E enjte, 25.04.2024, 08:06 AM (GMT+1)

Mendime

Andrea Stefani: Shqiptaret mes erresires dhe inflacionit

E diele, 09.12.2007, 03:53 PM


Nga Andrea Stefani

Andrea Stefani
"Energjia më e shtrenjtë është ajo që mungon", - kështu ka deklaruar si për ironi, rreth dy vjet më parë, Genc Ruli, ministër i Ekonomisë dhe i Energjetikës. Por ka pasur të drejtë. Mungesa e energjisë elektrike po u kushton shumë shtrenjtë, jo vetëm shqiptarëve, por edhe qeverisë së tyre. Kabineti "Berisha" është vënë përballë presionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), që kërkon ose rritjen e çmimit të shitjes së energjisë elektrike ose, nëse kjo do të gjykohej e pamundur, rritjen e taksave për të kompensuar deficitet e krijuara në buxhet nga subvencionimi i KESH-it.

Secila prej këtyre alternativave është e mbarsur me kosto politike, ndaj dhe qeveria duket si e kapur në kurth: Të rrisë çmimin e energjisë elektrike do të thotë të bëjë të pakënaqur konsumatorët. Të rrisë taksat do të thotë pakënaqësi nga ana e bizneseve. Për më tepër, qeveria duhet të ndërmarrë të tilla masa në një kohë që vullkani i inflacionit po zgjohet, duke tronditur tregjet, çmimet dhe buxhetet e varfra të qytetarëve. Por kush është fajtor që gjërat kanë mbërritur në këtë pikë, sa shqiptarët e varfër të ndodhen mes errësirës, që pjell inflacion dhe frikës nga inflacioni që pjell errësirë? Thatësira? Çmimi i shtrenjtuar i naftës? Këta faktorë kanë ndikimin e tyre negativ, por mbi të gjitha, është paaftësia e qeverisë që e ka futur vendin në rrethin vicioz të një krize të mbarsur me inflacion. Është paaftësia e saj për të mbajtur premtimin se "brenda vitit 2007 do të garantohet furnizimi i pandërprerë me energji elektrike, objektiv ky që do të sigurohet nëpërmjet kryerjes së reformave të thella dhe investimeve prioritare në këtë sektor".

Është paaftësia e qeverisë shkaku që, edhe pse nën të njëjtin regjim klimatik, Shqipëria është vendi me krizën më të thellë energjetike në rajon. Është paaftësia e qeverisë për të luftuar monopolet e karburanteve, ajo që i bën edhe më të rënda për konsumatorët shqiptarë pasojat e rritjes së çmimit të naftës në tregun botëror. Është paaftësia e qeverisë për të rigjallëruar prodhimin në degë vitale, si bujqësia dhe për të zvogëluar deficitet dhe borxhet, burimi kryesor i presioneve inflacioniste në rritje.

***

Gjeneratorët e rrymës elektrike gjëmojnë në rrugët e qyteteve të Shqipërisë. Në Tiranë, minimalisht energjia mungon nga 5 orë në ditë nëpër çdo lagje të saj. Në qytete të tjera edhe më shumë. Nëpër fshatra akoma edhe më shumë, deri 18 orë në ditë-net. Si ndodhi që Shqipëria u zhyt në këtë krizë të thellë errësire, kur në pushtet është ende një qeveri, Kryeministri i së cilës, shpalli solemnisht më 2005 se katër vitet e ardhshme, do të jenë "vitet e luftës kundër errësirës dhe pasigurisë energjetike"? Mos vallë Kryeministri Berisha mendon se që ta luftosh errësirën, më parë duhet ta krijosh atë? Sepse errësira shpjegohet vetëm me paaftësinë e qeverisë, madje dhe me korruptimin e saj. Sepse gjendja nuk do të ishte kaq fatale sa paraqitet sot, nëse në vitin 2006 qeveria do të kishte pasur maturinë dhe zgjuarsinë, të administronte më mirë burimet ujore të kaskadës së Drinit.

Mjerisht, andej nga fundi i vitit 2006, qeveria u gënjye nga përmirësimi relativ i gjendjes së ujërave në rezervuarët e kaskadës dhe vendosi të mos importojë rreth 1,45 miliardë kilovat/orë energji. Ujërat e Fierzës u shfrytëzuan shumë agresivisht. Ky ishte vendimi sa i verbër aq edhe fatal, që e futi Shqipërinë në vitin 2007 me një deficit po kaq të madh në rezervat ujore. Pikërisht për shkak të një deficiti të tillë, shqiptarët i vuajtën pasojat e thatësirës me mungesë të theksuar energjie në verë. Dhe meqenëse qeveria nuk mundi ta nxjerrë KESH-in, sikundër premtoi, nga thonjtë vjedhjes masive që i bëhet energjisë, si dhe nuk investoi për të pakësuar humbjet në rrjet, qindramilionët e nevojshëm për importe të energjisë, detyrohen të dalin nga buxheti i shtetit dhe jo nga arka e KESH-it. Publiku po paguan me taksat e tij paaftësinë e qeverisë.

Ndërkaq, FMN nuk mund të pranojë subvencionimin parazitar të KESH-it në një formë dhe masë që të kujton një ekonomi të ndryshkur komuniste. FMN kërkon rritjen e çmimit të energjisë elektrike për të pakësuar këtë subvencionim sa parazitar aq edhe inflacionist. Kryeministri me populizëm kundërshton rritjen e çmimit të energjisë në një kohë kur për shkak të paaftësisë së tij dhe kabinetit të tij, Shqipëria po importon sasi energjie gjithnjë e më të mëdha dhe me çmime gjithnjë e më të larta. Vetëm në këto dy vjet e gjysmë janë harxhuar më shumë se 400 milionë euro për import të energjisë elektrike.

Deklaratat e Kryeministrit për centrale bërthamore apo për lejimin e TEC-eve me qymyr, janë shprehje e përpjekjeve të dëshpëruara që po bën Berisha për të dalë nga ky kurth energjetik ku ka ngecur për faj të paaftësisë së vet. Përpjekja është edhe aventurore, sepse duket qartë që për t‘u çliruar nga kurthi i errësirës që vetë e ka prodhuar, Kryeministri duket se është i gatshëm të sakrifikojë ardhmërinë ekologjike të Shqipërisë duke lejuar investime TEC-esh me qymyr, që vendeve evropiane si Italia ua ndalon marrëveshja e Kiotos. Edhe një shembull më shumë që tregon se Berisha është i gatshëm të sakrifikojë shtetin për hir të pushtetit, të ardhmen e të tjerëve për hir të së sotmes së tij.

***

Kriza energjetike duket si zemra e inflacionit, gjeneratorët me naftë si gjeneratorë të çmimeve të larta. Sepse gjeneratorët me naftë rritin kostot e prodhimeve dhe shërbimeve dhe kostot e rritura nuk mund të mos çojnë në çmime më të larta. Shtrenjtimi i naftës në tregjet e botës e rëndon edhe më shumë gjendjen. Por faktori naftë nuk do kish ndikim kaq negativ nëse qeveria nuk do t‘i kish bërë "naftën" luftës kundër monopoleve edhe në këtë sektor të tregtisë. Publiku është dëshmitar sesi çmimet e karburanteve në Shqipëri, nuk ndjekin gjithmonë me besnikëri kurbat e çmimeve në bursat ndërkombëtare. Çmimet e karburanteve në Shqipëri përgjithësisht ngjiten kur ngjiten çmimet në botë, por nuk zbresin kur ato bien. Kjo tendencë përgjithësisht ngjitëse, mund të shpjegohet vetëm me ekzistencën e monopoleve të fuqishme në tregtinë e karburanteve dhe me mungesën e një konkurrence reale pavarësisht emrave të shumtë të kompanive importuese në treg.

Por nuk është vetëm kriza energjetike ajo që po rizgjon përbindëshin e inflacionit. Një faktor edhe më përcaktues është paaftësia e qeverisë për të gjallëruar ato degë të prodhimit vendas që krijojnë më shumë punësim dhe begatojnë tregjet me mallra që nuk mund të mos çonin në uljen e çmimeve. Një nga këto degë është edhe bujqësia. Në fshat, me gjithë tendencën e dyndjes drejt qyteteve, vazhdon të banojë një pjesë e konsiderueshme e popullsisë. Braktisja e bujqësisë ka bërë që tregjet bujqësore të dominohen nga mallrat e huaja. Edhe në këto tregje, sjellja e çmimeve është e tillë që të kujton mungesën e konkurrencës dhe praninë e atyre monopoleve të fshehta që qeveria "Berisha" u angazhua t‘i luftonte.

Dhe nuk duhet harruar se monopolet janë struktura ekonomike që lindin nga korrupsioni i madh, nga "kapja e shtetit" dhe pjellin korrupsion. Kriza energjetike si produkt kryesisht i paaftësisë qeverisëse, monopolet si korruptim i saj, presionet e shtuara inflacioniste, tregojnë se me gjithë statistikat për rritjen e prodhimit në vend, kërkesa e brendshme është ajo që mbetet ende e pa ushqyer sa duhet me prodhim. Prandaj rritja e pabalancuar e kërkesës është thuajse baras me inflacion. Prandaj dhe Banka e Shqipërisë dhe FMN, prej kohësh kanë qenë të shqetësuara edhe për natyrën e masës së rritur të kredive (a janë ato prodhuese apo konsumatore?) këto kohët e fundit. Sepse nëse prodhimi do të rritej më shpejt se kërkesa, inflacioni do të vinte në ulje. Në të kundërtën nëse kërkesa rritet më shpejt se prodhimi, kemi inflacion. Duket kjo e fundit është situata në të cilën ndodhemi, prandaj Banka e Shqipërisë në fillim të dhjetorit, u detyrua të rrisë interesin bazë duke shtrenjtuar "çmimin" e parasë pra, edhe të kreditit. Një masë që synon të parandalojë inflacionin në periudha edhe më afatgjata se ajo që ne, në gjuhën e përditshme, e quajmë "sot".

Është një fat i mirë që në këto vite në Shqipëri është krijuar një institucion i pavarur si Banka e Shqipërisë. Dhe në fakt janë manovrimet e saj të kujdesshme, që e kanë ruajtur deri sot varkën e ekonomisë shqiptare nga përplasja katastrofike me shkëmbinjtë e nënujshëm për kah e drejton kohë pas kohe, "gjenialiteti" i Kryeministrit. Është një shembull tjetër se sa të rëndësishme janë institucionet e pavarura që priren mbi të gjitha nga mbarëvajtja e punëve në shtet dhe jo nga interesa të ngushta pushteti si përgjithësisht qeveritë. Prandaj është një fatkeqësi për vendin që sot qeveria "Berisha" dominon vendimmarrjen e shumë institucioneve që në letër shpallen të pavarura. Përfaqësuesja e FMN-së, Ann Margaret Westin, habitet dhe e sheh të palogjikshme që një institucion si Enti Rregullator i Telekomunikacioneve (ERT), të shtyjë rritjen e çmimit të energjisë elektrike duke u justifikuar me kujdesin për inflacionin që nuk është fare objekt i punës së ERT-së. Por Westin ndoshta nuk kupton se ERT nuk vepron me kokën e vet, por të Kryeministrit. Dhe ky i fundit shqetësohet për inflacionin jo si për një përbindësh që gropos të varfrit, rrënon bizneset dhe tremb investimet e huaja, por vetëm si për një armik që i ha votat që e mbajnë në pushtet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora