtëpisë dhe atij që ngriheshin shëndetet. Ato duheshin pirë. Shmangie kishte vetëm në raste sëmundjesh apo të ndonjë halli.(Me shumë për arsye moshe).

Disa nga urimet në dolli që patjetër kanë në synimin e tyre qëllimin për të cilin janë mbledhur. Shëndete për miqësinë, për vëllazërinë, për mikun për shoqërinë, për fëmijën që lind, për vajzën apo për djalin që fejohet, për çiftin që martohet etj.

- “Miqësi e pandarë”.

- “Shtëpi e nder e bukuri”.

-“Rrofsh e qofsh”.

-“Të paçim me jetë “.

- “Qofsh i gëzuar dhe i nderuar”

-“Aq  sa fjalë aq të mira”

- “Rroftë e valoftë dhe në duar të sigurta qëndroftë (për flamurin).”

- “U rritsh u bëftë plak me mjekër” (për fëmijën).

-“Rrroftë sa të dojë” etj.

Në vitet e diktaturës dollia u politizua. Në lindje, dasma e gëzime të tjera, para dollisë së çiftit apo fëmijës që lindte ngrihej dollia për partinë, për byronë politike, e udhëheqësit, e kështu në të gjitha gëzimet ishin pushtuesit e dollisë së parë. Interesante është një histori që kanë ndodhur rreth viteve ’70 të shekullit të kaluar në njërin nga fshatrat e luginës së Sulovës, kur një natë dimri, në një gëzim familjar, ku ishin mbledhur miq e shokë, rakia derdhej lum dhe dollitë ia linin vendin njëra-tjetrës. Pasi u pinë shëndetet për udhëheqësin, partinë, byronë politike, për njerëzit e shtëpisë, për miqtë, për secilin të pranishëm, për komshinjtë, nuk dinin përse të ngrinin dolli, për të pirë raki. Erdhi propozimi të ngrihej dolli për budallenjtë e fshatit dhe ashtu u bë. Kjo ka qenë një nga gjërat e rralla, që një i pranishëm në këtë gëzim e kujton gjithmonë.

Pasi shtrohej sofra, i zoti shtëpisë merrte gotën e rakisë dhe i drejtohet një njeriu të afërt, por të zotë, që ia thotë dollisë, muhabetit, këngës, që e njeh miqësinë, duke e zgjedhur si dollibash (sekretar) dhe fillonte urimin për mirëseardhjen e mikut me fjalët :

-“Shëndetin e parë për mirëseardhjen e miqve, dëshiroj të ngre një dolli e mirësi!’’.

Pas një pauze të vogël dollibashi gjen mikun kryesor e uron për shëndetin e bërë:

-“Të paçim me nder, shëndetin e parë e kemi për ty!”

-“Të rrosh me shëndet e me nder!’’.

E me radhë urimi kalon nga njëri tek tjetri deri tek i fundit në konakun me miq, vëllazëri sipas moshës e rëndësisë me atë fjalën përcjellëse “Të kam gjetur”. Në shëndetet e tjera secili e di më tutje radhën e respektit me urimet:

-“Gëzuar, shëndet e jetë të gjatë, lumturi paçi kurdoherë në familje!’’, “Le ta pimë këtë shëndet për ty!”, “Ndere të mira të keni!” “Unë e pi për ty”, “ “Me nder dollia’’ e të tjera urime vazhdonte dollia me shëndete. Një shëndet i veçantë ishte: “Shëndet për të gjithë ata që na duan dhe për ata që s’na duan”. Dollibashi me këtë zakon ishte qeverisësi i muhabetit të gëzimit, që në hapësira kohe nga njeri shëndet tek tjetri lejonte muhabete me rrëfime dhe hera herës dhe shaka. Ngadalë nën ethet e rakisë konaku futet në burimin e gëzimit, bisedave të ngrohta njerëzore, humorit shpotitës që t’i shkul të qeshurat nga thellësia e kraharorit  dhe këngët, që duket sikur nuk shterojnë  kurrë. E kështu rakia ua zgjidh gjuhën dhe konaku gjëmon  fort nga kënga. Kënga e parë i takon të zotit të shtëpisë.

O konaku me tavan

Lumja ti ç’farë mban

Shokë e miq mbledhur

Sofrat plot e plot shtrur

Muhabetin e bëjmë bukur

Miqtë i paçim të gëzuar

Sa lezet o sa bukuri

Miku e presim me dolli.

Këndohet edhe një këngë tjetër dhe pas kësaj radha mbetet tek miku. Pas çdo kënge urimet: “Të lumtë goja”, “Të këndoftë zemra”, “Për mirësi kënge’’ etj. Kënga zënë një vend të veçantë sidomos në dasmat. Veç këngëve të njohura për ngjarje historike, patriotëve, fatkeqësive që ndodhnin, me motive të dashurisë etj, këndohen edhe këngë të improvizuara aty për aty. Madje shumëkush këto këngë i këndon edhe sot.

Pse shikon rretheqark

O i zoti i shtëpisë

Kanë ardhur shokë e miq

Duan të hanë e duan të pinë.......

-“Po i ve nga një brez murit se më rrëzohet!’’, dhe çukisin nga pak mezet e shtruara në sofër.

Pas përfundimit të dollisë së parë, të bërë nga i zoti i shtëpisë, radhën do ta kishte i pari i miqëve. I zoti shtëpisë i dorzon detyrën me një shëndet të veçantë të parit të  miqëve apo atij që do të bëj dollibashin: “Brump o mik”. E kështu ajo kalonte në anën e miqve i cili ndjek pothuajse të njëjtat veprime, ose siç quhet dollia e dytë me shëndet e saj e që linte të kuptohej se nga ai çast drejtimi i dollisë kalon në duart e mikut. Sapo filloi dollinë miku e zonja e shtëpisë sjell mishin me shenjë. Bishti i qengjit, që është pjesa fundore e kurrizit , i jepet kreut të qoshes. Dollia vazhdon sipas zakonit e rregullave. Edhe miku e bënë xhiron e dollisë që i takon, duke pirë për secilin nga pjesëmarrësit nga një apo dy shëndete të shoqëruara me urimet për secilin. Ka raste kur bëhet edhe dolli e tretë, varet nga numri i miqve. Në Sulovë  zakoni e do kur janë miq shumë, dollia të mbyllej me numër tek ndaj duhet edhe një dolli tjetër nga miqtë, kjo për ti respektuar. Miku tjetër ashtu siç e do zakoni ngre dollinë me më pak shëndete se e para. Në dolli sigurisht ka edhe të dehur. Dehja ishtë një barrë e rëndë si për të zotin e shtëpisë, por edhe për miqtë dhe sidomos nëse e kalonin çdo cak ndodhnin edhe sherre. Megjithëse sulovari vërtet nga natyra është pijedashës, kjo nuk është përgjithësuese, por si gjithandej ka  pasur e ka individë të përkushtuar ndaj vesit të pirjes. ‘‘Burri që është burrë duhet të pije ca, kuptohet jo ta teprojë e të bëhet gazi i botës, por për lezet e muhabet se kjo e uruar është sebepi i dollisë se kur ulesh në konakë me miq e me shokë duhet të dish të tregosh veten se kush je’’, të thonë në Sulovë. E po urtësia e vjetër e ka thënë bukur shprehjen: ‘‘sulovarët e pinë rakinë me opingë’’.

Miku ishte dhe mbyllësi i dollisë, që zakonisht ndodhte afër orëve të para të mëngjesit (nëse ishte natë). Ngrinte një shëndet, që mbasi e pinte vet i pari e kalonte këtë shëndet që ta pinin dhe të tjerët. Me këtë shëndet dollia quhet e mbyllur. Kuptimplote ishin fjalët e miqve në  mbyllje të dollisë: “Ja sa thamë të paharruara na qofshin” apo “Për sa thamë me mbarësi nga kjo derë”. Dhe në fund urdhëronte ysmetçinjtë që të ngrinin rakinë dhe të shtronin bukën. Tradita e pakufishme e të zotit të shtëpisë dhe e familjes së tij, si emër i një shtëpie mikpritëse e kërkonte që sofra të shtrohet plot. Për të gjykuar se sa e nderojnë mikun, mjaftonin përmasat e hajës që shtroheshin. Nuk ka rëndësi nëse i hanin të gjitha apo jo. Ky rit ishte ca i tepruar për gjendjen ekonomike të banorëve në periudha të caktuara kohe, por për hir të traditës kushtonte shtrenjtë respekti i këtij zakoni. Sa më tepër gjellë të shtroheshin, sa më shumë, aq më i madh quhej nderimi që kanë për mikun, aq më e mirë darka.

Kjo është në vija të përgjithshme tradita e dollisë në krahinën e Sulovës. Ajo është zbehur nga kushtet e reja shoqërore, duke u zëvendësuar me shije të tjera, por gjithsesi mbetet simbol i konakut sulovar. Dollinë si krenari të krahinës së Sulovës, sot sulovarët nuk e pëlqejnë, madje e quajnë ves, por më shumë evidentuam një fakt tashmë të njohur, të traditave të vjetra të krahinës  Sulovë.



(Vota: 8 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora