E enjte, 25.04.2024, 08:57 AM (GMT+1)

Faleminderit

AKTORI QIRJAKO IRAKLI SAVA

E merkure, 25.08.2010, 09:21 PM


AKTORI QIRJAKO IRAKLI SAVA
Një nga shokët e mi më të mirë
Nga Luan Çipi

            

Në “ditarin” tim të  viteve të fëmijërisë është shkruar: 
             
            Në shtatorin e vitit 1946 nisa klasën e parë të “Unikes” në Shkollën 
e Mesme Tregtare të Vlorës së bashku me Qirjako Savën...  Atje u aktivizuam në 
jetën kulturore dhe sportive të qytetit…Në teatër  na përzgjodhën të luajmë role 
po me Qirjako Savën. U caktuam  te “Ora Gazmore” e qytetit, unë në bisedë në 
dialektin çam, Qirjako Sava, si gegë. Programi jepej me megafon, mbi Bankë te 
Sheshi Flamurit, sipas teksteve me humor për të rejat e ditës, që formulonte  
kryesisht poeti Perlat Hasani...
                Po në vitin l946 u hap Shtëpia e Pionierit e qytetit të Vlorës 
dhe pa u ndarë nga Qirjako Sava, u përfshimë në veprimtaritë e shumta të sajë, 
duke qenë pjesëmarrës aktiv të teatrit dhe korit të Shtëpisë së Pionierit dhe të 
rretheve sportive. Atëherë, organizuam disa shfaqje artistike, si në qytetin e 
Vlorës dhe në shumë fshatra të Himarës, Topalltisë, Myzeqesë, Kullësit, 
Selenicës e deri jashtë rrethit. 

Me Qirjako Savën
             Kjo veprimtari artistike e kulturore për ne kish vlera të 
jashtëzakonshme, se veç zgjerimit të njohurive për muzikën, artin dramatik dhe 
sportin, me të cilin u morëm shpesh më pas,  na mësoi dhe edukoi me një jetë 
kolektive, duke na hequr nga veset e këqija dhe duke na njohur shokë dhe miq të 
shumtë dhe cilësor. Aty në grupet e Shtëpisë së Pionierit  u miqësuam më shumë 
me Qirjako Savën dhe Agron Çuçin, Niko Vangjelin, Reshat Kripën, Sadedin Gjokën 
dhe Duro Mustafain, shokë që ngelën, deri në fund ashtu siç ishim fëmijë, shumë 
të dashur, të talentuar, të virtytshëm dhe të pa vdekshëm. Atje u njohëm dhe me 
mësuesin e muzikës, të pa harruarin Tish Daija, shkodran- vlonjatin e madh, që 
më pas shkëlqeu me gjeninë e tij si muzikant, dirigjent dhe kompozitor, artist i 
popullit, deputet dhe akademik.
            Ndërkohë, vitet kalonin dhe ne po e kapërcenim fëmijërinë dhe po 
hynim në vështirësitë, bukuritë  dhe peripecitë e adoleshencës.
            Si shpjegohet prezenca kaq shpesh e Qirjako Savës, te “ditari” im i 
fëmijërisë? Kjo tregon sa i afërt ka qenë ai me mua, tregon ndikimin e madh 
reciprok për njeri tjetrin. Dhe kjo u ruajt për gjithë jetën. Bashkë e nisëm 
edhe Gjimnazin “Ali Demi” të Vlorës, më pas shkëputemi ca, për tu takuar në te 
njëjtin grup sportiv, në vitin 1954,  unë mundës dhe Qirjakua boksier dhe po 
bashkërisht stërvitemi pranë liqenit të Pogradecit, e më pas,  marrim pjesë në 
ndeshjet dhe takimet sportive në Durrës dhe Tiranë. Në vitin 1956 jemi sërish në 
Vlorë dhe debutojmë në të njëjtin grup diletant teatror, pranë Shtëpisë së 
Kulturës, me regjisor Nazmi Bunjakun, ku midis të tjerave, vumë në skenë 
komedinë “Fejesë e Ngatërresë”, të Minush Jeros.
Për të ardhur deri këtu Qirjako Sava kaloi në procesin e gjatë të formimit dhe 
edukimit artistik. Ai, u aktivizua me sukses në grupin teatror të Shtëpisë se 
Kulturës Vlorë qysh ngavitin  1949, kur regjisori Shefqet Resuli, vë në skenë 
dramën e Konstandin Simomonovit  ‘’Gështenjat e Pragës’’,  me  aktorët e rinj 
Panajot Papingji, Petro Pema, Myqerem Ferra, Foto Shamo, Dhori Strati, Fatushe 
Kripa, Ervehe Gorishti, etj.
 
Këtu  shkëlqen talenti i tij prej artisti të vërtetë dhe Qirjako Sava,  në vitin 
1951, në një Olimpiadë Teatrore Amatore në Tiranë me regjisor Kadri Roshin,  
merr diplomë nderi, së bashku me Evgjeni Shtrepin dhe Stefan Pemën, për të 
ardhur në vitin 1953, në qytetin e Durrësit, kur u vu në skenë drama ‘’Po 
fillojmëme jetën’’ e Makarenkos dhe Teatri i  Shtëpisë së Kulturës  së Vlorës, 
me pjesëmarrjen e Qirjako Savës,  Bedri Mersinit dhe të një trupe krejt me të 
rinj të talentuar, mori çmimin e dytë. 

 
Qirjako Sava u përfshi në grupet profesioniste të Teatrit dhe Estradës së 
qytetit të Vlorës, në vitin 1959, duke ardhur natyrshëm atje nga lëvizja 
teatrale amatore, i përzgjedhur dhe i përfshirë, së bashku me një grup të rinjsh 
të talentuar, që patën të përbashkët talentin dhe vullnetin e tyre të spikatur. 
Ai, u fut në këto trupa së bashku me Kristo Shkurtin, Bedrie Mersinin, Meliha 
Dodën, Vasil Beqarin dhe iu shtua artistëve më të vjetër të brezit të parë e në 
vijim: Gaqi Vishi, Leka Kruta, Pirro Sava, Liza Skrame, Vangjel Panozaqi, 
Minella Mita, Evgjeni Shtrepi, Myqerem dhe Meliha Fera, Mishel Lako, Mojze 
Negrini, Liu Mone, Reshat Osmani, Kostandin Thana, Astrit Hasho, ku më pas, dora 
dorës, u plotësuan me aktorë të ardhura nga shkolla e aktrimit, si  Albert 
Veria, Ali Roshi, Aleksandër Pogaçe, Vasillaq Godo, Adem Gjyzeli, Thabit Beqiri, 
Bujar Asqeriu, Kristaq Skrame, Resmije Ruci, etj.
Midis këtij brezi të talentuar artistësh, ku më vonë, shkëlqyen dhe “Parodistët 
e Vlorës”,  dhe ku Qirjako Sava, zuri vend të rëndësishëm, grupet teatrale dhe 
të estradës së Vlorës, sipas regjisë së  Nazmi Bunjakut, Shefqet Resulit, 
Minella Mitës, Myqerem Ferrës, Pirro Savës, Pëllumb Kullës, Kadri Roshit, Drita 
Pelingut, etj., dhanë mijëra shfaqje të bukura për spektatorët vlonjatë dhe në 
turne në mbarë Shqipërinë, duke  marrë shpesh herë, vende nderi në shkallë 
kombëtare.
Që në fillim Qirjako Sava, tërheq vëmendjen e spektatorëve dhe bëhet i dashur 
për ta me atë pamje rinore, energjike, ekspresive dhe gazmore, si recitues, 
aktor me spektër të gjerë  komik e dramatik për të mbajtur shpejt mbi supe role 
më të rëndësishme e deri kryesore.
Premiera e parë, si trupë drame profesioniste, Vlora e vuri  në skenë në vitin 
1962, me pjesën teatrale “Fundosja e Skuadronit” të Kornejcukut, me regjisor të 
paharruarin Kujtim Spahivogli. Për këtë figurë të shquar të dramaturgjisë 
shqiptare, duhet thënë se, përpara se të vlerësohet si artist, nga kolegët 
vlonjatë çmohet si njeri dhe personalitet. Është e rëndësishme të theksohet se 
për interpretimin brilant në këtë shfaqje, Qirjako Sava merr duartrokitje të 
pareshtura nga spektatorët, si dhe përgëzime nga vetë Sulejman Pitarka e Naim 
Frashëri.
 Ajo që e evidentoi dhe ia rriti më shumë vlerat si aktor, ishte një takim i 
estradave profesioniste në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1963. Shfaqja atje 
lidhej me numrat e saj përmes konferencierit dhe këtë rol e bëri Qirjakua. Duket 
e realizoi shumë mirë, sepse në përfundim të takimit, specialistët organizatorë 
kërkuan që ai të bënte edhe konferencierin e shfaqjes përfundimtare, me numrat 
më të mirë të të gjitha estradave të vendit.
                                        
Në vitin 1969 Qirjako Sava u kompletua dhe me arsimin e lartë si aktor dhe 
regjisor, duke vënë në skenë, nën regjin e tij, 25 premiera, gjatë karrierës 
aktive si profesionist dhe tre të tjera, mjaftë të suksesshme, në vitet e 
fundit, si pensionist.
 Ai e kujton me nostalgji premierën e parë të estradës si regjisor që u quajt 
“Zgjidh e merr” dhe që u vu në skenë në vitin 1972. Ajo u shfaq 46 herë, me 
sallën plot. Dhe më tej rolet dhe sukseset nuk kanë të sosur. Kështu vijnë 
shfaqjet “ Familja e gëzuar”, “U takuam në udhëtim”, “Dy shokët”, “Çan anija 
shqiptare”, “Banorët e pallatit tim.   Duhet t’u kujtojmë lexuesve se në atë 
kohë, për sukseset e bujshme të trupës së estradës së Vlorës, punonin penat e 
mprehta gjurmëlënëse të Vangjel Picit dhe Flamur Laros. Më jetëgjatë si regjisor 
ishte i talentuari Myqerem Ferra, që u dallua sidomos për organizimin e 
spektakleve me një bosht, model që u ndoq me sukses edhe nga regjisori pasionant 
Nazmi Bunjaku.
Sipas Qirjako Savës modest, po me veprimtari, si rrallë kush, shumë të gjatë 
artistike, te çelësi i sekretit të sukseseve të tij gjendet puna këmbëngulëse me 
dashuri e pasion      – “ kemi punuar, pa u lodhur gjatë fizikisht dhe 
shpirtërisht, kemi ngritur në art dukuritë negative përmes humorit që mbarte me 
vete gëzimin edhe edukimin. Çelësi i suksesit tonë të vazhdueshëm, përsërit me 
vendosmëri Qirjakua, ka qenë shpirti i kolektivit, puna me pasion dhe  
dashamirësia, respekti, ndihma reciproke dhe harmonia në grup. Nuk kemi qenë 
vulgarë dhe nuk zgërdhiheshim për ti bërë spektatorët të qeshnin”, po kjo vinte 
natyrshëm nëpërmjet skenarëve të zgjedhur me kujdes dhe interpretimit me 
dinjitet, deklaron aktori i shquar, duke qenë krenar për karrierën e tij mbi 50 
vjeçare prej aktori profesionist.
Myqerem Ferra, Qirjako Sava dhe Leka Kruta
Tani, Qirjako Sava edhe pse në moshën e tretë, po me freski e gjallëri, është 
gjithnjë aktiv, sa në drejtim të biznesit të tij privat, në vazhdim të traditës 
së hershme familjare, me kontribut të pakursyer e të vazhdueshme në jetën 
artistike të qytetit të Vlorës, si dhe në ndihmë e në përkrahje të grupit të 
shquar të “Parodistëve të Vlorës”, me Agron Hamon, Afrim Agalliun dhe Muhamet 
Likën, të cilët e duan dhe mbajnë përherë pranë.
Vlorë, 25.09.2010



(Vota: 5 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora