E marte, 23.04.2024, 10:54 PM (GMT+1)

Faleminderit

Valon Kurtishi: Nënë Tereza – simbol i kulturës kombëtare shqiptare

E enjte, 12.08.2010, 10:00 PM


Nënë Tereza – simbol i kulturës kombëtare shqiptare

 

Nga Valon Kurtishi

 

2010 shënon vitin jubilar të njëqindë të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut - Nënë Terezës, 1910 Shkup, Shqipëri - 2010 Kalkutë, Indi. Jeta e kësaj vajze shqiptare filloi në kryeqytetin e provincës shqiptare të Kosovës nën okupimin otoman – Shkup, për të vazhduar si misionare në Irlandë dhe në fund si bamirëse në Kalkutë të Indisë. Atje ajo iu përkushtua ndihmës për shtresat e ulëta shoqërore duke themeluar rendin e saj të bamirësisë, i cili sot është e shpërndarë në ndihmë të të varfërve, sëmurëve, të pastrehëve dhe gjithë njerëzve të tjerë në nevojë në të katër anët e ruzullit tokësor. Me këtë, trashëgimia e lënë nga Nëna e madhe e njerëzimit me gjak shqiptari vazhdon hapave të sigurtë dhe misionin e pandalshëm në ndihmë të të pafuqishmëve të shumtë të kësaj bote. Vepra e saj mori përmasa metafizike dhe jashtëtokësore duke detyruar në njëfarë mënyre Vatikanin që të reflektojë në këtë duke e shpallur Nënë Terezën si të shenjtë.

Gonxhe Bojaxhiu, jeta dhe vepra e kësaj vajze të brishtë shqiptare personifikojnë më së miri traditën kombëtare, vlerat kombëtare, tiparet dalluese nacionale tonat nga e kaluara dhe e sotmja. Ajo pasqyron më së miri etnopsikologjinë shqiptare: Shpirtin e madh human dhe gatishmërinë e pakufishme për të sakrifikuar për tjetrin në nevojë, të cilën e tregon më së miri thënia e vjetër nga malësitë tona të veriut, “Shtëpia është e zotit dhe e mikut”. Ndihma ndaj tjetrit, ndihma ndaj atyre që janë në nevojë, në rrezik ose në ndonjë të papritur tjetër jetësore është vënë re dhe është paraqitur gjerësisht në shkrimet e vjetra të vizitorëve të ndryshëm europianë nga shekujt e kaluar. Edhepse nën një sundim të egër dhe tërësisht të dobët i cili nuk garantonte në asnjë pjesë të perandorisë sigurinë dhe rendin, udhëtarët e huaj vërenin të habitur rendin dhe qetësinë i cili mbizotëronte në malësitë shqiptare ku niveli i krimeve ishte shumë i ulët. Kodi i vjetër shqiptar i besës i cili regullonte raportet social të shqiptarëve respektohej me reptësinë më të madhe duke i bërë këto zona të sigurta për udhëtarët e huaj. Megjithatë, kodi nuk duhet shikuar dhe kuptuar jashtë karakterit kombëtar të shqiptarëve. Kodi pasqyron besnikërisht mentalitetin kombëtar të shqiptarëve dhe është me një fjalë trupëzimi më besnik i këtij karakteri, e kësaj natyre shqiptare, simboli identifikues i kulturës kombëtare shqiptare. Produkt i drejtpërdrejtë i këtij kodi, i kësaj kulture, i këtij civilizimi është shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu – bijë e Dranes dhe Kolës nga Shkupi shqiptar.

Duke përfituar nga publiciteti i madh që ka fituar jeta dhe vepra e saj, nacionalizmat e ndryshëm ballkanikë antishqiptarë kanë tentuar që të paraqesin atë si pjesë të kulturës së tyre kombëtare. Ne vitet 60 është pretenduar se ajo është me kombësi kroate nga Shkupi. Kroatësia e supozuar e saj vjen nga të qenit katolikë edhe e kroatëve etnikë. Më vonë Shoqata të ndryshmë të minoritetit arumun në Maqedoni kanë dhënë mendime sipas të cilëve mbiemri i të atit të Nënë Terezës – Bojaxhiu apo Bojaxhi tregon përkatësi etnike arumune. Në lojë kuptohet është aktivizuar edhe nacionalizmi infantil sllavomaqedonas i cili përpiqet të përfitojë nga fama ndërkombëtare e Nënë Terezës duke shpikur emra e epitete nga më të ndryshmet e çorientueset për këtë figurë të madhe të njerëzimit. Kështu nacionalizimi maqedonas priret të emërtojë Nënë Terezën gjithmonë me prefikse gjeografike si .p.sh, “Shkupjania Nënë Tereza”. Nuk mungojnë as cilësimet tërësisht absurde si “maqedonasja Nënë Tereza’, p.sh. Këtë e bëjnë vetëm e vetëm që të fshehin dhe mjegullojnë sa të jetë e mundur përkatësinë kombëtare shqiptare të saj. Përpjekja për të mjegulluar dhe deshqiptarizuar shenjtoren e madhe janë shumëdimensionale. Në këtë lojë të ndyrë janë angazhuar akademikë të shumtë, institute shkencore, individë me autoritet shoqëror, organizata civile e deri institucione të rëndësishme shtetërore si Presidenca apo Parlamenti. Janë xhiruar filma dokumentarë të cilët kanë për subjekt jetën e shenjtores dhe familjarëve të saj , ku bëhen aludime krejtësisht të pabaza për prejardhje joshqiptare të anëtarëve të caktuar të familjes së Nënë Terezës. Përpjekjet e këtilla të pasinqerta dhe shumë të çuditshme janë shtrirë edhe në qendrën e katolicizmit botëror, në Vatikan. Qeveria e tanishme maqedonase nuk bën dallim nga kjo praktikë e errët dhe primitive përvetësimi dhe tjetërsimi të një figure të shenjtë të gjithë botës.

Duam apo nuk duam ne, do apo nuk do dikush tjetër, ajo i takon kombit shqiptar dhe ka një përkatësi të caktuar etnike në këtë botë të ndarë në gjuhë e kultura të ndryshme që janë pasuri e përbashkët e njerëzimit. Çështja është që ndasitë të shikohen si pasuri e përbashkët dhe jo si fenomene që shkaktojnë ndarje e konflikte të ndryshme. Në këtë kuadër, shoqëria shqiptare nuk duhet të potencojë së tepërmi aspektin ekskluziv nacional të çështjes. Vlerat e veprës së Nënë Terezës si dhe vetë ajo i takojnë njerëzimit duke tejkaluar kufijtë e ngushtë kombëtarë. Këtu ajo bëhet pjesë përbërëse dhe pandashme e njerëzimit, e kulturës globale, e civilizimit botëror. Por në të njëjtën kohë, shoqëria shqiptare duhet të mbrojë me vendosmërinë më të madhe dhe nuk duhet të lejojë përvetësimin primitiv të saj nga nacionalizmat e huaj antishqiptarë.

Paradoksalisht, vetëm shoqëria shqiptare së cilës edhe i takon nëna e madhe nuk bën aq sa duhet për të. Përveç veprimtarive vullnetmira të disa pak individëve intelektualë apo një pjese të sektorit civil, shoqëria jonë nuk gjen forca dhe mënyra për të nxjerrë në pah si veprën humane ashtu edhe shqiptarësinë e kësaj figure madhore. Organizimet për të shënuar 100 vjetorin lindjes së Nënë Terezës janë të shumta në Shqipëri ku familja e saj jetoi vetëm 1 vjet (Shkodër 1932-32), dhe inekzistente në Maqedoninë e sotme politike së cilës i takoi padrejtësisht qyteti i Shkupit që nga ndarja e madhe e kombit shqiptar nga viti 1912.

Shoqëria jonë këtu duhet të organizojë aktivitete të ndryshme për nder të vitit jubilar – 100 vjet nga lindja e Nënë Terezës. Akademi solemne, koncerte me muzikë serioze, ekspozita me fotografi apo evenimente të ndryshme artistike si koncerte masive rinore, simpoziume shkencore etj, do të duhej të organizohen këtë vit jubilar. Pjesa shqiptare e qeverisë Fyromiane duhet të përkrahë në kuadër të mundësive këto organizime mëse modeste. Shuma e mjeteve financiare e cila alokohet nga qeveria e këtij vendi për veprimtari kulturore është shumë e lartë. Një pjesë e këtyre mjeteve kërkohet të caktohen për shënimin e 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Ne si pjesë e shoqërisë civile dhe si shqiptarë të vetëdijshëm etnikë do të bëjmë përpjekje maksimale që të bëjmë diçka me ose pa ndihmën e faktorëve shqiptarë në qeveri. Gjithmonë duke respektuar përvojën jetësore dhe prorosinë e madhe të Nënë Terezës për të vepruar pozitivisht, pavarësisht në çfarë situate gjendemi. Kjo edhe për ti kthyer një pjesë të vogël të borxhit që ne të vdekshmit e zakonshëm të kësaj bote kemi ndaj figurave të tilla të mëdha, të jashtëzakonshme dhe të shenjta si Nëna jonë e madhe Terezë.



(Vota: 37 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora