E enjte, 18.04.2024, 04:47 AM (GMT+1)

Faleminderit

Anton Kodrari: Kolë Prela, deputeti i Shkodrës

E enjte, 12.08.2010, 08:58 PM


KOLE PRELA, DEPUTETI I SHKODRES

 

Ubi spiritus Domini, ibi libertas.

 

Ku âsht shpirti i Zotit, aty âsht Liria.

 

Nga Anton Kodrari

 

Atje kú e ka zanafillën madhështia e Alpeve shqyptare, atje ku buron uji i freskët, atje ku shtegtari e bujtësi e shuejn etjen me ujin e kulluem që del nga rreshpja, atje ku zogjtë e malit k’ndojnë hareshem kângën e tyne të lirise hapsinore, atje ku i krishtëni në t`zbardhun drit's i nalton uratën e vet shelbuesit të botës, atje ku dinamizmi i bukurisë së natyrës harmonizohet në mënyrë lineare të mrekullueshme me bukurinë shpirtnore, atje ku miku madhengjehet prej tingujve emocionues të lahutës, atje ku neper stane ndigiohet zâni kumbues i fyellit të çobanëve, atje ku burri e fmija  i vnojnë pushken anmikut, atje ku koçaku ruhet prej burravet e ushqehet me buken e mrume prej grave sojnike-burrnesha , atje ku feja, burrnija e trimnija janë si me kënë motra t`nji nane, atje e rriti shtatin  aj që quhet i dukagjinas, atje e formoj karakterin t`ashper si vetë shkrepat, atje malcori me bukë ibrid, me tâmel dhísh, e me mishin e thatë të varun nder trena e të terun në ajrin e pastër të natyres e formoj fizikun e tij xhigand, trunin e tij të mprehte per çdo lloj çeshtje e problemi intelektual e burrnor, atje, pikërisht atje u rrit  kjo qënie njerzore që i dhá shije e bukuri vetit n`rradhë të pare, gjytetit të tij e kombit të tij. I dukagjinasi...

Per me bâ edhe mâ të njohtun per lexuesit, unë, i dukagjinas, ketu po i paraqes disa dishmi shumë me vlere për jetën dhe fundin tragjik të Profesor Kole Preles, qe trashigoi gjakun e paster te Burrit trim te Dukagjinit, i gatuem ne bankat e shkollës së kolosëve françeskan me virtytet e nalta, të Fese, t`Atdheut dhe perparimit evropjan Perendimor.

Kjè viti 1945, at'here kur komunistët nisin  zhgatrrimin dhe shfarosjen e inteligjences shkodrane  të formueme me aq vështirsi në Evropen Perendimore. Burgjet stërmbushen plot e përplot me klerikë, me intelektual e me njerz të thjesht të moralshem. Ja dishmia e njènit nga ata bashk'vuejtës te atyne ditëve të errëta për popullin e mjerë shqyptarë. Ky âsht Prof. Sami Repishti, i cili me shumë dashamirësi dhe dhimbje shprehet per profesorin e tij të gjimnazit Kolë Prelen e Pepsumajve (material që mâ nisi me e-mail me dt 20/11/ 2006):

“Kujtimi i dites se arrestimit me sjelle me force para syve te mij pasqyren e gjendjes se tmershme fizike e psikologjike te popullit dhe vendit tim te lindjes, Shqiperise sime, te prindeve, gjysheve dhe stergjysheve te mij shqiptare.  Me kujtohet arrestimi dhe ajo dite shiu te parreshtun per disa dite (si shiu i Shkodres!), rruget e mbushuna me uje, lumejt e fryme, Drini, Buena e sidomos Kiri qe shpesh vershon mbi qytet, dhe frika e qytetareve nga inondacioni. Por ate dite, frika e arrestimit dhe hymja ne qelite e Sigurimit ishte per mue mbizotenuese.

    Me kujtohen konditat e qelive perdhese ose nentokesore, lageshtia, te ftohtit dhe era e qelbet qe mbushte ajrin e pamjaftueshem ne ato varre te gjalla per ne, te rij e te vjeter, qe kishim gjete guximin me i thane Jo! murtajes se kuqe. Me kujtohen fatzezet e arrestuem para meje, zanet e tyne te mekuna , denesat e pafund, thirrjet qe i bajshin rojeve, shamjet dhe mallkimet. Mandej vinte heshtja e plote. Sikur te rifillonte me nji urdhen misterioz, kori mortor i atyne qe i kercenonte vdekja, mbushte kete qender lotesh dhe gjaku te derdhun pa faj.

    Mbas nji séance dy oresh ne torture, me vendosen ne nji korridor te erret, gjate te cilit dy nevojtore te vogla sherbejshin si qeli per te burgosun. Zane te dobta memzi  vijshin ne veshin tim, zane te mekuna nga lodhja, pagjumesia, ose smundja e qe une nuk isha ne gjendje me i dallue. Ma ne fund ndigjova nji pyetje: “Kush je ti?”

    U trondita! Pyetja u perserit. Nuk pata guxim me pergjegje. Tronditja e forte e arrestimit dhe e tortures se pare me mbante me goje te mbyllun. Perseri nuk pergjegja. Mbas pak minutash zani i mekun qe vinte nga erresina e fundit te deres se nevojtores tha: “Une jam Kole Prela…deputet i Dukagjinit!”

    Zani qe erdhi sikur te ishte nga varri, dhe emni i te burgusnit qe foli, me gozhdoi ne vend. Emni i Prof. Kole Preles per mue ishte ma shume se nji titull zyrtar. Ai kishte qene profesori im i gjuhes dhe letersise shqipe ne Liceun e Shkodres, e nji nga edukatoret ma te respektuem per bindjet e tij anti-okupator e anti-fashiste.

    Frika avulloi pa dijte as une se si, e nji ndjenje dhembshurie per profesorin me mbuloi. Prane meje nji viktime e pafajshme e terrorit te kuq perpiqej me dale jashte varrit ku e kishin ndrye, me marre kontakt me boten jashte rrethit vdeksor ku ende jetohej. Per mue, ky kontakt i papritun, pothuejse jashte-tokesor, me terhoqi akoma ma poshte ne boten e nendheshme te ferrit. Nji nderlidhje e pa imagjinueshme vetem nji cast ma pare u ba, si per mrekulli, lidhja e ime e pare dhe ma e thelle, larg shoqnise njerezore qe, pak kohe ma pare me rrethonte e me ushqente si pjesetar i saj.

    Me nji za hezitues, por me bindje te plote se ne ate çast po i shtrijsha doren e jetes asaj krijese te nentokes, po ofrojsha nji ure nderlidhese me jeten qe kishte lane mbas dore ate vend te zi si nata e fundit te ferrit, u pergjegja:

“Profesor, jam S.R. studenti i juej ne lice. A ju kujtohet?”

   Nji heshtje e shkurte, e ai: 

“Mos thuej… O fatzi, edhe ti ketu ne Sigurim?…Pse te kane arrestue?”

    U perpoqa te spjegoi gjendjen e Shkodres ne ato dite. I tregova per 28 katundaret e Postribes qe u vrane pa gjyq publikisht, per dhjetra te tjere qe u ekzekutuen para familjareve te tyne, per te arrestuemet ne mase ne qytet e ne rrethet, per shtepiat e katundeve te djeguna  tymi i te cilave shihej prej qytetit, per tmerin qe mbretnonte mbi popullsine shkodrane e mbetun krejtesisht pa mbrojtje e ne meshiren e vales se terbueme te komunisteve shqipfoles, qe frymezoheshin dhe veprojshin simbas urdhenave te shokeve jugosllave, dhe sidomos per katastrofen e pandaleshme qe ra mbi koken e klerit katolik shqiptar dhe klases intelektuale shkodrane, te denuem me shkaterrim.  Me dukej sikur te gjithe ishin arrestue, torturue, e ishin ne pritje te ekzekutimit, ose te nji periudhe te gjate burgimi…

   As une vete nuk e dijsha pse fola kaq shume. Nga frika kalova ne nji gjendje shpirtnore te re ku nevoja me fole, e me fole pa pushim, me dominoi. Ishte mesnate! Kisha kalue proven e pare te tortures dhe e kisha te qarte se çfare me priste neser, mbasneser, dhe ne muejt e ardhem. Flitsha pa nderpremje nga frika qe kisha se diçka mund te me pengonte ma vone, ashtu siç ngjau me izolimin tim te plote.

   Profesori viktime nuk me nderpreu. Here mbas here fshante sikur donte me thane:”Te mjeret ne çka na ka gjete…!” pa fuqi me shqiptue fjalen.

   Mbandej ra heshtja! Une u struka ne qoshen e murit te korridorit. Profesori priti pak kohe…nji eternitet ne ate gjendje…dhe ma ne fund shqiptoi fjalet qe u ngulen per jete ne kujtesen time:

   “Sami, nuk me vjen keq per vehte sepse kam ndihmue ardhjen e ketij regjimi. Zoti e din sa kam dashte lirine e popullit, e sidomos te Dukagjinit tim te vorfen…Po keshtu si morren punet e ndiej vehten pergjegjes per te gjitha viktimat…edhe per ty, studenti im i pafajshem…Edhe une jam i pafaj, por peshen e pergjegjsise se perkrahjes se Levizjes ne Dukagjin gjate luftes kunder okupatorit nuk mund ta shkarkoi…ajo me mbetet ne kurriz per sa kohe qe jetoj…Por ju, more te mjere, ju te rijt e pafaj, viktima te ketij sistemi te pashpirte, te pa Zot…ju pse te vueni?”

    Ai heshti. Une nuk pergjegja. Por heshtja nga te dy anet e deres se mbyllun randoi aq shume mbi mue sa nuk isha ne gjendje me e durue ma gjate.

   “Profesor!” i thashe. “Ju nuk keni faj…keni ndihmue rezistencen…edhe ju jeni viktime …Kush e mendoi keshtu?”

   “Jo, jo,” u pergjegj. “ Dikush ashte fajtor per te gjitha keto…une kam qene prane tyne, u genjeva premtimeve…sikur te me kishte marre Zoti mendt…”

   Me pyeti per vellaun, Markun, qe une nuk e njihsha. Me tregoi se ne “nevojtoren-qeli”_ prane ishte Riza Dani, deputet i Shkodres, qe here mbas here shperthente me thirrje te nalta e shamje qe shuheshin menjihere nga rojet e kuqe e shkopi i tyne mbi kurrizin e shtatedhjete vjecarit demokrat.

    Rrefimi para vdekjes i profesorit tim pasunoi ndergjegjen time me nji dimension te ri, te jashtezakonshem, pothuejse shenjtenor: ate te sinqeritetit te plote, te zanit te ndergje-gjes pa asnji njolle, ate te nji pastertie shpirtenore qe arrijne vetem zemrat e hapuna para vehtes dhe para Krijuesit. Une pata pershtypjen se profesori im ishte “zgjidhe” e rrefehej para Zotit e perulej para Tij si shpirt i dalun nga trupi qe e mbylle, pata pershtypjen qe ai po pergatitej per Gjykimin e Fundit jo si nji i denuem me vdekje qe vajton fatin e jetes mbi toke, por si nji sakrifice e ndergjegjshme e rolit tij mbi toke, me friken qe  kishte tradhetue kete rol e qe ai nuk e duronte, …e megjithate, per lehtesim shpirtenor, e pranonte. I ri, i papergatitun per skena kaq tragjike, une u dermova plotesisht ne shpirt. Me dukej se rreth e rrotull meje siellej vdekja qe merrte pa pyete, e korrte pa meshire qeniet e pafajshme te mbetuna ne doren e nji fati te eger qe nuk e meritojshin …si profesori i im qe nuk e pashe ma, e qe u ekzekutue gjashte muej ma vone e gropue ne nji varr pa shenj! (Deputetet Kole Prela e Riza Dani u pushkatuen ne vitin 1948)”. Ktë dishmi ma ka nise nga USA me e-mail me dt .........i nderuemi bashkvuejtes dhe njeheresh nxanes  i Kole Preles, Sami Repishti, qe e falenderoj perzemersisht, Zoti i dhashte shnet.

Mesuesi i vjeter shkodrane, Angjelin Zojzi rrefen:

 ne femini kje nji fëmijë i brishtë ,i verdhë ,por i urtë ,nji vorrcak i zellshëm ,me qiri para librash e me nji copë bukë të thatë në dorë ,kurse në rini : nji djalë i heshtun që flet pak e mendon shumë ,guximtar e pa entuziazëm rinor ,por që kishte përvehtsue karakterin e shpiptarit malsor , krenar për idetë e tija dhe që luftonte servilizmin .

Ish gjerenali Sadik Bekteshi në intervistën e tij në R.D .thotë : ‘Kol Prela kje i pari partizan që doli në mal në Dukagjin”,pra ai nuk thotë “komunisti i parë”.

Në vitin 1943 ,fill mas Mb.së Mukjes në Tiranë. Pof. Rrok Zojzi kishte takue Prof. Kolën si ilegal ,i cili i kishte thanë :“Kam ba gabim që hyna në Front”.

Gazeta “Fjala e Lirë” e Elbasanit Nr.247 vit 1994 shkruen nën titull “Mos e harroni Kolë Prelën” nga M.Bungo…Në nji takim te Prof. Koles me Q.Draçinin, tue pa neper rruge njerz qi po burgoseshin, vjetin 1946 i pat thanë Qemalit :  “Duket se shpejt do na vijne koha edhe ne”

“Mos harro, Drite” – “ me shif nanen” i kishte lane amanet ne burg, i urti Prof. Kole te burgosunes , kur ajo po dilte nga burgu ( R.D dt. 16.2.1991).

Ajo (Kata) në fillim u shtang, por kur e mori vehten bertiti: “Ky asht Kola im, im bir”, e e me krahe hapet iu drejtue ta rrokte, si rroke nana loçken e vet.

Thohet se e ama Kata, per tre net rresht ne baçen e Shulejve Ballabane per ta pa per te fundit here kah e dergojn per pushkatim, por u rrejt. Prof. Kola ne çastin e pushkatimit fshani: “ O Shqipni, po me pushkatojne pse te deshta”... Marrun nga revista Kultura dhe Jeta 1996,  Viti III i botimit, fq 1-6.

Prof Kole Prelen e ka njofte bajagí mirë edhe ish sekretarja e komitetit të partisë komuniste të rrethit të Shkodres z.Zina Franja, e cilla ne janar të 2006 në shpinë e vet me tregoj :

Persa i perket pushkatimit të Kolë Preles dihet se Gjipsin e ekzekutuesve te tij dhe të avokat Paulin Palit e kanë ndjekur njerzit deri te Zukth Kashta. Kola sebashku me të vellanë Markun kanë jetue në jerevine e Nush Bushatit në lagjen Giuhadol.

Kola pat jetue edhe te shpija e babait te Zina Franes,Tom Zef Plani, te Semeteja e Vjeter afer Qark Komandantit, Gjon Destanisha nga Gimajt e Shalës.

Dedë Lulashi i Ndrejajve, i biri i bajraktarit të  Shoshit në një leter të shkrueme në janar të 2006 posáqe për dishirin tem me njofte mâ mirë Kole Prelen dëshmon:

Kola masi maron shkollen e naltë me rrezultate të shkëlqyeshme, vjen në Shqipni dhe lidhet me forcat nacionaliste çlirimtare, ma vonë krijon çetën në Pepsumaj ku në këtë çetë mueren pjesë disa shoshnjanë, shalnjanë, toplans, pultins e tjere.

Kola vinte disa here të shpija jonë e bisedonte me baben tim Lulash Gjeloshin.

Më kujtohet në 44-en  kur Kola erdhi në shpinë tonë e gjatë bisedës me baben tim i thotë: bajraktar banu me mne se jena ka fitojmë, baba ju pergjegj e di se ini ka fitoni por nuk bahem komunist pa dekë se ini të pafe.Kola ju pergjegj bajraktar nigjo pasha Krishtin komunist nuk bahem pa vdekë, atëher  nuk ke gja në terezi i thotë baba jem Lulash Gjeloshi edhe biseda vazhdoj.

Zotni Ahmet Bushati, i denuem ne Shkoder ne vitin 1946, deklaron si mâ poshte:

Në burg do të bijshin të dy vëllaznit: Kola, si gjoja i lidhun me grupin e deputetëve, kurse, Marku, si zakonisht në atë kohë, për Postrribën.Mbas denimit me vdekjë të Kolë, thuhet se Katrina tri netë me rradhë ishte qenë ngujue  në nji kopsht të lagjes Ballaban, me shpresë që të shikonte për herë të fundit Kolën e saj kur andej ta kalojshin për në zallë të Kirit, vendi ku zakonisht u pushkatojshin të denuemit me vdekje, Për nji dëshprim ma tepër për te, Kolën – siç kemi folë pak ma sipër – do ta pushkatojshin bashkë me Paulin Palin në fushë të Bunës.

Marku i dalë prej burgut mbas dhetë vjetësh, do ta gjente ma në fund pak ngushllim te nji fejesë që pat ba dhe e am, Katia, - siç e thërrisnin për shkurt të kojshi e të afërm – u thonte se qe përtri, por jo për kohë të gjatë, sepse Marku,si të kishin kalue pak muej fejesë  e    “kndelluni", do të vdistë papritmas tek punonte si topograf në fushë të Zadrimës.Dikush pat thanë se e helmuen njerzit e Sigurimit, gja që më duket se nuk u provu.Megjithate, Katrina vetë, merr ma të tmerrshmin ndëshkim të fatit, gjallë se gjallë.

Në kohën që Marku vdiste në Fushë të Zadrimës, Katrina me të fejuemen e tij kishin dalë në Thethë te njerzit e tynë e kur, mbas lajmit të marre, të mbrrijshin te shtëpija rreth mesnatë, do të gjëjshin dhomen rreth e rreth me ish-shokë të burgosun të Markut dhe Katrina ende pa ba kambë brenda, me zëmër të coptueme, po e mbajtun fort prej zakonit, do t'ju drejtonte dhomës me nji za burri : “Prej robit burra, apo prej Zotit?” Dokument i marrun nga libri i tij per kujtimet e burgut me titull "Në gjurmet e një ditari" fq 151, por këto dëshmi të shkrueme i nderuemi Ahmet ma tregoj edhe kur shkova me e takue ne shpinë e tij në janar të 2006, bilè për knaqsinë tëme aj shkrou edhe nji fletë posáqe per kujtimet e tij me Mark dhe Kolë Prelen dhe mâ fali me shumë dashtuni.

Nga libri “Një monument nën dhè” i Fritz Radovanit, po i botoj këto fraza me leje të autorit që e kam mik shumë të dashtun dhe një korrespondencë të vazhdueshme me ane të e-mail:

Kolë Prela para trupit gjykues. “Në shkurt jam takue me Paulin Palin, por nuk kemi bisedue gja me rëndësi.Padër Gjonin (bahet fjalë për Atë Gjon Shllakun) e kam pasë mik personal. Padër Franja (bahet fjalë për Atë Frano Kiri) Filipi e Aleksi, kanë ardhë për një deklaratë që i kam dhanë për P.Gjonin.

Me Gjelosh Lulashin jam takue dy herë, në shtator të 1945 dhe, në prill të 1946. Më tha se ban mirë me u ilegalizue, por, unë i thashë, nuk kam ba gja.Mbasi nuk kam marrë pjesë në organizata nuk mund ta quej trathti.”

Kolë Prela ndërroj jetë në 1948. Denimi me pushkatim ju dha prej këtij trupi gjykues: kryetar, kap Misto Bllaci, antarë, kap II Përtef Alizoti dhe nëntoger A.Koroveshi, prokuror kap. Namik Qemali dhe sekretar Shaban Q.Dautaj në seancën gjygjësore të datës 14 janar 1948.

Dosja edhe pse ka mangsite e veta tregon karakterin burrnor te Atyne Burrave qe luftuen per nje Ideal: Shqipni te Lire dhe Demokratike e bashkueme me te gjitha trojet e veta.

Dosja tregon edhe qendrimin burrnor te Ketyne Herojve qe edhe pse jane te besimeve te ndryshme Ata vdesin si vllazen tue ruejt te paster nderin dhe trashigimine e gjakut Shqiptar. Ka nga Ata qe ne tortura u dhunuen e deshmuen per shokun, por para gjyqit kane burrnine me pohue se: “E vertete asht fjala qe po tham ketu dhe jo ajo qe kam deklarue nen dhunen e tortures.” E mos harroni se tortura vazhdonte deri ne momentin e pushkatimit. Ja pra, me fakte sesi kane vdeke katolik e musliman pa dallue asnjehere njeni tjetrin nga besimi te cilin i perkitnin. Ata ishin vetem Shqiptar!

Kolë Prela, Gjelosh Lushi të Pepsumaj, Ndue Kola, Zog Mala e Kole Deda Mollçorë (Pepsumaj), pesë burra të Shoshit dhanë jetën e tynë për lirinë e Dukagjinit e të kombit shqyptar, e sot ata atë liri që e kërkuen gjatë te tanë jetës së tynë  e s’muejten me e gjete se rânë fli e rregjimit të pâ shpirt - të paftyrë - tiranist - komunist. Atë e gzojnë sot në qiell të lumnuem në gjirin e engjëjve dhe shënjtënve të Parrizit. Kur njeri ka shpirtin e Zotit, si n'kjofte katolik si musliman, si burr si grue, si f'mi si i rritun ,  si i bardhe si i zi kalon çdo vështersi jetësore dhe n’fund gëzon lirine e vërtetë të qënies njerzore, burrat e mâ sipërm janë shëmbulli mâ i kjarte i kësaj lirie të vertetë.

At'her të dashtun vllazën e motra le ta kërkojmë edhe nâ këtë liri, që nji ditë të galdojme edhe nâ në lirinë, pagjen dhe dashtuninë e Krishtit shpëtimtarit të rruzullit toksor.Ubi spiritus Domini, ibi libertas.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora