E premte, 19.04.2024, 08:02 AM (GMT+1)

Faleminderit

Leonidha Prifti: Polizoi Ikonomi - Kontributi dhe përkushtimi i tij fetar në qytetin e Fierit

E diele, 15.08.2010, 09:58 PM


Në « arkivin » familjar të nënës sime gjeta një shkrim të shkrimtarit të ndjerë fierak, Leonidha Prifti, mbi gjyshin tim Polizoi Ikonomi. M’u rikujtua koha e shkuar, vizitat në Pojan ku xha Pilua (ciceroni) më fliste për stërgjyshin tim i cili ishte kujdesur për kishën e Shën Mërisë në Apolloni, m’u rikujtuan ato vite kur unë në moshë të vogël shkoja në Fier dhe merrja pjesë në meshën e kishës së Shën Gjergjit që drejtonte gjyshi im dhe ku psallte me zërin e tij melodioz. Pa e zgjatur,  mendova t’i paraqes lexuesit këtë shkrim të Leonidha Priftit. (Alfred Papuçiu)

 

IKONOM STAVROFOR

 

POLIZOI ANASTAS PRIFTI

 

‘’Kontributi dhe përkushtimi i tij fetar në qytetin e Fierit

 

Nga Leonidha Prifti*

 

Është fakt që ortodoksët myzeqarë kanë ditur ta simbolizojnë jetën e tyre. Mënçurinë dhe thellësinë e mendimit, ata e kanë kultivuar dhe çuar më përpara, në sajë të ushqimit të përditshëm që merrnin nga feja kristiane. Historikisht, po edhe sot e kësaj dite, po t’i hedhim një sy gjithë reliefit të Myzeqesë, duke filluar që nga Myzeqeja e Vogël, matanë lumit Vjosë dhe deri në mbarim të Myzeqesë së Madhe, në kufi me lumin Shkumbin, ka patur vetëm kisha ortodokse, ku pranë tyre kanë qënë të ngritura shkollat, ku mësonin ABC-në, në gjuhën shqipe, vogëlushët myzeqarë.

Në këto kisha kanë dhënë kontributin e tyre shumë priftërinj të nderuar që përçonin tek besimtarët dhe populli, jo vetëm kulturën Kristiane, por edhe shkrimin e këndimin e gjuhës shqipe, sepse ushtronin në të njëjtën kohë edhe profesionin e mësuesit.

Është rrezatimi i “Dritës shpëtimtare të Jezu Krishtit » ajo që vuri në lëvizje interesin tonë, në këtë prag të 2000 Vjetorit të lindjes së Tij, pra edhe të krishtërimit, për të evidentuar dhe për të nxjerrë në pah ato fytyra të ndritëshme që iu kushtuan me mish e me shpirt ruajtjes, rritjes dhe forcimit të ortodoksisë dhe të kishës ortodokse autoqefale të shqiptarëve.

Janë dhe zemrat e ortodoksëve myzeqarë, që kanë në gjak mësimet e Jezu Krishtit, ato që ruajtën të pastër dhe të pa cënuar fenë e tyre të bukur, janë po këto zemra që i bënë ballë me durim e urtësi të gjitha metodave të diktaturës komuniste për gjysëm shekulli, të cilat synonin të zhduknin fenë.

Një ndër fytyrat e ndritura që punoi pa u lodhur për të çuar më përpara fenë dhe kulturën kristiane, pra ortodokse, duke e mbajtur atë të pa cënuar nga mësimet e Jezu Krishtit, ishte dhe Ikonom Stavrofor Polizoi Anastas Prifti, që me punën e tij 45 vjeçare, si bari i grigjes së besimtarëve ortodoksë, u bë dishepull i Jezu Krishtit.

Lindi në vitin 1890, në katundin Sop të Fierit. Babai i tij, Anastasi, ishte prift dhe ygumen i Manastirit të Shën Mërisë, i ngritur në kodrën e Apollonisë së lashtë, këmbanat e të cilit, përhapnin, deri në bregdet, tingujt e paqes.

Te harku i ajodhimës, apo derës mbretërore, siç e kanë quajtur, gjendet edhe sot shënimi që riparimi i kishës së Shën Mërisë dhe i konakëve të manastirit u bënë nën përkujdesjen e At Anastasit.

Si djalë prifti, Polizoi, u mëkua qysh në djep me mësimet e Jezu Krishtit. Cdo mëngjes, posa dilte nga lesa e oborrit, djaloshi Polizoi, bënte kryqin në drejtim të manastirit që binte në lindje të shtëpisë. I tërë fisi i priftallarëve në Sop, e kultivonin brez pas brezi fenë e bukur ortodokse, me të cilën ishte lidhur kultura dhe jeta e tyre.

Kur mbaroi i biri shkollën fillore, ndërtesa e së cilës ishte në konaket e manastirit, At Anastasi, që kishte punuar dhe si mësues, duke i parë atij dhuntitë dhe etjen e madhe për të mësuar, e dërgoi në shkollën normale që ishte hapur në Elbasan.

Mbas mbarimit të kësaj shkolle me nota shumë të mira, Polizoi u emërua mësues në katundin Peshtan.

Rrebeshi i Luftës së Parë Botërore dhe përqëndrimi i trupave Austro-Hungareze në Sop dhe fshatrat për rreth bëri që Polizoi të mërgonte në Amerikë, në moshën 24 vjeçare.

Atje, myzeqari  Polizoi ndiqte rregullisht të gjitha meshimet që bëheshin në kishën e Shën Gjergjit në Boston, e ngritur qysh më 22 mars 1908 nga Fan Noli.

Ai u bë nxënës i rregullt i tij dhe e ndoqi atë hap pas hapi në meshimet që bënte në gjuhën shqipe.

Aty, Polizoi ra në sy të Fan Nolit edhe për zërin e tij të bukur prej tenori kur psallte në këtë kishë. Fan Noli i futi Polizoit në zemër që kasha shqiptare duhet të falej vetëm në gjuhën shqipe.

Atje Polizoi punoi shumë për ngritjen e vet kulturore, duke përvetësuar mire dy gjuhë të huaja, anglishten dhe italishten.

Atje Polizoit i nisi dhe ëndrra që të bëhej prift si i jati dhe të punonte që kishat edhe në Shqipëri të meshoheshin në gjuhën shqipe.

Kthehet në Shqipëri nga mezi i vitit 1917, dy vjet para se Fan Noli u shpall peshkop i parë, më 26 korrik të vitit 1919.

At Anastasi, e dërgoi të birin në shkollën fetare.

Kisha shqiptare, për t’u bërë e pavarur dhe që të meshohej në gjuhën shqipe, kaloi permes një lufte të fortë.

Polizoi ishte në shkollë për t’u bërë prift, kur Fan Noli kthehet në Shqipëri dhe në muajin maj të vitit 1922 mbledh në Berat Kongresin Kombëtar të Ortodoksisë, duke e shpallur autoqefalinë apo pavarësinë e kishës shqiptare. Kremtohej në gjuhën shqipe, pra në gjuhën kombëtare.

Në vitin 1924, Polizoin e shohim të veshur me petkun fetar të dhjakonit. Ky vit, ishte dhe viti kur peshkopi Joreto, me origjinë shqiptare, u dërgua nga patriarkana e Stambollit, për të parë se çfarë bëhej me kishat shqiptare. Peshkop Joretua e përkrahu dhe u bashkua me nismën e Fan Nolit dhe nuk u kthye në Stamboll. Ai, së bashku me Kristofor Kisin dhe Fan Nolin, në janar të vitit 1924, themeluan sinodin e shenjtë dhe filluan riorganizimin fetar ortodoks në Shqipëri.

Në këtë vit dhe dhjakon Polizoi, i pajisur tani dhe me kulturë fetare dhe me një gjuhë tjetër të huaj, atë të greqishtes, nisi nga puna për të vënë në jetë ato vendime të sinodit të shenjtë.

Puna e parë qe pajisja e kishave me librat e shenjta në gjuhën shqipe. Takohet me Fan Nolin në Tiranë këtë vit dhe i parashtroi atij gjendjen e kishave të nënprefekturës së Fierit.

Në vitin 1925 bëhet prift dhe emërohet përfundimisht në kishën e Shën Gjergjit, në Fier ku gjen dhe të nderuarin, at Vasilin.

Këtu, At Polizoi, i pajisur me një kulture të gjerë filloi nga puna. Meshimet tani bëheshin në gjuhën shqipe. Në muzeun e Fierit gjenden edhe sot rregjistrat e pagëzimeve dhe kurorëzimeve të shkruajtura qysh më 1925-ën në gjuhën shqipe me një shkrim të bukur dhe pa gabime ortografike nga dora e At Polizoit. Edhe korespondenca me kishat e fshatrave, me episkopatën dhe kryepeskopatën qysh nga ky vit bëhet në gjuhën shqipe.

Tani, këtë bari të mirë që udhëheq në punën e vet drita hyjnore e Jezu Krishtit nuk e shikojmë vetëm në kishë duke falur mëngjesore apo mremesoret. Shtëpitë e besimtarëve ortodoksë fierakë e prisnin çdo fillim muaji dhe në ditët e emrave At Polizoin, që me petroilin dhe kusinë e vogël të bakërt me tufën e borzilokut brenda, bënte ajazëm.

Vitet e para punoi për vëllazërimin midis tyre të ortodoksëve. Në fjalimet e tia, me gjuhë perëndie në meshimet e të dielave apo me raste të kremteve, vë theksin te puna, ndershmëria, adhurimi i fesë ortodokse, vëllazërimi dhe atdhedashuria, duke ua bërë të qartë kujtdo se këto nuk braktisen kurrë nga një ortodoks i vërtetë që mban në shpirtin e tij dritën jetëdhënëse të Jezu Krishtit.

Në ato vite të vështira jetese, At Polizoi, u mësoi besimtarëve ortodoksë që ti vinin përballë të keqes- të mirën, padrejtësive t’u vinin  drejtësinë, urrejtjes t’i vinin dashurinë njerëzore, errësirës ti vinin dritën hyjnore dhe mizorive t’u vinin butësinë dhe faljet me zemër prej kristiani të vërtetë.

Nuk i dime saktë datat kur mori titullin Ikonom dhe Ikonom Stavrofor, por dihet mirë se ato iu dhanë për punë shumë të mirë dhe të palodhur prej dishepulli të Jezu Krishtit. Në këto vite, Ikonom Stavrofor Polizoin e shohim si Kryeprift të nënprefekturës së Fierit.

Një meritë tjetër e Ikonom Polizoit është edhe puna që bëri pa ndërprerje për të jetuar në miqësi dhe si vëllezër të vërtetë ortodoksët me myslimanët në Fier. Ai mbante lidhje të mira me myftiun e qytetit për këto probleme dhe gjyshërit dhe baballarët tanë asnjëherë nuk patën sharje apo zënka me myslimanët.

Pas viteve 1934, Ikonom Polizoi nisi nga puna për rregullimin e oborrit të kishës së Shën Gjergjit që ishte në të gjitha anët me varre. U caktua qimitirua (varrezat) në jugë, larg qytetit. Oborri u bë lulishte. Meremetoi dhe ngriti këmbanërinë dhe u vendosën orët në të. Tingulli i tyre dëgjohej deri në bregdet.

Është për t’u theksuar një rast në jetën e tij. Në vitin 1937, një të dielë, Ikonom Polizoi ishte në kishën e Ungjillizimit në Tiranë. Besimtarët e shumtë që mbushnin kishën dhe oborrin e saj mbetën të habitur nga zëri melodioz prej tenori nga meshimi dhe fjalimi që mbajti Ikonom Polizoi atë ditë atje. Me ndërhyrjen e besimtarëve tiranas, këshilli i kishës ndërhyri tek peshkopi Irineu, për ta transferuar priftin fierak në Tiranë. Por shkresën e peshkopit Irineu, Ikonom Polizoi e refuzoi, duke iu përgjigjur: “ Mua më lindi, më rriti dhe më edukoi Myzeqeja, prandaj unë i takoj asaj”.

Në ato vite, në kishën e Shën Gjergjit erdhi dhe një prift tjetër, Papa Panua, nga fshatrat e minoritetit. Ky u ndihmua shumë nga Ikonom Polizoi për të pasuruar dhe drejtshqiptuar gjuhën shqipe.

Rreth viteve 1939-1941, me ndërhyrjen e Ikonom Polizoit u bë freskimi i afreskeve murale sin ë kishën e Shën Gjergjit, ashtu edhe në atë të Shën Mërisë që ishte ngjitur me të. U bë pastrami i ikonave dhe ikonostaseve të tyre që ishin nga më të bukurit në Ballkan. Si kryeprift i nënprefekturës së Fierit, me priftërinjtë e enorijeve të fshatrave, punonte për aftësimin e tyre në meshimet dhe mirëmbajtjen e kishave.

Pas vitit 1944, dihet që feja u shikua me një sy tjetër, me atë të zhdukjes së saj nga regjimi komunist. Thirrjeve që bënin pushtetarët për tu zhveshur si klerik, Ikonom Polizoi i hidhte poshtë me atë sarkazëm plot humor therës, pa u frikësuar prej tyre.

Prishja e kishave e vrau shumë shpirtërisht. Rrëzohet në shkallët e daljes nga kisha, pas meshimit të fundit që bëri dhe zuri shtratin.

Ikonom Stavrofor Polizoi mbylli sytë 9 ditë para se të mbyllej kisha e Shën Gjergjit, më 1967 (6 shkurt 1967). Ai u varros me nderime të mëdha, duke u përcjellë për në banesën e fundit nga qindra e qindra besimtarë, nga dy dhespotë dhe mbi 20 priftërinj. E përcolli plot respekt dhe myftiu i qytetit të Fierit. Më 23 prill të vitit 1969 kisha u rrëzua për toke nga regjimi diktatorial komunist.

 

Si përfundim, u drejtohem klerikëve të rinj: “Le ti frymëzojë këta jeta dhe vepra e Ikonom Stavrofor Polizoit si shembull i bukur për të lartësuar dhe çuar më përpara kishën, ortodoksinë dhe bashkimin e Krishtërimit në një trup të vetëm”.

 

*Shkrimtari Leonidha Prifti është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Fierit”. Për merita të shquara në fushën e letërsisë, Presidenti i Republikes i ka akordouar shkrimtarit Leonidha Prifti medaljen “Naim Frashëri i argjendtë” me rastin e 70 vjetorit te tij. Ka qënë shkrimtar i talentuar dhe i mirënjohur për fëmijë, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të degës së Fierit, drejtues artistik në Shtëpinë e Kulturës në Fier, drejtor i Shtëpisë së Pionierit.

Leonidha Prifti veç një  ndër aktorët e parë të trupës profesioniste të Estradës fierake, ka shkruar vepra të tilla madhore si “Në brigjet e Gjanicës”, “Rrëzë Apolonisë” , skece për të vegjëlit, libra të ndryshëm me përralla që përbëjnë një kontribut të shquar në letërsinë kombëtare për fëmijë duke zënë në të një vend të rëndësishëm.

Ai vdiq në moshën 74 vjeçare, në 17 nëntor të vitit 2007.



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora