Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Avzi Mustafa: Ju mbeteni përherë ''Zoti Mësues''

| E diele, 15.08.2010, 09:57 PM |


Avzi MUSTAFA

 

Gjashtë muaj pa mësuesin Bajram Bajrami

 

JU MBETENI PËRHERE “ZOTI MËSUES”

 

 

I vogël isha atëherë, pak dija
jeta me dukej loje e defrim,
po ngado qe shkoja, kudo qe vija
shihja fytyrën e mësuesit tim”

           

                                                                                                            Agim Vinca

           

Që kur i kisha buzët me qumësht kisha dëgjuar për mësues Bajramin. Të gjithë në fshatin ku kisha lindur një njeri e thirrini “zoti mësues”. Me ndenjën e një djali fshati, pyesnim dhe kalluzitmin poshtë e përpjetë mes shokëve më të rritur që kishin mësuar me mësuesin Bajram Bajramin. Nxënësit më të vjetër na thoshin se “nëse nuk i dini shkronjat dhe tabelën e shumëzimit vaj halli për ju!”. Nxënësit më të moshuar kur e shihnin mësuesin, iknin dhe fshiheshin pas plepave. Ndërsa ne fëmijët nuk i kuptonim pse e bëjnë këtë: a bënin për shkak të respektit apo donin të tregojnë se janë duke mësuar. Më vonë e kuptova kur edhe unë u bëra nxënës i këtij mësuesi. Ai kishte një parim në jetë – ai thoshte: “Kur të japësh detyra, duhet t’i kryesh ose më mirë mos jep!” Ai ishte shumë këmbëngulës në kryerjen e tyre.

Kur hyra në klasë të parë për mësues më ra mësuesi Halit që udhëtonte nga fshati Drugovë. Por, pas mbarimit të klasës së parë ai u shpërngul në Turqi. E përcollën fshatarët ashtu si e kishin zakon, ndërsa ne qanim sepse nuk do të kishim më mësues ashtu siç ishte mësues Haliti. Atë e kujtojmë ne nxënësit dhe fshatarët sa herë që përmendet fjala shkollë e Turqi.

Prandaj në klasën e dytë na mori mësues Bajrami, që lindi në Greshnicë të Kërçovës, ku skamja qëndronte këmbëkryq. Megjithatë ai ishte i etur për dituri. Për këtë qëllim kishte kryer shkollën serbe dhe kishte marrë trastën e kurbetit dhe kishte punuar në Beograd. Një dite i vjen thirrja për t’u bërë mësues. Disa net tregonte se nuk kishte bërë aspak gjumë, duke menduar “A mund unë kryej këtë detyre të shenjtë me sukses”. Pasi mbaron viti shkollor, ai i ndoqi kurset pedagogjike që i organizonte shkolla normale “Zef Lush Marku “ në Shkup.

Kështu kurbetçiu Bajram u bë mësuesi legjendar Bajram. Pastaj atë nuk e linin të qetë në fshat: gjithnjë e pyetni diçka, ndërsa ai tregonte, herë shkruante, herë ia lexonte ndonjë letër dikujt nga djemtë që ishin në shërbim ushtarak, dikush e merrte që të përkthejë në gjyq, dikush e luste që të shkruaj ndonjë letër për ushtarët e kurbetçinjtë që punonin anembanë Jugosllavisë, me një fjalë Mësuesi bajram u bë lapsi dhe letra e gjithë fshatit Greshnicë. Atë shpesh ftonin edhe në ndeja kur vinte ndonjë mysafir, sepse ai më mirë se të gjithë dinte ta mbajë muhabetin në odën e burrave: dinte histori, dinte për historinë e fshatit e të burrave të këtij fshati e më gjerë. Por, pengjet jo rrallë herë e pushtonin shpirtin e mësuesit Bajram. “Ishin kohë të këqija”, na thoshte më vonë.

Mësues Bajrami në detyre ishte shumë korrekt. Ne që patëm fatin që të jemi nxënësit e tij, e kujtojmë me nostalgji jo vetëm orët mësimore, por edhe në këngët e vjershat që i recitonim para prindërve dhe bashkëfshatarëve tonë me rastin e festave të ndryshme.

Edhe unë si nxënës i këtij mësuesi kam plot kujtime. Falë këtij mësuesi fshati i im në një kohë ishte fshati me më shumë intelektualë. Ai dinte t’i bindë edhe fanatikët më të mëdhenj për të vazhduar shkollim. Kështu ndër të parët e dërgoj vajzën e vet që të mbarojë shkollën e mësuesisë në Shkup.

Mësues Bajrami në fshatin e lindjes punoi plot 40 vite pa ndërprerë, derisa u pensionua. Por, as pensioni kurrë nuk ia ndërpreu elanin e punës dhe të leximit. Ai vazhdimisht lexonte shtypin dhe, siç thoshte vetë ai, shkonte ne qytet vetëm për të blerë gazetat. Për shkak te pensionit të vogël vështirë mund të ndante të holla për ndonjë libër, por ai dinte si t’i blejë edhe ato. Nuk pinte duhan, ngase thoshte “me paratë e duhanit blej libra”.         

Ne të gjithë nxënësit që ishim farkuar me njohuri e dituri nga mësues Bajrami e quanim “Xhaxhi Notka”, sepse ai na jepte nota dhe me këtë nofkë të gjithë e njihnin, bile edhe fshatarët më të moçëm.

“Xhaxhi Notka” e kishte zakon të rrinte ulur para hyrjes së shtëpisë në një karrige me postiqe dhe të lexonte gazetat. Kur i mbaronte tekstet e dëshiruara, që të mos mbesë pa lexuar, përsëri  u kthehej gazetave te lexuara. Por kishte edhe një zakon tjetër të mirë: artikujt që i interesonin i priste dhe i ruante. Në dhomën e tij kishte një dollap, të cilin e mbante të kyçur. Atë çelës nuk ia jepte askujt. Aty mbante libra të vjetra dhe artikuj gazetash të prera. Por, kishte edhe një dorëshkrim që e kishte përgatit për fshatin Greshnicë. Një ditë pranvere ia behu herët në mëngjes “te nxënësi”, siç më quante mua, dhe ma tregoi hallin e librit. Në një çante të vjetruar e kishte dorëshkrimin. U zotova se do ta lexoj dhe do të mundohem ta botoj. U mundova nëpërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës dhe të disa shtëpive botuese, por nuk gjeta financues. Përgjigja ishte se këso librash me karakter lokal i botojnë komunat. Kështu libri mbeti dorëshkrim – një borxh për ne nxënësit dhe bashkëfshatarët.

“Xhaxhi Notka” pas dhjetëra e dhjetëra gjeneratash shkoi në pension të merituar, por gjithnjë mbeti i nderuar – kudo që shkonte pritej e përcillej me nderë, sepse vetë ai ishte i ndershëm. Në bisedat e ndryshme ai rrëfente për secilin shtëpi sesi i kanë pasur hallet në të kaluarën, i mbante mend të gjitha; ai kurrë nuk u plak, sepse mbante mend.

Jeta është plotë me halle. E hall të madh e gjeti edhe mësuesin tonë atëherë kur i kishte ndërruar jetë bashkëshortja, për të cilën ai fliste çdoherë me pietet, e ndonjëherë e quante edhe Shota Galica. Kjo vdekje për “Xhaxhi Notkën” ishte një humbje e madhe. Megjithatë ai kurrë nuk u dorëzua. Përsëri dinte si ta organizojë jetën: lexonte, i vizitonte njerëzit, dilte ndonjë here në çarshi.

Mësuesi im vdekjen sikur e kishte parandje. Erdhi deri në Shkup për të më vizituar, pimë kafe dhe biseduam për shumë gjëra e u çmallëm. Biseda jonë vazhdoj edhe në Tetovë. Kur u ndamë më përqafoi disi si jo si rëndom. Ky ishte takimi i fundit me mësuesin tim. Tani ai kur më nuk është unë sjell vërdallë kujtimet për mësuesin tim, fjalët e këshillat e tij, e shikoj shkrimin e tij të bukur në dëftesa, fotografitë me të etj.  

Tani kur më mësuesi im, Bajram Bajrami, nuk është në mesin tonë, më kujtohet një e thënie e të madhit Hygo: dy janë shërbëtorët e mëdhenj të një kombi: nëna dhe mësuesi. Edhe mësuesi ynë ishte një shërbëtor i denjë që edukoi e arsimoi gjenerata e gjenerata për 40 vite të plota, andaj sot e kujtojmë dhe i bëjmë homazh, sepse ai i hodhi themelet e ndërtimit tonë.