E hene, 18.11.2019, 04:26 AM (GMT)

Komente

Besim Muhadri: Evropa në vizionin poetik të Din Mehmetit

E shtune, 08.12.2007, 01:51 PM


Vështrim

(Duke lexuar poezinë “Lëter Binak Bregut Evropës”)

Evropa, në poezinë e Din Mehmetit është e konceptuar si një ankth dhe një shpresë njëkohësisht, por edhe si një koncept dhe përkufizim i një realiteti dëshpërues

Shkruan: Mr. Besim Muhadri

Din Mehmeti
Kosova dhe drama e saj, apo çështja e saj e pazgjidhur për poetin Din Mehmeti janë një këngë e gjatë, të cilës ose s’i shihet fundi, apo ky fund vjen shumë i stërzgjatur dhe tepër zhgënjyes për auditorin. Dhe kur mendohet se Kosova po ec në rrugën e përcaktimit të statusit final të saj, me një fjalë, të përmbylljes së kapitullit të gjatë të historisë së dhimbshme të padrejtësive të bëra mbi të, në botën poetike të Din Mehmetit, sikur edhe në shumë poezi të tjera të këtij poeti të shkruara vite e vite më parë, sërish shfaqet mosbesimi në faktorin ndërkombëtar vendosës. Dhe ky shqetësim, mbase shumë i arsyeshëm, shumë me vend, në vizionin poetik të këtij autori shpërfaq dronë e përsëritjes së historisë.
Një shqetësim të tillë, poeti e shpërfaq edhe përmes poezisë së tij në formë letre, të titulluar “Letër e Binak Bregut Evropës”,  poezi e shkruar dhe e botuar mu në kohën kur në opinionin ndërkombëtar dhe kombëtar të gjithë po i bien fort telit të politikës së zgjidhjes apo moszgjidhjes së statusit final të atdheut të poetit, Kosovës, kësaj plage të thellë të shqetësimit të tij permanent.

Evropa një sinonim i një alternative të ndërmjetme

Evropa, edhe si një sinonim i një të keqeje të konceptuar si derivat i një padrejtësie ndaj shqiptarëve, në vizionin poetik të Din Mehmetit shfaqet e konceptuar si një e keqe tjetër. Si një e keqe nga e cila mund të vijnë të gjitha të këqijat, por edhe të mirat. Pra një sinomim i një alternative të ndërmjetme. Si një fuqi vendosëse për fatin e popujve të vegjël, të cilët gllabërohen nga popujt më të mëdhenj, Evropa, në poezinë e Din Mehmetit është e konceptuar edhe si një ankth dhe një shpresë njëkohësisht. Si një koncept dhe përkufizim i një realiteti dëshpërues.
Prandaj, i ndodhur në një moment tepër delikat, tepër të vështirë, në mes dilemës së besimit dhe mosbesimit, por edhe të mësimit nga pësimi historik, Din Mehmeti shkruan poezinë “Letër e Binak Bregut Evropës”, që është një nga krijimet e fundit të tij. Përmes kësaj forme poetike poeti sikur dëshiron të shkruajë testamentin e vendosjes dhe të përcaktimit të fatit të atdheut dhe t’ia “bëjë me dije Evropës” se më nuk mund të luhet me fatin e Kosovës, pas të gjitha atyre të këqijave, që për njëqind vjet ranë  mbi trupin e atdheut:

Shkruaja një letër Evropës
Siç të them unë
Për hatrin tim e të Zotit

Personazhi i kësaj poezie, Binak Bregu, malësori i Bjëshkëve të Nemuna,  i drejtohet vëllazërisht dhe miqësisht poetit me kërkesën që t’i shkruajë një letër Evropës. Duke ia njohur meritat autorit për aftësinë e thurjes së fjalëve të bukura dhe me domethënie të mëdha, por edhe duke i besuar se vetëm ai di t’ia thotë troç, Binak Bregu e porosit poetin që:

Evropës ia bën me dije
Qysh tash shkurt e trup
Pa frikë pa turp

Të mos na hyjë në hak
Të mos na mbjell sherr e gverr
Në tonin prak

Këto fjalë kaq të thjeshta, por të thella njëkohësisht, ashtu sikurse edhe vetë mendimi dhe filozofia e popullit, të bëjnë të kuptosh se sa i madh është shqetësimi i poetit, pas asaj katrahure të ndodhur në këto troje për njëqind vjet me radhë, veçanërisht në fund të shekullit që lamë pas:

Pash qiell e tokë mos m’i hilo fjalët
I thuaj Evropës të bën të fala Binak Bregu
I bregut të gjakut  të vet
Mos më shkel në bukë
Mos më shkel në kripë
Siç bëre dikur
Kur ishim të shtalbër...

Personazhi i kësaj poezie, Binak Bregu i Bjeshkëve të Nemuna, e lut, apo i “bën rixha” më tutje poetit, madje duke e përbe edhe në tokë e qiell, në këtë be të vjetër të shqiptarëve, që të mos ia shtrembërojë fjalët, që të mos flasë kodër pas bregut, por t’ia thotë troç e drejt Evropës atë që kërkon prej saj. Ashtu siç duhet dhe di:

I thuaj me zë të lartë si krismë
Mos bëj me ne politikë
Mos na shit se kushtojmë shtrenjtë
Njëqind vjet gjak kushtojmë

Vargu i fundit është shprehje e një të vërtete historike, e cila ta kujton tragjedinë e gjatë njëqindvjeçare, që ende kullon gjak dhe plagë. Njëqind vjet gjak, masakra, vrasje, dëbime dhe ndarje e tkurrje të atdheut. Përvoja e hidhur njëqindvjeçare është edhe një shqetësim i arsyeshëm i Binak Bregut, një drojë dhe një dyshim në Evropën, që për politikën dhe diplomacinë e saj, që, sikurse në të kaluarën, është në gjendje të bëjë gjithçka, prandaj edhe të ndajë trupin tonë, që do të thotë të copëtojë tokat shqiptare:

Mos e ndaj trupin tonë
Nga shpirti ynë
Mos e lavro tokën tonë
Me pllug të huaj pa e pyetur të zonë
Mos shkrep farë mbi eshtrat
E gjyshërve tanë se krisma mbijnë
Se nuk jemi ata që ishim dikur

Një mesazh i fuqishëm poetik

Këto vargje të kësj poezie, por edhe poezia si tërësi janë një mesazh i qartë dhe i fuqishëm drejtuar Evropës nga ana e poetit, qoftë edhe ne këtë formë, pra me gojën e heroit lirik, shqiptarit të Kosovës të personifikuar në figurën e Binak Bregut, malësorit të Bjeshkëve të Nemuna. Një mesazh lobues me Evropën në kohën kur pritet zgjidhja e statusit politik të Kosovës. Letra e Binak Bregut drejtuar Evropës në kohën e pritjes së definimit të statusit politik të saj dhe të dhënies fund vuajtjeve e padrejtësive të mëdha shekullore ndaj një populli të tërë, është edhe një zë i fuqishëm dhe i alternuar poetik i Din Mehmetit, i cili për dekada me radhë s’reshti së kënduari për fatin e popullit dhe atdheut të tij të rënë thellë në honin e padrejtësive të shkaktuara nga fuqitë e mëdha. Zëri i Binak Bregut, i shpërfaqur përmes kësaj poezie është zëri i popullit të Kosovës, i sublimuar në zërin e poetit, në këtë “letër” drejtuar Evropës, në kohën kur po vendoset për fatin e tij, për fatin e Kosovës. Është edhe një përgjithësim i fatit kolektiv. Sipas këtij zëri, mbajtja e hutave bëhet “për dert”, që do të thotë për hall, si një nevojë e domosdoshme e aktivizimit të tyre në momente të caktuara. Qoftë edhe kur shfaqen padrejtësitë e Evropës. Përmbajtja e fjalëve të vargut “Mbajtja e librave, për të mësuar fëmijët se si duhet të jetojnë dhe të vdesin për këtë tokë”, nënkupton atë se si shqiptarët nuk janë më ata të para njëqindvjetëve, kur s’kishin shkolla e as dije dhe për ta duhej të fliste dikush tjetër, kurse vargu që tregon se bartja e hutave (armëve) bëhet për të zbapsur bishat kur bien në tufë për të bërë kërdi, ka kuptimin e zbrapsjes së armiqve.
Ky krijim poetik i Din Mehmetit, që mban datën 9 shtator 2006, është një nga krijimet më të fuqishme poetike të këtij poeti, ku ai, i stërlodhur nga luftërat dhe padrejtësitë e shumta gjatë historisë, shpreh një ndjeshmëri të thellë, por njëkohësisht edhe dronë e madhe përseritjeve të padrejtësive ndaj vendit dhe populllit të tij. Poezia në fjalë, që ka 85 vargje, është një mesazh i fuqishëm poetik për pasojat që mund të ndodhin në rast se Evropa edhe njëherë lëshon pe ndaj Serbisë dhe nuk përmirëson gabimet e bëra ndaj popullit shqiptar gjatë njëqindvjetëve, të cilat ende kullojnë gjak e plagë ndarjeje, dhune dhe klithmë për mungesën e lirisë.
Poezia Letër e Binak Bregut Evropës, sikurse edhe shumë poezi të tjera të Din Mehmetit, të të njëjtës tematikë, është, para së gjithash, një krijim mbi fatin e atdheut dhe një testament i fuqishëm i vazhdimësisë së luftës për liri dhe çlirim kombëtar. Me këtë krijim poetik poeti sikur dëshiron të përmbyllë ciklin e gjatë poetik kushtuar luftës dhe qëndresës, por edhe të këngëtimit për lirinë. Kjo poezi-letër koinçidon fort edhe me shumë poezi tjera të D. Mehmetit të krijuara dhe të botuara gjatë viteve të kaluara, në të cilat shpesh ka shprehur mosbesimin, revoltën dhe mosdurimin e vet individual, por edhe atë kolektiv ndaj padrejtësive të mëdha bërë tokës dhe atdheut të tij, i cili u copëtua, u dogj dhe u rrënua sa herë që armiqtë deshën, ndërsa Evropa, që ai i shkruan edhe kësaj radhe letër me gojën dhe shpirtin e Binak Bregut, bënte sehir.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT