E enjte, 28.03.2024, 12:38 PM (GMT)

Faleminderit

Nene Tereza, sot festohet 100 vjetori i lindjes ne gjithe boten

E enjte, 26.08.2010, 09:11 PM


Nënë Tereza, sot festohet 100 vjetori i lindjes në gjithë botën
Nene Tereza, sot festohet 100 vjetori i lindjes ne gjithe boten

Festohet sot në të gjithë botën 100 vjetori i lindjes së humanistes me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhi ose siç njihet nga të gjithë, Nënë Tereza. Humanistja e madhe që ndërroi jetë në 5 shtator 1997, lindi 100 më parë si sot në një lagje shqiptare të Shkupit, por pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Kalkuta të Indisë ku zhvilloi edhe misionin e saj

në ndihmë të njerëzve të varfër. Në katedralen e Vaut të Dejës ne vendin tonë është programuar një pelegrinazh kombëtar që do të pasohet më pas me një meshë të udhëhequr nga arqipeshkvi i Durrësit dhe Tiranës, monsinjor Rrok Mirdita. Në kryeqytet, sot do të zhvillohen edhe shumë aktivitete në nder të humanistes. Ashtu si Shqipëria, edhe Kosova e ka shpallur 2010-ën vitin e Nënë Terezës. Prishtina nga ku ka edhe origjinën familja e Nënë Terezës, do ta kujtojë nëpërmjet shumë aktiviteteve. Ndërkohë, në Indi ku Nënë Tereza kapi pjesën më të madhe të jetës, lutjet për të kanë filluar që në datën 17 gusht, ndërsa ditën e sotme në Kalkuta do të zhvillohet një meshë e madhe. Në Nju Delhi do të shfaqet një simpozium, spektakle dhe shumë aktivitete të tjera në nder të figurës së shqiptares së madhe.

 --------

100 vjet nga lindja e Nënë Terezës

Shekulli Online | 26/08/2010 | Kuriozitete 
 
 
E lindur në Shkup si Gonxhe Bojaxhiu, vajza e një tregtari shqiptar, Nënë Tereza u rrit dhe u edukua në shtëpinë e saj në frymë katolike. Në moshën 17 vjeçare ajo largohet nga vendlindja e saj dhe shkon në Irlandë për të hyrë në "Institutin e së Lumes Zojë", që njihej ndryshe me emrin "Motrat e Loretos". Në dhjetor të vitit 1928 udhëton për herë të parë për në Indi dhe vendoset në Kalkutë.

"Është dashuria e ëmbël e Zotit... Ai e don secilin prej nesh, ai i di emrat tanë dhe ai kujdeset për ne më shumë se sa për lulet, livadhet dhe të gjitha bukuritë natyrore."


Në maj të viti 1931 Motër Tereza dërgohet në bashkësinë e Loretos, ku jep mësim në shkollën St. Mary për vajza, një shkollë katolike në Kalkutë. 

Thirrja e re 

Gjatë një rrugëtimi të gjatë me tren në shtator të 1946-ës, nga Kalkuta në Darjeeling, ajo ndjeu frymëzimin e ri, pranoi "thirrjen e Zotit". Misioni i saj ishte t'i ndihmonte më të varfërit e të varfërve dhe t'iu qëndroj atyre pranë. E bindur se në secilin njeri të varfër jeton Jezu Krishti, në vitin 1948 me lejen e Papa Piut të XII-të ajo veshi për herë të parë sarin e bardhë me anët blu dhe la pas shpine kangjellat e kuvendit të Loretos, për të hyrë në botën e të varfërve. Dy vite më vonë, në vitin 1950 Kongregata e re e "Misionareve të Bamirësisë" njihet dhe pranohet edhe nga Vatikani. 

Përkushtimi për të varfrit e Kalkutës

Në Kalkutë, motra ende e re Tereza kishte parë tek vdisnin me dhjetëra të varfër. Ajo gjen në trotuar një grua të lënduar, e cila po jepte shpirt, me këmbët e brejtura nga minjtë. Pak më vonë gruaja e lënduar vdes pasi që personeli i një spitali në afërsi refuzon ta mjekojë atë. Nga ky moment Motër Tereza vendos që mos të lërë askënd që të vdesë i vetëm. 

Ajo vendos që të themeloj një shtëpi për ata që ndodhen në prag të vdekjes dhe të përkujdeset për ata. Administrata e qytetit në Kalkutë i lejon asaj që të shfyrtëzoj një ndërtesë të boshatisur, e cila ndodhej pranë "Tempullit Kali" në lagjen Kalighat. Kali është perëndesha e vdekjes dhe më e respektuara në Indi. Për të besohet se ka pushtet që të japë dhe të shkatërrojë jetë. Në vitin 1952 këtu fillon punën Shtëpia Pritëse e të sëmurëve të pashërueshëm, Kalighati apo Nirmal Hriday, siç e quante Nëna Terezë. Murgesha, të afërm apo miqë sillnin njerëzit në nevojë aty. Njerëz vullnetarë, murgesha dhe murgjë i lanin dhe ushqenin ata. Që atëherë ditët e fundit të jetës aty i kanë kaluar më shumë se 40 mijë njerëz. 


"Vdekja është zhvillimi më i lartë i jetës njerëzore. Nëse një njeri vdes në paqe me Zotin atëherë ai ka arritur zhvillimin më të lartë", thoshte Nënë Tereza.


Ndihmat nga perëndimi mbërrijnë

Nga vendet perëndimore shumë shpejt filluan të arrijnë ndihma bujare për punën e saj me njerëzit në nevojë. Megjithatë Nënë Tereza nuk e konsideroi veten asnjëherë si një punëtore sociale. Ajo vepronte vetëm në emër të fesë, veçanërisht në kuptimin e Jezu Krishtit dhe këmbëngulte shpesh se: "Puna nuk është misioni, është lutja." 

Pas Kalighatit Nëna Terezë themelon shtëpi të tjera për të ndihmuar njerëzitë e varfër. Në Kalkutë, ku miliona njerëz jetonin në lagjet e varfëra dhe mbi 500 mijë njerëz flinin në rrugë, kjo ndihmë ishte vetëm një pikë uji në det. Megjithatë Nënë Tereza ia kushtoi jetën e saj më të varfërve në mesin e të varfërve dhe ndihmoi njerëz të panumërt. Ajo çmohej shumë në arenën ndërkombëtare dhe në vitin 1979 nderohet me Çmimin Nobel për Paqe. 

Kritikat kundër Nënë Terezës


Megjithatë ajo dhe misioni i saj janë kritikuar shpesh. Së pari, për shkak se ajo nuk ishte e përpikët në administrimin e donacioneve. Së dyti, për shkak se ajo takohej me diktatorë si për shembull me haitianin Francois Duvalier. Dhe përfundimisht, për shkak se ajo refuzonte që njerëzve që vuanin t'iu jepte medikamente për zbutjen e dhimbjeve. Shkrimtari amerikan Christopher Hitchins e ka quajtur atë si "Hell's Angel" - "Engjëlli i Ferrit". 

Por Nënë Terezës nuk i linin shumë përshtypje mendimet e kritikëve. Feja ishte jeta e saj: "Çdo njeri vuan në këtë botë. Pikërisht kjo vuajtje duhet të shfrytëzohet në shpirtin e drejtë në mënyrë që ajo të kthehet në dashuri për Jezu Krishtin. Para së gjithash sot kur sundon kaq shumë mëkat."

Ndërkohë në Kongregatën e saj janë inkuadruar në mbarë botën mbi 4.000 murgesha. Në 130 vende të ndryshme të botës veprojnë rreth 600 shtëpi të "Misionareve të Bamirësisë".
 
 

'Rruga e Paqes', rrugë në Tiranë në nderim të kujtimit të Nënë Terezës

Shekulli Online | 26/08/2010 | Lajm i fundit 
 
'Rruga e Paqes', rrugë në Tiranë në nderim të kujtimit të Nënë Terezës
 
TIRANË- Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, President i Republikës Bamir Topi, priti në një takim anëtarë të Unionit Italian të Paqes si dhe së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Edi Rama prezantuan projektin "Rruga e Paqes"
Në fjalën e tij Presidenti Topi tha se Nënë Terezë është fuqia morale më e spikatur në të gjithë botën. Ajo ishtë zëri i mijërave fëmijëve, dhe të varfërvë dhe u ktheu dinjitetin mliona njerëzve.

"Njerëzit janë të mrekulluar nga puna e saj", theksoi Topi

Ndërkaq në fjalën e tij, përfaqësuesi i "Unionit Italian të Paqes" Gianfranco Costa tha se të gjithë kombet janë të bashkuar sot, pasi Nënë Tereza është symbol i bashkimit.

"Bota shikon Tiranën si kryeqytet të shpresës", tha Costa

I pranishëm në takim ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama i cili pasi vlerësoi figurën e Nënë Terezës u shpreh krenar për inagurimin e një rruge në nder të Nënë Terezës

"Nuk jemi ketu vetëm për të kremtuar, por edhe për të shprehur gjithë kënaqësinë dhe për tu ndjerë të privilegjuar, për një projekt sa modeste po aq simbolike, t'i japim jete një hapësire, në parkun e kryeqytetit, ku të gjithë njerëzit të mund të përshkrojnë një rrugë dedikuar Nënë Terezës", tha Rama

Kjo rrugë vazhdoi më tej Rama do të shërbejë për të mos e kujtuar Nënë Terezën vetëm një ditë në vit, por cdo moment.

Ditëlindja e Nënë Terezës, New York-u, festime dhe protesta

Shekulli Online | 26/08/2010 | Nderkombetare 
 
Ditëlindja e Nënë Terezës, New York-u, festime dhe protesta
 
Në 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës do të festohet në mënyrë madhështore edhe në New York, në sheshin legjendar Times Square, i cili do të jetë i veshur me postera të Nënë Terezës, si dhe ndërtesat do të jenë të ndricuara me drita blu, për të nderuar fituesen e cmimit Nobel për paqe, si pjese e festimeve në të gjithë botën.

Projekti i quajtur "Great White Way" dritat e neonit do të ndizen sot për të nisur kështu festimet me rastin e 100 vjetorit të lindjes.

"Kjo është për nder të asaj cfarë ajo dha për njerëzimin " tha Emily njëra prej organizatoreve. Në të njëjtën kohë, Lidhja Katolike organizon një tubim për të protestuar kundër refuzimit të "Empire State Building" e cila refuzoi vendosjen e 3 dritave të bardha dhe blu për nder të Nënë Terezës.

Një zëdhënës 'Empire State Building' tha se refuzimi erdhi në përputhje me një asrye të thjeshtë, Nuk ka kërkesa për figura fetare ose kërkesa nga fetë"
'Lidhja Katolike' kishte bërë që më përpara një kërkesë që ditën e festimit të 100 vjetorit të Nënë Terezës, në 'Empire State Building', të vendoseshin drita të bardha dhe blu, por kjo kërkesë u refuzua. Sipas drejtuesve të ndërtesës, arsyet e refuzimit të kërkesë nuk kanë të bëjë me figurën e Nënë Terezës.

Megjithatë mediat amerikane raportojne, se drejtuesit e Empire State, kishin marrë një kërkesa nga një organizatë e quajtur "Catholics for Choice" për të mos lejuar vendosjen e dritave ditën e festimeve, pasi ata mendonin se "Lidhja Katolike", po e përdorte ketë për promovimin e vetes.

 
---------------------------------------------------------
 
“Vjen të jesh drita jonë”!
Gazeta Shqiptare, 26/08/2010 
Nga Dr.Përparim KABO

Nënë Tereza, të shoh tek çapit udhëve të njerëzve në nevojë, megjithëse kaloi më shumë se një dekadë që ke ndërruar jetë! Por se sot, do duhet të ndalesh një hop e qetësisht të bisedojmë, sepse është 100-vjetori yt i lindjes! Ju kurrë nuk patët predispozitë për ceremoni personale dhe për veneracion vetjak, ndaj le t'u rrëfejë për ato ç'kanë ndodhur, pasi zemra jote pushoi së rrahuri! Në dhjetëvjetorin e largimit tënd për në Providencë, doli në qarkullim një libër i titulluar "Vjen të jesh drita ime"! Tronditi ky botim! Mathiew Lamb, kryetari i Departamentit të Teologjisë në Universitetin Konservator "Ave Maria" në Florida të SHBA-së, mendon se "Vjen të jesh drita ime" do të rreshtohet eventualisht me "Rrëfenjat" e Shën Agustinit dhe me "Mali shtatëkatësh" i Thomas Merton, si një biografi universale e ngritjes spirituale. Një tjetër institucion shumë më liberal, dhe ky amerikan, duke u fokusuar më së shumti në aspektin njerëzor të shërbimit tuaj terezian, e quajti këtë libër "një ministri" e shkruar për jetën tënde të brendshme Nënë Tereza. Zoti Martin nga ky institucion thotë: "Do të kujtohet pikërisht sa e rëndësishme është ministria e saj për të varfrit. Ajo do të ishte një ministri për popullin, e cila pati provuar disa dyshime, disa mungesa të Zotit në jetën e tyre. Dhe ju e dini cilët janë ata, çdokush, ateistët, dyshuesit, kërkuesit, besimtarët". Jam i sigurt që ju vura në mendime Nënë TEREZA! Fjalët "mungesa e Zotit" janë shndërruar për disa vjet dhe në disa qarqe në një objekt diskutimi, keqinterpretimesh dhe hije-dyshimesh, sepse pabesisht janë botuar edhe disa letra tuajat të viteve '50-të të shekullit të kaluar, megjithëse ju kishit porositur që ato të asgjësoheshin. Gjithsesi, kjo na jep shkas dhe arsye që të kryejmë një udhëtim mes ngjarjesh dhe raportesh me institucionet fetare dhe ato laike përgjatë jetës tënde, çka do të shërbente për të sqaruar shumë momente dhe qëndrime, reflektime dhe deklarime. Unë jua kërkoj këtë leje në emër të gjakut shqiptar që na bashkon, jua lyp si një njeri që ju adhuron, dhe si një studiues që do të sjellë në dritë të diellit përballë dashakeqëve që duan të denigrojnë veprën tënde, sa humane po aq edhe të sakrificës, sa të krishterë, po aq gjithëfrymëzuese! Është koha kur ju me përvojën dhe statusin që keni, mund ta vështroni botën njerëzore dhe kujdesin ndaj njeriut me aftësinë për ta diagnostikuar dhe për t'i dhënë këshilla shpirtit njerëzor. Ky vit në Europë është shpallur si viti në luftë kundër varfërisë! U zhvillua para ndoca javësh edhe një "Konferencë Ekumenike", veçse ju nuk ishit fizikisht prezente. Filozofia juaj, se bota nuk është e rregullt, e qetë dhe në paqe me njerëz të varfër dhe në nevojë, ishte atje! Një kumt i tillë antropo-moral nuk zhbëhet. Rrënjët shkojnë thellë në kozmogonitë fetare dhe filozofike të të gjitha kohërave. Ka në atë përunjësinë dhe sakrificën tënde edhe nga morali budist, si një sjellje e njeriut në përgjërim për të mos u dorëzuar pa vënë në vend drejtësinë. Frymëzimi yt për t'i shërbyer pa dallim çdo njeriu, del nga ajo grahma e fundit e shpirtit të Jezusit në Kryq: "Kam etje"! Me lejen tuaj, Nënë Tereza, po mundohem t'u jap përgjigjen që meritojnë atyre shkruesve të llojit të dyshuesve dhe denigruesve pa moral dhe helmonjës! Të ftoj përunjësisht të dëgjosh e të gjykosh, të analizosh dhe të vlerësosh se si kanë rrjedhur kohët! 
* * * 
Ishte 10 shtatori i vitit 1946, kur Ju morët trenin dhe udhëtuat 645 km për në Dargeeling, megjithëse e sëmurë dhe e këshilluar të shkonit me pushime. Atje në atë rrugëtim, Ai t'u shfaq. Ju biseduat me Jezusin dhe e quajtët: "Ju jeni drita ime"! Ai të foli dhe të bindi si një mësimdhënës për të punuar me "më të varfrit e të varfërve", me të sëmurët, me njerëzit me ngjyrë, me lypsat dhe fëmijët e rrugës! Si iu drejtuat Hyut Nënë Terezë: "Eja, eja më ndihmo mua në të gjitha skutat e të varfërve, t'i ndihmojmë ata të jetojnë me dinjitet jetën e tyre! Kështu ata do të llogarisnin dashurinë e pafundme të Zotit dhe duke njohur atë, do ta duan dhe do t'i shërbejnë atij në kthimin e tij". Ky është dialogu i asaj dite, që ndërgjegjja dhe thellësia e Nënë Terezës bëri me Jezusin. Kjo do të ishte udha e saj, prej së cilës ajo kurrë nuk devijoi. Ky do të ishte frymëzimi i saj që asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk u zbeh. Ky do të ishte botëkuptimi i saj, që edhe në momentet më të vështira nuk u vu në dyshim, si edhe rreken disa të manipulojnë pas vdekjes së saj! Këto insinuata janë ose devijime paqëndrueshmërie në arsyetim, ose paramendime dashakeqe jashtë motiveve fetare. "Pretendohet" (më fal Nënë Tereza) se i është zbuluar sekreti i jetës, pra një lloj "ateizmi i fshehur", apo bazuar tek eksperienca e saj, një lloj "filozofi e vlerave të dyshimit". Në këto arsyetime ka pasaktësi jo të vogla. Merren referenca nga disa letra të saj, që u bënë publike këto tri vitet e fundit. Fillimisht më duhet të them se kur letrat i drejtohen dikujt, pikërisht në këto rrethana nuk ka kuptim të flitet për gjëra të fshehura! Shqetësimet e hedhura në letër nuk ishin sekrete dhe ato iu dërguan dikujt pa ndonjë shënim special, si "krejt imtime" apo "të papublikueshme". Rimerren dy argumente në komentin e librit të sipërpërmendur; Rregullat e Kishës, që në disa raste Nënë Tereza i shikonte si pengesë në misionin e saj, dhe gjendja e mjeruar në Kalkuta, e cila konvertohej prej saj si "një boshllëk i mungesës së perëndisë", në kuptimin që Zoti nuk ishte më në zemrat, mendjet dhe sytë e njerëzve, të cilët do duhej të përfshiheshin në një veprim masiv për ta ndryshuar këtë gjendje". Arsyetimi i saj është i qartë dhe pa ekuivoke. Nuk vihet në dyshim ekzistenca e Zotit, por shprehej shqetësimi për praninë e tij në shpirtin njerëzor, sa dhe si filozofia dhe morali fetar ishte në themel të formimit dhe të veprimit përball mizerjes ku jeta e njerëzve nuk konsiderohej. Në këto rrethana të zhbërjes së njeriut lypsej fleksibilitet dhe konvertim i domosdoshëm për të komunikuar, për t'u shprehur, për të dëshmuar! Ata "skrupulozët" pa motive të thella që kurrë nuk kanë realizuar një humanizëm të tillë si ai terezian, shtyhen të thonë se: "Ajo hipokrizia rutinë e buzëqeshjes, që thjesht mban një komunikim jashtë ndryshimit të gjendjes së njerëzve në nevojë, ishte shqetësimi i tretë që përvuajti Nënë Tereza". Ajo qartazi deklaroi se: "Buzëqeshja është një maskë, ose një mantel që mbulon gjithçka". Më duhet të them se këtu nuk ka hipokrizi me vetveten, si edhe rreken disa "analistë", "këta heronj pa ide", që duan me ngulm të "zbulojnë" dritëhije mes misionit të Nënë Terezës dhe të sjellurit të saj. Nënë Tereza e ka shprehur hapur se, ajo vuan që është e detyruar të vërë buzën në gaz kur hyn në kontakt me hipokrizinë shtetërore, institucionale dhe atë antropologjike të pasurisë dhe luksit, sepse brenda saj ishte e vizatuar dhe këlthiste ajo pjesë e njerëzimit në nevojë, e braktisur, së cilës ajo i dhuronte ndihmë, mëshirë njerëzore. "Maska" ishte buzëqeshja ndaj atyre që nuk janë pjesë e këtij komuniteti, por që mbajnë përgjegjësi për të. Kjo gjendje shpirtërore e saj që merr trajtën e një thatësire, errësire, vetmie e torture që ajo po kalonte, për asnjë moment nuk pati forcën negative për ta ndaluar. Në misionin e saj, ajo do duhej të komunikonte me njerëzit në dhe me pushtet, me institucionet, me shtetin, me organizatat ndërkombëtare si UNICEF, Kryqi i Kuq; por edhe me tërësinë e institucioneve hierarkike fetare deri në Selinë e Shenjtë. Në këtë komunikim, ajo nuk shpërfaq jashtë atë që kishte brenda saj, atë që e vuante si një përvuajtje me një strukturë të dyfishtë. Edhe si vuajtje e njerëzve në nevojë, të cilëve iu kushtoi jetën dhe si vuajtje e saj, kur evidentonte se vlerat e Jezusit në shërbim të të tjerëve nuk i gjente, si dhe për faktin që morali shtetëror dhe udhërrëfimi laik institucional tregonin një lloj ftohtësie dhe hipokrizie përball krizës ekzistenciale të vet jetës. Ajo shqetësonte madje edhe hierarkinë papale me thjeshtësinë e asketizmin e saj. Nënë Tereza e pohon praninë e Zotit me tregues thelbësorë. Ajo jetoi në shekullin e XX-të si Jezusi, në thjeshtësi, në varfëri dhe në shërbim të të tjerëve. Gjithashtu, ajo si edhe Mesia, kërkonte mënjanimin e varfërisë, sëmundjeve e vdekjes për njerëzit në tokë. Tek Jezusi nuk gjejmë "propagandë të parajsës", por vullnet për ndryshim të realitetit tokësor! Po kështu edhe tek veprimtaria e Nënë Terezës, boshllëku që ajo ndjen dhe vuan për "mungesë të perëndisë" tek njerëzit, ishte simetrike me përfundimin e Moisiut, që kur u kthye nga takimi me Perëndinë i gjeti njerëzit në kodrën, ku me pasurinë po ndërtonin "Viçin e Artë", e gjithë kjo e drejtuar nga vëllai i tij. Moisiu shpërtheu me fjalët: "Ju jeni të gjithë mëkatarë"! Nëse Nënë Tereza nuk qenkësh frymëzuar nga Jezusi, si edhe mëtojnë nisur nga qëllime të mbrapshta ata që "argumentojnë" alogjikisht disa nga letrat e saj, atëherë një pyetje pezull kërkon përgjigje, nga u frymëzua ajo? Nga interesi ekonomik? Jo, sepse ajo përbuzi pasurinë dhe jetoi vetë në mjerim! Nga shkenca? Jo, sepse veprimtaria e saj ishte thjesht njerëzore, si shërbesë ndaj njerëzve në nevojë. Autorja Kathryn Spink, në librin e saj "Mother Teresa" - an Authorized Biography - shkruan: "Sa herë që fondet bëheshin plotësisht gati, Nënë Tereza përcaktonte me një emfazë më të madhe rolin shpirtëror të bashkëpunëtoreve, duke insistuar se ato qenë jo thjesht bashkëpunëtore të Nënë Terezës, por bashkëpunëtore të Krishtit. (libri i përmendur, faqe 137). Veprimtarinë e të shërbyerit si "MISIONARE të MËSHIRËS", Nënë Tereza nuk e shihte thjesht si një sakrificë vuajtjeje për të shërbyer ndaj njerëzve në nevojë, por e konsideronte njëherësh edhe si një veprimtari spirituale. Kur "misionaret e mëshirës" kishin filluar të rriteshin në numër, vizioni i Nënë Terezës për të sëmurët dhe ata që vuanin, si jetë të cilat do të duhej të normëzonin "një dritë që digjej e konsumohej për shpirtrat, po rritej në përputhje me to". Në janar të vitit 1953, Nënë Tereza draftoi bazat e lidhjes së bashkëpunëtorëve për të sëmurët dhe ata që vuanin. Në një vend tjetër ajo shprehet: "Çdokush dhe cilido që dëshiron të bëhet "misionar i mëshirës" si një bartës i dashurisë së Zotit, është i mirëpritur, por unë dua në mënyrë të veçantë të paralizuarit, të gjymtuarit, të pashërueshmit të bashkohen me ne, sepse unë e di se ata sjellin tek këmbët e Jezusit shumë shpirtra. Ju e shikoni motrat e mia të dashura, puna jonë është një punë mjaft e vështirë. Nëse ju jeni me ne, lutuni dhe vuani për ne dhe punën, ne do të jemi në gjendje të bëjmë gjëra të mëdha për dashurinë ndaj tij. Në saje tuaj, unë ndjehem shumë e lumtur dhe një forcë e re ka ardhur në shpirtin tim nga mendimi se ju dhe të tjerë do të punojnë me ne. Ne nuk do të bëjmë vetëm atë që nuk ka të bëjë me Jezusin". Këto fjalë, Nënë Tereza i shkruante në 12 prill 1953. Ishte koha kur 10 motrat e para kishin shfaqur kënaqësinë për këtë mision human. Në një letër tjetër në tetor 1954, ajo shkruante: "Çfarë vokacioni i bukur ky juaji, 'një misionar i mëshirës', një bartës i dashurisë së Zotit - në mbajmë në trupat tanë dhe në shpirtrat tanë dashurinë e një etje të pafund të Zotit, dhe ne, ju dhe unë dhe të gjitha motrat e dashura, të sëmurët dhe ata që vuajnë, do ta shuajnë etjen përvëluese, ju me vuajtjen tuaj të patreguar, ne me punën e rëndë. Por, a nuk jeni ju të gjithë të ngjashëm në një, si Ati juaj brenda meje dhe unë brenda jush - si thoshte Jezusi"! Të gjithë jetën e saj Nënë Tereza e sheh si një pelegrinazh për tek Jezusi, si një detyrim ekzistencial në emër të tij dhe misionit të tij udhërrëfyes e të pashtershëm, si një universalitet gjithë-epokal. Ajo vetë besonte se kur orët e fundit do kishin ardhur për të, për të shkuar në "Shtëpinë e Zotit", ajo do të gjykohej për veprimet e saj dhe për dashurinë që ajo pat vënë brenda tyre. Ja si shkruante Nënë Tereza: "Sot të varfrit janë të uritur për bukë dhe oriz, për dashuri dhe për të jetuar me fjalën e Zotit; të varfrit janë të etur për ujë dhe për paqe, janë të etur për të vërtetën dhe drejtësinë, të varfrit janë lakuriq pa rroba, janë pa dinjitet njerëzor dhe pa dhembshurinë për gjynahqarët e lakuriqtë. Të varfrit janë pa banesë, pa një strehëz të bërë me tulla dhe pa një zemër gëzimplotë që kupton, mbulon dhe dashuron. Mbyllja e derës, mosdashja, padashuria dhe të alkoolizuarit, njerëzit e skamur me ngjyrë, të braktisurit dhe të vetmuarit, ata pa plang dhe ata që nuk prehen se vuajnë nga lebroza; të gjithë ata që janë një barrë për shoqërinë njerëzore - ndaj atyre që kanë humbur ndjeshmërinë ndaj dashurisë e miqësisë, ndaj prekjes së dorës së ngrohtë; të gjithë ata shohin tek ne për mbështetje. Nëse ne u kthejmë shpinën atyre, ne ia kthejmë atë Krishtit dhe në orët e vdekjes sonë ne do të jemi të gjykuar nëse nuk kemi shquar Jezusin brenda tyre, do të gjykohemi për çfarë ne kemi bërë, për dhe ndaj tyre. Do të ketë vetëm dy rrugë; eja ose shko"!( Shënimi im - lexo ta pranosh hyun ose ta përzësh atë - udhë të mesme për Nënë Terezën nuk kishte). Si në një shkallëzim "zenonian të aforizmave" duke pikëzuar si ekzistencë frytin, Nënë Tereza sjell si rrjedhojë të njëra-tjetrës ndjenjat universale dhe detyrimet më fisnike që lidhen me humanizmin dhe përkushtimin njerëzor. "Fryti i qetësisë është lutja, fryti i lutjes është besimi, (u krijua trinomi i parë; qetësi-lutje-besim). Fryti i besimit është dashuria, fryti i dashurisë është shërbimi, fryti i shërbimit është paqja (krijohet edhe trinomi i dytë; dashuri-shërbim-paqe). Fillohet me qetësinë dhe mbarohet me paqen, aksioni është besimi dhe të shërbyerit me dashuri. Mekanizmi i realizimit të të qenit i pranishëm Zoti, nga struktura, është marrëdhënie njerëzore me kontributin e tij. Nga objekti, është të shërbyerit ndaj njeriut me moralin e tij. Nga emotiviteti, është dashuria e njeriut në nevojë. Të varfrit, shprehet Nënë Tereza, "janë njerëz të shkëlqyer, sepse ata na mësojnë shumë gjëra me vlerë". Dhe sjell në mend atë vajzën e varfër që vdiq në duart e saj duke i thënë faleminderit!". Është kaq mrekulliplotë të shohësh madhështinë e këtij njeriu…i cili mund të vdesë si një engjëll, kjo është madhështia e këtyre njerëzve!" (v.o të varfrit nuk nëmin dhe mallkojnë apo ankohen kur largohen nga kjo botë, një i pasur mund të hungërojë, se si është e mundur që me pasurinë nuk e bleu dot pavdekësinë, ose si mund të thotë çdokush nga ne, se kam uri, kam ftohtë apo kam dhimbje). Dhe kjo - e vijon arsyetimin Nënë Tereza - "se ajo që ne besojmë është ajo se çfarë Jezusi ka thënë: 'Unë isha i uritur, unë isha lakuriq, unë isha pa shtëpi, unë isha i padëshiruar, nuk më donin, nuk kujdeseshin për mua - dhe ju e bëtë këtë për mua'". Duke prekur mizerjen si trup njerëzor, Nënë Tereza artikulon se "ne jemi duke prekur trupin e Jezu Krishtit 24 orë në ditë, ne e kemi prezencën e tij 24 orë në ditë, ju edhe unë. "Ju gjithashtu duhet të përpiqeni të sillni prezencën e Zotit brenda familjes suaj, për familjen që lutet së bashku, që qëndron së bashku. Dhe unë mendoj që ne në familjet tona nuk kemi nevojë për bomba dhe pushkë, për të shkatërruar apo për të sjellë paqen, thjesht po të jemi së bashku, vetëm po të duam njëri-tjetrin, sjellim atë paqe, atë gëzim, atë prezencë të fortë të njëri-tjetrit në shtëpi. Dhe ne do të jemi në gjendje për të kapërcyer të gjithë të keqen që është në këtë botë. Ka kaq shumë përvuajtje, kaq shumë të urryer, kaq shumë mizerje, dhe ne me lutësit tanë, me sakrificat tona, jemi duke e filluar në shtëpitë tona. Dashuria fillon në shtëpi dhe nuk është sa shumë ne bëjmë, por se sa shumë dashuri ne vëmë në veprimin që bëjmë. Është për Zotin gjithë çka ne mundim, sa shumë ne bëjmë nuk ka rëndësi, sepse ai është i pafund, por sa shumë dashuri ne vendosim në këtë veprim. Sa shumë ne bëjmë për të (lexo-Zotin) në personin që ne jemi duke shërbyer". (Kathryn Spink, Mother Teresa-an authorized biography-page 299). 
* * * 
Nëse ke edhe pakëz durim, Nënë Tereza më lejo t'i shkoj deri në fund detyrimit tim në shërbim të personalitetit dhe veprës suaj! Një dekadë pas vdekjes suaj, pra në vitin 2007, kur diskutimi për shenjtërimin tuaj ishte një diskutim i hapur dhe në proces finalizimi, pikërisht në ato momente sublime, dikush apo disa "shpenzuan" për botimin e letrave ku sipas tyre, ju për 50 vjet nuk e ndjetë prezencën e Zotit. Ja se ç'thotë, David van Biema: "Çfarë na mëson neve eksperienca e saj, vlerën e dyshimit?! E gjitha kjo lidhet me një letër që në shtator 1979, Nënë Tereza i dërgoi Rev. Michael van Der Peet, ku shkruhet: "Jezusi ka një dëshirë të veçantë për ju, si edhe për mua. Heshtja dhe boshllëku është kaq e madhe, saqë unë vështroj dhe nuk shoh, vë veshin por nuk dëgjoj, gjuha lëviz në lutje, por nuk flet…unë dua që ju të luteni për mua, se unë e lë atë të ketë një dorë të lirë". Një përfundim i tillë nuk është mohues në thelbin ekzistencial, por se sillte një shqetësim real për boshatisjen shpirtërore të njerëzve nga humanizmi jezusian. Si edhe shprehet Nënë Tereza, "nuk është e mjaftueshme të themi, unë e dua Zotin, por unë nuk e dua fqinjin tim, sepse Zotin, Jezus në kryq, e bënë të tillë një i uritur, një i zhveshur, një i pastrehë. Në emër të tij, ja se çfarë unë dhe ju mund të lehtësojmë. Krishti është ngado, është tek i varfëri që ju takoni, është në buzëqeshjen që jepni dhe në atë që ju merrni". Bazuar në këto thënie të një lakonizmi me sinqeritet dhe përkufizime aksiomatike, kuptohet se Nënë Tereza mbetet në thelb kristiane, por se ka një pikëvështrim krejt të sajin personal. Ka rëndësi argumentive zbërthimi i marrëdhënies së saj me fjalët e fundit të Krishtit në kryq: "Kam etje"! Është një "i gjallë i vdekur", një qenie në kufirin mes jetës dhe vdekjes duke vuajtur. Ai kërkon ta lehtësojë atë! Ka nevojë për ndihmë, për mëshirë, për t'i qëndruar pranë. Frymëzuar nga kjo anatomi përjetimi, Nënë Tereza plazmoi kuptimin e shërbimit ndaj njeriut në nevojë, të varfër, të sëmurë, apo të pastrehë. Prandaj ajo shprehej se Krishtlindjet do ta mbanin botën ku rrezatimi i gëzimit është real sepse Krishti është ngado". Guxoj të them Nënë Terezë, se atje ku e kërkoni Ju Krishtin, tek zemra (si thoshte Jezusi 'ju dua me zemër'), tek varfëria, tek buzëqeshja, tek dashuria për njëri-tjetrin, përfundimi që ju nxirrni në atë letër është i drejtë. Ju ngrini një shqetësim, pse njerëzit nuk drejtohen më nga kjo filozofi kur mendojnë për Atin në qiell, pse nuk i kanë porositë e tij filozofi jete dhe orientim moral veprimi, shprehje të identifikimit dhe parimësi të aksionit të jetës? Unë nuk gjej në këtë shqetësim të vakuumit për shkak të largimit, as kontradiktë e për më tepër, as braktisje! Ajo (Ju Nënë Terezë) me kurajë paralajmëruat se njerëzit po i largoheshin këtij morali dhe "udhës së perëndisë"! Thuhet se në thënien e dytë të letrës së lartpërmendur, shpërfaqet një "dizonancë ekstravagante"! Kjo sepse në thënien e parë shfaqet ajo, gruaja që bota mendonte se e njihte, ndërsa thënia e dytë konsiderohet si një tingëllim si "ato që shëtisnin në dramat ekzistenciale të viteve '70-të." Dhe rreken të shkojnë në skaje, duke thënë se "këto janë dy anë kontradiktore brenda se njëjtës "ikonë" të madhe njerëzore të 100 viteve të fundit. Unë mendoj që nuk ka kontradiktë brenda Nënë Terezës! Ajo zbuloi kontradiktën në realitet. Evidentoi me guxim "mungesën e Krishtit" tek njerëzit e sotëm që u përçudnuan në shoqërinë e konsumizmit. Ndoshta atë e shqetësonte, apo e bezdiste marrëdhënia me Jezu Krishtin e ngurtësuar thjesht në ceremonial, vetëm në Tempull, si një komunikim steril që nuk bashkëshoqërohet me frymëzim human, me sakrificë për të tjerët (si Jezusi) me dhembshuri për atë që vuan, me kujdes për atë që ka nevojë, me mëshirë për atë që nuk ka fuqi të rrojë, por nuk ka fuqi edhe të vdesë. Ky është ekzistencializëm real, jo artistik apo teatror! Kjo lloj drame e ka shtyrë Nënë Terezën të shikonte me përparësi pelegrinazhin tokësor të Jezusit, të zbulimit të tij si Mesia (hebraisht) si Kristos (greqisht). Ndaj si jetë e dëshmuar nga apostujt dhe dëshmitarët, e dokumentuar nga faktet dhe ngjarjet historike, nga arrestimi dhe dënimi i tij, kam përshtypjen se "kristianizmi terezian" përball mizerjes së miliona e miliona njerëzve parapëlqen këtë aspekt të Jezu Krishtit. Ajo merret më pak me aspektet e ringjalljes dhe largimit për në qiell, me premtimin e rikthimit. Duket se ajo beson se mund dhe duhet bërë më shumë nëse Jezu Krishtin e kërkojmë brenda njeriut, tek shpirti, tek vullneti, fjala dhe veprimi i tij ndaj atij që ka nevojë, duke dhënë nga vetja si edhe bënte Jezusi. E nëse nuk ndodh kështu, Nënë Tereza pati kurajën të fliste "për një mungesë të tij brenda nesh si individë dhe popullsi, pa bërë dallime etnike apo kombëtare. Filozofikisht edhe të tjerë kanë mbërritur në këtë përfundim. Erich Fromm, kur flet për civilizimin perëndimor gjen një realitet kontradiktor, sepse ajo shfaqet si e krishterë në identitetin fetar dhe pagane (me energji shpagimi) në identitetin ekonomik në treg, ku konkurrohet për interesa, për pasuri, për kapital. Si pasojë, në aspektin social ky lloj paganizmi krijon të papunë, vende të varfra, sëmundje të shekullit, problematika të mijëvjeçarit si SIDA, mungesa e ushqimit, ujit të pijshëm etj. E veçanta e shqetësimit terezian është se me moralin e ftohtë dhe cinik sekular të institucionalizmit laik, individi nuk frymëzohet që të japë nga vetja, për atë që konsiderohet si "llumi i shoqërisë" së sotme globale. Një autoritet moral i gjithëpranuar si Jezu Krishti mund të nxisë e të frymëzojë kur ai është në zemrën, në sytë, në veshët dhe në gjuhën e çdo njeriu. Kur nuk është, si edhe po ndodh, mos duhet heshtur? Nënë Tereza nuk heshti! Përball mizerjes, ajo ka vullnet shërbimi. Filantropitë për dekor të miliarderëve, morali fals i "humanëve" të kamur dhe pseudodashuria e njerëzve të zbrazur nga shpirti, nuk lidhen me betimin "I thirsty" - "Kam etje". Le të provojnë të mbajnë një fëmijë me malarie në duart e tyre, le të kujdesen për një të sëmurë me lebrozë, qoftë edhe një ditë të vetme kur ai është duke dhënë shpirt! Nënë Tereza modestisht e quante veten e saj "asgjëja e vogël", por të tillë ajo e shihte veten ndaj perëndisë. Kërkesat e saj shpesh i tronditnin hierarkët e majmur, madje shqetësimet shkonin deri tek Papa. Në këtë kuptim ajo ishte "gjëja e vogël - e madhe"! Refraktarizmi i kësaj jerarkie përthyhej nga Nënë Tereza si një bisedë me zërin e perëndisë, ku ajo hapur shprehte skepticizmin, boshllëkun e mungesës dhe memecllëkut në lidhje me perëndinë, të cilat nuk lidheshin me të, por me ata që nuk punonin si ajo dhe damkosnin bashkëpunimin në këtë mision. Më vonë, Nënë Tereza shkruan: "Jezusi e dha veten e tij tek unë. "Me një përgjegjësi morale kristiane, ajo çdo mosrealizim të saj ose ndeshjen me një situatë të rënduar që nuk mund ta përmirësonte, nuk e gjykonte si një përgjegjësi të të tjerëve, por si të sajën. Në këto kushte ajo është shprehur, se ajo ndoshta është ende e errët apo jo e plotësuar me Zotin. Edhe në këto rrethana ajo nuk kërkon alibi për t'u larguar nga përgjegjësia. Me bindje vetëngarkohet për ta kryer si duhet shërbimin ndaj Jezusit. Ajo gjykonte se nuk ishte e përplotësuar me të brenda qenies së saj. Ky është besimi që don të shmangë mosbesimin, kjo është bindja fondamentale dhe jo dyshim! Sa herë që ajo deklaronte sinqerisht se "jam në errësirë, më është ndërprerë lidhja me Zotin", kjo nuk kishte të bënte me mohimin e tij. Ajo e kërkonte prezencën e tij permanente si një dritë, dhe nuk pranonte të hiqej se ajo energji ndodhej brenda saj, qoftë edhe virtualisht ose thjesht se e deklaronte atë. Të jesh në çdo moment nën frymëzimin, drejtimin dhe prezencën e energjisë hyjnore brenda teje dhe në veprimet e tua, kjo është shenjë përgjegjësie. Letra e vitit 1959, ku ajo shkruan: "Për çfarë unë punoj, nëse atje nuk është Zoti, atje nuk ka shpirt, nëse atje nuk është shpirti, atëherë - Jezus, Ju gjithashtu nuk jeni i vërtetë". Kjo është një nga dy letrat, bashkë me atë të vitit 1955, ku ajo shkruante "ç'pritje e gjatë për Zotin" dhe ripulsohet boshllëku, jo besim, jo dashuri, jo zell; janë përpjekje për këtë kontakt që ajo e donte në çdo sekondë sinqerisht të perceptueshëm, frymëzues, si energji dhe dinamizëm për veprim. Ajo është ndoshta e vetme që nuk rreket nga teologjia e ftohtë sterile, por se yshtet nga një sendërtim real brenda saj të prezencës së Jezusit. Ajo kërkon zgjidhjet, pasi apriori e ka pranuar ekzistencën e perëndisë dhe ndaj tij lyp ndihmë! Në gusht të vitit 1959, ajo i shkruajti Rev. Lawrence Pickay. "Më trego at, përse ka kaq dhimbje dhe kaq errësirë në shpirtin tim"? Hapur duket jo dyshimi në ekzistencë apo mohimi ateist, por se nevoja për më shumë prezencë të perëndisë. Ky është sinqeritet dhe besim absolut tek Zoti. Ajo e do atë prezent në çdo moment. Aq e sinqertë dhe fondamentale ishte Nënë Tereza, saqë kur mori një çmim në Filipine në vitin 1960, ajo deklaroi: "Kjo nuk do të thotë gjë për mua, sepse unë nuk e kam atë". Nga fundi i vitit 1950, Nënë Tereza takoi teologun e mirënjohur, Joeph Neuner, tek i cili konfidoi gjendjen e saj. Ai i shpjegoi se nuk ka qenie që mund të shëronte errësirën brenda saj, veç se ajo nuk do duhej të ndjehej përgjegjëse për atë ç'ndodhte, pasi të ndjerit e Jezusit nuk është e vetmja provë e të qenit të tij atje. Ai e porosiste se lutja e saj e vërtetë për Zotin ishte "shenjë e sigurt" e prezencës së tij të fshehur në jetën saj; dhe se mungesa ishte në fakt pjesë e anës spirituale të punës së saj për Jezusin. Shqetësim ishte prezenca dhe jo ekzistenca! Ndaj kur Nënë Tereza e përshkruan shpirtin e saj si një "bllok akulli", ajo përdor një nocion tjetër që provon ekzistencën e Zotit dhe praninë e tij brenda saj, vullnetin! "Unë e pranoj jo në ndjeshmëritë e mia, por në vullnetin tim, vullneti i Zotit - unë e pranoj vullnetin e tij". Në vitin 1960 Nënë Tereza shkruante me një përmbajtje dhe sens të theksuar anticipues: "Nëse ndonjëherë mund të bëhem shenjtë, unë sigurisht do të jem 'Shenjtë e errësirës'. Unë do të vijoj të mungoj në qiell tek drita, do të jem drita e atyre që janë errësira në tokë". Kjo deklaratë sqaron gjithçka, shkakun dhe identitetin e errësirës brenda saj. "Nata e errët" në teologji lidhet me purgatorin, me pastrimin përpara takimit final me Krishtin dhe me rregullimin e njeriut, për të cilin sakrifikoi Jezusi dhe Maria. Nënë Tereza me "errësirën" e saj është pjesë e bashkësisë katolike të vërtetë, e cila, për shumë arsye vjen duke u rralluar jo në numër, por në ushtrimin pa cen dhe të thellë të besimit fetar. Plagët sociale ende të pashërueshme janë "errësira", së cilës ajo pranon t'i bëhet dritë dhe shenjtë! Nënë Tereza i drejtohej Jezusit: "Në qoftë se kjo sjell tek Ju lavdinë, nëse shpirtrat kanë ardhur tek Ju, me gëzim unë i pranoj të gjitha deri në fund të jetës sime". Kolodiejchuk e quan librin "Vjen të jesh drita ime", si një antidot të problemeve të sotme kulturore. Kjo sepse marrëdhëniet e Nënë Terezës me njeriun në nevojë dhe mizerje, drejtoheshin nga detyrimi i saj ndaj Zotit! (Në Konferencën Ekumenike europiane në luftë kundër varfërisë, zoti Barroso përshëndeti në emër të KE-së, duke pranuar me veneracion ndihmën e ekumenizmit për shërimin e plagëve të varfërisë.) Nënë Tereza ngrihej në emër të Zotit kundër mizerjes dhe deklaronte: "Lumturia juaj është gjithçka që unë dua"! 
* * * 
Sot interpretimi i letrave të saj është një subjektivizëm i kulluar, pse jo, me mendjen e gabuar se mund të pengojnë shenjtërimin e saj, thjesht se ajo është shqiptare! Ajo vetë kish kërkuar asgjësimin e tyre. Në prill 1959, ajo i kërkoi Z.Picachy: "Të lutem, të shkatërrohet çdo letër ose ndonjë që unë kam shkrojtur. Unë dëshiroj që çdo gjë t'i mbetet e tija. Sepse nëse letrat do të bëhen publike, njerëzit do të mendojnë më shumë për mua, më pak për Jezusin"! E dashur Nënë Tereza, letrat u botuan dhe bashkë me to, mijëra e mijëra faqe. Ajo që ka vlerë dhe nuk zhbëhet, është vepra juaj humane dhe kristiane në emër të njeriut me frymëzim nga Ai që ishte njeri-perëndi, Jezusi! Të faleminderit, sepse qenia jote me gjak shqiptar na e rrit detyrimin dhe përgjegjësinë ndaj kombit! Të faleminderit që më dëgjove!

 
----------------------------------------------------
 
 
Gazeta SHQIP


 

Një libër me kujtime të personaliteteve që e njohën nga afër bamirësen, shoqëruar me një CD ku janë regjistruar vargjet e Nënë Terezës të poetizuara nga Visar Zhiti dhe interpretuar nga aktoret Tinka Kurti, Margarita Xhepa dhe Roza Anagnosti, do të shpërndahet sot në ekspozitën “Shenjtorja e dhimbjes” në MHK

Pjetër Arbnori

Kur isha i vogël, motrat duke më vënë re shumë pika të bardha në thonjtë e duarve më thoshin je me fat. Kalova një fëmijëri të rëndë, me halle të mëdha, më shpesh pangopur se ngopur. Shikoja thonjtë e shënuar dhe pyesja ku do të jetë fati im. Erdhi rinia, pikëlat e bardha në thonjtë shtoheshin, gjithnjë shtoheshin, shokët i shikonin dhe më përsërisnin: je me fat! Më penguan shkollën, më pushuan nga puna si mësues, u enda maleve, bëra punë të rënda në bujqësi dhe vazhdimisht pyesja veten ku do të jetë fati im. Kreva universitetin fshehtas, u emërova profesor letërsie, u arrestova dhe u dënova me vdekje. Në çastet kur qëndroja zgjidhur, haja me dhëmbë thonjtë e paprerë, meqë nuk lejohej gërshëra dhe në gjysmerrësirën e qelisë shikoja pikëlat e bardha që kurrë nuk pakësoheshin dhe pyesja: Ku do të jetë fati im? Pas më shumë se njëzet e tetë vjetësh dola nga burgu dhe nisa punën si nxënës marangoz. Nëna e plakur dhe motrat e lodhura, të përmalluara për mua, më puthnin duart dhe, duke parë pikëlat e bardha më thoshin: Je me fat. Unë e kisha parë fatin, por akoma besoja. Nisi lëvizja demokratike, antikomuniste dhe i kërkova nënës bekimin e saj, sepse do të merrja pjesë në të. Me zemër të dridhur nëna më bekoi. Me shaka i thashë: Mos ki frikë nënë, ti vetë më ke thënë se jam me fat. Dhe fati nisi të zbardhte: mundëm frikën, pamë lirinë, njerëzit nisën t’i luten Zotit haptas. Në mars të vitit 1991 u hap lajmi se Nënë Tereza, shenjtorja e gjallë, shqiptarja e madhe do të vizitonte Shkodrën, do të vizitonte Kishën e Madhe, të kthyer nga komunistët në Pallat Sporti, të rikthyer nga populli demokrat në kishë katedrale. Më caktuan mua, të vuajturin, për të pritur më të përvuajturën e botës, mua fatmadhin, për të pritur më fatlumen e botës. Nuk mban mend Shkodra festë më të madhe, nuk mbaj mend unë gëzim më të madh. E kam fotografinë ku kam dalë me të, te kisha e Zonjës së Këshillit të Mirë, rrëzë kalasë së Rozafatit. Njerëzit na mbuluan, mua mezi më duket fytyra. Vazhdoi të më ndiqte fati i mirë. Edhe herën e dytë më caktuan ta prisja, ta shoqëroja e ta përcillja. I thashë vetes: Përkule kokën, mos u kreno, mëso prej saj. Ajo fliste aq thjesht, aq lirshëm, aq zemërçelur, sikur të më kishte njohur gjithë jetën. Njëherë në aeroport bekoi time shoqe shtatzënë, bekoi vajzën që do të lindte dhe u gëzua kur i thashë: Ndër gjërat që më kanë ndihmuar për të duruar burgun, së pari ka qenë besimi te Zoti. Sa herë që lëkundesha në besim, e ndieja veten të dobët e të braktisur, sa herë më forcohej besimi, ndihesha i ri dhe energjik. Kujtoj një përcjellje të saj në Rinas. Ajo ishte ulur pranë meje dhe më tregonte fytyrëçelur tri pasaportat e saj: indianen, të Vatikanit dhe pasaportën shqiptare: “Jam shqiptare”, foli ajo shqip. “Mua të gjitha shoqëritë ajrore ma japin biletën falas. Shpeshherë ua japin edhe murgeshave që më shoqërojnë”. Buzëqeshi me pafajësi. “Mirë bëjnë. Kështu kursejmë paratë për të ndihmuar të varfrit, të vuajturit”. Në këtë çast ndodhi diçka e papritur. Motrat zemërdhembshura na rrethuan, u ulën në tapet në gjunjë dhe duke rrahur shuplakat nisën të këndonin: Happy birthday to you\ Happy birthday to you\ Happy birthday to Mother Tereza… dhe shpërthyen duartrokitjet, puthjet e duarve të saj, përqafimet. Pas habitjes së parë, ajo e kishte harruar fare ditëlindjen e vet e u gëzua si fëmijë dhe nisi të rrihte shuplakat duke falënderuar motrat e veta për urimet që i jepnin. Diplomatët hynin në sallën modeste, që ia kishin ndryshuar karakterin emocional sallës së pritjeve zyrtare. Ishte gushti i vitit 1992, ajo mbushte tetëdhjetë e dy vjet. Diku kam shënimet dhe fotografitë e rastit. Mbaj mend një herë tjetër kur më ftuan për të përuruar punimet e spitalit në rrugën e Kavajës, Nënë Tereza më pa nga larg dhe me gjallërinë e lirshmërinë e saj më pyeti: “Ç’të reja na thua?” Dhe unë i bëra shenjë: “Tani kam dy fëmijë!”- “God Bless you!” - tha, por fill tundi kokën e pakënaqur. – “Jo dy – shtoi – Nuk mjaftojnë dy fëmijë, duhen tre, katër. Atëherë do të mbetet edhe një vajzë për mua”. Takimin e fundit me të e kam bërë në Nju Jork. Nënë Tereza ishte e sëmurë. Nuk priste asnjeri. Fola me motrat e saj, kërkova, u luta. Nuk bëhej përjashtim për askënd. Desha t’u them se jam i njohuri i saj, se jam në këtë apo atë funksion, por u përmbajta. Më dukej se para saj, që ishte më e thjeshta e botës, po tregoja krenari të palejueshme. U gjet një shqiptar i mirë që ndërhyri dhe ajo më pranoi menjëherë. Unë, ime shoqe dhe Simon Zef Simonlacaj hymë të ndrojtur në Shtëpinë e Motrave. Ajo erdhi e ulur në një karrocë me rrota. Ishte e lodhur, por si gjithmonë fytyra i rrëzëllente nga mirësia. Iu prezantova. Ajo nuk pati nevojë për paraqitje dhe më pyeti si e njohur e vjetër për fëmijët, se si po rriteshin. Nuk më kishte harruar. Vuri re se po na filmonin dhe urdhëroi që ta hiqnin kamerën. Ato pak minuta të regjistrimit të saj të fundit me mua, i ruaj si tepër të çmuara. Më pyeti për Shqipërinë dhe ngjarjet e fundit të dhimbshme. “Lutem çdo ditë e çdo natë për Shqipërinë”, tha. “Më vjen keq për ato që ndodhën. Forconi besimin te Zoti, se unë besoj në cilësitë e mira të shqiptarit. Lutem edhe për Kinën çdo ditë, lutem që të na pranojnë në Kinë për të hapur edhe atje shtëpi për të sëmurët dhe të vuajturit. Lutuni edhe ju për Kinën”. E falënderova dhe u ngrita që të largohem për të mos e shqetësuar më. “Ulu, - më tha. Dua t’ju pyes përsëri për fëmijët”. Ime shoqe i tregoi fotografitë e vajzës dhe djalit. Nanë Tereza i përkëdheli me dorë. Rrija si në gjemba dhe përsëri u ngrita, duke e falënderuar, por ajo na mbajti. Nuk ngopesha duke shikuar dhe dëgjuar. E ftova për të ardhur përsëri në Shqipëri. Ajo tha se do të vinte patjetër, se kishte kujtimet më të mira për vendin e vet. “Lutuni për Kinën e për Shqipërinë. Unë lutem çdo ditë”, qenë fjalët e fundit të saj. Duke i puthur duart, mendoja se jam njeriu më i lumtur në botë që meritova të jem aq afër saj disa herë me radhë. Ajo kishte një intuitë të çuditshme. Unë nuk guxova të kërkoj, por ajo menjëherë tha ta nxirrja aparatin dhe të bënim një fotografi. Ishte fotografia e fundit me të, në fund të këtij qershori, pak javë para se ajo të vdiste, Nana jonë e madhe. Kur u ktheva në Shqipëri pas dy muajsh fillova një grevë urie të vërtetë që zgjati plot njëzet ditë nga 19 gushti deri në 8 shtator në mbrojtje të opozitës për akses në masmediat elektronike. E përfundova grevën kur u miratua amendamenti “Arbnori” në Parlament. Atëherë hëngra një kafshatë bukë, por m’u zu në fyt, sepse mora vesh se Nëna e madhe Tereza ndërroi jetë. Ishte fotografia e fundit që kisha bërë me të në mbarim të qershorit 1997, pak javë para se të vdiste Nëna Jonë e Madhe.
 

Imzot Rrok Mirdita

Përkujtimi i një figure, që ka lënë në ndërgjegjen e shekullit të shkuar gjurmën e pashlyeshme të dashurisë për njeriun të përkthyer në angazhim total jete dhe që i ka lënë kohës sonë dhe kohës që vjen jehonën e këndshme të identitetit të rigjetur të të varfërve dhe të të braktisurve, e trazon shpirtin tonë dhe zgjon brenda nesh dëshirën për vazhdimin e veprës së saj edhe në vogëlsirat e jetës sonë të përditshme. Në përkujtimin e 100- vjetorit, dëshiroj të paraqes kujtimet e mia me Nënë Terezën, që i kam gjithnjë të freskëta dhe frymëzuese, kujtime që e mbajnë gjithmonë të gjallë dhe konkrete brenda meje këtë figurë të dashur të kohës sonë. E kam takuar Nënë Terezën për herë të parë në Nju Jork në 1976, kur Shqipëria ishte e ndaluar për ne që jetonim në Perëndim dhe për vetë Nënë Terezën, që jetonte në Lindje, por që ishte bërë tashmë qytetare e mbarë botës, me përjashtim të vendit të vet, ku ishte e padëshiruar. Mbetet i paharrueshëm jo vetëm për faktin që ishte takimi i parë, por edhe nga pjesëmarrja masive në meshën solemne e diasporës shqiptare pranë kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Bronx. Gjatë bisedës, në drekën shumë të thjeshtë, zbulohej thjeshtësia dhe madhështia e Nënë Terezës në të njëjtën kohë. Në lutjen e shkurtër tradicionale, para dhe pas drekës, në gjuhën shqipe na shoqëroi edhe Nënë Tereza. Nga ai takim kam mbartur me vete ndjenjën e mahnitjes nga thjeshtësia e shprehjes, e gjesteve dhe e buzëqeshjes me të cilën ajo komunikonte vetveten kur takonte të tjerët. Sigurisht, ky ishte edhe takim mes shqiptarësh që, duke mos pasur mundësi të ktheheshin në Shqipëri, e ndërtonin Shqipërinë aty ku takoheshin. Në atë takim të parë kam ndier shumë të gjallë dhe një farë gëzimi e ngushëllimi për faktin që i përkisnim të njëjtit gjak, të njëjtit mision në Kishë. Por ajo, pa harruar se ishte shqiptare, i përkiste mbarë botës. Pastaj, pas hapjes së Shqipërisë, e kam takuar të gjitha herët që ka ardhur në vendin e saj dhe vendin tonë, dhe të gjitha herët më ka lënë mbresa të pashlyeshme për vëmendjen e gjatë me të cilën e ndiqte hap pas hapi udhën e vështirë të ringritjes së Shqipërisë nga rrënojat e kohës së diktaturës. Një nga takimet e shumta në Shqipëri dhe jashtë saj është padyshim për mua edhe 10 tetori 1994. Pas inaugurimit të poliambulancës “Atë Luigji Monti”, në Rrugën e Kavajës, ku mori pjesë edhe Nënë Tereza, më kërkoi që ta shoqëroj për të vizituar varrin e nënës dhe të motrës e njëkohësisht më kërkoi që unë t’i bekoj ato. Ajo çka binte menjëherë në sy ishte kryqi mbi varr që motrat e saj e kishin ngritur pak kohë më parë, e theksoj, sepse ishte i vetmi kryq në varrezat e Sharrës që të jepte për të kuptuar se simbolet e fesë totalisht të eliminuara gjatë diktaturës po rivendoseshin rishtas për t’i treguar çdo kalimtari që koha e diktaturës tashmë është kohë e shkuar, demokracia dhe liria e besimit ishin rikthyer. Nënë Tereza ka pasur gjithmonë një mesazh të qartë e të njëkuptimtë: se e ardhmja e njerëzimit, prandaj edhe e ardhmja e vendit tonë, realizohet plotësisht vetëm me vendosmërinë për të ndërtuar qytetërimin e dashurisë, në të cilin nuk ka të përjashtuar e të mënjanuar, të diskriminuar e të harruar. Dhe qytetërimi i dashurisë nuk është vetëm çështje ligjesh e projektesh, por nismë e zemrës së njeriut, që është e aftë, të bëjë edhe ligje e projekte që i shërbejnë të mirës së të gjithëve. Nënë Tereza ka pasur një njohje të gjerë e të thellë të botës. Ajo e ka ditur ku i kanë padrejtësitë, varfëria dhe të këqijat e njerëzimit. Megjithatë, nuk e ka përdorur asnjëherë kohën e takimeve tona për t’u ankuar për gjërat që nuk shkojnë, as për të akuzuar fajtorët, por për të gjetur rrugën më të shpejtë e më të drejtë për ndreqjen e gjërave që janë bërë gabim. Me këtë gjë ajo na ka dëshmuar se nuk është drejtësia themeli i dashurisë, por dashuria është themeli i drejtësisë. Nënë Tereza nuk na ka lënë trashëgimi materiale. Ndër disa dhurata shumë modeste që ruaj është padyshim qilimi i cili m’u dhurua me rastin e pjesëmarrjes sime në funeralin e saj në Kalkuta. Motrat e saj, pas kërkesës sime për të sjellë me vete diçka të veçantë nga jeta e Nënë Terezës, vendosën të më dhurojnë qilimin, i cili i ishte dhuruar asaj gjatë vizitës së parë në Shqipëri në vitin 1989. Ky qilim kishte një vlerë të veçantë dhe shumë domethënëse për motrat në Kalkuta, jo vetëm se ishte dhuratë nga Shqipëria, por edhe sepse Nënë Tereza u kishte kërkuar motrave që pas kalimit të saj nga kjo jetë, qilimi të qëndrojë para altarit në kapelën e tyre që ato të kujtohen vazhdimisht për t’u lutur për Shqipërinë. Ky fakt e bëri pak të zorshëm vendimin e eprores për ta dhuruar, edhe pse tashmë Shqipëria kishte rifituar lirinë. Është një kënaqësi dhe detyrë e jona ta kujtojmë këtë grua, sepse në venat e saj rridhte i njëjti gjak me gjakun tonë dhe ndiejmë krenari që një grua shqiptare arriti me përvujtërinë e saj të shprehte në mënyrë bindëse para mbarë botës, faktin se sa madhështor është shpirti njerëzor nëse jeton duke i shërbyer Zotit te vëllezërit dhe motrat tona. Në përkujtim të 100–vjetorit të lindjes së saj, së bashku me krenarinë që ndiejmë për këtë bijë të dashur të gjakut tonë, mbushemi edhe plot me pasurinë e trashëgimisë së saj shpirtërore me të cilën vihemi me vendosmëri në ndërtimin e një Shqipërie, që do të dijë të jetë nënë e mirë e bijve të saj.
--------------------------------------------
 
Panorama

“Nënë Tereza, si na e la tryezën shtruar pa i prekur ushqimet”

E enjte, 26 Gusht 2010 11:05
 
Kanan Jakupi, ish-drejtori i Sanatoriumit rrëfen ngjarjen e ‘89



"Nënë Tereza nuk preku asnjë kokërr nga rrushi i zgjedhur i llojit moskat, që ta bënte me sy, vendosur me kujdes në një pjatancë të madhe. Ajo nuk vuri në gojë asnjë pikë nga lëngjet e frutave të banketit që kishim sajuar...



Vetëm tundi kokën dhe u largua me gjithë shpurën e saj, duke u justifikuar se nuk mund të hanim pa ngrënë më parë të sëmurët". 
Ngjarja që rrëfehet ka ndodhur në Sanatoriumin e Tiranës, saktësisht 21 vjet më parë, në gusht 1989, kur më në fund shqiptarja Nënë Tereza ishte lejuar të vizitonte Shqipërinë. Ndërsa njeriu që e rrëfen këtë episod, quhet Kanan Jakupi, tashmë pensionist, i cili, dikur, kur ngjarja e mësipërme konsumohej, ishte drejtori i Institutit të Sëmundjeve të Mushkërive, apo siç njihej ndryshe, Sanatoriumi i Tiranës. Jeta e kishte përcaktuar që ai të ishte një nga njerëzit fatlumë që do i shtrëngonin dorën Nënë Terezës, që do e shoqëronin nëpër pavione, që do i rrëfenin se si mjekësia shqiptare, edhe pse e vonuar, kishte zgjidhur gjithsesi ca gjëra, sidomos me turbekolozin, sifilizin e malarien, duke e mrekulluar gruan e veshur me të bardha. Por Doktor Jakupi nuk dëshiron ta nisë kështu këtë histori. 
"Për Nënë Terezën kisha dëgjuar për herë të parë 16 vjet të shkuara, nëse do të marrim si pikënisje kohën e vizitës së saj në gusht të 1989", - nis të rrëfejë në këtë formë renditjeje ish-drejtori i Sanatoriumit historinë, që për shkak të përmasave të personazhit për të cilin flet, merr automatikisht vlerat e një ngjarjeje të pazakontë. Kështu, Dr. Jakupi nis e tregon se si kishte dëgjuar për herë të parë për Nënë Terezën, pa e ditur se ishte shqiptare, në vitin e largët 1973, gjatë një kursi ndërkombëtar për Epidemiologjinë, organizuar në Romë. Aty, një mjek nga Zaireja e Afrikës, që sipas doktorit quhej Dr. Kieza, i kishte rrëfyer për një grua që e thërrisnin "Mother Tereza", e cila i kishte ndihmuar shumë të sëmurët me turbekoloz të këtij vendi afrikan. "Dr. Kieza më fliste pa pushuar për punën e madhe të Nënë Terezës në këtë vend dhe unë fatkeqi e dëgjoja me kureshtje duke i kërkuar të dija çdo gjë për të, pa e mësuar asnjëherë se kjo qenie humane, që i kishte përkushtuar jetën, të gjithën atë, të sëmurëve dhe të varfërve, ishte me origjinë shqiptare, se në damarë i lëvizte qind për qind gjak shqiptar", - rrëfen doktori.    
Sërish i turpëruar
Dhe rasti apo fati e sjell që pas 16 vjetësh sërish doktor Jakupin të ndihej i turpëruar për shkak të Nënë Terezës. Edhe pse tashmë ai e kishte shumë të qartë se cila ishte Nënë Tereza apo shqiptarja Gonxhe Bojaxhi. "U gëzova shumë, madje u ndjeva krenar kur më lajmëruan se Nënë Tereza, që ndodhej në Shqipëri, kishte shfaqur dëshirën të njihej me punën që bëhej për mjekimin e turbekulozit. M'u kujtua edhe doktor Kieza nga Zaireja e Afrikës, vetja ime që në atë kohë nuk e dinte se Nënë Tereza ishte shqiptare dhe pamundësia fatale për të thënë para të huajit: Po, Nënë Tereza ka të njëjtin gjak që edhe unë kam, është shqiptare... Por sërish, edhe pse e shoqërova për rreth një orë nëpër Sanatorium, nga njëri pavion në tjetrin, edhe pse vura re kënaqësi, madje shkëlqim në sytë e saj, Nënë Tereza do më linte të turpëruar", - mbërrin në këtë pjesë të historisë doktor Jakupi.
Si më e shumta e shqiptarëve që e kanë zakon të alarmohen për të pritur sa më mirë një mik me qëllim që ta nderojnë atë, edhe doktor Jakupi ishte angazhuar që Nënë Tereza të pritej e përcillej siç e meritonte një figurë e tillë. 
"Veç të tjerave menduam të sajonim një banket të vogël për Nënë Terezën, pa e tepruar aspak. Menduam se pas vizitës nëpër pavione, një banket i vogël ishte i natyrshëm. Blemë pije freskuese, aranxhata të kohës, ëmbëlsira e fruta. Kurse unë u kujdesa personalisht që të siguroja ca rrush të mirë. Sepse, nëse e kujtoni, Sanatoriumi në mes të vreshtave gjendej. Me drejtorin e fermës së Saukut, që rriste rrushin mbase më të mirë në vend, ishim bërë miq. Për shkak të një problemi që na kishte dalë dikur me kaldajistët të mi, të cilët me raste vidhnin rrush dhe fshehurazi e bënin raki. Kështu drejtori u interesua vetë që për Nënë Terezën të këputej nga rrushi më i mirë që në atë kohë vlerësohej varieteti 'moskat i zi'. Rrushin e vendosëm në një pjatancë të madhe dhe kuptohet që ai zuri vendin më të rëndësishëm në tryezë. Por pikërisht këtë rrush që ta bënte me sy, Nënë Tereza nuk e preku fare me dorë", - vazhdon të tregojë doktor Kanan Jakupi. 
Kur Nënë Tereza kishte mbërritur me një makinë "Benz" me targa RSH, nga ato që në atë kohë përdoreshin nga krerët komunistë të vendit, doktor Jakupi bashkë me Pr. Shefqet Ndroqin, patën fatin e madh ta prisnin në shkallët e Sanatoriumit dhe kënaqësinë t'i jepnin dorën. Kështu, çmimi "Nobel për Paqe" i vitit 1979 ishte ulur në kolltuqet demode e të konsumuara të zyrës së doktor Jakupit për një bisedë të përzemërt. Doktori, me ndihmën e një përkthyeseje, Adelina Mazrekut, që në këtë kohë ishte drejtore e Spitalit Onkologjik, i kishte shpjeguar Nënë Terezës për luftën kundër tuberkulozit, për shifrat e dikurshme dhe progresin e atyre aktuale e të tjera të dhëna. Kohë kur kishte vëzhguar se si Nënë Terezës i ishte sajuar në fytyrë një shprehje kënaqësie. "Ndërkohë, kisha mësuar ca gjëra nga sjellja apo mënyra se si funksiononte Nënë Tereza. E dija thënien e saj monumentale: "Para se të flasësh është e nevojshme të dëgjosh, se Zoti flet me zemër në heshtje". Por nuk mund të dija gjithçka. Në përfundim të bisedës Nënë Tereza më kërkoi t'i përgatisja disa të dhëna për masat që kishim marrë për luftën kundër turbekulozit, për profilaksinë dhe metodat e mjekimit, për t'i përdorur në vende që ua kishin nevojën dhe unë nuk harrova që të nesërmen t'ia dërgoja. Më pas u ngritëm, pasi ajo shfaqi dëshirën të vizitonte pavionin e fëmijëve",- vazhdon rrëfimin doktor Jakupi, duke veçuar se i ka mbetur në mendje mënyra se si Nënë Tereza prekte fëmijët. I prekte me dorën e saj të rreshkur në kokë, i ledhatonte duke pëshpëritur fjalë, që askush nuk arrinte t'i dëgjonte. Më tej kishte vizituar pavionin e të rriturve, këtë herë duke biseduar lirshëm me ta, duke i pyetur për shëndetin apo edhe për ushqimin. Madje, në fund të vizitës ishte futur edhe në mensë e kuzhinë. Këtu momenti vjen sërish për atë historinë e banketit."Në përfundim të vizitës u rikthyem te zyra ime, ku në tavolinën e madhe ishte bërë gati banketi. Por Nënë Tereza nuk preku asgjë, asnjë kokërr rrush nga moskati i zi që ta bënte më sy, asgjë. U largua duke thënë: Nuk mund të hamë përpara se të hanë të sëmurët", - rrëfen doktor Jakupi këtë moment, ashtu siç rrëfehet një ngjarje që të mbetet peng për gjithë jetën. "U ndjeva sërish siç ndihesha sa herë që kujtoja atë historinë e 16 vjetëve më parë me atë doktorin nga Zaireja e Afrikës. Me kalimin e viteve kam menduar se Nënë Tereza veproi në këtë mënyrë pasi vuri re se në kuzhinë nuk kishte rrush për të sëmurët. Pra mendoi se rrushi atë ditë ishte vetëm për shkak të saj. Por gjithsesi edhe ky version nuk më ka ngrohur. Kështu unë ende vazhdoja të mos e njihja Nënë Terezën, të mos kuptoja domethënien e jetës së saj, e gjitha e kaluar në shërbim të atyre që kishin nevojë. Nuk e dija se ajo grua e rrallë ecte përpara sipas një filozofie pak të njohur ndër ne shqiptarët e kësaj kohe, një filozofi që fillonte e mbaronte me epigrafin 'asgjë për vete".




(Vota: 11 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora