E premte, 19.04.2024, 05:11 AM (GMT+1)

Editorial

Valon Kurtishi: Shtetësia e përbashkët forcon shqiptarët

E diele, 08.08.2010, 08:00 PM


Shtetësia e përbashkët forcon shqiptarët

 

Nga Valon Kurtishi

 

Në vitet e para të Shqipërisë demokratike, presidenti i atëhershëm z. Sali Berisha shpalosi një ide interesante e cila u kundërshtua menjëherë dhe në unison nga shovinizmat ballkanikë: Shtetësi shqiptare për gjithë shqiptarët etnikë në rajon. Kjo i shërbente në atë kohë sa zgjimit të shpresave të shqiptarëve jashtë atdheut për një të ardhme më të mirë në një kohë të pashpresë kur jetonin nën një okupim klasik në Kosovë, IRJ të Maqedonisë apo në Mal të zi, sa edhe një gjallërimi ekonomik të Shqipërisë mjaft të varfër në atë kohë.

 

Kundër këtij plani të qeverisë shqiptare të asaj kohe e cila filloi të marë formë konkrete me aplikimin e taksës në kufi për joshqiptarët dhe lirimin e shqiptarëve etnikë nga e njëjta, hasi në reagime të repta të qeverisë sërbe, maqedonase dh greke të asaj kohe. Përveç reagimeve të kuptueshme të armiqve të kombit shqiptar, kjo ide atëbotë u refuzua edhe nga socialistët opozitarë të trembur ndoshta nga përfytyrimi i frikshëm i votës masive të shqiptarëve etnikë pro të djathtëve në pushtet. Me kalimin e viteve ideja në fjalë nuk u realizua kurse ndërrimi i pushtetit të Tiranës në vitin 1997 shënoi një regres të madh dhe të kuptueshëm të gjithë ideve bashkuese që ekzistonin deri atëherë në agjendat e shtetit shqiptar. Socialistët në pushtet nuk i kushtuan vëmendjen e duhur kësaj çështjeje në pajtim me strategjinë e adoptuar të asaj kohe të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit me “fqinjët” ballkanikë. Bashkëpunimi kuptohej nga “fqinjët” si heqje dorë nga përkrahja e organizuar institucionale e Tiranës zyrtare për shqiptarët e robëruar jashtë kufijve politikë shqiptarë. Tensionimi i situatës së sigurisë në Ballkan, lufta e armatosur e popullit shqiptar në Kosovë, Preshevë, Maqedoni për liri kombëtare, ndryshimet politike në gjithë Europën Juglindore, emigrimi i vazhdueshëm shqiptar drejt Greqisë si dhe politikat tradicionale antishqiptare të shtetit grek, intervenimi i aleancës veriatlantike kundër shovinizmit sllav, sollën deri te ndryshimet radikale të paplanifikuara dhe të pabesueshme gjeopolitike në rajonin tonë.

 

Pavarësimi i Kosovës shqiptare, d.mth çlirimi i energjive kombëtare të 2 milionë shqiptarëve të tjerë përveç 4 milionëve tashmë të lirë në shtetin shqiptar, krijoi me automatizëm mundësi për një riorientim të agjendës kombëtare të kombit tonë në Ballkan. Bashkimi kombëtar është në planin e parë të veprimit kombëtar. Nuk jemi edhe aq të sigurtë për klasën aktuale politike dhe për agjendat e saj, por duket qartë se vullneti dhe dëshira absolute e shumicës dërmuese të kombit shqiptar si në shtetin shqiptar ashtu edhe në krahinën verilindore shqiptare të fushës së Kosovës dhe rafshit të Dukagjinit është për një shtet të bashkuar shqiptar. Për këtë punon koha dhe shumë organizata qytetare dhe politike në gjithë hapësirën etnike shqiptare.

 

Në këtë drejtim shkon edhe propozimi i fundit i një numri të madh të intelektualëve shqiptarë për dhënien e shtetësisë shqiptare për gjithë shqiptarët etnikë në rajon. Kjo edhe nuk është diçka e re në politikën ballkanike. Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë i ka pajisur me pasaportë të saj gjithë qytetarët e Liqenasit të Pogradesit si dhe bën përpjekje të ethshme që të njëjtën praktikë ta aplikojë edhe me sllavishfolësit muslimanë të Gollo Bërdës dhe të Gorës së Prizrenit. Ndaj tyre pretendime shpreh edhe Sofja gjithnjë e më nacionaliste kohëve të fundit. Përtej asaj se sllavishtfolësit myslimanë të këtyre rajoneve janë shqiptarë të pastër etnikë të detyruar nga rethanat historike të përdorin sllavishten, prapëseprapë Shkupi dhe Sofja përpiqen ti pajisin këto komunitete shqiptare me shtetësi respektive. Bullgaria gjithashtu, ka pajisur me shtetësi një numër të madh të maqedonasve etnikë, të cilët sipas burimeve jozyrtare bëhen disa qindramijë. Greqia shoviniste dhe nacionaliste ka aplikuar të njëjtën politikë me grekët etnikë të Pondit, Turqisë apo edhe me grekë të tillë artificialë të zbuluar brenda natës dhe me presione ekonomike nga Shqipëria. Kroacia ka pajisur me shtetësi kroate kroatët etnikë të Hercegovinës që më 1992/93. Sërbia bën të njëjtën gjë me sebët në Bosnjë. Hungaria megjithë pozitën specifike të saj në Europën qëndrore është duke e shqyrtuar seriozisht këtë mundësi për hungarezët e Sllovakisë dhe më gjerë.

 

Greqia, Bullgaria, Hungaria apo edhe Sllovakia janë anëtare me të drejta të plota si në NATO ashtu edhe në BE. Nga këtu shihet qartë që politika europiane nuk mohon apo refuzon një praktikë të këtillë në marrëdhëniet mes shteteve europiane. Pikërisht për këtë, qeveria shqiptare duhet të shqyrtojë dhe sipas informacioneve të mediave është duke e shqyrtuar mundësinë e dhënies së shtetësisë shqiptare për gjithë shqiptarët në rajon. Çështja e shtetësisë nuk është aq e thjeshtë si në raportet e shqiptarëve me popujt sllavo-grekë që na rethojnë ashtu edhe në raportet primitive parapolitike brendashqiptare. Nacionalizmat primitivë sllavë dhe grekë e dinë se realizimi i kësaj iniciative e bën akoma më të shpejtë bashkimin edhe politik të shqiptarëve me Shqipërinë (Kosova sidomos), që do të ketë si rjedhojë stabilizimin përfundimtar të faktorit shqiptar si një fuqi që nuk mund të nëpërkëmbet si deri më sot. Pikërisht për këtë si publikisht ashtu edhe në kanale të fshehta diplomatike e tjera, qeveritë nacionaliste sllave dhe greke punojnë kundër jetësimit të kësaj ideje progresiste.

 

Interesat e klaneve primitive shqiptare të grupuara në gjoja “parti” politike janë gjithashtu kundër kësaj ideje, megjithëse koha siç duket është duke i relativizuar gjithnjë e më shumë ato. Opozita e sotme socialiste në Shqipërinë politike nuk do ta refuzojë këtë ide. Për më tepër, ekzistojnë edhe mundësi të rregullimeve të veçanta ligjore të çështjes në fjalë. Kjo pasi shqiptarët në IRJ të Maqedonisë, Mal të zi, luginë të Preshevës apo edhe në Çamëri edhe në një të ardhme të afërt, duhet të zgjedhin dhe të zgjidhen në formacionet politiko-territoriale të sotme dhe jo në Kuvendin e Tiranës. Krejt tjetër është çështja me emigracionin ekonomik nëpër botë i cili duhet të ketë përfaqësim adekuat në Kuvendin e Tiranës, ngjashëm me diasporat kroate, greke apo hebreje, që përfaqësohen në dhomat ligjdhënëse përkatëse me një numër të caktuar të deputetëve.

 

Shtetësia shqiptare për 800 mijë shqiptarët e Fyromit nuk nënkupton me automatizëm që 30 deputetë shqiptarë të Maqedonisë të përfaqësohen në Kuvendin popullor të Tiranës, pra të jenë deputetë në një shtet tjetër. Ajo nuk nënkupton që shteti shqiptar të organizojë zgjedhje në territorin e një shteti tjetër siç vepron Sërbia në Kosovë, p.sh. Ajo mund të rregullohet me nene të veçanta biles edhe në atë mënyrë, që tu pamundësojë shqiptarëve të rajonit të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri. Ajo nuk paraqet asnjë rrezik që shqiptarët jashtë Shqipërisë duke qenë të nëpërkëmbur dhe pa mundësi prosperimi në shoqërite e tyre të fillojnë të emigrojnë masivisht drejt shtetit amë duke i lënë tokat e tyre historike në duart e sllavëve apo grekëve.

 

Shtetësia shqiptare për 800 mijë shqiptarë të Fyromit në veçanti apo 3.5 milionë shqiptarët jashtë Shqipërisë politike, mundëson që shqiptarët e këtushëm të ndjehen më shqiptarë në planin personal, të njohin më shumë dhe më mirë shqiptarët tanë duke udhëtuar më lirshëm në Shqipëri, të investojnë më shpejtë në Shqipëri, të studiojnë më lehtë dhe më lirë në Shqipëri, të bëhen pjesë e hapësirës unike kulturore shqiptare, të angazhohen pa shumë pengesa burokratike në kombëtaret sportive shqiptare dhe e kundërta. Ajo e rit vetvetiu peshën e shtetit shqiptar në politikën ndërkombëtare.  Ajo i rit gjasat që në një moment të caktuar historik, territoret ku shqiptarët janë shumicë ti bashkohen edhe juridikisht shtetit shqiptar. Por kjo le ti mbetet një të ardhme më të mirë dhe më mirëkuptuese për bashkimin kombëtar nga ana e faktorëve të rëndësishëm vendimmarrës në shkallë globale. Iniciativat e këtilla duhet përkrahur me maksimumin e forcave të shoqërive tona shqiptare. Për më tepër, shoqëria civile duhet të angazhohet seriozisht që edhe në rast të stepjes së politikës zyrtare nga realizimi i këtij projekti kombëtar, të ushtrojë presionin e përhershëm qytetar që shtetësia shqiptare të jetë në dispozicion të gjithë atyre që ndjehen shqiptarë etnikë në Europën Juglindore.



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora