Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përse na e kaloi Kamboxhia?

| E diele, 09.12.2007, 02:13 PM |


Pamflet nga Ymer Minxhozi

Të gjithë ne po prisnim atë ditë të shënuar kur do të shpalleshim kampionë të botës, në mos për tjetër, të paktën sa i përket nivelit të korrupsionit. Mirëpo, ja: përsëri ata, ndërkombëtarët, na e bënë me hile dhe nxorën Kamboxhian në vend të parë, madje edhe një vend tjetër krejt të panjohur të Afrikës së zezë, njëfarë Kameruni, e vunë një shkallë sipër nesh. Jo, kjo bie erë padrejtësi e bërë me qëllim dhe ne kemi të drejtë jo vetëm të dëshpërohemi, por edhe të protestojmë! Po të isha unë ministër i Integrimit apo Kryeministër, do të hidhja në kokë një futë të zezë dhe do të dilja e të protestoja me ulërimë në mes sheshit "Skënderbej".

Një shok i imi i vjetër, që ka qenë deri tani vonë drejtor në një dikaster, që merret drejtpërdrejt me futjen e Shqipërisë në Europë (sepse ne akoma nuk e dimë se cilit kontinenti i takojmë), duke ditur se unë kam qenë dikur në Kamboxhia, më ndali në rrugë e më tha:

-Ti ke shkruar edhe një libër për Kamboxhian. A mund të më thuash, përse u katandisëm deri në atë derexhe sa të na e kalojë edhe atdheu i Pol Potit? Pse ore, edhe ata ditkan të bëjnë korrupsion më mirë se ne? A nuk të vjen t'ia heqësh vetes?

Unë u zura ngushtë, meqë ka kaluar një kohë e gjatë prej atëherë. Megjithatë nuk mund të rrija me gojë mbyllur dhe u përgjigja me ato çka më erdhën ndërmend, aty për aty.

-Po ja,- i thashë,- një përparësi e Kamboxhias është fakti se ata kanë dyqind princër trashëgimtarë, ndërsa ne kemi më pak të tillë, ose i kemi të pakurorëzuar akoma. A nuk është kjo një arsye që Kamboxhia të dalë në vend të parë?

-Jam dakord me ty,- tha ai. Princat janë më me përvojë në fushën e korrupsionit, por kjo s'do të thotë se ne jemi mbrapa. Ne kemi gjithë ata ministra, madje edhe Ministri Integrimi që ata nuk e kanë. Të gjitha këto, a nuk janë përparësia jonë për të zënë një vend nderi?

-Ne vendin e nderit e kemi tashmë,- i thashë unë,- a nuk ta mbush mendjen vendi i tretë në botë? Pak të duket ty treshja e botës?

-Mirë xhanëm, edhe treshja nuk është keq, por përse të mos jemi të parët! E çfarë mund të bëjë më tepër kjo e shkretë qeveri? Millosheviçit i dhamë naftë edhe atëherë kur e kishte braktisur e gjithë bota tjetër. Vetë Kryeministri u angazhua personalisht. "Albtelekomin" e shitëm me një të tretën e çmimit. Rrugën miliardere Durrës-Kukës e filluam dhe po e vazhdojmë sipas të gjitha rregullave që kërkon korrupsioni. Tokat i shitëm e po shesim me gjithfarë dokumentesh nën dorë e mbi dorë, pa asnjë pengesë. Ne tani kemi njërin nga tregjet më të pasura në botë, ku i gjen lirisht të gjitha: tenderat, vizat, licencat, certifikatat, pasaportat diplomatike, diplomat e të gjitha niveleve, vulat e zyrave dhe të firmave, vota zgjedhësish të thjeshtë apo edhe vota deputetësh që mund të blejnë edhe Kryeprokurorin, edhe Presidentin e Republikës. Doni edhe ndonjë gazetë falas? Edhe atë mund ta gjeni. E çfarë mund të bëjë më tepër kjo e shkretë qeveri? Dhe të gjitha këto brenda dy vjetëve. Po, ne e meritonim vendin e parë, bile edhe më lart akoma. Mirëpo, si gjithmonë, ne përsëri ramë viktimë e atyre që na e kanë ngrënë hakun tërë jetën. Kushedi sa kanë paguar për vendin e parë dhe të dytë ata kamboxhianët e kamerunasit, apo si quhen ata afrikanët.

Unë u mundova ta qetësoj bashkëbiseduesin tim, duke i thënë se kohën e kemi përpara dhe se, me këtë vrull që kemi marrë ne, shpejt do t'ia kalojmë edhe kampionit të botës. Ka mundësi, i thashë, që ata të sondazheve nuk i kanë pasur në dorë të gjitha të dhënat e kohëve të fundit, prandaj na lanë në vend të tretë. Me siguri, në sondazhet e ardhshme, do t'i afrohemi fare afër vendit të parë. Këtë e them edhe duke u nisur nga fakti se dy fqinjët tanë më të afërt - njëri në Azi e tjetri në Afrikë - gjatë kësaj kohe do të flenë mbi dafina, duke menduar se tashmë e kanë arritur kreun e tabelës dhe nuk do të përpiqen të shkojnë më tej. Ndërsa ne, si ambiciozë që jemi për vende të para, do t'i kapim ata në befasi dhe do t'i tejkalojmë.

-Si do t'i kapim, do të shkojmë atje?

-Po, fqinji te fqinji shkon.

-Po ne jemi në Europë, apo në Afro-Azi?

-Tani për tani, jemi fqinj me Kamboxhian e Kamerunin. Ne gjithmonë shkojmë pas liderëve. Më vonë shohim e bëjmë. Kemi edhe një vit e gjysmë kohë.