E marte, 23.04.2024, 10:03 AM (GMT+1)

Editorial

Mërgim Korça: Figura madhore e Hirësisë Tij, Peshkop Iriné Banushit

E marte, 11.12.2007, 11:29 PM


Figura madhore e Hirësisë Tij, Peshkop Iriné Banushit
 
Shkruar nga: Mërgim Korça
 

Mërgim Korça
Pa asnjë mëdyshje, figura e Hirësisë Tij Peshkop Iriné Banushit, radhitet ndër ato më të shquarat të klerikëve shqiptarë që u persekutuan nga diktatura e egër komuniste. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe me të sepse ai kurrë nuk u lëkund në bindjet e tija, cilatdó të ishin rrethanat. Parimi i Tij, siç e shprehte vetë, kishte qenë gjithmonë të kish për bazë Shkrimin e Shënjtë, mos shkeljen e dogmave të Kishës Orthodhokse Autoqefale, zbatimin e Kanoneve të Shënjta dhe urdhërat e Sinodhit të Kishës si edhe t’u bindej ligjeve të shtetit, sa kohë që ato të mos e dëmtonin Institutin e Shënjtë të jetës kombëtare. Duke qenë se qëndrimet e Tija janë karakterizuar gjithmonë si koherente me bindjet e Tija, nuk ka asgjë për t’u çuditur që atë e persekutoi si okupatori e gjithashtu edhe diktatura komuniste.
Lidhur me botën e larmishme shpirtërore si edhe episode nga jeta e Hirësisë Tij Iriné Banushit është shkruar edhe herë të tjera. Me këtë shkrim dëshiroj t’i paraqes lexuesit disa kujtime personale nga diskutime me Imzot Irinéun lidhur me pikëpamje të Tija, disa prej të cilave kundruar në mënyrë prapavështruese e disa edhe parashikuese, nga vetë Ai. Në të tilla diskutime Ai gjithnjë theksonte dhe nuk pushonte së përsërituri se …jeta më ka mësue mos me kênë kurr kategorik në interpretim periudhash kohore, ndodhíshë, ose edhe veprimesh personash të ndryshëm. Shpesh më tokon me dhânë sot interpretime tânsisht të kundërta me ato që kam pasë dhânë dhetna vjet të shkueme për të njajtat rrethana e po të njajtët persona, megjithse asnji fakt i ri nuk e ka pasunue rrethin e njohunive të mija për ta.
E theksonte gjithmonë se për popullin si edhe kombin tonë themelimi i shtetit zyrtar shqiptar kishte krijuar probleme sa të reja aq edhe të ndërlikuara. Por këto nuk ishin asgjë të krahasuara me problemet që lindën mbas okupimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Ai vetë në atë kohë ishte shquar aq shumë me qëndrimin e Tij anti-italian sa që e burgosën dhe e internuan në fshatin e humbur Redodensco të krahinës së Mantovas në Itali prej nga e liruan vetëm mbas një viti, si pasojë e ndërhyrjes që bëri Kryepeshkopi i Kishës Orthodhokse Autoqefale Shqiptare, Hirësia e Tij Imzot Kristofor Kissi, tek Mëkëmbësi i Mbretit, Francesko Jakomoni. Mbas lirimit, me funksjonet që kishte, Imzot Irinéu u shqua për ndërhyrjet e Tija në favor të të arrestuarve antifashistë, diku në saje të miqësisë dhe kontakteve personale me personalitete drejtuese të kohës e diku edhe në saje të pozitës si Peshkop. Ky është pikërisht ai çast të cilin Imzot Irinéu e quante shumë delikat për fatet e Shqipërisë. Vetë gjëndja ndërkombëtare ishte tejet e ndërlikuar. Normalisht, theksonte Hirësia e Tij, ne na leverdiste të ishim të lidhun me Aleatët, si kundërshtarë të Boshtit. Por, nga ana tjetër, Aleatët ishin të lidhun me Bashkimin Sovietik, shtet thellsisht komunist e pra me parime antifetare, gjâ e cilla në perspektivën e largët mujte me u bâ shum e rrezikshme për vêndin tonë, ashtu edhe si u bâ. Kjo gjêndje e pakjartë ishte arsyeja që nji pjesë e madhe e rinisë si edhe e popullit t’a përkrahte Lëvizjen Nacional Çlirimtare Shqiptare, pa e vûe në kandar se mbrapa saj veprote Partia Komuniste pjellë e Dushan Mugoshës e Vukmanoviç Tempos me shokë. E në kët mes u lidhën me LNÇl edhe elementë që kurr nuk kishin me u pasë lidhë me tê, tue fillue prej profesor Gjergj Kokoshit, mik i êmi shum i mirë, Gjovalin Lukës, intelektual përparimtar dhe pinjuell familjeje të pasun, Riza Danit, intelektual si edhe fetar i shkolluem edhe i kamun e që kurrgjâ të përbashkët nuk kishte me komunizmin, e sa e sa të tjerë.   Në këtë kontekst Imzot Irinéu, duke e diskutuar situatën e atëherëshme ku ruajtja e orientimit politik ishte në ato kushte të posaçme shumë e vështirë, tregonte se edhe vetë Qemal Stafa, të cilin Hirësia e Tij e kishte shok fëmijërie, i enthuziazmuem prej Manifestit Komunist u bâ themelues i partisë komuniste edhe i Luftës Nacional Çlirimtare. Por, vazhdonte Imzot Irinéu, jam i bindun si buka që i madhnueshmi Zot më nep t’a ha, se të kishte kênë gjallë Qemali, shum heret mbasi komunistët e morën në dorë pushtetin, atê (Qemalin) do t’a kishin eliminue, mos me thânë se edhe në pêsë maj njimij’e nândëqind’e katërdhet’e dy ata vetë dekonspiruen e si rezultat u vra Qemali ! ( Me këtë rast i tregova edhe unë Hirësisë Tij një kujtim timin rreth një fakti shumë kuptimplotë që hedh dritë dhe ka lidhje se si u vra Q.Stafa, por që në shkrimin aktual del nga tema të zgjeruarët rreth kësaj pike ). Ai, mbas një heshtjeje të gjatë, kur filloi të flasë në fillim m’u duk se lajthiti po pastaj dora dorës e kuptova se ku e kishte pikësynimin : Mareshalin Petain, heroin françes të Vishís së 1918-ës, të tânë e quejtën tradhtar në 1941, e bashkë me “të tânë” edhe un i nenshkruemi Iriné Banushi. Kurse sot mbas 30 vjetësh, pa pasë ndryshue asnji fakt apo rrethanë, rri e mendoj : Shka bâni Petaini ? Kur gjermani e pushtoi të tânë Francën, ai s’paku muejti me i shkëputë prej duersh Hitlerit tri të pêstat e saja e me i administrue vetë. Nga ana tjetër ai e zavendësoi parullën e revolucionit françes lirí, barazí e vllaznim me punë, familje e atdhé ! Pra ai u mundue me ia hapë sytë popullit mos me u hjedhë në aksjone të çmenduna ala kamikaxe por edhe pa e harrue Francën. Kurse politika e tij e bazueme në attentisme ( të presim e të shiqojmë ), e gjykueme sot më duket mâ racionalja që muejte me kênë për interesa komtare t’Francës. Mbas një heshtjeje të shkurtër shtoi : A nuk âsht dhunim kujtimi, kâmb’e krye i padrejtë, me futë në të njajtin kallep patriotin e flaktë e heroin komtar françes Mareshalin Petain, tue e krahasue me të dekunin për kolltuk, norvegjezin Vidcun Quisling ? Mbas shumë diskutimesh rreth kësaj teme, veç kur Imzot Irinéu e mbylli bisedën me pohimin Ah, sa kisha me dishrue e nuk e dij se shka kisha me dhânë me muejtë me lexue kujtimet e Galeazzo Cianos, (ministri i jashtëm i Italisë fashiste si edhe dhëndër i Mussolinit ), e gjithashtu ato të Francesco Jakomonit, (Mëkëmbës i Mbretit), se kam marrë vesh që janë botue në Itali e shum rrethana e situata të ndodhuna në Shqypni kishim me i shikjue në dritë krejt të re. Në vijim të kësaj hullije Imzot Irinéu shprehte mllefin e tij kundra akuzave të pathemelta në bazë të cilave qenë dënuar patriotë dhe intelektualë nga më të shquarit shqiptarë nga regjimi komunist. Nuk ka se si t’a harroj pyetjen e Tij të mirëfilltë retorike : A ka se si me u quejt tradhtar e me u pushkatue si i tillë Patër Anton Harapi, nxânës i të cilit kam pasë nderin me kênë vetë e si rrjedhojë e dij mirfilli se sa atdhetar ishte i ndjemi ? Ai as për pushtet kish lakmí e as për pasuní, sepse edhe mbasi u emnue Regjent, vetë e kam tokue atje ku ka pasë qelën e vet e jetote në Kuvêndin Françeskan e hate e pite në mensën e Kuvêndit me bashkëvllaznit e tij, e shka âsht edhe mâ e madhja, ai as rrogë si Regjent nuk pranoi të merrte. Funksjonin ai e pranoi, siç e pat thânë në fjalimin e tij të famshëm të parë paraqitës, vetëm për hírë të s’mirës Shqypnisë me i dalë zot asaj sadopak !
Në një rast ishim të ftuar për darkë tek familia Sylari në Lushnje, familie që e ka pritur e përcjellë Hirësinë e Tij Irinéun me shumë respekt e dashuri në kohën kur të afërm të tij i largoheshin. Për t’a ngacmuar i them se kisha dëgjuar se ai kishte qenë bashkëpuntor i afërt i Paisi Vodicës. Hirësia e Tij më shikoi me ata sy të kaltërt e të ëmbël që kish, buzëqeshi se e kuptoi që desha të bëja humor dhe m’u përgjigj : Edhe un, domosdo jo në livelin e Patër Antonit me shokë, jam detyrue me i thânë herë mas here derrit dajë. Kur u bâ mbledhja e Sinodhit të Kishës me shkarkue Kryepeshkopin Kristofor Kissin e me emnue në vêndin e tij nji farë Paisi Vodica, as Kristofor Kissi nuk u thirr me bâ apologjinë e tij e as un nuk u thirra prej Sinodhit. Pra nji Sinodh, pa pasun prezent tre peshkopë, në bazë Kanoneve të Kishës, ishte jo legjitim. Ata me urdhën qeverije shkarkuen Imzot Kissin dhe emnuene nji ish partizan që kish luftue me armë në dorë, Paisi Vodicën !(?) Lêne mandej faktin se ky i fundit ishte krejtësisht injorant e pa pregaditje teorike fetare e për mâ tepër edhe i martuem ! Po kur erdhi puna e dojshin me kanonizue peshkopë të rij, e un nuk dojshem me u përdorë si vegël e pushtetit komunist, gjeta rrfânën ( sebepin ) dhe u thashë se me bâ nji gjâ të tillë mund të shkojshim me Paisi Vodicën në Moskë, ( me gjithë se un nuk kisha marrë pjesë në hirotonisjen e tij si Episkop ), me u marrë vesht a mund t’u shkelshin Kanonet Kishtare. Kështu me nji gur vrava dy zogj : Paisi e pa se ai nuk mund të hirotoniste Episkopë jashtë rregullave kanonike e qeveria e kuptoi se unë isha i sigurtë se Kisha e Moskës nuk do t’a lejote nji gjâ kësisoji. Gjithashtu jam detyrue e kam përpunue statutin e ri të kishës të hartuem prej komisionit që ishte caktue me kët detyrë, sepse qeveria kërkote ndryshime në kishë. E pranova këtë detyrë tue u mundue me zgjedhë midis shum të këqijave mâ të voglat.
Udhëtoja një ditë me tren për në Tiranë e bashkë me mua edhe Imzot Irinéu. Ai shkonte të takonte mikun e Tij të ngushtë Dhimitër Bedulin, të cilin kurrë nuk e hiqte nga goja si njerin nga njerëzit e Tij më të dashur. Ishte një nga periudhat kur lufta e kllasave, siç e kishte qejf t’a shqiptonte diktatori, e cila paraqitej me kulme edhe cektësira, ashpërsime edhe zbutje, po dukej sikur i drejtohej një zbatice. Në bisedë e sipër i them Imzot Irinéut se mbase i mbushesh mëndja diktatorit të hiqte dorë nga ai mallkim që e kishte gjetur popullin tonë e që ia kishin vënë emrin luftë klasash. Ndonëse kanë kaluar mbi tridhjetë vite nga ajo ditë, kurrë nuk kam se si t’a harroj reagimin e Imzot Irinéut : Ndigjo këtu, më tha, si të tâna diktaturat edhe kjo e jona nuk ka se si me bâ përjashtim. Fillimisht Enver Hoxha filloi tue zhdukë çiltas kundërshtarët e komunizmit e mshehtas ata shokë të tij që ai mendonte se mund t’i bâjshin hije në kohë t’ardhshme. Kur e muerr pushtetin, me i bâ me u dridhë edhe shokët e tij mâ besnikë, ( që t’a kuptojshin ata se ai nuk bânte lojna ), u diftue i pamëshirshëm tue vra bash burrin e motrës tij që e kishte mbajtë e strehue si edhe shokë e miq të tij të afërt.  Mbasi kaloi edhe kjo fazë, filloi me dënue zyrtarisht, mbasi ua nënshtrote torturave prej mâ shnjerzoreve, bash xêvendësa e bashkpuntorë t’vet e ndokênd e shtyni me bâ edhe vetvrasje.   E tash, n’kët fazë të krimit që ai ka mrrijtë, friga prej hijes tij nuk ia ndalon mâ dorën e ai veç se thellë e mâ thellë ka m’ e vazhdue dhunën tue e ngushtue gjithmonë e mâ shum rrethin ndër bashkëpuntorët e tij mâ të afërt ! Prandej as mos mendo se lufta e klasave mund të fashitet ( zbutet ) prej tij, por ajo tash ka me ardhë e me u bâ edhe mâ e tmerrshme deri n’dekë të tij ! E prandej mjer ky popull se shka ka me pa mâ gjatë. Mbas këtij pohimi, ra heshtja. Heshtje e gjatë. Imzot Irinéu më shikonte në sy por mëndja e Tij tashmë diku larg fluturonte. Dëgjohej vetëm trokëllima monotone e rrotave të vagonave tek kalonin nëpër bashkimet e shinave. Kur ritmi i tyre erdhi duke u rralluar dhe treni, mbas disa shkundjeve sa para prapa ndaloi në një stacion, dy fshatarë erdhën dhe u ulën në vëndet boshe që secili prej nesh kishte përbrinjë. Me kaq u duk se biseda jonë, së paku derisa të zbrisnin dy bashkudhëtarët tanë, u mbyll. Kur do ti që fshatarëve ua pati ëndja të ndërronin vënd e të uleshin në ndenjëse të tjera pranë dritares. Pa na përshëndetur u larguan. Dhe Imzot Irinéu, sikur zbriti nga qielli në realitet, pak a shumë vazhdoi : Virtytet e mija janë shum modeste e prandej të tânë këta vjet vetëm me lutje Jesuit kam muejtë me e mposhtë impulsin t’ êm njerzor që m’ka shtye me u revoltue ndaj t’kqijave e krimeve që kanë krye besnikët e dejun t’diktaturës. Se vetë Zoti Krisht na mëson se misioni jonë âsht me ua shpëtue shpirtin mëkatnorve e me i bâ të dêjë për Mbretnín e Qiellit. Në këtë kohë treni si me ngulç po jepte shënjat se stacioni fundor Tirana, ishte pranë e pra se edhe biseda me Imzot Irinéun, mori fund edhe për atë ditë. U ndamë me të në tren që mos të binim në sy. Zbriti Ai dhe u përzie me turmën e njerëzve ku disa shkonin e disa vinin të hipnin në tren. E ndoqa me sy për një kohë të gjatë borsalinën e Tij të zezë që mes lëkundjesh sa djathtas e sa majtas ikte përpara, dhe mendoja : Sa i zakonshëm mes të zakonëshmve dukej Ai. Kurse në fakt mënçuría e Tij si edhe dituría e pa anë e fund e Tija, nuk ishin asgjë përpara madhështísë si edhe forcës së karakterit të Tij. Ai dijti të vuajë, dijti të qëndrojë, dhe ç’është më e madhja, di edhe të falë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora