E enjte, 12.12.2019, 01:47 AM (GMT)

Kulturë » Muzikë

Akullthyesit e netëve të bardha

E hene, 10.12.2007, 12:21 AM


Akullthyesit
Ka ardhur për pak ditë në Tiranë, aq sa të vërë në vijë punët më këngën që do të prezantohet në Festivalin e Këngës në Radio Televizion. “ Kemi vendosur të thyejmë sërish akullin”, shprehet Ymer Ashiku, vokalisti i grupit Akullthyesit, që pas tetë vjetësh mungesë vendosën të rikthehen sërish në atë skenë ku kanë kujtimet më të bukura, edhe pse ishte i vetmi vend ku ishin të detyruar ta këndonin këngën me superpozim
 
Nga Suadela Balliu

Tek tregon për vitet larg Shqipërisë një telefonatë ia ndërpret rrëfimin. Është shoku dhe kompozitori i grupit që e merr nga Italia, i merakosur si po shkon puna me këngën e tyre. Bisedojnë gjatë, madje ai nis dhe i këndon këngën në telefon. Flasin për t’i shtuar e për t’i hequr ndonjë fjalë, ashtu si u vjen më për mbarë dhe si mund të tingëllonte më ngrohtë. Thonë se e kanë zgjedhur, pasi ishte skena e parë ku u ngjitën dhe u bënë të njohur. E megjithëse e ka humbur pak magjinë e atyre viteve, siç thotë Ymeri, sërish vendosën se është më mirë të shfaqen aty për publikun se sa në një nga televizionet private. Ymeri bashkë me Bledi Shishmanin, kompozitori dhe pianisti i grupit, vendosën të prezantojnë këngën “Natë e bardhë”. Një grup i munguar Shqipërisë me një këngë të munguar. “Vendosëm të krijojmë një këngë për Krishtlindjen, duke qenë se ne nuk kemi një këngë të mirëfilltë në shqip për këtë ditë të shenjtë”. Edhe pse për kaq vite u larguan nga skena, Ymeri shprehet se nuk janë ndarë asnjëherë si grup. Thjesht kanë pritur momentin e duhur, thjesht janë vonuar nga rrethanat, thjesht kanë pjekur më tepër profesionalizmin. E panë të volitshme të ishte ky momenti i duhur për t’u rikthyer. Edhe pse mund të kenë ndryshuar, flokët nuk i kanë më të gjatë e kanë kohë që i kanë hequr nga trupi xhaketat prej lëkure, zëri ka mbetur po i njëjti dhe rroku është ende përfaqësuesi i tyre. Do të jenë tre që do të ngjiten mbi skenë e do të këndojnë, Ymer Ashiku, Bledi Shishmani dhe Gent Myftaraj. Ende nuk e kanë marrë miratimin nëse kënga e tyre do të pranohet në Festival, megjithatë Ymeri shprehet plot optimizëm. Dëshira e madhe për të kënduar në atë skenë, vendi i vetëm ku mund të prezantoheshin këngëtarët dhe grupet e asaj kohe i tregohet në sy. Nuk mund ta fshehë kënaqësinë që është kthyer, që Akullthyesit janë kthyer sërish bashkë për të bërë gjënë që dinë të bëjnë më mirë, të këndojnë.

Tetë vite më pas

Para tetë vjetësh u larguan papritur, pa thënë pse e bënin. Ndoshta mediat e asaj kohe nuk u kushtonin vëmendjen e dëshiruar. “Gjithmonë nuk na është dhënë rëndësia e duhur nga mediat. Ndoshta sepse ishim nga Elbasani. Të them të vërtetën nuk e di”, shton Ymeri. Ndoshta shumë nga fansat e tyre pyesnin pse u larguan, e ndoshta shumë prej tyre i donin sërish në skenë. Nuk ndodhi të kishin kontradikta me njëri-tjetrin. Ishte Bledi, lideri i grupit që në vitin 1998 u largua i pari. Jo se e braktisi grupin, por rrethanat e jetës së tij e shpunë drejt Italisë. Megjithatë nuk i rezistoi shumë gjatë mungesës së skenës e u rikthye në vitin 1999, ku u paraqitën në Festivalin e dhjetorit me këngën “Pse jo”. Rikthimi qe i shkurtër se pas Bledit, ai që do të largohej ishte Ymeri. Të dy emigruan drejt Italisë. Dukej e çuditshme ata që kishin kënduar këngë si Simfonia e Lamtumirës, apo Motiv i Largët, të cilën Bledi ia kushtonte të vëllait që ndodhej larg, tani ishin vetë ata që largoheshin. Bledi dhe Ymeri vazhduan t’i mbanin lidhjet në Itali. Tani kanë kaluar plot tetë vjet që ata jetojnë në Pavia. E ndërsa thurin plane për t’u rikthyer edhe njëherë artistikisht në Shqipëri jetojnë dhe punojnë çdo ditë. Bledi punon si pedagog muzike në qytetin e Pavias, ndërsa Ymeri në një diskotekë. Përveç se nuk i kanë shkëputur lidhjet me njëri-tjetrin, nuk kanë mundur dot të shkëputen as nga muzika. Kishte edhe nga ato ditë ku takoheshin me miq muzikantë shqiptarë dhe nuk i rezistonin tundimit për të kënduar rrok. “Njëherë takuam Bled Sejkon dhe luajtëm atë natë për qejf. U kënaqëm shumë. Por ishte e vetmja natë se nuk e pamë më”, kujton Ymeri.

Gjatë ditëve që ka qëndruar këtu, Ymeri ka pasur mundësinë të ritakojë miqtë e vjetër, të bisedojë me ta t’u tregojë dhe planet e afërta të grupit . U takua sërish dhe me ish kitaristin e grupit Gent Myftaraj,që do i bashkohet edhe njëherë grupit.

Flokët shkurt dhe me rrok më të butë

Do rikthehen në skenë si më parë, edhe pse kanë ndryshuar disa gjëra. Kur i pyet nëse vazhdojnë të pëlqejnë rrokun e fortë, Ymeri thotë se “tashmë janë rritur e kanë venë mend”. I kanë zbutur pak shijet, apo ashtu siç thotë me shaka ai janë civilizuar. Tani bëjnë rrok më të butë e i kanë lënë rrugë alternativave. Nuk janë më ata djemtë me flokë të gjatë dhe shumë pak do e njihnin Ymerin nëse do e shihnin në rrugë. I ka prerë flokët fare shkurt, megjithëse kur e dëgjon të të sjellë ndër mend ndonjë nga këngët e grupit, zëri nuk i ka ndryshuar dhe kënga të kujtohet menjëherë. Shumë gjëra kanë ndryshuar, por kanë ruajtur një zakon të vjetër. Muzikat dhe tekstet e këngëve vazhdojnë t’i shkruajnë vetë. Për tekstet mendon Laureta, bashkëshortja e Bledit që prej vitit 1996. Asgjë nuk ia ka venitur qoftë edhe pak dashurinë për rrokun. As puna, a mosha, as impenjimet familjare megjithëse tani janë baballarë e bashkëshortë vazhdojnë ta duan rrokun me po të njëjtin intensitet dhe nuk i ka humbur as dëshira e as zëri për të kënduar live, si atëherë kur fare të rinj mbanin në këmbë mijëra të rinj, që mblidheshin në Elbasan, apo kur këndonin në mitingjet e Partisë Demokratike. Sa herë që partia kishte miting, ata ishin gjithnjë të pranishëm gjithmonë duke kënduar Live. Nuk e fshehin dhe asnjëherë nuk e kanë pasur problem ta shfaqin hapur bindjen e tyre të djathtë, madje shprehen që në atë kohë ndiheshin shumë të stimuluar në artin e tyre. Ymeri shprehet se të tre vinin nga familje të mesme elbasanase, të cilat nuk e kishin dashur kurrë komunizmin. Të kënduarit në mitingje e shihnin edhe si shenjë falënderimi ndaj një regjimi që i solli lirinë për t’u shprehur me artin e tyre. Sepse në vitet ’90 ata nuk kishin më frikë të mblidheshin bashkë e të këndonin, nuk shqetësoheshin as për flokët e gjatë dhe qëndrimet rebele. Pak vite më parë kolegët e tyre dënoheshin për shumë më pak.

Ish nxënësit e shkollës Onufri

Këngët e tyre mbijetuan dhe dëgjohen shumë edhe sot. E habitshme mund të duket kur në forume faqesh virtuale sheh shumë të rinj të moshave 16-18 vjeçarë që adhurojnë këngët e akullthyes-ve. Shprehen se në atë kohë ata bënin muzikë dhe i vlerësojnë sepse Akullthyesit ishin të parët që bëjnë një album me të gjitha të drejtat e autorit. Muzikën e kishin pasur të gjithë në gjak dhe jo më kot kishin studiuar në shkollën e muzikës “Onufri”. Në të kohë ku çdo gjë ishte e vështirë ata arritën të realizojnë një nga ëndrrat e tyre. Këngët që i këndonin nëpër koncerte, të gjitha krijime të tyre arritën t’i mbledhin në një album. E titulluan “Lindja e ujkut” dhe ishte albumi i parë i regjistruar ndër grupet shqiptare. E incizuan në Shkup, në studion “Tra La La”, studio ku incizonin edhe miqtë e tyre, djemtë e grupit “Elita 5”. Ndërsa shumëfishimin menduan ta bënin në Itali. Paguan një shifër prej një milionë e gjysmë lireta për një mijë e pesëqind kopje dhe kur e pyet Ymerin nëse fituan gjë prej shitjeve buzëqesh dhe thotë se shumicën e falën dhe pak prej atyre që e dashuronin muzikën e tyre kishin dëshirë që mbi album të kishin edhe autografin e grupit. Atëherë këngët e tyre si “Simfonia e lamtumirës”, “Vetmi e harruar”, “Motiv i largët”, “Mos më moho”, “Mbret i fuqishëm”, “Vrasje në mesnatë” ishin hite dhe të gjitha përcillnin mesazhe. Ishte një realitet jo edhe aq i lumtur për shqiptarët, që për të fituar bukën e gojës i duhej të emigronin e shumë prej tyre nuk arrinin të kalonin të gjallë në shtetin fqinj. Shumë shqiptarë vdiqën në kufi dhe djemtë i kushtuan këngën Vrasje në mesnatë. Pothuajse të gjitha këngët preknin tema të rëndësishme, pa harruar edhe dashurinë, së cilës i kanë kënduar të gjithë artistët. Në kohën kur realizuan albumin e parë ishin të katërt: Bledi Shishmani, Ymer Ashku, Ermir Dyrmyshi dhe Gent Myftaraj. Pas ikjes së Gentit drejt grupit Thunderway, iu bashkuan dy djem të tjerë të talentuar, Met Gurra në kitarë dhe Gëzim Osmaj në bas. Ata kanë bërë edhe një album tjetër, të cilin një nga shtëpitë diskografike këtu në Tiranë ia kanë mbledhur këngët dhe pa marrë autorizimin e tyre e ka nxjerrë në shitje. Megjithëse Ymeri thotë se asnjëherë nuk kanë menduar për anën ekonomike dhe askujt prej tyre nuk i ka shkuar ndërmend ta shohin artin si biznes. Edhe albumet i kanë mundësuar me kursimet e veta.

Rikthehen Akullthyesit!

Ymeri ka shumë dëshira dhe shumë plane mbi rikthimin grupit. Ka kohë që e bluan me vete, madje as shokëve nuk ua ka thënë. Dëshiron që Akullthyesit të bëjnë një koncert më 28 nëntor, ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Vetëm se dëshiron ta festojë me rrok jo vetëm pavarësinë e Shqipërisë, por edhe atë të Kosovës, përpara se ta bëjnë ndërkombëtarët , prandaj edhe koncertin do që ta japë në Prishtinë. Ka menduar gjithçka, këngët, emrin e koncertit, madje mendon edhe për grupet e tjera që do i bashkohen, vetëm se kushti është që të gjithë të këndojnë live . “Rock, no war”, mendon ta quajë koncertin e duan të këndojnë live gjithë natën. “Kam shumë dëshirë ta realizoj këtë ide. Nuk e kam problem të këndoj deri sa të më bjerë të fikët në skenë. Por shpresoj që të gjejmë sponsorë për ta arritur këtë”- shprehet Ymeri dhe nga fjalët që i dalin nga goja i duket dëshira e madhe për ta realizuar këtë ëndërr . Për t’ju rikthyer edhe njëherë atyre viteve ku nuk i mungonin publikut shqiptar, ku sillnin vetëm muzikë shqip, se djemtë edhe pse i adhuronin grupet e huaja, ata që kishin bërë legjendë në historinë botërore të rrokut ata nuk i këndonin këngët e tyre nëpër koncerte se kishin mjaft të tyret, që publiku i këndonte bashkë me ta. Ymeri kujton një episod në një prej koncerteve të tyre. Në vitin 1996 zhvillohej “Miss Tropoja” dhe deputeti Azem Hajdari i kishte ftuar të këndonin në eveniment. Sapo dolën nga “Turizmi” në Tropojë një grumbull admiruesish të grupit qëndronin përpara për t’u marrë autografe. Një djalë u shkëput nga turma dhe preku Ymerin në dorë dhe bërtiste pastaj si i çmendur. “Nuk më besohet që i preka”, ndërsa vendi ishte krejtësisht i rrethuar me policë, këta të fundit menduan se bëhej fjalë për ndonjë person të çmendur që donte t’i bënte keq ndonjërit prej anëtarëve të grupit. “ E rrahën aq keq atë djalë sa që mendova se për të nuk kishte shpëtim. Kur po këndonim në skenë më pas, ai ishte atje, në radhë të parë me buzën e çarë dhe të fryrë që këndonte me këngët tona dhe na përshëndeste me dorë. Në Tropojë na pritën si yje të vërtetë”- shprehet Ymeri që mes shumë kujtimesh, koncertesh e turnesh në Shqipëri veçon këtë të Tropojës me mbresat më të mira të një publiku tropojan që e dashuronte rrokun. Tashmë që kanë kohë që i janë larguar skenës mendojnë se ata që e duan rrokun janë gjithmonë dhe presin diçka të mirë që t’i shfaqet këtij tregu të varfër muzikor. Për Ymerin i gjithë ky realitet është skandaloz dhe kjo muzikë, duket si e sjellë me zor dhe e sponsorizuar nga njerëz që duan të dëmtojnë muzikën e vërtetë. Megjithëse ka vend gjithmonë për ata që duan të bëjnë muzikë dhe ndihet keq kur dëgjon nga miq dhe kolegë të tij se nuk duan të bëjnë diçka për muzikën e tyre pasi ky nuk është momenti i duhur dhe askush nuk do i blinte albumet e tyre. “Është e vërtetë që nuk jetohet me art. Për këtë arsye dhe ne i kemi munguar skenës shqiptare. Tani jemi bërë familjarë dhe në punët tona jemi shkëputur pak nga të kënduarit, por ai që ka vullnet e bën artin dhe në kohë të vështira. Mua nuk më pëlqen pesimizmi”. Akullthyesit kanë përgatitur edhe një album gjatë kohës që kanë qëndruar në Itali, kanë plane për një rikthim të bujshëm dhe shpresojnë se çdo gjë do u shkojë ashtu si e kanë menduar. “U larguam gjatë trazirave të ’97, sepse nuk ishim dakord me pushtetin që erdhi dhe tashëm që është rikthyer sërish Partia Demokratike u rikthyem dhe ne”. Jo se kanë ndërmend t’i hyjnë politikës, të paktën këtë nuk e shpreh asnjë prej tyre, por tashmë ndihen më mirë dhe më të kompletuar. Ymeri thotë se ka lexuar në librin e historisë së shkollave 9 vjeçare edhe emrin e tyre mes njerëzve që sollën demokracinë. Ata e bënë në mënyrën e tyre, me rrok. Tashmë që premtojnë se do t kthehen sërish shpresojnë të hapin një kapitull të ri...

Akullthyesit

Bledi Shishmani- kompozitor, piano
Ymer Ashiku- vokal
Ermir Dyrmyshi- bateri
Gent Myftaraj- kitarë
Met Gurra- kitarë, i bashkohet grupit pas ikjes së Gentit
Gëzim Osmaj- bas 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT