Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Salih Çeka, misionar i ndërgjegjjes kombëtare

| E diele, 15.08.2010, 09:58 PM |


Salih Çeka, misionar i ndërgjegjjes kombëtare

Nga Pëllumb Gorica

Salih Çeka ishte një misionar i ndërgjegjjes kombëtare të popullit shqiptar për dije e arsim, atdhetar e demokrat revolucionar, publiçist e mendimtar i kohës së tij në Shqipëri në vitet 1912-1924. Salih Çeka u shqua në përpjekjet për arsimin e popullit, për mendimet e tij përparimtare. Veçanërisht aktiv u tregua në Kryengritjen e Qershorit 1924. Ka qenë edhe përfaqësuesi i popullit të krahinave Sulovë e Dumre në Kongresin Historik të Lushnjës në 1920.

Lindi më 20 gusht 1892 në Filat të Çamërisë në një familje të njohur atdhetare. Në qytetin e lindjes mbaroi shkollën fillore me mësues Qamil Çani. Që në bankat e shollës fillore u edukua nga mësusit e tij me ndjenja patriotike. “Salih Çeka nuk do ta harronte gjithë jetën mësuesin e tij të parë”, (Sulë Dedej “Salih Çeka”, faqe 8, viti 1989) Arsimin e mesëm e mori në shkollën Idadije të Janinës. Merr pjesë në aktivitete të ndryshme që organizoheshin nga klubi “Bashkimi” në Janinë dhe shkolla Idadije. Ndërkohë në klubin “Bashkimi të Janinës ndiqte mësimet shqip. “Së bashku me të tjerë djem që vazhdonin mësimet vuri në skenë dhe e shfaqën dramën “Besa”të Sami Frashërit me gjithë presionet mbi disa të rinj, pjestarë që u larguan.”(Gazeta “Zgjimi i Shqipërisë”, Janinë më 28 shtator 1908). Gazeta të tjera kanë shkruar për shfaqjen dhe suksesin e kësaj drame si “Dielli” në Boston, e 5 nëndorit 1909 dhe Korça e 8 prillit 1910. Më 28 qershor 1910 mbaron mësimet në shkollën Idadije të Janinës.

 

Kontributi në arsim

 

Pas shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë e krijimit të Qeverisë së Përkohshme shkon në Vlorë. Takimi me Luigj Gurakuqin i la mbresa. Ndërkohë Qeveria e Përkohshme  e Vlorës i dha një përparsi në zonat ku shtrihej, çështjes së shkollës e arsimit shqip. Në Vlorë, Salih Çeka aktivizohet në pregatitjen e mësuesëve. Por karrierën e vërtet si mësues e filloi në Normalen e Elbasanit, ku Salih Çeka dha ndihmesën e madhe për pregatitjen e shpejtë petagogjike të mësuesëve me gjithë vështirësitë me tekste, mjete didaktike. Ngjarjet e kryengritjes fshatare të Shqipërisë së mesme e mbyllën Normalen e Elbasanit. Lufta e Parë Botërore solli një tjetër situatë të pafavorshme. “Në vitin 1916 punon si mësues i thjeshtë i gjuhës shqipe në Durrës e më pas drejtor e inspektor arsimi në Berat” (Arkivi Qëndror Shqiptar, materiale dokumentare, viti 1917, dosja nr 4.) Pas një viti me ndërhyrjen e Luigj Gurakuqit për aftësitë e veçanta në fushën e arsimit emërohet mësues në Normalen e Elbasanit, për organizimin e një kursi për pregatitjen e mësuesëve së bashku me Aleksandër Xhuvanin, Simon Shuteriqin etj. dhe së bashku me pionerë të tjerë të arsimit  Spiro Kondon, Hysni Babameton, Gasper Bertojën, Kol Kasmin ka meritën e vendosjes së një sistemi të ri të shkollave shqipe në vitet 1920. Shkolla shqipe atëherë kishte nevojë për tekste mësimore. Salih Çeka do të jap kontributin e tij modest. “Hartoi tekste, programe e projektligje për arsimin se si duhet të funksionoj. Botoi në Elbasan tekstin “Këndimi i shpejt i shpjegueshëm”, për shkollat fillore etj Arkivi Qëndror Shqiptar, Fondi i Minstrisë së Arsimit, viti 1923, dosja 29). Gjithashtu, në këto vite plot ngjarje e veprimtari të dendur atdhetare ai ishte një nga inisiatorët e kongreseve arsimore që u zhvilluan në 22 korrik 1922 dhe  12 gusht 1924. Sipas dukumentave të hulumtuara vërejmë se herë pas here Salih Çeka  informonte Ministrin e Arsimit për kërkesat e masat që duhen marrë për arsimin.(Arkivi Qëndror Shqiptar. Fondi i Ministrisë së Arsimit, dosja D, nr 6.) Si inspektor i përgjithshëm i arsimit në vitet 1923-1924 i kërkon këshillit të Ministrave të hapen 110 shkolla të reja në gjithë vendin(Arkivi Qëndror Shqiptar. Fondi 295, dosja 25.)

Merita e tij është edhe në hapjen e shkollave të tjera të mesme në Shqipëri, që ai i quante “shtëpi të edukatës e vllazërisë”.

 

Lidhja me gazetat

 

Që në vitet 1908-1910, në bangat e shkollës Idadje të Janinës dërgon plot shkrime në gazetat e e kohës. Sidomos në gazetat: “Korça” që dilte në Korçë dhe “Bashkimi i Kombit”, që dilte në Manastir me pseudonimin Salih Filati. Shkrime këto të karakterit kombëtar. Me këto shkrime tregoi pjekurin e moshës. Denonconte veprimtarinë e shovinistëve grekë dhe pushtuesëve turq kundër çështjes kombëtare, për arsimin e fëmijëve në gjuhën shqipe. Me vajtjen në Vlorë më 1913 në kohën kur punonte në pregatitjen e mësuesëve, nuk u mjaftua me këtë detyrë profesionale, por vazhdoi të shkruante në gazeta të tjera. Në “Përlindja e Shqypnisë”, gazetë e qeverisë së Përkohshme të Vlorës ngriti problemin e cënimit të pavarsisë kombëtare nga synimet grabitqare të fqinjëve dhe turbullirave që sillnin elementët vendas kundër Qeverisë së  Përkohshme të Vlorës.

Ndërkohë, në Elbasan, Salih Çeka nuk e kufizoi veprimtarinë e vet brenda shkollës Normale, por ra në kontakt me dhjetra atdhetarë elbasanas e të tjerë që punonin aty si: Aleksandër Xhuvanin, Filip Papajanin, Vasil Llapushin, Dervish  Himën, Ahmet Gashin, Thanas Floqin, Peter Dodbibën etj dhe së bashku krijuan rrethin letrar: “Qarku letrar i Elbasanit”. Në rregulloren e krijimit thuhej: “Qëllimi i këtij rrethi është zhvillimi i letërsisë shqipe, e njoftëmja ma e mirë e dialektit të Elbasanit,  e përhapmja e qytetërimit ke populli, tyke botumun: a) libra shkollorë ... ;b) një të përkohshme letrare emnit “Kopshti Letrar”; c) nji gazetë emnit “Shkumbini”, d) tyke ngrefë një biblotekë; dh) tyke  nisun të ngrehmen e nji muzeumi të vogël... . (Revista “Kopshti letrar” Elbasan, nr 1, viti 1919.)

Ngjarjeve të rëndësishme politike në Elbasan iu bën promotorr hapjet e disa gazetave :  “Shkumbini” “Ura e Shkumbinit, “Elbasani”, “Ku vemi”. “Me përjashtim të gazetës “Elbasani” që subvencionohej nga Shefqet Vërlaci gazetat e tjera drejtoheshin nga atdhetarë, demaskonin rendin feudal, qeveritë me tendenca diktatoriale antipopullore...” thekson në studimet e tij studiusi elbasanas Sulë Dedej. Në këtë luftë demaskuese rol luajti edhe gazeta “Ku vemi” e drejtuar nga Salih Çeka nga numri i parë deri 20, kur ajo u mbyll në fund të vitit 1924. Gazeta doli në një periudhë kritike ngjarjesh në Shqipëri, zhvilloi një luftë të ashpër e pa kompromis ndaj feudalëve, qeverisë. Në rubrikat e saj gazeta trajtoi problemet e bashkimit të kombit dhe ruajtjen e pavarsisë së Atdheut, për situatën shqetsuese që diktonte gjendja politiko-shoqërore e ekonomike e vendit, gjëndjen e keqe ekonomike në fshat, injorancën etj. Sali Çeka sigurisht demostroi në shkrime këndvështimin e tij politik, prirjen e hapur demikratike, mendimin përparimtar të kohës. Rubrika më e pëlqyeshme “Sqima e plakës” simbolizoi mençurinë e popullit.

Hapi dhe drejtoi “Revistën Petagogjike”.

 

Aktiviteti patriotik

 

Në vitet 192O-1923 në Elbasan u krijua një situatë  e rëndësishme politike dhe ndodhin shumë ngjarje politike si askund në Shqipëri. Salih Çeka ishte në krahun më përparimtar të këtyre ngjarjeve. Nga trazirat e mëdha që ndodhën në mbarim të Luftës së Parë Botërore, patriotët e vërtetë shqiptar për t’u bërë ballë copëtimit të vendit nga fuqitë e mëdha diktuan nevojën e bashkimit të mbarë popullit e kjo u arrit me Kongresin e Lushnjës në janar 1920.  “Nga krahu përparimtar në Elbasan fitoi të drejtën për të marrë pjesë si delegat edhe Salih Çeka si përfaqësues i Dumresë dhe Sulovës (“Arkivi Qëndror Shqiptar, Kongresi i Lushnjës, dosja 12, 1920, faqe 2). “Për të mbrojtur Kongresin e Lushnjës njerëzit e armatosur u grumbulluan nga krahina e Sulovës dhe Dumresë, pikërisht nga këto zona ku ishte caktuar si delegat Sali Çeka”, shkruan Sulë Dedej në monografinë “Sali Çeka”, faqe 32. Kongresi ishte ngjarja më e ndjeshme e kohës, me rëndësi në historinë e popullit tonë pas ngritjes së flamurit në Vlorë. Me mendimet e tij ai i përkiste krahut më revolucionar të delegatëve. Pas kongresit ai bëhet pjesë e strukturave të shtetit në fillim si kryesekretar kabineti të qeverisë së kryesuar nga Sulejman Delvina dhe “pas një viti me dekret të Këshillit të Naltë Shtetnor drejtor i Normales së Elbasanit” (Dekreti i datës 1, 12 1921 Arkivi Qëndror Shqiptar). Më pas kryeinspektor i arsimit në prefekturën e Elbasanit dhe inspektor i përgjithshëm në Ministrin e Arsimit me dekretin nr 14 datë 29 1 1923.

Në Elbasan në këto vite vepronin disa grupe politike. Grupi i Pleqësisë që përfaqësonte shtresat e feudalëve me drejtues Shefqet Vërlacin. Grupi popullor që shprehte interesat e borgjezisë së re dhe intelektualëve. Por u krijua edhe grupi “As i pashës as i beut”  ishte kjo periudhë kur Salih Çeka luajti një rol të dorës së parë në grupin As i pashës as i beut”. Ky grup me programin e tij iu kundërvu rendit feudal dhe gjendjes kritike në vend.

Salih Çeka mori pjesë aktive në pregatitjen e Kryengritjes së Qershorit 1924. Pas dështimit të  kësaj kryengritje, duke qënë një kundërshtar i regjimit zogist, që erdhi në pushtet, Salih Çeka ishte ndër të parët që e ndjeu kërcënimin që i bëhej. Shumë antarë të qeverisë, patriotë përparimtar u larguan të arratisur jashtë atdheut. Salih Çeka nuk u largua. Nuk donte të linte vetëm familjen e tij, gruan e vajzat e vogla, kjo ndoshta është edhe një nga arsyet kryesore.

 

Vrasja

 

Një ditë fund janari të vitit 1925  e arrestuan xhandarët e regjimit. Dhe ditë mës më 1 shkurt nuk dihet për ç’arsye e nisën në Berat. Në fshatin Selvias të krahinës së Sulovës, në të perënduar të diellit e vranë. Me keqardhje të thellë banorët e kësaj krahine e varrosen në atë vend ku sot gjendet një lapidar i thjeshtë me pllakën përkujtimore të shkatërruar. Vrasja e tij u krye si shumë vrasje të tjera të regjimit të Zogut ndaj kundërshtarëve e mbështetësve të Kryengritjes së Qershorit 1924.

Grupi artistik i fshatit Mollas në rrethin e Elbasanit, në vitin 1965 i kushtoi një këngë, të shkruar nga Shire Zavalani: Në vitin njëzet e pesë/Sali Çekë medet, medet/ ish mësues i vërtetë/ti punoje natë e ditë/që ti jepje popullit dritë/...në Sulovë të dërguan/ xhandarët të pushkatuan/popullin e hidhëruan/ai kurrë s’të harron/edhe sot ty të kujton.

 

Vlersimi

 

Është fakt që figura  e Salih Çekës, jeta, vepra dhe aktiviteti i tij patriotik në arsim, publiçistikë e në jetën kulturore  të vendit është vlersuar. Më 7 mars 1961 eshtrat e tij u vendosën me cermoni në varrezat dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare në qytetin e Elbasanit. Presidiumi i atëhershëm i Kuvendit Popullor më 1 mars  të vitit 1961 i dha titullin “Mësues i Popullit” me motivacionin “Për merita të shquara në përpjekjet për pavarsinë e atdheut dhe për punë të palodhur në përhapjen e gjuhës amtare dhe të zgjerimit të shkollës shqipe.” gjithashtu dhe Urdhërin e Lirisë së Klasit III me motivacionin: “Për shërbime të vlefshme patriotike dhe besnikëri të patundur që ka treguar në luftrat që ka bërë populli ynë për sigurimin e lirisë, të indipedencës dhe sovranitetit të atdheut”. Një shkollë e mesme profesionale në Elbasan mban emrin e tij. Për Salih Çekën janë shkruajtur dhjetra artikuj përkujtimor e shkrime studimore në gazeta, revista, libra historikë, monografi, enciklopedi, etj.  Gjithashtu gazeta  “Ku vemi” që ai hapi e drejtoi  në Elbasan disa vite para 90 vjetësh u botua për disa vite me radhë në qytetin e Elbasanit.