E marte, 11.08.2020, 07:36 PM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Bujar Asqeriu: Në jetë, askush nuk mund të thotë gjithçka

E diele, 09.12.2007, 06:34 PM


Bujar Asqeriu
Bujar Asqeriu
Është një nga aktorët që me punën e tij i ka dhënë vlera të çmuara artit skenik dhe kinematografik shqiptar, por që vazhdon dhe sot që të jetë një nga pjesët më të rëndësishme të tij. Bujar Aqeriu është një nga aktorët e njohur të skenës dhe ekranit shqiptar. I lindur në qytetin e Vlorës ku mori edhe shtysat e para drejt rrugës së gjatë artistike ai mbetet pa dyshim një nga njerëzit që i dha jetë me rolet e tij artit shqiptar. Pas diplomimit ka pasur një karrierë intensive ku spikati për talentin e tij që në rolin e parë në filmin “Në shtëpinë tonë”.Por, sot pas shumë vitesh si vazhdon aktiviteti artistik i tij, cilat janë ato gjëra nuk i realizoi dhe do të kishte dashur të bënte në jetë. Gjatë rrëfimit për gazetën “Sot” ai shprehu të gjitha ndjesitë e tij për artin sot në vendin tonë ku tregoi, jo pa emocion rrugën e gjatë dhe të vështirë artistike që e ka shoqëruar deri tani.

-Keni vite që interpretoni në role të ndryshme, të cilët kanë ngelur në mendje të publikut, por cila ishte ajo që ju inkurajoi drejt rrugës artistike?

Inkurajimi im drejt rrugës artistike ishin vitet e shkollës së mesme. Në atë kohë zhvilloheshin olimpiada teatrale midis shkollave dhe qendrave të punës. Për atë kohë ishin ngjarje, të cilat edhe për qytetin tonë të Vlorës ajo ishte diçka e rëndësishme. Për herë të parë njerëzit shikonin në skenë djem dhe vajza të cilët si kish parë askush që luanin më pozicione të ndryshme aktorësh dhe ajo ishte garë e bukur. Mendoj që edhe sot ajo mund të aplikohet ku nxënësit e shkollave të ndryshme mund të zhvillojnë olimpiada teatrale edhe sot, kjo do të ishte diçka e tërheqëse. Por, nga kjo mund të dalin edhe shumë talente të reja që mund të shpalosin fuqishëm dhe të inkurajojnë njëri- tjetrin për të marrë rrugë të ndryshme në jetë dhe pse jo edhe atë të aktrimit. Pra,ishin këto vite ku unë luajta një pjesë teatrale në shkollën e mesme dhe fituam edhe vendin e parë me atë shfaqje.

- Ajo shfaqje për ju ka qenë e veçantë, cili është kujtimi që ju ka lënë?

Dua të kujtoj një fakt  nga ajo shfaqje ku për herë ta parë  dhe të fundit im atë më pa në skenë. Ka qenë me tim vëlla, i cili është më i vogël se unë. Kur unë luaja në skenë im atë qante në sallë. Im vëlla e kish pyetur se pse qan dhe ai i ishte përgjigjur: vetëm shiko në skenë. Ky detaj më ka ngelur në mendje dhe vazhdimisht më ka shoqëruar në tërë jetën time artistike. Po këtë vit ku fatkeqësisht im atë u nda nga jeta unë fillova shkollën e lartë dhe ishte pikërisht kjo shfaqje, e cila më dha edhe shtysën më të madhe që unë të bëhesha aktor. Megjithatë, unë në atë moshë nuk mund të kuptoja se si do të arrija të bëhesha aktor sepse nuk e dija se si do të rrezatoja apo reflektoja duke luajtur në skenë. Pikërisht, në këtë periudhë ka luajtur një rol të rëndësishëm për mua aktori vlonjat Pirro Sava, i cili ishte një njeri me kulturë të gjerë. Por, këtu dua që të përmend edhe diçka tjetër. Pasi, mbaronim shkollën mesme profesionale, unë në atë kohë punova motorist- xhenerik, por në këtë kohë unë u angazhova në estradën e Parkut. Në atë estradë kishte njerëz të talentuar të humorit, por që këndonin shumë bukur parodinë. E thashë këtë sepse me një nga këto parodi unë jam paraqitur edhe në konkursin e Akademisë së Arteve. Pasi hyra në fakultetin e arteve unë mund të them se në atë kohë kisha shumë mangësi në letërsinë artistike. Në këtë kohë rrija shumë në bibliotekë duke lexuar libra me orë të tëra për të mbushur atë boshllëk që kisha. Ndërkohë që me mbarimin e studimeve unë mora shumë vlerësime dhe për mua në ato kohë ishte diçka e rëndësishme.

-Çfarë kujtoni nga koha kur keni interpretuar rolin tuaj të parë?

Roli im i parë ka qenë në filmin “Në shtëpinë tonë” në vitin 1979, por unë në atë kohë isha akoma student. Ky film kishte si regjisor Dhimitër Anagnostin unë kam shumë kujtime nga ky rol , por dua që të përshëndes shumë edhe profesorët e mi: Birçe Hasko, Anastas Kristofori, Gëzim Kame dhe Esat Oktrova, të cilët kanë një rol të madh në drejtimin tim si artist. Por, ama në kontaktin e parë në film unë nuk e dija se çfarë ishte kinemaja. Kam qenë në atë kohë në vitin e dytë me pedagog të madhin Sandër Prosi. Një ditë prej ditësh unë e pyeta nëse do të luaja ndonjëherë dhe ai mu përgjigj: do të luash sa do të lodhesh. Pas këtij roli në filmin “Në shtëpinë tonë” që për mua ishte kontakti im i parë me kamerën sepse në shkollë ne nuk bënim interpretim se si duhej që të luhej në kinema. Ne dinim vetëm se si duhej që të luhej në teatër, mirëpo duke punuar me një mjeshtër siç ishte Anagnosti, ai atë që ke mësuar për skenën ta transformon dhe ta sjell për kinema. Në thelb është e njëjta mjeshtëri, por mjetet shprehëse janë të ndryshme. Në film kamera të vjen deri tek sytë ndërsa në skenë je i detyruar që të luash për 500 apo 600 veta. Kështu që mjeti shprehës në skenë duhet të jetë me pikant se ai në kinema. Ai në kinema nuk ka nevojë sepse kamera të vjen deri tek bebe e syrit. Kështu që mjeshtëria duhet që të jetë e vendosur më thellë brenda qenies aktoriale kur luan në kinema. Duhet që të ruhesh nga tepricat, por sidomos edhe nga grimcat që janë artificiale në kinema. Në ndryshim nga teatraliteti, kinemaja nuk të pranon teatralitet dhe falsifitet sepse të zhvesh, duhet që të jesh aktor tepër i vërtetë.

-Sa role numëroni në karrierën tuaj artistike?

Deri tani unë kam interpretuar rreth 100 role të personazheve të karaktereve të ndryshme. Nga këto role janë rreth 30 në filma dhe 70 në teatër, të cilët padyshim që për mua ato kanë qenë të gjithë të rëndësishëm.

-Ju keni më shumë role në teatër, por shumë nga publiku ju njeh më shumë për interpretime në filma. Sa ndikon kjo në jetë tuaj artistike?

Kjo njohje e imja më shumë në filma se në teatër ndodh sepse publiku është më i madh në rastin e kinematografisë. Teatri zhvillohet dalvivo të shohin vetëm ato që janë në sallë. Kinemaja e ka më të madhe publikimin e saj, por edhe njohjen e saj sepse pa dyshim një rol të madh luan edhe ekrani. Prandaj, një aktor njihet më shumë nga kinemaja se sa nga teatri.

-Si e shikoni raportin e publikut sot me teatrin?

Teatri ka përparësi sepse raporti midis sallës dhe skenës të krijon një lloj raporti magjik sugjestiv. Publiku që vjen në sallë e di që aty bëhet teatër dhe një lojë, por të dy palët kanë rënë në konsensus që ta pranojnë këtë gjë. Nëse mundohesh që ta gënjesh publikun, ai nuk të pranon: më kë gënjye të thotë. Në këtë sens, jo vetëm që sot publiku të lexon shumë mirë, por arrin që të depërtojë edhe në strukturën krijuese dhe jam i sigurt që ai të jep vlerësimin e duhur. Janë të kota ato llafe që thonë se nuk kemi spektator se nuk na kupton publiku, këto janë llafe boshe. Teatri, kinemaja dhe çdo produkt artistik nuk bëhet për sallat boshe sepse nuk sjell kënaqësi estetike të bukura. Ndryshe po të ishte një gjë bukur njerëzit janë të prirur që të konsumojnë atë dhe rasti më i fundit është shfaqja “Pamje nga ura”. Kjo shfaqje ngjalli interes të jashtëzakonshëm tek publiku dhe padyshim që kjo është meritë e regjisorit, aktorëve dhe skenografisë, por shumë për t’u vlerësuar është edhe loja ansambël e tërë komponentëve të shfaqjes. Duke i sjellë këto gjëra të gjitha në harmoni mund të bësh sukses.

-Në këtë premierë ju interpretoni Markon një emigrant, i cili vjen në Amerikë për të siguruar jetën e familjes. Sa i vështirë ka qenë roli për ju?

Për personazhin e Markos unë jam munduar që ta luaj sa më mirë me tërë thjeshtësinë e atij njeriu duke hedhur ato hadhe që mund të ketë një emigrant sot kudo në botë. Por, problemi më i vështirë është që një figurë duhet që ta kapësh nga diapazonet e saj sa më të gjera dhe sa më shumë ta kapësh në këtë mënyrë aq më e plotë dhe më e fuqishme është figura. Momenti i ngritjes së karriges nga Marko, e cila në dukje është një veprim i thjeshtë, ai nënkupton në thellësinë e tij që ky njeri që ti e quan fëmijë ka një zot dhe nuk është pa njeri. Këtu ka një frymë të thellë realiteti, e cila duhet ti shtohet çdo lloj shoqërie e sidomos kësaj shqiptare. Bota sot vuan shumë nga individualiteti. Çdo njeri shikon veten e tij dhe nuk do t’ia dijë njeri për solidaritet. Duke jetuar në komunitet dhe shoqërisë do t’i japësh dhe do të marrësh prej saj, kjo gjë e plotëson njeriun në jetë.

-Ku ndjehet më mirë Bujar Asqeriu në film apo në teatër?  

 Unë nuk mund t’i ndaj këto të dyja janë të ndryshme. Por, në teatër janë akoma më të mëdha sepse magjia e teatrit është e pashlyeshme. Kur frymëmarrja e aktorit bëhet njësh me atë të publikut, kjo është magji e madhe. Unë nuk di që ta ndaj këtë kënaqësi. Pak më parë përmendëm ngritjen e karriges në shfaqje dhe për këtë me humor i thosha Mingës: në jetë ajo karrige është e rëndë dhe unë mezi e ngre, kurse në rol më thotë ai mua: si ka mundësi se ti mezi e ngre karrigen, por me shaka unë i përgjigjesha se nuk e ngrija unë karrigen e ngre Marko. Me këtë dua të them se aktori shpesh herë realizon lëvizje, të cilat në jetë nuk i realizon dot dhe nuk e di se çfarë ndodh në subkoshiencën e tij. Ka gjëra të cilat nuk arin dot që t’i shpjegojë.

-Cili është roli që ju ka lënë më shumë mbresa?

Nuk mund të përcaktohet diçka e tillë sepse secili ka rëndësinë e tij. Por, e rëndësishme është për mua është transformimi, tjetërsimi, lëvizja e brendshme. Unë bëj një luftë të pandërprerë që figura mos t’i ngjajë figurës dhe roli mos t’i ngjajë rolit. Vërtetë është individualiteti im, por unë lëviz strukturat e mia të brendshme në mënyrë të tillë që të gjej gjëra të veçanta dhe të reja që nuk i kam bërë me personazhet e mëparshme. Do të përmend një figurë që kam bërë me Pëllumb Kullën në komedinë “Kërcuri” në Fier, ku unë kisha rolin e një komandanti. Ajo ishte një vepër e bukur por mua më shqetësonte se si i lëvizte duart personazhi. Sinqerisht që më ka dalë gjumi në tre të natës për të kapur atë perceptim të lëvizjes së duarve. Mbase dikujt mund t’i duket sonambulike kjo që them, por kjo është e vërteta: ngacmimi dhe vetëm ngacmimi i vazhdueshëm për të gjetur diçka, e cila zgjon fantazinë. Ajo pa dyshim që vë në lëvizje fantazinë dhe unë nuk mund ta imagjinoj një njeri pa dëshirë dhe jo vetëm në art, por edhe në shumë aspekte të tjera të jetës. Njeriu pa fantazi nuk mund të ekzistojë është mjera pa të.

-Mendimi juaj për zhvillimin e kinemasë dhe teatrin sot?

Përpara se të flas për këtë unë bashkohem me atë që thotë Mihallaq Luarasi, e cila është ajo që kinemaja dhe teatri duhet që të shprehin edhe shqetësimet e kohës së vet. Problemet që ka shoqëria, teatri dhe kinemaja patjetër duhet që t’i trajtojë. Më erdhi mirë që edhe kryetarja e Parlamentit mori iniciativë ndaj dhunës në familje. Çfarë ishte Edi Karbone në “Pamje nga ura”? ka dhunë në familje, prandaj është gjë e madhe që teatri dhe kinemaja të marri përsipër këto probleme. Njerëzit janë të prirur që të shikojnë hallet e veta, janë të nxitur sepse duan që të shikojnë veten e tyre. Kështu ata shikojnë një plagë të shpirtit dhe nuk mund të imagjinohet se sa mirë i bën njeriut lehtësimi i plagës shpirtërore, të cilën e shëron edhe teatri dhe kinemaja. Prandaj unë them se të dyja këto duhet që të marrin përgjegjësi më të mëdha. Këtu dua të them se më mjeron fakti që në kryeqytetin shqiptar ka vetëm një teatër dhe kinema.

-Një pasdite e lirë si kalohet nga aktori Bujar Asqeriu?

Kohën e lirë, sinqerisht që më pëlqen që të eci për 4-5 kilometra. Tani që kam lënë edhe duhanin, por nuk pi as alkool. Në lokal pi vetëm një kafe në mëngjes dhe një pasdite. Shpesh herë futem kot nëpër tregje kot pa asnjë motiv për të blerë. Hyj vetëm për të parë sy shitësish dhe blerësish. Dua që të kuptoj dëshirat psikologjike të njerëzve. Jam futur në disa tregje: Medresesë, gabit, çam dhe vetëm për të parë. Më bëjnë shumë përshtypje këto gjëra shikoj lloj -lloj sysh, me dritë apo të prerë. Më vjen keq, por dua të them një detaj kur mbaron shfaqja mendoj se do të shkoj në shtëpi dhe rruga është akoma me gropa, pallatet pa drita dhe kjo gjë më vret shpirtërisht. Kjo gjë më vret se pse duhet që t’i krijosh stres qytetarëve, i cili të paguan taksat dhe sot në pikun e qarkullimit të tij t’i dëshiron të punosh, ndërkohë që në një periudhë kur bie ritmi i udhëtimit t’i nuk më punoje?! Këtë nuk e kuptoj.

-Pas gjithë këtij stresi, cili do të ishte vendi ideal për të kaluar pushimet?

Pushimet dua që t’i kaloj pranë detit. Ai është çlodhje për mua. Sado i lodhur të jesh shpirtërisht, kur futesh në det dhe ai si një yll a si diçka që unë nuk arrij që ta shpjegoj futet brenda teje dhe ta heq lodhjen.

-Bujari është një njeri familjar, i cili e ka atë gjënë më të shtrenjtë. Na tregoni diçka rreth saj dhe si ndjeheni sot kur i shikoni fëmijët tuaj që janë rritur ndoshta dhe shumë herë puna juaj ju ka penguar që të jeni pranë tyre?

Familja ime përbëhet nga ime shoqe Irena, e cila ka profesionin e arsimtares dhe dy djemtë. I madhi jeton në Padova të Italisë ndërsa i vogli është diplomuar për mjek në Rusi dhe vazhdon edhe specializimin për kirurg në Moskë. Puna ime ishte larguar larg familjes dhe djali i madh më thotë një ditë: babi kur ishim të vegjël, e kemi ndjerë mungesën tënde tani që u rritëm. Mirëpo, ne nuk kuptonim këtë gjë atëherë ishim të rinj. Unë u martova në moshë të re dhe puna ishte më kryesorja. Nganjëherë njeriu sa shkon edhe në varr nuk njeh shumë anë të vetës së tij. Ka shumë prindër që pretendojnë që i njohin mirë fëmijët. Por, unë them se duhet shumë vëmendje për ta njohur fëmijën. Ai rritet para syve të tu, por ti nuk arrin që të depërtosh brenda qenies së tij. Ai nuk duhet të befasohet një ditë kur fëmija merr rrugë që ai nuk i ka menduar.

-Keni pasur dëshirë që djemtë tuaj të ndiqnin rrugën e aktorit?

Psikologjia ime është kjo: kuptohet që rruga e aktorit nuk është e lehtë dhe rruga dhe thellë kam dashur që asnjë nga fëmijët e mi të mos merret me këtë punë. Mendoja që më mirë të marrin një profesion që unë të mos e njoh sepse dua që të mos i njoh edhe shqetësimet e tij. Unë i kam mbështetur djemtë në pasionet e tyre me aq sa kam pasur mundësi, por një rol të madh në edukimin e tyre ka luajtur edhe ime shoqe.

-A jeni i kënaqur me atë që keni arritur deri tani?

Absolutisht jo. Njeriu vdes dhe në shtratin vdekjes i mbeten shumë brenga dhe gjëra të paplotësuara. Njeriu gjatë jetës së tij gërmon tek vetvetja ndahet nga kjo botë dhe shumë gjëra i merr me vete pa ditur as vetë ai se cilat mund të ishin. Në këtë sens edhe unë nuk mund të pretendoj se kam bërë gjithçka. Absolutisht nuk mendoj se kam bërë më të mirën time dhe ndoshta nuk mund ta bëj kurrë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora