Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhemaledin Salihu: Situata në Preshevë më 1948 dhe kërkesa e shqiptarëve për bashkim

| E diele, 15.08.2010, 09:58 PM |


SITUATA POLITIKE NE PRESHEVE ME 1948 DHE KERKESA E SHQIPTAREVE PER BASHKIM ME KOSOVEN DHE SHQIPERINE

 

Shkruan: Xhemaledin Salihu

 

Presheva, gjithmonë mori pjesë në Lëvizjet politike, kulturore e patriotike mbarë kombëtare. Andaj, për ta shqyrtuar situatën politike në Preshevë e rajon gjatë vitit 1948 dhe lindjen e kërkesës së Shqiptarëve të Preshevës për bashkim me Kosovën dhe Shqipërinë, së pari duhet të shkruajmë për situatën politike në ish-Jugosllavinë socialiste dhe më gjërë në botë.

 

Situata politike në Preshevë e rajon ndërronte sipas situatës politike në botë dhe në ish Jugosllavine socialiste. Themelimi i Inforbyrosë komuniste ishte vazhdim i Kominternesë, e cila u shua më 1943. Inforbyro u themelua si baraspeshë e botës perëndimore-demokratike. Blloku socialist kërkonte mënyra se si përsëri të bashkojë botën socialiste.

 

Inforbyroa komuniste pati 3 etapa : etapa e parë : 1947-1948 ishte etapë e përforcimit të shteteve socialiste, e dyta : 1947-1953 ishte etapa kur Informyro e luftoi PKJ, e cila nuk hyri në këtë aleancë dhe e treta : 1953-1956 etapa e shkatërrimit të Inforbyrosë.

Në këtë aleancë hyri Shqipëria sëbashku me shtetet të tjera socialiste, ndërsa jashtë saj mbeti Jugosllavia. Për këtë arsye Inforbyroa komuniste në Bukuresht më 1948 nxorri Rezolutën e Inforbyrosë, e cila më shumë ishte drejtuar kundër Jugosllavisë socialiste.

 

Askush nga anëtarët e PKJ në Preshevë haptas nuk ishin deklaruar kundër kësaj Rezolute, as në mbledhjet partiake, as  jashtë tyre, por në  mënyrë të mësheftë kundër saj deklaroshin pos të tjerëve edhe disa anëtarë të PKJ me përkatësi nacionale shqiptare dhe në masë të duhur edhe popullata shqiptare e Preshevës.

 

Më pas në materialet partiake të gjetura në arkivin e Beogradit dhe të Vranjës  thuhet se “elementët armiqësore” shfrytëzuan rezolutën e Inforbyrosë në një kampanjë të fëlliqur për ta akuzuar PKJ për nxitjen e shovinizmit ndaj Shqipërisë dhe kundër Shqiptarëve. Pastaj se Jugoslavia ka mbetur e vetme dhe se regjimi i tashëm do të dështojë. Ndërsa elementi reaksionar shqiptar agjiton se si ky rajon duhet t’i bashkangjitet Shqipërisë sëbashku me Kosovën.

 

Më tej në material partiak thuhet: u zbulua se këto elemente mblidhnin nënshkrime të qytetarëve të vendbanimeve të Preshevës për bashkim me Shqipërinë.Pra në këtë kohë lindi idea e bashkimit të Preshevës me Kosovën e Shqipërinë.

 

Ali Aliu nga Presheva thotë : “Ka qenë “interesante”se kush rrallë nga shqiptarët në atë kohë i ka mbajtur anën Jugosllavisë apo palës kundërshtare të Inforbyrosë. Të gjithë Shqiptarët, sidomos të rinjve studentë dhimbshëm u rëndonte në shpirt kjo situatë konfliktuale, duke ditur se ç’kishte ndodhur më parë me popullin e tyre dhe duke menduar çka do të sillte e ardhmja. Në një bisedë me Kadri Halimin dhe Fran Berishën erdhëm në përfundim se duhet ta përcjellim me kujdes zhvillimin e ngjarjeve për të ditur në kohë të caktuar çka duhet ndërmarrë për hir të çështjes kombëtare:/Skënder Latifi, Përtej ferrit(Bisedë me Ali Aliun), Prishtinë, 2008, f.78/

 

“Ndërkaq situata politike mori përmasa të acarimit të mëtëjmë në mes të Jugosllavisë dhe shteteve të Inforbyrosë. Burgosjet në Jugosllavi shtoheshin nga dita në ditë. U burgosën edhe shumë shqiptarë, ish pjesëmarrës të LNÇ, midis të cilëve edhe studentë si në Beograd, ashtu edhe në Zagreb(Faik Riza, Ali Loshi, Rexhep Rexhepi-Bajra e të tjerë)…Këto ngjarje dhe informata të tjera kundër Shqipërisë , ndikuan në mënyrë tejet irrituese mbi studentët shqiptarë, të cilët duke ditur se ç’kishte ndodhur në ditët e përfundimit dhe menjeherë pas Luftës së dytë Boterore me popullin shqiptar, filluan të shqetësohen për të ardhmen dhe vetvetiu u shtuan kontaktet dhe bisedat për këto çështje, sidomos për fatin e gjysmës së  popullit shqiptar të mbetur në Jugosllavi, thotë Ali Aliu në librin e S.Latifit, Përtej ferrit, f.80.

 

Në atë kohë u shpreh “antipropaganda” ndaj Jugosllavisë : se Rusët janë në Shqipëri vetëm të ndihmojnë bashkimin e Kosovës me Shqipëri, sikur ata luftojnë që Serbët dhe Malazezët t’i përzanë nga Kosova, ndërsa të mbesin vetëm Shqiptarët. Rusët u përçanë me Jugosllavinë vetëm se ishte në pyetje Kosova, të cilën Jugosllavia nuk deshti t’i jap Shqipërisë.

 

 

Poashtu në këtë kohë situate politike u përkeqësua aq shumë sa që raportet e Shqiptarëve dhe Serbëve arritën kulminacionin në dy bindje të thella. Tek Serbët kryesorja ishte bindja e thellë që mbisundoi gjatë, bile deri sot, se Shqipëtarët një ditë do ta tradhtojnë Jugosllavinë, ndërsa tek Shqiptarët, se Serbët vetëm sa për sy e faqe dhe kamuflohen për të drejtat e shqiptarëve, ndërsa më vonë do të bëjnë hakmarrje ndaj Shqiptarëve si ne kohët e kaluara.

Poashtu në situatën politike të rënduar në Preshevë më 1948 ndikoi edhe propaganda e shkuarjes në Turqi, sipas materialeve partiake, bartës ishin disa hoxhallarë dhe fanatikë

shqiptarë.Këta sëbashku me pushtetin e atëhershëm propaguan parola kundër Shqipërisë, si vend i prapambetur, primitiv, i varfër dhe i vogël dhe në të cilën forcë nuk mund të mbështeten Shqiptarët.Ndërsa Turqia është vend i Islamit dhe Muhamedit, e cila dikur ishte fuqi e madhe dhe do të bëhet prap fuqi e madhe, pra vend industrial dhe i zhvilluar,i cili do t’i mundësojë Shqiptarëve prosperitet.

 

Duke e pasur parasysh Jugosllavinë e viteve 1930, pozitën e vështirë të Shqiptarëve dhe shpërnguljen e Shqiptarëve në atë kohë dhe se shumë familje shqiptare i kishin farefisin në Turqi u përhap tendenca e fortë propagandistike e shkuarjes në Turqi.Kështu shumë Shqiptarë deklarohen turqë  dhe duke e pasë parasysh marrëveshjen me Turqinë ofruan mundësi “joshëse” ndër Shqiptarë që ta vizitojnë por edhe të shpërngulen për nëTurqi. Në këtë i ndihmoi shumë organizimi i ndërmarrjes autotransportuese “Putnik”.

Edhepse pati tendencë të tillë, e cila mori hov, në materialet partiake thuhet sikur PKJ dhe disa qarqe të pakicës shqiptare e luftuan këtë tendencë.

 

Për ta ilustruar më mirë këtë tendencë po citojmë Ali Aliun nga libri i S.Latifit, Përtej ferrit, f. 83 : “Mu në këtë kohë të acarimit të marrëdhënieve Shqipëri-Jugosllavi, pushteti serb “inicoi” të ashtuquajturën “çështje turke” për t’u regjistruar turq të gjithë ata që nëpër qytete dinë të flasin, pos shqipes edhe turqisht. Për t’i shpëtuar përndjekjeve nga sigurimi shtetëror, të etiketuaritt “reaksionarë” kishin filluar ta ndërrojnë kombësinë edhe shqiptarët që s’dinin të flitnin turqisht…(Atëherë s’e kishin kuptuar se kjo kishte qenë parapërgatitje për dëbimin e shqiptarëve-myslimanë për në Turqi, që do të pasojë më vonë, kur Shkupi do të bëhet “epiqendër” për shndërrimin e shqiptarëve në turq dhe transportimin për në Anadoll)”

 

Poashtu në këtë kohë futën përçarje edhe në mes të shqiptarëve, duke njollosur dhe akuzuar njëri tjetrin : “…me sa më kujtohet në listën time ishin : dy vëllezërit e mi, Fevziu dhe Fehmiu, Selim Selimi, Riza Selimi, Talat Esati, Qani Ramadani, Xhemush Bina nga Presheva, Baki Gashi nga fshati Rahovicë dhe Ali Xhelili nga fshati Ilincë. Duhej të shkruanim çka dinim për ta dhe të kallxonim për rolin dhe angazhimin e tyre në “veprimtari armiqësore”, thotë Ali Aliu ./S.Latifi, Përtej ferrit(Bisedë me Ali Aliun), Prishtinë, 2008, f. 137/.

 

Tendenca tjetër dhe lufta më 1948 për PKJ në Preshevë dhe pushtetin e atëhershën ishin “elementët shovinistë dhe nacionalist”, të cilët ishin bartësit kryesorë të organizatës fashiste dhe separatiste NDSH-ja /Nacional Demokratike Shqiptare/, në të cilën u anëtarsuan disa komunistë dhe një anëtar i Komitetit të Rrethit të PKJ në Preshevë.

 

Këta “elementë” pas Rezolutës së Inforbyrosë gjithë diskutimet i drejtuan kundër Jugosllavisë socialiste. Pati shumë, thuhet në materialet partiake, por u dallua Ali Aliu, student i ekonomisë, i cili hyri në një organizatë konfirmobiste, e cila veproi në Kosovë dhe Maqedoni, nën parollën “Për Shqipërinë e Madhe” dhe bashkimin e Kosovës dhe rajoneve të tjera Shqipërisë së Enverit.Më tutje në material partik arkivor thuhet se Ali Ali dhe disa të tjerë organizonin biseda të gjata me Selim Selimin, i cili këta i kritikonte dhe nuk pajtohej me mendimet e tyre, por asnjëherë për këtë “veprimtari kontrarevolucionare” nuk i lajmëroi organet e pushtetit. Në këtë kohë Selim Selimi u kritikua shumë nga qarqet partikae në nivel të qarkut dhe më lartë, bile edhe nga disa individë komuniste serbë.

 

Në këtë kohë me mendime dhe qëndrime të forta ndaj politikëS nacionale të PKJ ishte Shinasi Hallaçi,  i cili shumë kritikoi politikën nacionale të Jugosllavise socialiste ndaj Shqiptarëve. Sipas Shinasiut, Shqiptarët në Jugosllavinë socialiste ishin shumë të shkelur, se Shqiptarëve nuk i jepet mundësia ta shfrytëzojnë lirinë dhe barabarsinë, se në Maqedoni më shume vëmendje i jepet pakicës nacionale turke se asaj shqiptare, se komunistët shqiptarë janë vetëm formalisht anëtarë Partije, sepse nuk pyeten për asgjë.Për këto ide pësoi Shinasi Hallaçi.

 

Në raporte dhe materialet partiake të Arkivit Shtetëror në Beograd dhe Arkivit Historik në Vranjë kishte edhe çështje të tjera, por më pak të rëndësishme se këto që i shtjelluam në këtë shkrim.

 

Referencat

 

1.Arkivi Shtetëror i Serbisë në Beograd, Fond KPJ, K.113/3,4,5  I 6

2.Arkivi Historik i Vranjës, Fond Sreskog Komiteta KPJ u Presevu, 1948.godine

3.Skënder Latifi, Përtej ferrit (Bisedë me Ali Aliun), Prishtinë, 2008

 

Preshevë, më 15 gusht 2010