E shtune, 20.04.2024, 02:52 AM (GMT+1)

Faleminderit

I PALODHURI

E diele, 22.08.2010, 07:37 PM


I PALODHURI

Portreti i Vasillaq Ndinit

 

Nga Luan Çipi

 

Vasillaq Ndinin e njoha qysh të ri, kur ai na falte kënaqësi të veçantë, tek e shihnim në fushën e futbollit, në pozicionin e sulmuesit, kur lëvizte aq bukur me topin, dredhonte dhe kalonte fare lirshëm, bënte sikur gjuante me të djathtën, duke mashtruar edhe portierin dhe pastaj me një shut bombë, e çonte me këmbën e majtë topin fuqishëm në trekëndësh, pikërisht aty ku lidhen traversat e kuadratit të portës. Dhe kjo nuk ishte rastësi, që ndodhte rrallë, po një përsosmëri e përsëritur me dhjetëra herë.

 

Vasillaq Ndini, ose Vaçi, siç i thërrisnin të gjithë, pasi mbaroi me rezultate të mira Shkollën e Mesme Financiare në Tiranë, që ishte vazhdimi i shkollës së dëgjuar “Tregtare” të Vlorës, dhe luajti futboll me “Partizanin” duke qënë në krah të futbollistëve të famshëm Loro Boriçit, Refik Resmjes dhe të Muharem Karanxhës dhe më pas, u kthye në Vlorë, ku sërish pati në krahë edhe si futbollistë figura emblematike për Shqiptarët, si poetin Fatos Arapi dhe kompozitorin akademik Tish Daija. Këtu, krahas punës si financier, në futboll përfaqësonte ekipin e “Flamurtarit” e më pas u bë trajner i ekipit të të rinjve të “Flamurtarit”, nga ku doli ai brez i talentuar futbollistësh, të kurorëzuar kampion kombëtar dhe që mundën disa ekipe me famë botërore si “Partizani” i Beogradit dhe “Barcelona” e Spanjës. Vasillaqi, më vonë, gjatë punës, vazhdoi dhe përfundoi edhe studimet e larta në Fakultetin Ekonomik të U.Sh. Tiranë.

Vasillaq Ndini ishte i biri i Stavro Ndinit, një pasanikut vlonjat, tregtar dhe pronar tokash në Novoselë të Vlorës, me origjinë nga Poliçani i Gjirokastrës dhe nip në fisin e Papallarëve, ndër me të kamurit e Vlorës. Vëllai i madh i Vasillaqit ishte administrator i një ferme të fuqishme në Mifol e më pas në Llakatund të Vlorës, ndërsa vëllai tjetër ishte Teli Ndini, dëshmori i parë i Vlorës, një nga antifashistët dhe atentatorët e parë në vend.

Vaçi ishte i suksesshëm dhe në punën e tij shtetërore, si financier, më pas shef llogarie në ndërmarrjen për shpim-kërkime në nafte dhe gaz, më në fund shef i financës në Komitetit Ekzekutiv të K.P. Rrethit Vlorë. Në këtë pozicion, që përplasej me interesa gjithfarësh, Vaçi, duke qenë rigoroz në kryerjen e detyrës, natyrisht, u ballafaqua dhe me njerëz të pa aftë, apo kundërvajtës, që nga ana e tyre, krijuan pakënaqësi e rezerva, duke pritur rastin e volitshëm për ta penguar apo ndëshkuar.

 

Ishte viti l975, kur gjëmonin thirrjet edhe në rrugët e Vlorës, të turmave entuziaste: ”Lini zyrat, burokratë, ejani me ne në fshat.” Vaçin e nisën për në Fermën e Llakatundit, për të filluar punë,  si shef finance. Në një mbledhje me kuadrot e fermës u lexua karakteristika e punës, ku jepeshin konsiderata për veprimtarinë politiko profesionale. Karakteristikat, më së shumti, i bënin në fshehtësi, persona të zyrave të kuadrit, caktuar për këtë qëllim, sipas porosive të udhëheqjes. Vaçi po dëgjonte me vëmendje, fërkonte duart dhe buzëqeshte i kënaqur. Mu drejtua mua, me zë të ulët:

   More, Luan! Po, unë kisha frikë se do na e nxinin punën tonë. Këta e paskan bërë vlerësimin, sikur ne të kemi shkëlqyer. Po, atëherë, pse s’na ngritën në përgjegjësi, po na prunë këtu, sikur të na kenë internuar? Me atë që dëgjova për veten, këta më kanë bërë një karakteristikë të denjë për të qenë ministër finance.

 Vasillaqit i krijonte mendja...Me t’u kthyer atë mbas ditë në Vlorë shkoi fill e në Komitetit e Partisë dhe kërkoi takim me sekretarin e parë, me të cilin  edhe njihej. Ai i shpjegoi atij, se në Fermën e Llakatundit ishte një vend vakant, i sapokrijuar, posti i nëndrejtorit. Me që karakteristikën, si e dëgjova, e kishit bërë të shkëlqyer, të denjë për ministër finance, pse mos të caktohem unë në atë detyrë, që është pak më e lart dhe ka nën vartësi edhe shefin e financës? Sekretari e miratoi menjëherë propozimin dhe Vasillaqi e nisi punën në Llakatund, jo si kryefinancier, por si drejtuesi numër dy. Në këtë pozicion edhe rrogën e kish më të lart dhe nuk do të rinte gjithë ditën në zyrë me llogaritje e shkresa, por do të lëvizte, siç ishte në natyrën e tij, duke kryer, njëkohësisht, më shumë punë operative dhe gjurmëlënëse.

Vasillaqi, si nëndrejtor i ndërmarrjes bujqësore shtetërore Llakatund, mori mbi vete të gjitha kompetencat e drejtimit të punëve administrative ekonomike e financiare, me “kartë të bardhë“ të dhënë  nga drejtori, Ejup Mita, i cili si burrë i zgjuar që ishte, në këto anë, u lehtësua shumë. Ai e nisi punën me forcimin e sektorit të ndërtimit. Me përpjekjet e tij direkt u rikujtuan dhe u takuan, një për një, të gjithë ata vlonjatë në rreth e në qendër, që kishin pozicione të favorshme, për të siguruar burime financiare për një sërë investimesh të programuara, si dhe për të gjetur materialet dhe bazën teknike të nevojshme. Vasillaqi shfrytëzoi mirë aftësitë e inxhinierit politeknik të ndërtim montimit, Feri Dishnica. Ferin familjarisht, e kishin syrgjynosur, si gjysmë të internuar, duke e hequr nga kryeqyteti, kinse për dyshimet politike e sociale.  Ai ishte një talent i vërtetë. Drejtim tjetër që u përdor ishin dhe burrat shumë të zotë të fisit dibran të Ndreajve, specialistë ndërtimi me shumë përvojë e dhunti gjithfarëshe. Edhe këta të internuar atje, u shfrytëzuan me sukses për realizimin e objekteve ndërtimore.

Objekti i parë ishte “Ura e varur mbi Shushicë” që u projektua me guxim nga inxhinier Dishnica. Ura ishte me gjatësi njëqind metër, ku do kalonin edhe makina të tonazhit të madh. Kjo urë ishte me mjaftë dobi ekonomike se bashkonte në një të vetme tokat e ndërmarrjes, midis sektorit të Qendrës dhe sektorëve Lubonjë e Selenicë. Shkurtoheshin rreth dhjetë kilometra rrugë. Për urën e varur, me vështirësi u siguruan litarë prej çeliku, që u gjetën në Fabrikën e Çimentos Vlorë, si dhe materiale të tjera e parafabrikate që më së shumti u prodhuan apo u përshtatën nga fantazisti Feri Dishnica dhe Ndreajt e mençur.

 Ta shihje Vaçin ato ditë në kantierin që gumëzhinte, nuk e njihje. Me një kashtore të madhe “meksikane” në kokë, me kanotiere e pantallona të shkurtra, ish futbollisti energjik, ishte i gatshëm për çdo punë dhe mbante lart entuziazmin e të gjithë pjesëmarrësve, që nuk pyesnin për orar pune, aq me tepër se çuditeshin me stilin e ri të punës, të drejtuesit të tyre, që dallonte dukshëm nga nëpunësit e mëparshëm memurë, që kishin pasur në krye. Po aty u ngritën dhe mensa dhe fjetoret provizore. Kishte deri furnizimi me pije freskuese nga njësitë ambulante të tregtisë. Nuk mungonin këngët e vallet, sipas një programi të posaçëm artistik. Vaçi, ish sportist i njohur dhe pjesëmarrës në shumë aksione vullnetare të rinisë, dallohej për një shpirt kolektivi dhe solidariteti të veçantë dhe atje, në LLakatund, bëri shkollën e një drejtuesi e organizatori. Kjo përvojë i vlejti shumë për gjithë jetën, në detyrat e tjera drejtuese, që iu ngarkuan.

Një tjetër vepër, që i mori shumë kohë, ishte zgjerimi dhe asfaltimi i rrugës Vlorë-Llakatund. Më parë Ferma lidhej me qytetin e Vlorës nëpërmjet rrugës automobilistike Sherisht-BishtLumi-Risili-FundBunavi-Llakatund. Rruga e re e shmangu Sherishtën dhe Bishtin e Lumit dhe kaloi direkt, nëpërmjet varrezave, te Qafa e Koçiut, përmes fshatit Risili, duke shkurtuar rreth dhjetë kilometra, pra sa gjysma e gjatësisë së mëparshme. Rruga, po nën drejtimin teknik të inxhinier Ferit, u bë me cilësi të mirë dhe i rezistoi gjatë viteve. Në këtë drejtim ndikoi dhe vënia e një dyshe punëtorësh me të gjitha pajisjet, deri në riasfaltim, që e mirëmbanin rrugën dhe riparonin menjëherë çdo gropëzim, sado të vogël. Për këtë punëtorët mirëmbajtës kishin dhe stimuj të përvitshëm. Jo vetëm ndërtimi i rrugës, por sidomos, mirëmbajtja e saj ishte një përvojë e madhe përgjithësuese, me efekt të dukshëm ekonomik. Edhe kur kjo rrugë nacionale iu dorëzua organeve përkatëse të Ministrisë së Transporteve, Vasillaqi mirëmbajtjen e saj e mbajti për llogari të fermës, duke faturuar çdo vit shpenzimet sipas një kuote të vendosur bashkërisht.

Shumë vepra ndërtuese u bënë dhe për ujësjellësit për ujë të pijshëm të disa fshatrave, vepra të tjera ujitëse, nëpërmjet disa puseve arteziane të shpuar nga ndërmarrja gjeologjike, me insistimin e Vaçit, në fushën ujëmbajtëse të Llakatundit, si dhe një kanal i madh ujitës në Bishan, që mori ujë nga lumi Vjosës dhe shtoj e përmirësoj sipërfaqen nën ujë të asaj zone.

Vasillaq Ndini me këto punë të suksesshme të kryera dhe me stilin e veçantë të drejtimit, brenda një kohe të shkurtër u bë i njohur nga çdo punëtor, madje çdo familjar i fermës në të shtatë fshatrat, që e formonin atë. Veç këtyre ai u ndodhej atyre pranë për ti ndihmuar në nevojë e hall, si për vizitë e shtrim në spital, për bursat e fëmijëve, për t’u siguruar pajisje shtëpiake, që merreshin me autorizim, e deri në fejesa e martesa, ndarje dhe evitim sheresh e mosmarrëveshjesh. Atë e dëgjonin dhe i kërkonin këshilla e mendime për ç’do gjë. Kudo ishte si pjesëtar familjeje.

Një ditë sekretari i partisë i organizatës së administratës, që quhej M. Q., i thotë Vaçit: -More, Vasillaq ! Me gjithë këto që bëre ti për këtë popull ne duhet të të ngremë monument! Po, besoj se ty nuk do të të lënë këtu, se je shumë i zoti. Do ikësh në Vlorë apo në Tiranë, po mua më vjen keq se për “Partinë” nuk mendove e nuk bëre, sa duhet.

-Po, deri sa kam bërë për popullin, kam bërë dhe për partinë, se ata janë të pandarë, i përgjigjet Vaçi, se e kuptoi ku i “rrihte” sekretarit.

-E kam llafin që nuk bëre një zyrë për mua, për sekretarin de, se s’ka kuptim që drejtori të jetë me zyrë komode dhe unë, që jam mbi të nga ana politike, të jem si në kolibe qensh.

-Po, mirë, o sekretar. Ti the se duhet të të ngrinim monument, po ti mua nuk më propozove të më jepnin asnjë dekoratë për të qenë. E lëmë kështu : Ti bëj propozimin për një urdhër pune të klasës së parë dhe unë të ndërtoj një zyrë komode po të klasës së parë. Si u la u bë. Vaçi e bëri shpejt zyrën, siç dinte t’i bënte punët ai, ndërsa dekorata atij i erdhi pak vonë, kur ishte transferuar në një punë me përgjegjësi në qytetin e Vlorës. Vasillaqit, “nuk i a hante qeni shkopin”.

Aty, në Llakatund, Vasillaqi, paksa i madh në moshë, mësoi dhe motoçikletën dhe pas kësaj nuk e mbante më vendi, por lëvizte e lëvizte, thuajse i erdhi, në pak vjet, disa herë rreth ekuatorit. Ç’është e vërteta, nuk qe e lehtë ta mësonte dhe shumë herë u rrëzua e disa herë u vra, po prapë ngrihej, derisa u bë një mjeshtër. Ai ishte me vullnet të çeliktë dhe skish gjë që mos ta mësonte.

            Vasillaqin shpejt e transferuan në qytetin e Vlorës dhe e emëruan drejtor të ndërmarrjes komunale  “Banesa”. Ishte Llakatundi që evidentoi vlerat e tij të drejtuese të një stili krejt të veçantë, që besoj se vinin nga tradita e tij familjare e stërlashtë, si njerëz të punës,  të sakrificës dhe të heroizmit. Ndërmarrja e tij e re, skish dyshim, brenda një kohe të shkurtër u bë më e mira në shkallë Republike, duke u zgjeruar, forcuar e modernizuar. Ai përsëri shfrytëzoi gjithë njerëzit e njohur, sidomos shpirtin dashamirës të vlonjatëve, që ishin me pozicione të dobishme në qendër, siguroi fonde investimesh dhe e transformoi qytetin e Vlorës, duke e nxjerrë në krye të sistemit komunal dhe ndërtimor. Rreth tij ai grumbulloi njerëz të punës, duke mos pyetur shumë për origjinën sociale dhe politike, të cilët i përkrahte dhe i mbështeste, për çdo gjë. Ishte i vetmi drejtor, që emër për emër, për të gjithë nëpunësit e deri punëtorët e vetë, kishte listën e tyre me datëlindje e të dhënat e nevojshme dhe i surprizonte ata me shpërblime apo ceremoni festive, në raste datëlindjesh jubilare, apo për ngjarje të tjera të rëndësishme.

 

Një gjë synoi gjithë jetën, por nuk e realizoi dot Vasillaqi. Shumë vlonjatë, po ai mbi të gjithë, kishin një kujtim dhe një respekt të jashtëzakonshëm për Teli Ndinin, antifashistin, atentatorin e guximshëm dhe dëshmorin e parë të Vlorës. Pse ai, i pari në veprimtarinë  sportive të qytetit dhe trimi, që ishte në ballë të trimave, deri sa e dha jetën aq heroikisht, në luftë të pabarabartë me dhjetëra milicë e xhandarë, mos të shpallej hero i popullit?

 Edhe ndaj luftëtarëve të këtyre përmasave, që historia i nxori mbi klasat, disa hasetçi, bastardë, zhvillonin “luftën e klasave”? Po hero i vërtetë do të ishte Teli Ndini nga vlerësim i popullit që e pa, e dëgjoi dhe e ndjeu dhe jo nga këndvështrimi i zbatharakëve pa vlerë, shtrembërues të fakteve historike. Sidoqoftë kjo është një çështje tjetër, që unë sa e ceka, për të ”nxjerr një dert”. Koha do ta vendos historinë në vendin e vet.

Vasillaq Ndini, i palodhuri, tani mbi 80 vjeç, jeton i gëzuar, me gruan e tij Shkodrane dhe fëmijët, nipat e mbesat e tij, sa në Vlorë dhe në Tiranë, duke e kaluar kohën, më së shumti në gjyqet e mërzitshme pa fund për rikthim pronash, por dhe në shoqëri të këndshme me shokët e tij vlonjatë.

 

Lexues të nderuar!

Duke rishikuar portretin e Vasillaq Ndinit, jam përpjekur, pa pretenduar se kam arritur nivelin e dëshiruar, t’u paraqes sa kam ditur për jetën e tij.

Ju lutem ta soditni atë me vëmendjen që meriton dhe ta njihni e ta vlerësoni për kontributin e tij të shquar, si të palodhur gjithë jetës së tij të gjatë, në kërkim të mirësisë, bukurisë dhe njerëzores. Unë, që pretendoj se e kam njohur gjatë dhe nga afër, e vlerësoj shumë atë dhe deklaroj pa ndrojtje, duke thënë se heronjtë e shkrimeve tona i kemi midis nesh. Ata duhet ti zbulojmë, vlerësojmë dhe respektojmë, derisa i kemi gjallë dhe t’u shprehim  nderim e mirënjohje të thellë.

 

Shënim:Rishikuar në gusht 2010

 



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora