E premte, 19.04.2024, 07:41 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Historinë ta shkruajmë përpara se ta mbulojë pluhuri i harresës

E diele, 22.08.2010, 04:36 PM


Historinë ta shkruajmë përpara se ta mbulojë pluhuri i harresës

            

Nga Pëllumb Gorica

 

    Libri monografik “Malindi dhe rrënjët e të parëve” i Sadik Haskos është një pjezës e vogël e historisë së Shqipërisë. Ashtu siç thotë biri i  Malindit, poeti Xhevahir Spahiu: “Monografitë bëjnë historinë e vogël, që po t’i bashkosh historinë e madhe”.

 

  Historia, traditat, kultura, gjeneza e jetës së një fisi, fshati, qyteti apo krahine janë pjesë të vogla të historisë së madhe të kombit tonë.Revokimi i tyre eshte një mision i rëndësishëm njerëzor. Dhe ky revokim merr vlera kur pasqyrimi i tyre tregon se kush jemi, nga vijmë, e ku shkojmë. Në fakt botimet për historinë e krahinave,qyteteve, fshatrave, fiseve, vitet e fundit në Shqipëri kanë njohur një lum prurjesh. Çdo kush që ulet për të shkruar një libër për vendlindjen, për ngjarje historike, traditat, për gjenezën e jetës i bën një shërbim të madh asaj. Natyrisht, Sadik Hasko  ka arritur një qëllimi të tillë për vëndlindjen, duke shprehur kështu dhe respekt për origjinën e vet. Mund të lind pyetja se ç’e shtyu t’i bëjë një shërbim sa do të vogël e modest fshatit të tij ? Përgjigjja është:- Kur një njeri, një popull, apo vend me shumë vlera nuk e kujton kush, atëherë përmendet ajo fjala e vjetër që thuhet në krahinën time, Sulovë: “Për vendin tënd bëj sa të mundesh se nuk ta mohon ai”.

 Të shkruash sot një libër të tillë është e vështirë. E them këtë sepse kushdo që shkruan për historinë, traditat, rrënjët e të parëve, përpjekjet për tokë, liri, dije e mbijetesë, për toponimet, gërxhet, pyjet, arat, ujrat, ndërtimet, veçori e tipare te vendlindjes, fiset, origjinën e tyre, etj me siguri i duhet të shfletoj shumë dokumenta arkivore, shkrime e dorëshkrime, gazeta të kohës, libra e shënime udhëtarësh të huaj, të qëmtojë nga të moshuar kujtime, gojdhëna, këngë, visare   popullit.

 Shkrimtari Dhimitër Shuteriqi ka theksuar: ‘‘Historia do shkruar, e për t’u shkruar do kërkuar’’.

  A e merr njeriu një mundim të tillë? Shumëkush nuk dëshiron, që të lodhet e të komplikojë jetën. Por këto sakrifica nuk janë të rëndësishme për atë që i merr parasysh vështirësitë sidomos kur e fillon punën me pasion, dashuri e këmbëngulje me qëllimin e vetëm për ta shpënë atë deri në fund.

 Sadik Hasko për shumë vite me hulumtimet për Malindin,vendlindjen e tij,  ka shkruar nje libër fort interesant për brezat e sotëm e të mëvonshëm me copëza jetësh e kujtime të parëve të tyre, me vlera që i kanë lartësuar të paktën në këto 100 vitet e fundit, duke evidentuar dhe plotësuar të dhëna, që deri tani u kishin munguar, dhe, që për arsye të ndryshme po i mbulonte dalngadalë harresa. Që në hyrje të librit “Malindi dhe rrënjët e të parëve” autori Sadik Hasko  thekson:“Që të njohësh të kaluarën është një nga elementët më primar në jetën e cilido prej nesh. Duhej shkruar, për të mos lënë në harresë historinë e Malindit tonë, dikur me emër e sot sa një grusht, por me histori të madhe. Kam pasur vështirësi nga mungesa e trashëgimisë në fushën e studimeve, se për fshatin tonë të paktën deri më sot nuk ka një studim arkeologjik apo studime në fusha të tjera, prandaj hulumtova me mundësitë e mia në arkiva, muze, libra. Për pemët gjeanologjike të familjeve kam mbledhur të dhëna nga kujtesa e të moshuarëve dhe bashkëfshatarëve.  parathënien e librit, veterani Skëndër Malindi, bir i këtij fshati, kuadër i vjetër e me përvojë  ndër të tjera shkruan:“ Autori është përpjekur që ngjarjet dhe individët t’i pasqyroj me vërtetësi, paansi, pa paragjykime dhe pa subjektivizëm, duke synuar të thotë të vërtetën, ashtu si kanë rrjedhur ngjarjet në Malind, pa i mistifikuar dhe shtrembëruar ato. Dhe kjo padyshim i ngre vlerat librit”

    Libri“Malindi dhe rrënjët e të parëve” i autorit Sadik Hasko është shkruar me një gjuhë të rrjedhshme, çka e bënë mjaft tërheqës e interesant. Autori flet për ngjarjet me një realizëm të tillë që të ngjall simpati, për njerëzit, qofshin ata që nuk jetojnë më, apo ata që janë ende aktivë në jetën shoqërore; natyrisht kjo përbën një gjë tepër të veçantë. Ai flet gjithashtu me hollësi për evenimentet më të rëndësishm që kanë kaluar banorët ndër vite. Ai krenohet me patriotët e këtij fshati, ata që luftuan për liri e çlirim kombëtar, njerëzit punëtor, të mençur e bujar, kuadrot e intelektualët etj, duke i trajtuar këta me paanëshmëri dhe, duke i dhënë gjithkujt atë që meriton.

Jo pak vëmëndje i kushton jetës shoqërore e shpirtërore, traditave, besimit fetar, objekteve të kultit, festave, vleravet të folklorit të mrekullueshëm të Malindit dhe kontributin që kanë dhënë njerëz të caktuar për t’i revokuar këto vlera. Përshkrimet që u bënë zakoneve e dokeve të ndryshme përbëjnë një pjesë mjaft të këndëshme në libër.

 Autori zhvillon edhe një kapitull për arsimin, ku pasqyron rrugën e vështirë, pengesat, dhe peripecitë që kaluan banorët e fshatit për shkollim e dituri. Gjithashtu ai paraqet në detaje lëvizjet demografike, emra emigrantësh ekonomik që shkuan në vende të ndryshme të botës etj.

 Ndërsa pjesa e dytë e librit i kushtohet gjenezës, fis për fis e familje për familje, duke ndërtuar dhe pemët gjeanologjike të gjithë trungjeve familjare të Malindit me emra, veçori, ngjarje të tyre, tipare. Kjo tregon se autori në fjalë ka punuar me kujdes, përgjegjësi, pasion e kulturë, duke e bërë kështu librin jo vetëm interesant por dhe me shumë vlerë, kjo sidomos për pasardhësit e sotëm dhe të nesërm, në mënyrë që ata të dinë e të gjejnë lehtësisht rrënjët e tyre nga vijnë. Tek kjo pjesë autori mendoj se ka respektuar në mënyrë të veçantë prindërit e cilitdo malindasi, gjyshërit e stërgjyshërit, duke u dërguar atyre nëpërmjet këtij libri një mesazh tepër të rëndësishëm; se emri dhe vepra në shekuj nuk ka për tu harruar. Identiteti i tyre u skalit me shkronja të arta në faqet e këtij libri dhe do të kujtohet me mirnjohje nga brezat që do të vijnë.

Libri është ilustruar me fotografi që mendoj se duhet të ishin më të shumta, por gjithsesi ia rrisin vlerat librit.

Natyrisht, për librin “Malindi dhe rrënjët e të parëve” të autorit Sadik Hasko mund të shkruash më gjatë. Këtë mund ta bëj studiusit  e trevës me vlersime në tërësi për punën e autorit dhe sigurisht për vlerat e mëdha për të sotmen e për brezat që do të vijnë, kur dihet se ky fshat po shkon drejt braktisjes tolale nga banorët e saj.

 Na mbetet t’i urojmë Sadik Haskos suksese në rrugën e bukur të krijimit.



(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora