E merkure, 24.04.2024, 01:20 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Ish-Kinostudio i ka “fshehur” filmat e Kosovës!

E shtune, 07.08.2010, 09:38 PM


Ish-Kinostudio i ka “fshehur” filmat e Kosovës!

 

Kineastët nuk diskualifikohen: Jeni komunistë!

 

Nga Violeta Murati

 

Kosova ka një histori filmi gati 50-vjeçare, që na e tregon Gani Mehmetaj si një valvul nostalgjie e ndërtuar për jetën brenda Kosovafilm dhe pse ishin nën regjimin serb. Rreth 35 filma artistikë e dokumentarë, të xhiruar dhe 200 filma të importuar nga Evropa dhe Amerika bëjnë pasurinë e arkivin-histori të kinemasë në Kosovë. Mehmetaj është drejtor i Kosovafilm, qysh në themelim të saj në vitin 1968, njëkohësisht kritik e studiues i kinemasë, për të cilën nuk e ka vështirë ta shikojë përtej trungut të tij, si po shkon një marrëdhënie që duhej të ishte e natyrshme mes Shqipërisë e Kosovës. Zyrtarisht ky bashkëpunim është në pikën zero. Për këtë e ftuam në intervistën e mëposhtme, ekskluzive për “standard”, duke u nisur nga nisma e marrë prej Arkivit Shqiptar të Filmit, për t’u hapur me publikun. Mehmetaj thotë se është i gatshëm, nëse merr një ftesë nga Arkivi, për të bashkëpunuar. Ndërsa e shtrin shqetësimin e tij mbi kinemanë e të dyja vendeve, qoftë si industri apo për rrëfimin e jetëve tona, si histori e politikë për t’u parë në mes vetes, për të krijuar në vend publikun e llastuar, ashtu siç është në Evropë. Po ka shumë indiferentizëm dhe mungesë vullneti nga një anë për këtë; dhe këta janë njerëzit e filmit në Tiranë! Mirëpo ky lajm, se po hapet Arkivi, i kujton Mehmetajt se gjithmonë nga Kosova filmat e Shqipërisë janë parë të idealizuar, në të kundërt ai thotë se ende ka në Arkivin e Filmit Shqiptar apo në Kinostudio produksione nga Kosova, që janë ende të pashfaqura.

 

Siç e dini, Arkivi i Filmit në Shqipëri ka nisur të projektojë filmat e stivuar në vite, si dhe ata të rinj. Por deri tani nuk është dhënë ndonjë lajm në lidhje me bashkëpunimin që mund të jetë i mundshëm më Kosovën. Ju, si kineast i vjetër dhe drejtues i Kosovafilm, do të donit një ftesë për të qenë pjesë e këtij kontributi?

 

Më erdhi mirë që Arkivi Qendror ka filluar shfaqjen e filmave shqiptarë në sallën e vogël për dashamirët e artit kinematografik. Nuk kam shumë informacion, cili është koncepti, nuk e di si do t’i shfaqin filmat: sipas vitit të prodhimit, pra kronologjikisht, sipas temës apo sipas autorëve? Besoj se ata kanë një koncept. Me rëndësi është që filmat të projektohen, meqë një gjë e këtillë praktikohet në të gjitha kryeqytetet e Evropës. Natyrisht jam i gatshëm të inkuadrohem në këtë nismë të Arkivit, sepse edhe filmat e Kosovafilmit i takojnë kinematografisë shqiptare, pavarësisht faktit që filmi në Prishtinë është prodhuar në rrethana të tjera dhe ka bërë jetë të ndarë nga prodhimtaria filmike në Tiranë, kështu që nuk patën ndikim të ndërsjellë. Jam i gatshëm t’ia ofroj Arkivit gjashtë filma artistikë, të cilët mendoj se është e nevojshme t’i shohë publiku i Tiranës. Natyrisht më vonë, varësisht orarit që do ta përpilojnë, mund të ofroj edhe filma të tjerë artistikë e dokumentarë. Disa nga këta filma u panë me interesim në Tiranë para disa vjetësh. Mendoj se këto vepra kinematografike, të cilat jam i gatshëm t’ia ofroj Arkivit, kanë veçantitë e tyre.

 

Kronikisht, a mund të na thoni sa është pasuria që disponon Kosovafilm?

 

Kinematografia shqiptare në Kosovë është e lidhur kryekëput me Kosovafilmin, sepse ishte e vetmja shtëpi filmike. Kosovafilmi ka xhiruar 35 filma artistikë, dokumentarë, vizatimorë dhe të metrazhit të shkurtër. Disa prej tyre janë bërë në bashkëprodhim më shtëpitë e tjera filmike në ish-Jugosllavi, ku u angazhuan regjisorët jashtë Kosovës, sepse në atë fillim mungonin regjisorët tanë. Ndërsa filmat e tjerë janë xhiruar kryekëput nga Kosovafilmi dhe nga kineastët e aktorët e Kosovës. Edhe buxheti ishte nga Kosova. Pra, janë dy faza: koha e filmave të përbashkët me ish-republikat jugosllave dhe koha e prodhimtarisë së pavarur të Kosovafilmit. Në periudhën e dytë u bënë filmat më të mirë që patën sukses edhe në festivale ndërkombëtare në atë kohë.

 

Kur shënohet produksioni më i vjetër dhe njëkohësisht prurjet e reja?

 

Kinematografia në Kosovë dhe në territoret shqiptare në ish-Jugosllavi ka filluar më së voni në Ballkan. Zakonisht, filmi “Uka i Bjeshkëve të Nemuna” merret filmi i parë i xhiruar në Kosovë me pjesën më të madhe të ekipit nga Kosova, por regjisori ishte serb dhe disa profile të tjera ishin nga ish-Jugosllavia. “Era dhe lisi” është filmi tërësisht i pavarur që shënon kthesën më të rëndësishme për kinematografinë tonë. Vjetëve të fundit vlen të përmenden filmat “Kukumi”, “Anatema, “Etjet e Kosovës”, “Vjeshta e trëndafilave” e ndonjë tjetër. Janë edhe tri projekte kinematografike që janë duke u xhiruar, por ende nuk kanë përfunduar, në mungesë të parave.

 

Cila është historia e krijimit të Kosovafilmit? Si kanë qenë marrëdhëniet e saj me ish-Kinostudion në Shqipëri?

 

Kosovafilmi është themeluar në shkurt të vitit 1968 me vendimin e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës. E tërë prodhimtaria dhe e tërë historia kinematografike e Kosovës është e lidhur me këtë shtëpi filmike, sepse të gjithë filmat në 35 mm janë prodhuar këtu. Ajo njëkohësisht ka bërë edhe importimin e filmave të huaj. Kemi importuar rreth 200 filma artistië perëndimorë, kryesisht nga SHBA-të, pastaj nga Franca, Italia, Gjermania, Turqia, por edhe nga Shqipëria, të cilët pastaj janë shfaqur në të gjitha kinematë e ish-Jugosllavisë. Ne i kemi shfaqur filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re” që në atë kohë shiheshin me shumë interesim, madje patën shikues më shumë se filmat amerikanë. Mirëpo Kinostudioja megjithëse i mori disa nga filmat tonë atëbotë, kurrë nuk i dha për shikuesin e vet. Ende qëndrojnë në Arkivin e Shtetit apo në Kinostudio.

 

Si ju duken këto nisma për të hapur Arkivin, për të qenë të hapur për publikun?

 

Mendoj se janë nisma që duhen mbështetur dhe duhet bërë jehonë në media, sepse janë disa filma të cilët nuk mund t’i shikosh në kinema, ndodh të mos kesh mundësi t’i shohësh as në televizion. Pastaj janë disa filma të tjerë që kanë sharm kur shfaqen në kinotekë, përkatësisht në një sallë të vogël pa zhurmën e kinemasë së madhe, pa kërcitjen e farave apo kokoshkave. Ndërkaq, ekrani i madh ka sharmin e vet që nuk e ka televizioni, edhe atëherë kur mund të jetë tredimensional.

 

Është një përpjekje e kineastëve për të depërtuar në tregun evropian. Sa mund të jetë e mundshme kjo, kur mes vetes ende nuk kemi ngritur një treg të tillë?

 

Ka anomali në këtë mes. Treg të përbashkët nuk kemi, sepse qendra juaj kinematografike është inerte, ndërsa QKK-ja jonë është inekzistente, prania e saj nuk ndihet askund, është një dështim që në fillim. Me gjithë takimet e ministrave përkatës gjendja nuk ka ndryshuar. Nuk kemi asnjë marrëveshje në mes të Kosovafilmit dhe të Kinostudios apo ndonjë shtëpie tjetër filmike në Tiranë, ndërsa ne kemi bërë marrëveshje me Kroacinë, nuk kemi asnjë bashkëprodhim kinematografik në mes të dy kryeqyteteve shqiptare, ndërsa Prishtina dhe Tirana kanë xhiruar filma të përbashkët me Beogradin, por nuk e bënë asnjë film shqiptaro-shqiptar. Në tre filma të prodhimit të Tiranës ndihmoi Ministria e Kulturës e Kosovës, përderisa QKK e Tiranës nuk e dha asnjë lek për filmin e Kosovës, ndërsa dha para për filmin serb, për filmin gjerman etj. A ishte Beogradi më afër se sa Prishtina?

 

Shfaqësi i Prishtinës, kino ABC, është shumë më i shkathët se sa kinosallat e Tiranës. Filmat e prodhuar në Tiranë shfaqen gati brenda javës në Prishtinë, shpesh premiera e filmit shqiptar jepet një mbrëmje më vonë në Prishtinë, gjë që nuk ndodh e kundërta: filmat premier të Prishtinës nuk jepen në Tiranë. Nuk e di pse.

 

Megjithatë, nëse tek-tuk ka anomali në komunikimin e ndërsjellë, duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet që kinematografia shqiptare të jetë më e pranishme në kinematë e Evropës Perëndimore, sidomos. Nuk duhet të kemi shumë iluzione se do të bëhet nami, sepse shikuesi europerëndimor është i llastuar dhe ka kërkesat e veta që filmat shqiptarë shpesh nuk mund t’ua plotësojnë. Po ashtu, filmi, pos art, është edhe industri, është mall. Këtë segment ne nuk e kemi. Por që duhet të jemi shumë më të pranishëm në kinematë evropiane dhe në televizionet e tyre s’ka fije dyshimi. Përpjekja e QKK-së kohë më parë në Festivalin e Kanës ishte e mirë, ndërsa nuk duhet hequr dorë, por duhet të prezantojë filmat edhe në festivale të tjera në këndin e shitjes e të prezantimit. Do të shpenzohen ca lekë, por lekët nuk duhet të kursehen.

 

Shpesh të huajt kërkojnë nga kinemaja shqiptare histori të mirë, ajo që shet jetën tonë, qoftë të shkuarën dhe të përditshmen tonë politike. A mendoni vërtet se kjo është arsyeja pse ne ende nuk po prodhojmë një film për Evropën?

 

Po e bëmë një film të mirë për shikuesin shqiptar, jam i sigurt se ai film do të jetë i pranueshëm në pjesën më të madhe edhe për shikuesin evropian. Natyrisht edhe në këtë mes ka pak dallime, mirëpo përgjithësisht shija artistike dhe niveli intelektual e arsimor është aty afër. Zakonisht filmit shqiptar i mungon rrëfimi i mirë, mungon ndonjëherë edhe vizioni. Të tejngarkuar me të kaluarën e rëndë dhe vuajtjet nëpër të cilat kanë kaluar kineastët apo populli, rrëfimet bëhen të rënda, të zymta, jokomunikatave, plot akuza, shpesh kuturu, pa asnjë fije drite që do të paraqiste diçka inkurajuese. Nuk them se duhet lustruar filmi, por gabojmë kur mendojmë se shikuesi shqiptar dhe ai evropian duhet ta torturojë vetën me drama të zymta, tmerre e sadomazohizëm. Ata nga filmi kërkojnë edhe argëtim, ndërsa filmit shqiptar i mungon argëtimi. Ende i kemi të pakta rrëfimet për shijen e shikuesit të llastuar evropian, madje janë të pakët filmat edhe për filmofilët e pasionuar. Por ne duhet të bëjmë përpjekje që ta pushtojmë kinemanë e vogël, të specializuar. Kinosallën e madhe me 500 a 1000 vende është gati e pamundur ta pushtojmë për disa ditë radhazi. Janë ligjet e tregut që na nxjerrin nga konkurrenca. Ndërkaq, kinematografia është ambasadori më i mirë i një shteti dhe i një kombi.

 

Mbase mund të jetë ngushëllim që kinematografitë e vogla përgjithësisht zor depërtojnë në Evropë dhe në botë. Por duhet ta dimë se filmi shqiptar, në Shqipëri dhe ne Kosovë, ka vështirësi komunikimi edhe me shikuesin shqiptar. Sa veta e shikojnë një film shqiptar në Tiranë dhe në Prishtinë? Sa spektatorë e shohin një film amerikan? A mjafton vetëm të flasin shqip në film, rrjedhshëm apo me gabime, pa i pasur elementet e tjera që e bëjnë një film të mirë? Ka kaluar koha kur kinematë e Prishtinës, mbase edhe ato të Tiranës, kishin më shumë shikues për një film shqiptar sesa për një film amerikan. Sot është e kundërta. Dhe do të vazhdojë kjo gjë derisa nuk bëjmë filma sipas kërkesave të kohës dhe shikuesit tanë gjithnjë e më të arsimuar dhe më të llastuar.

 

Meqë jemi tek një nismë për hapjen e arkivave, pa dyshim ju në Kosovë dhe ne në Shqipëri kemi të njëjtë historinë e izolimit, mosnjohjen e shqiptarëve. Këtu kinemaja e diktaturës është parë si nostalgji, nuk kontestohet, as nuk gjykohet, vetëm ka justifikime se “askush nuk dilte dot nga binarët” në atë kohë. Ju keni ndonjë mendim se si duhen parë këta filma?

 

Nuk mendoj se duhen gjykuar këta filma me syrin kritik nga këndi i të tashmes, ishte kohë tjetër kur u bënë këta filma. Kjo nuk u jep të drejtë as të rinjve që në bazë të këtyre filmave a një pjesë të tyre dhe parullave të ditës të deklamuara nga personazhet, ta cilësojnë gjithë brezin me diskualifikimet: “Jeni komunistë!” Sepse do gjëra bëheshin nga zori, mendoj unë. Natyrisht kur i shikon këta filma ku “të dridh zëri proletar” apo filmat e “vëllazërim-bashkimit e patriotizmit jugosllav” të bën ndonjëherë të qeshesh apo të përzihet ndonjëherë të stomak, mirëpo koha ishte e tillë. A thua kanë mundur të bëjnë ndryshe kineastët shqiptarë të Tiranës e të Prishtinës? Ishte vështirë! Rrezikonin, po të dilnin jashtë kornizave të Partisë së Punës apo Lidhjes së Komunistëve. Nuk duhet t’i gjykojmë, por as t’i marrim model pune e përkushtimi. Disa nga filmat i përballojnë kohës, të tjerët duhet të shikohen vetëm sa për ta njohur kohën dhe deri diku edhe njerëzit. Disa duhet të harrohen fare.

 

Ka nostalgji nga regjimi serb kinemaja e Kosovës? Çfarë do të shkëpusje si vlerë gjykuese dhe që duhet t’i mbijetojë kohës medoemos?

 

Shihni, nëse e keni parasysh filmin serb, ai në Kosovë kurrë nuk pati shikues për të qenë. Filmi amerikan, francez, italian dhe gjerman kishte shumë herë më shumë vizitorë. Ndërkaq, në televizion shfaqeshin filmat jo sipas kërkesës a shijes së shikuesve, por sipas qëndrimit politik. Këtu shfaqeshin më shpesh filmat serbë a rusë, sipas diktatit zyrtar, të cilët në kinema nuk e joshnin shikuesin. Nuk i përjashtoj as sot nostalgjikët për filma të caktuar apo sa për t’ia kujtuar vetes se atëherë ishin 20-vjeçarë, ndërsa sot janë pesëdhjetëvjeçarë. Nëse mendoni për filmat e Kosovës, të xhiruar në kohën e sundimit serb apo të ish-Jugosllavisë, ka nostalgji. Kur i shfaqëm para disa vjetësh në kinema, sallat u mbushën për javë të tëra saqë nuk kishte vende për të gjithë ata që donin të shikonin kryesisht prodhimtarinë e Kosovafilmit. U befasuam, sepse nuk prisnim interesim të këtillë, kryesisht të të rinjve, të cilët këtë kohë nuk e kishin përjetuar. Edhe në RTV 21 kur i shfaqëm vjet shtatë filma, pati shumë interesim, më thanë zyrtarët e këtij televizioni. A ka ende nostalgji? Do ta provojmë kur të fillojmë serinë e filmave “nostalgjikë” të Kosovafilmit në shtator në Televizionin e Kosovës.

 

Nëse do të bëhet fjalë për sjelljen e filmave nga Kosova në Arkivin e Filmit, cilët do të ishin këta filma? Si do t’i përzgjidhnit? Çfarë rëndësie do të kishin ata për një publik në Shqipëri?

 

Do të përqendroheshim tek disa filma të cilët kanë shënuar sukses komercial në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi në kohën kur u dhanë apo që janë shquar me disa dhunti të tjera. Arkivit do t’i ofroja filmat “Era dhe lisi” të Besim Sahatçiut, “Kur pranvera vonohet” dhe “Gjurmë të bardha” të Ekrem Kryeziut, “Lepuri me pesë këmbë” të Ismail Ymerit, “Njeriu prej dheu” të Agim Sopit, “Pikniku” të Emin Halilit , “Proka” dhe “Rojet e mjegullës” të Isa Qosjes, por edhe filmin e fundit “Kukumi”, i cili mori dy çmimet kryesore në Festivalin Shqiptar të Filmit dhe mori pjesë në 60 festivale ndërkombëtare. Por do të ishte mbase atraktive edhe po u shfaqën filmat “Uka i bjeshkëve të Nemuna” dhe “Si të vdiset” të M. Stamenkoviçit. Meqë janë prodhim i Kosovafilmit, personazhet flasin shqip, pjesa dërmuese e kineastëve e aktorëve janë shqiptar të Kosovës me përjashtim të regjisorit serb dhe të ndonjë profili tjetër.

 

Kur e organizuam javën e Kosovafilmit në Tiranë, në “Millenium” më duket, para disa vjetësh, më befasoi salla përplot shikues. Nuk e kisha pritur këtë kërshëri. Kryesisht ishin shikues të rinj, që as kishin ndonjë paragjykim ideologjik, as s’kishin shumë informacion, por duket kishin kërshëri. E vlen ta provojmë sërish, pse jo. Natyrisht nëse zyrtarët e Arkivit kanë gatishmëri.

 

Po e vë në pah se nuk ka shumë hapësirë, që t’i arsyetoj pse duhet të jenë këta filma në Arkivin Shqiptar, por telegrafikisht po e theksoj se “Era dhe Lisi” shquhet për guximin, për dramën e fuqishme, skalitjen e personazheve, “Kur pranvera vonohet” bie në sy për spektakolarietin dhe gjerësinë e paraqitjes së luftës, me një galeri heronjsh partizanë dhe një qasje regjisoriale interesante, “Lepuri me pesë këmbë” është film i mirë për fëmijë dhe interesant se si i qaset “armikut” italian, “Njeriu prej dheu” ka një dramë të rëndë të shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi nga dhuna serbe, “Proka” është metaforë për dhunën dhe provincën (Laureat i çmimit në Kanë për regjisor të rinj), filmi “Pikniku” ka një galeri interesante aktoresh, “Rojet e mjegullës”, po ashtu merret me pozitën e intelektualëve në kohën e dhunës së Rankoviçit, ndërsa ishte filmi më i kritikuar nga shtypi i Beogradit etj.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora