E marte, 19.03.2024, 08:34 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: I thashë vdekjes s’kam kohë të vdes

E enjte, 12.08.2010, 07:36 PM


I thashë vdekjes s’kam kohë të vdes

 

Vështrim rreth vëllimit poetik “S’kam kohë të vdes” të Nexhip Bashllarit.

 

Nga  Pëllumb Gorica

 

    Në vëllimin poetik të bukur, me një titull të cilin do e fut në kurth, “S’kam kohë të vdes” poeti i vargut plot mall e jetë, Nexhip Bashllari, i ledhaton krahët një lajtmotivi  shumë domethënës, jo vetëm për poetët, por për të gjithë ata që janë rreshtuar në llogoret e jetës:  poeti s’ka vdekje. Sepse edhe kur ajo e gjen fizikisht nuk e gjen kurrë shpirtërisht e moralisht. Poeti i fshihet vdekjes herë te një lot i sinqertë shoku dhe herë te një zukatje blete, herë te një fëshfërimë gjetheje e herë te një iso kënge. Në tërë vëllimin rreh pulsi i jetës dhe për poetin s’ka as moshë, as lodhje e as vdekje.                                

                     Kur hapa sytë ishte bërë mëngjes

                     I thashë vdekjes : S’kam kohë të vdes.

  Duke qenë i shkrirë natyrshëm pa qibër, me natyrën, me shoqërinë, me brengat dhe gëzimet, me cinizmin dhe sinqeritetin, poetin është vështirë ta kapësh, është vështirë ta gjejë edhe vdekja pa lëre më ata që nuk i duan të mirën. Ndaj ai deklaron pa mburrje :                                    

                     Të më gjeni s’është e mundur

                     S’ju mjafton e gjithë jeta.

  Poeti nuk përpiqet të maskohet me sforcime, por ai merr një arrati të pranueshme, për t’u mbushur me më shumë nerv jete e për të qenë sa më i denjë për një shoqëri, që ta meritojë ai e ta meritojnë atë. Atë e ka përpirë jeta deri në intimitetet më të padukshme sepse ai është njerzor, është i zoti ti veshë këngën si “bërruc çobani” por edhe të fluturojë në lartësi e të “përflakë shpirtin” me rreze diellore. Ai di t’i bëjë thirrje erës “ta rrëmbejë me vete”, por di të derdh edhe lot malli për strehëzën e tij, por edhe kur ai kthehet në fluid, kur e “fut vjeshta në brendësi “ të saj, ai nuk lejon askënd t’i prekë palcën që e specifikon si qenie të gjallë : dashurinë për jetën.

  Poeti Nexhip Bashllari edhe pse e ka dashur dhe e do shumë jetën, nuk e ka lejuar kurrë atë ta marrë zvarrë e të tallet me të. Ai ka kënduar këngë me pleqtë e ka pirë gota të mbushur rrafsh me raki, ka thithur ajër mali e ka pirë ujë burimi, por asnjëherë s’ka lejuar të luajnë me dinjitetin e tij. Ai është kockë e fortë, i pangopur me gjithçka që i shërben njerëzimit e të ardhmes, ndaj ai rrallë edhe zemërohet e vihet roje në shërbim të një jetë të ndershme e nuk bën asnjë kompromis:  

                     Vras e pres veç terr të zi

                     I çoj djajtë në skëterrë.

 Por kjo kockë e fortë, dorëzohet shpejt para mallit që ndjen për strehëzën e tij dhe ngre duart e kërkon falje:         

                     Me përkundje nanuriste

                     Më ke dhënë flatrim krahësh

                     Që të ika të lashë vetëm

                     Oh të lutem të më falësh.

  Dhe ky mall që fryn në tërë librin si fllad mbi plagë e bën nganjëherë dhe si antipod të gjithçkaje, e të duket sikur ecën kundra rrjedhës e kërkesave të natyrshme të jetës:                                   

                    Më vriten brinjët

                   në dyshek sfungjeri.

  Por prapë poeti Nexhip Bashllari nuk e fsheh krenarinë që edhe ai me vargun e tij modest la gjurmë, e u shërbeu njerëzve. Vargu i rij gërryen zemra të sinqerta  e i bën “lisat të ulin kryet”, zbut rakinë që e pinë pleqtë në sofra e i bëhet shok një emigranti, dënon mëkatarët  dhe e bën nënën të derdhë lot, ndaj ai si poet ka një merak të madh:  Fjala të jetë e lirë si ajri i pastër i maleve:                                       

                   Trupin le të ma digjni

                   Mos ma digjni fjalën.

Vargjet e librit të Nexhip Bashllarit të rrëmbejnë si pa u ndjerë e të fusin në ritmikën e larminë plot frymëmarrje të këngës popullore :                                    

                   Bie të flesh e s’të zë gjumi

                   Sa të zë të del dhe prapë

                   Buçet mendja porsi lumi

                   Dallgëfryrë trap më trap.

  Në këtë vëllim në çdo varg jeta sfidon vdekjen. Edhe loti bleron-thotë poeti. Edhe te malli që përlot, jeta gjen vitalitetin e saj. Në zemrën e tij ka vend për të gjitha edhe për “retë e ndezura nga dashuria rinore”, edhe për manushaqet që mezi dalin nga fund-dimri, edhe për guguçen faqehënë, edhe për puthje gjethesh fëshfërimë.

 Edhe në ciklin e poezive nga Kanadaja, poeti thekson me forcë atë që e bren, jeta bëhet më e bukur në vendin tënd, por çdo njeri, i çdo ngjyrë e vendi qoftë, ka jetën e tij dhe e meriton ta jetojë atë sipas koncepteve të veta.

  Por poeti duke bërë thirrje ta duam jetën, nuk harron të kujtojë se ka dhe vdekje. Por specifika e poetit qëndron në atë se ai jep një këshillë shumë të vlefshme për vdekjen: të mos kujtohemi vetëm kur vdes ndonjë i afërm. Njeriu jeton me vdekjen çdo ditë, por  merita është se di ta sfidojë atë. Ndaj poeti di të bëjë shumë mirë edhe balancë jete                                  

                        Si jam ndjerë tek kjo botë

                        Nga u nisa e ‘’rrugë mora

                        Nga ç’kam bërë çfarë ka mbetur

                        Ç’farë kam mbjellë dhe ç’farë korra.

 Dhe njeriu që di të bëjë bilanc nuk humbet kurrë. Vitet që vijnë i zbulojnë veç shkëlqim të ri.



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora