Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Isak Shehu: Prioriteti im, forcimi dhe konsolidimi i shkollës shqiptare të artit

| E merkure, 12.12.2007, 07:04 PM |


Intervistë me kompozitorin dhe trombistin Isak Shehu, pedagog në Akademinë e Arteve dhe kandidat për rektor

Intervistoi: Flori Slatina - 55

Isak Shehu
Prof. Isak Shehu, një pedagog dhe artist i nderuar, me një karrierë të gjatë në Akademinë e Arteve, është një ndër kandidatët për rektor në Akademinë e Arteve. Falë përvojës së tij të vyer prej afro tre dekadash, punës së mirë si pedagog dhe artisti, si dhe përvojës si zv/dekan, dekan, apo zv/rektor, Isak Shehu është një ndër kandidaturat potente dhe më të vlerësuara, shto këtu edhe programin e tij ambicioz, me drejtime e synime të qarta, të cilat do të çojnë më tej në forcimin dhe konsolidimin e shkollës shqiptare të artit, duke u mbështetur ën traditën e pasur si dhe në praktikat moderne të së sotmes. Në intervistën e mëposhtme, z. Isak Shehu shpalos programin dhe të gjitha mundësitë e tij për një drejtim ndryshe dhe me qytetari të kësaj Akademie.

Isak Shehu u lind në Dibër më 21 gusht 1956. Në vitin 1975 mbaroi studimet e shkollës së mesme. Gjatë viteve të shkollës së mesme është aktivizuar në shume aktivitete artistike, si trombist e kompozitor. Në vitin 1975 fituar çmimin e parë kombëtar të matematikës. Një vit më vonë, në vitin 1976 fiton konkursin në degën kompozim e trombë dhe fillon studimet në këto dy degë. Studimet e larta i mbaron në vitin 1981, ku diplomohet për kompozitor dhe trombist. Gjate viteve të shkollës së lartë ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet koncertale të shkollës si solist trombist dhe si kompozitor, ku në Dekatat e Majit 1980 mori çmimin e parë si instrumentist dhe çmimin e tretë si kompozitor. Në shtator 1981 emërohet as.pedagog per lenden "Trombe speciale", "Muzike dhome" e "Harmoni" pranë katedrës se Instrumentisteve në Institutin e Larte te Arteve (sot Akademia e Arteve) ne degën e Muzikes. Nga viti 1981-1990 krahas proçesit mesimor, ka kryer kualifikimin pasuniversitar, ku ka dhënë të gjitha provimet e formimit intelektual e artistik. Në periudhën nëntor 1985-Korrik 1987 ka kryer nj specializim në Akademinë "Santa Cecilia" në Romë në fushshat e solistikës trombistike dhe të pedagogjisë ne instrumentet e frymës. Gjate gjithe kesaj periudhe aktivizohet si trombist solist, trombë e pare e orkestres dhe trombe e pare e kuintetit "Euphonos" te kursit pasuniversitar. Në vitin 1987 me iniciativën e tij krijohet kuinteti i tunxhit i Akademisë së Arteve, i cili përveç koncerteve ka regjistruar programe për Radio Tiranen dhe prodhon një video për Televizionin Shqiptar. Në periudhen Janar 1988 - Dhjetor 1993 ka drejtuar katedrën e instrumenteve të frymës ne Fakultetin e Muzikës. Në vitet 1989-1991 ka qenë zevendesdekan i Fakultetit të Muzikës. Në 21.05.1996 mbrojti gradën shkencore "Doktor i Shkencave" me temën "Probleme të teknikes e lojës në trombe", e cila botohet nga SHBLU. Në vitin 1992 mori pjesë në Kongresin e Parë të Muzikës Ballkanike në Greqi dhe zgjidhem si Kryetar i Përfaqesise Shqiptare ne këtë forum, i cili e gjallëroi se tepërmi bashkëpunimin ne kete fushe. Aktiviteti i Isak Shehut si interpretues e si krijues në keto vite ka qenë majft i ngjeshur. Si krijues mund te veçoj simfonia "Hiret" (1981), suita sinfonike (1982), Koncerti per trombe Nr.1 (1981), koncertino per oboe (1983), Sonate për trombe (1984), Suite per kuintet tunxhi 1984 etj. Në fushen e interpretimit ka realizuar mbi 200 koncerte brenda e jashte vendit, duke lëvruar pjesën më të madhe te repertorit ekzistues te autoreve vendas e te huaj qe nga paraklasiket deri tek bashkekohoret. Në fushen pedagogjike është përpjekur të fusë metodat bashkekohore të interpretimit në trombë, duke i pare ato ngushte me traditen. Ketij qellimi i kanë sherbyer dhe botimet e dy përmbledhjeve didaktike për trombe dhe si autor i tekstit teorik "Loja në trombë" dhe "10 Etyde karakteristike per tromben". Në dhjetor të vitit 1999, me Vendim të KKSH pranë Ministrisë se Arsimit dhe Shkencës i akordohet titulli "Profesor i Asociaur". Në janar 2000, pas zgjedhjeve te shkollave të larta, zgjidhet Dekan i Fakultetit te Muzikes. Gjatë periudhës se drejtimit te Fakultetit te Muzikës është arritur të konsolidohet dhe të respektohet Statutin dhe Rregullorja e Brendshme e këtij fakulteti si dhe programet mësimore të të gjitha lëndëve. Janë krijuar struktura bashkëpunimi si me Konservatorin superior te Parisit, Francës, Konservatorin e Hessen-it Gjermani, Konservatorin e Barit (Itali), Konservatorin e Marsejes (France) etj. Janë hapur degë të reja si ajo e Perkusionit dhe janë përgatitur programet për hapjen e shkollës pasuniversitare per Muzikologjinë dhe degën e xhaz-it. Janë rritur ne mënyre te ndjeshme jetën artistike te pedagogeve e studenteve ne Fakultetin e Muzikës, duke e kthyer këtë Fakultet si një nga pikat me te rëndësishme te aktiviteteve artistike te kryeqytetit e te vendit. Gjithashtu të shumta janë dhe aktivitetet e koreve, orkestrave dhe solisteve te Fakultetit te Muzikës jashtë shtetit si ne Itali, France, Greqi, Amerike, Angli etj. Në vitin 2004, me vendim të KKSH, pranë MASH, i jepet titulli “Profesor”, ndërsa në vitin 2003 emërohet zv/rektor i Akademisë së Arteve.

- Prof, përse vendosët të kandidoni për postin e rektorit të Akademisë së Arteve?

- Unë kandidoj për rektor thjesht për të çuar deri ën fund ato aspiratat e mia. Ky katër vjeçar do të përbejë që të mbyllim të gjithë procesin e Bolonjës, të cilën e ka në proces i gjithë stafi akademik. Kemi mbyllur me sukses nivelin e parë të studimeve pasurinversitare dhe tani po përpiqemi që të krijojmë programet e kurikulat e masterit për të vazhdua më tej me doktoraturën. Kjo është një sfidë shumë e madhe që kërkon shumë punë, kërkon studime, kërkon njerëz të kualifikuar dhe pikërisht ky është qëllimi kryesor i imi dhe i gjithë stafit apo ekipit, pasi unë nuk kandidoj i vetëm por me grup, një grup që i është përkushtuar shumë shkollës dhe mendon që këtë shkollë ta çojë sa më përpara. Motoja kryesore e këtyre katër vjetëve do të jetë përmirësimi i i cilësisë dhe rritja e punës së kualifikuar, si me studentët, si me pedagogët, këshillat artistike apo me kurikulat, në të gjitha fushat. Gjithashtu një rëndësi e veçantë do t’u jepet lidhjeve me botën, të cilat sot nuk mungojnë, por do t’u jepet një shtytje më e madhe dhe një përparësi e veçantë. Kjo do të kushtëzohet shumë edhe nga mbështetja ekonomike që kemi, jo vetëm nga shteti por edhe nga donatorë të ndryshëm që po shtohen nga viti në vit.

- Mendoni se brenda mandatit tuaj do të realizohet kjo gjë?

- Eshtë mëse e arrirë. Mbyllja e ciklit të dytë të Bolonjës është domosdoshmëri dhe mëse e mundur, pasi në shumë drejtime ne i kemi shkollat pasuniversitare, të cilat duan shumë pak punë për t’u kristalizuar e për të marrë formën e duhur. Por qëllimi tjetër është edhe liria akademike që do t’i jepet profesoratit, liria akademike që profesorati të ketë mundësi të japë çdo ndryshim të bashkëkohores në programet. Kjo do të ndihet menjëherë në programet me studentët në çdo punim të ri, në çdo krijim të ri dhe kjo është shumë e mundshme dhe në një farë mënyre është e realizuar, por duhen kristalizuar shumë gjëra me ligj që liria të mos jetë një ligj i shfrenuar por një ligj që t’i shërbejë qëllimit, rritjes së cilësisë dhe mësimdhënies mbi raporte të sakta student – pedagog, pedagog – pedagog apo pedagog administratë dhe të gjitha këto të kristalizohen e të jenë sa më të sakta.

- Cilat janë drejtimet kryesore të programit tuaj?

- Për mendimin tim çdo ide apo projekt që ndërtohet për të drejtuar një shkollë të lartë duhet të ketë parasysh misionin themelor të arsimit, i cili është: "Të edukojë, të trajnojë, të marrë përsipër kërkimin shkencor dhe ti kryejë shërbime komunitetit". Ruajtja, qëndrueshmëria dhe respektimi i këtij misioni do të jenë pikësynimet kryesore në drejtimin e Akademisë së Arteve për mua dhe stafin që do të drejtoj në katër vitet në vazhdim.
Që të realizohet më së miri ky mision ne do të kemi parasysh që të kërkojmë gjithnjë cilësi të lartë në diplomat që do të realizojmë në mënyrë që të diplomuarit tek ne të jenë qytetarë të përgjegjshem, të arsimuar, që i përgjigjen kërkesave të shoqërisë dhe kohës që jetojnë. Kërkimi i cilësisë së lartë duhet të jetë një politikë që bazohet në merita dhe në vlera të vetë stafit akademik, por që sot vihet përballë kërkesash të vazhdueshme e për rrjedhojë, të kualifikimit të vazhdueshëm.
Së dyti, për të rritur përgjegjësinë e drejtimit të Ak. Arteve, ne do të evidentojmë prova të qarta të impenjimit tonë në zhvillimin dhe implementimin e sistemit të menexhimit të cilësisë së institucionit dhe në përmirësimin e vazhdueshëm të efektivitetit të tij nëpërmjet komunikimit të vazhdueshëm me tregun e punës (Anketime dhe kontakte me të gjitha institucionet ku të diplomuarit tanë punësohen), ndërtimi i politikave të ruajtjes së cilësisë dhe sigurimi në se objektivat në këtë drejtim janë realizuar (Kontrolli i dijeve, ballafaqimi i diplomave, standartet e kurrikulave, stafi akademik etj.), rishikimi i vazhdueshëm i sistemit të menexhimit të cilësisë dhe përmirësimi i tij. Së fundmi, por jo e parëndësishme, sigurimi i disponibilitetit të burimeve për cilësinë (Fondet, buxheti, donatorët, burimet njerëzore, etj.) Për të gjitha sa thashë më lart, kërkesat janë të detajuara dhe do të jenë kërkesa në vazhdimësi për ruajtjen e standarteve që kërkon zona europiane e arsimit.
Së treti, Suksesi ne punën drejtuese qëndron gjithnjë i lidhur ngushtë me Menexhimin sa më të mirë të burimeve bazë të një institucioni apo ndërmarrjeje. Unë burimet bazë do ti ndaja në: Burimet njerëzore, Burimet materiale, Burimet financiare, Burimet informative.
Së katërti, mendoj se një nga sfidat më të rëndësishme të Akademisë së Arteve për katër vitet në vazhdim është përfundimi i programeve për ciklin e dytë të studimeve universitare "Master" dhe hapja e këtij cikli në të tre fakultetet. Deri tani ne kemi përfunduar për ciklin "Bachelor" (Cikli i parë i studimeve universitare), të gjitha kurrikulat dhe kreditet përkatëse, kemi bërë vëtëvlerësimin e këtij niveli studimesh dhe është përballuar një punë e madhe nga i gjithë stafi akademik. Ne do të punojmë me intensitet me të gj itha hallkat përkatëse për te realizuar brënda dy-vjeçarit të parë të mandatit, hapjen e ciklit të dytë të studimeve universitare për Akademinë e Arteve të nivelit "Maste r" , për ti hapur dritën jeshile përgatitjes së ciklit të tretë, "Doktoraturës", për ato degë ku ky nivel përballohet me stafin përkatës.
Së pesti, një nga momentet më kryesore të ruajtjes së cilësisë dhe mbarëvajtjes së punës mësimore e shkencore në Akademi është puna me studentët. Krijimi i ambientit dhe strukturave të sakta, duke respektuar standartet e raporteve student - professor, student - administrator, student - ambjent shkollor, student - student, do të krijojë klimën e duhur për nivele cilësore të diplomave tona. Do të përpiqemi në mënyrë sistematike që qeveria studentore të funksionojë më së miri dhe nga kjo qeveri të merren në kohën e duhur kërkesat dhe mangësitë që kanë studentët në proçesin mësimor.
Së gjashti, si një nga momentet më të rëndësishëm të kualifikimit të vazhdueshëm të stafit akademik të Ak. Arteve është aktiviteti artistik e shkencor i këtij stafi. Për fat të mirë ne parametrat dhe ekuivalencat mes punës artistike dhe asaj shkencore i kemi përcaktuar, por për të stimuluar këtë aktivitet do të përpiqem me të gjithë stafin që do drejtoj, të ngrejmë për secilin fakultet bërthamat eksperimentale me një fond të caktuar nga buxheti i shkollës dhe këto bërthama do të jenë si më poshtë: "Orkestra Filarmonike" për Fakultetin e Muzikës, "Teatri Eksperimental" për Fak. e Artit Skenik dhe "Galeria Eksperimentale" për Fak. e Arteve Figurative. Këto bërthama do të shërbejnë për promovimin e artistëve të rinj, promovimin e krijimtarisë së re, si dhe për të shpalosur vlerat e stafit akademik, i cili përbëhet nga artistë të shquar, të cilët do të gjejnë veten në këto struktura.
Nga ana tjetër në to do të krijohet mundësia e shkëmbimit të përvojave mes studentëve dhe mjeshtërve të tyre duke shërbyer edhe si stimul për vetë studentët në marrjen e eksperiencave artistike që në vitet e shkollës.
Për momentin keto Bërthama shfaqen në mënyrë sporadike, por institucionalizimi i tyre është i domosdoshëm në hapësirat e reja që krijon koha.

- A mendoni se ju favorizon në kandidimin tuaj përvoja e mëparshme si drejtues, si zv/dekan, dekan e së fundi edhe si zv/rektor?

- Unë kam mbaruar studimet e larta në Akademinë e Arteve dhe që në 1981 kam qenë pedagog, as/pedagog, kam mbrojtur doktoratën, pastaj kam qenë profesor, dekan e zv/rektor, pra 26 vjet punë në Akademinë e Arteve. Pastaj edhe njohjet me pedagogët, njohjet me jashtë, pozicionet zyrtare që kam pasur të gjitha këto ndihmojnë shumë në zbërthimin e këtyre detajeve që thashë më lart. Mendoj se edhe një katër vjeçar do të më jepte shumë dorë që unë të zhvilloja atë ëndërr që kam pasur që shkolla jonë të jetë sa më afër shkollave evropiane. Dhe unë them se kjo nuk do të realizohet asnjëherë nëse ne nuk kemi idealizmin brenda nesh. Ne patjetër që duhet të luftojmë të gjithë së bashku dhe mendoj se stafi që kam rreth e rrotull është shumë i përkushtuar dhe do të më ndihmojë, ndaj unë jam i lumtur për këtë.
Ne duhet t’i rrimë sa më afër këtij stafi, atij që rri gjithë ditën në shkollë, që është i përkushtuar dhe rri pranë studentit dhe jo atyre që janë në minorancë, atyre që kujtohen muajt e fundit, para zgjedhjeve, dhe pastaj zhduken përsëri.

- Edhe pse nuk janë shpallur ende zyrtarisht kandidaturat, çfarë mendoni për konkurrentët e tjerë?

- Ne shqiptarët kemi një mentalitet shumë të gabuar kur kandidojmë për një post. Themi kundërshtarë dhe palët, kurse unë do t’i quajta kolegët të mi të cilët i përkushtohen një pune, një barre më të madhe për t’i dhënë Akademisë kontributin e tyre. Unë i ofrohem i komunitetit pedagogjik e stafit akademik, që të drejtojmë të gjithë së bashku. Nuk është puna se do zgjidhet Isak Shehu dhe gjithçka do ecë mirë apo do pengohet. Kandidatët e tjerë janë kolegë të nderuar që ofrojnë edhe ata kontributin e tyre. Por nuk e shoh edhe të arsyeshme që një njeri të drejtojë një shkollë pa pasur përqindjen e domosdoshme të mbështetjes nga stafi akademik.

- Akademia e Arteve është një institucion 47-vjeçar, me disa fakultete e degë brenda saj. Çfarë mendoni për një lloj harmonizimi mes tyre?

- Një nga objektivat e mia dhe të gjithë stafit tim është që Akademia e Arteve të kthehet në një qytezë arti, siç është qyteti i artit në Paris, apo në shumë vende të tjera. Po bëj një krahasim të madh por ne ia kemi arritur deri diku qëllimit, sidomos 5-6 vitet e fundit. Këtu në Akademi janë vënë opera, janë dhënë koncerte, janë vënë në skenë pjesë teatrale, janë hapur ekspozita të ndryshme, në amfiteatër jashtë ka pasur aktivitete, madje është shfaqu edhe film, pra po të angazhohemi dhe po të shfrytëzojmë më mirë të gjitha produksionet tona, pasi rësurse ka shumë jo vetëm artistike, pasi kemi shumë salla e mjedise dhe nëse të gjitha hapësirat që ka Akademia e Arteve do të viheshin në eficensë, këtu çdo natë ka aktivitete, pse jo edhe më shumë se një. Pra ky qytet arti të marrë statusin që i takon dhe unë u premtoj se ai qytet do të jetë jo vetëm për Akademinë, por për gjithë Tiranën, një oaz qetësie ku të shijohet arti e të marrësh të gjitha vlerat artistike që kanë të rinjtë e artistët tanë më të formuar. Ne, po investuam sot në Akademinë e Arteve që është unikale këtu në Shqipëri, ne kemi investuar për të gjitha vitet më pas. Gjithashtu ne duhet të ndërtomë një raport më të mirë e më të drejtë me median për të thithur e afruar publikun në këtë qytet arti. Ky qytet arti do të jetë promotori dhe skena e të gjithë artistëve të rinj që dalin në jetë, përballja e parë me publikun. Do të quhen teatri eksperimental, orkestra eksperimentale, galeria eksperimentale, ku do të gjejnë veten të gjithë artistët e rinj në të gjitha fushat e artit, që nga muzika, koreografia, teatri, piktura, skulptura, kemi edhe regjinë e filmit. Krijohet mundësia që e gjitha gama e artit të jetë në këtë qytet.

- Si e mendoni ju nesër Akademinë e Arteve?

- Unë para se të përgjigje desha të falënderoj gjithë kolegët e mi të cilët gjithë këto vite arritën të mbajnë hapur shkollën, madje në këto nivele që konkurrojnë denjësisht në Evropë, dhe kanë bërë një punë shumë të madhe në krijimin e programeve e mbajtjen e klasave në këto nivele. Dhe do t’i ftoja që të gjithë së bashku siç kemi punuar këto 5-6 vjet të vazhdojmë e të punojmë të gjithë së bashku që ta ngrejnë shkollën shqiptare në nivele të larta bashkëkohore, sepse aty është e ardhmja e të gjithë artistëve shqiptarë. Unë nuk shoh ndonjë rrugë tjetër të krijimit të këtyre artistëve të rinj dhe mendoj se së bashku do t’ia arrijmë këtij qëllimi madhor. Në Akademinë e Arteve është pjesa më elitare e artit shqiptar, pasi ka artistë që kanë reputacion të madh në botë, ka artistë të cilët kanë dhënë rezultate shumë të mira edhe në pedagogji pasi studentët që kanë dalë nga dyert e kësaj Akademie sot punojnë jashtë shtetit në profesionit e tyre dhe studentët shqiptarë jashtë janë ndër të rrallët që kanë gjetur vende pune e punojnë jashtë në profesionin e tyre. Jam i bindur se shkolla jonë ka një të ardhme shumë të mirë dhe ne do ta vazhdojmë këtë gjë për edukimin e saj. Do të hidhja poshtë mendimin e ndonjë të brendshmi që mendon të mbyllë shkollën e ndonjë degë, pasi është një dashakeqësi e paramenduar.

- Cili është mesazhi juaj për këto zgjedhje?

- Të respektojmë deri në fund njëri tjetrin, por para së gjithash të vlerësojmë kontributin që kemi dhënë ne brenda atyre mureve me ata studentë dhe të mendohemi mirë kur të hedhim votën, të mendojmë të ardhmen e asaj shkolle dhe të mos mendojmë interesat personale të njërit apo tjetrit. Por të mendojmë që shkolla jonë e artit të arrijë në nivelin që e meriton, në nivelin e të gjithë atyre paraardhësve tanë që e kanë mbajtur skenën me mish e me shpirt e me atë idealizmin e tyre të përsosur.