E premte, 19.04.2024, 11:43 AM (GMT+1)

Kulturë

Gjon Keka: Çanta diplomatike dhe njohjet

E enjte, 05.08.2010, 09:59 PM


Çanta diplomatike dhe njohjet

 

Nga Gjon KEKA

 

Shteti i mbikëqyrur i Kosovës këto ditë ka hyrë në mesin e fushës së lojtarëve kyç të diplomacisë ndërkombëtare. Kjo lojë e madhe vjen pas mendimit të GJND-së i cili si duket ka nxjerr në shesh tërë pluhurin dhe hamendjet e shteteve që përkrahnin politikën destruktive serbe kundër Kosovës dhe mëvetësisë së saj të deklaruar në shkurtin e vitit 2008. Po ashtu mendimi i GJND-së la të kuptohet se disa nga shtetet që pretendonin se kishin arsyet e tyre në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare tregoi qartë se ata nuk e kishin qëllimin tek e drejta ndërkombëtare - (shih e drejta e vetëvendosjes) e cila ishte gur themeltar i deklaratës së pavarësisë së Kosovës, por tek lidhjet e tyre primitive me traditën e vjetërsuar të politikës dhe diplomacisë serbe të strucit.

 

Nga kjo mund të thuhet se pengesat që po i shkaktojnë shtetet e bllokut (në mbështetje të politikës serbe) Ballkanit të ri politik dhe rrugëtimit të tij drejtë integrimit në bashkimin evropian tregojnë qartë se këto vende nuk kanë një synim që ta shohin një rajon stabil dhe të demokratizuar e integruar, por gjithnjë nën presionin e miteve dhe interesave kafshërore. Përderisa këto vende gjatë gjithë procesit të ecjes së shtetit të mbikëqyrur të Kosovës në sfidat e saj dhe përballjet me politikën dhe diplomacinë serbe si brenda ashtu edhe jashtë mbanin “petkun e iluzioneve” në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare dhe gjoja kërkesave të politikës serbe, tani mendimi i GJND-së e zhveshi në tërësi këtë “petk iluzionesh” të këtyre shteteve dhe në këtë mënyrë ato tani sado që insistojnë ta mbajnë atë, ato çdo ditë e më shumë po shpalosin një mbrojtje lakuriqe të politikës dhe diplomacisë destruktive të shtetit serb. Sidoqoftë këto shtete që tanimë janë duke ecur lakuriq në mbrojtje të një iluzioni politik të një shteti siç është ai serb, i cili ende po ushqehet nga “helmi shovinist” duke rrezikuar kështu edhe procesin e rrugëtimit të Ballkanit në proceset e stabilizimit, demokratizimit dhe të bashkimit me familjen evropiane, një ditë do të binden se e drejta ndërkombëtare ka traditën e saj dhe parimet bazë, dhe se askush nuk mund t'i ikë këtyre parimeve dhe kësaj traditë të gjatë historike.

 

Duhet theksuar se me gjithë pengesat që po dalin rrugës nga disa shtete si këto në mbështetje tanimë lakuriqe të politikës dhe diplomacisë serbe, shteti i mbikëqyrur i Kosovës është i penguar edhe nga disa faktor siç janë: imazhi i shtetit karshi botës demokratike dhe civilizuese; plotësimi i standardeve bazë dhe të domosdoshme në rrugën drejtë Bashkimit Evropian; si dhe vet mosuniteti i Bashkimit Evropian. E rëndësishme është që tani Kosova të filloj të punoj shumë me vetveten dhe imazhin e saj, si dhe të nis urgjentisht një “diplomaci heroike”(të përfshihen të gjithë në këtë proces) drejt shteteve që duhet bindur dhe atyre që nuk duan të binden, sepse tani gjërat janë sqaruar, dilemat janë hequr nga GJND-ja, nuk ka më asnjë arsye që vendet e botës demokratike të mos mendojnë për njohjen e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës.

 

Me një fjalë është tepër absurde dhe e pakuptueshme që edhe pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së, ende nuk kanë filluar njohjet. Do të ishte normale dhe e arsyeshme që disa shtete, sidomos ato që kanë hezituar, ta njohin automatikisht. Madje pesë nga dhjetë shtete të botës demokratike është dashur të fillojnë këtë proces të njohjes së shtetit të mbikëqyrur të Kosovës, sepse në këtë mënyrë do të nxiste një varg njohjesh edhe nga shtete tjera që presin hapjen e rrugës së këtij procesi. Duhet nënvizuar se tani shteti i mbikëqyrur i Kosovës ka nevojë për njohje i cili është një kusht i kërkuar nga doktrina tradicionale e krijimit të misioneve diplomatike, gjithashtu njohjet e forcojnë bazën e shtetit dhe marrëdhënieve të tij me të tjerët duke hyrë kështu në një proces të ri marrëdhëniesh dhe bashkëaktorësh ndërkombëtar. Rëndësia e njohjes së shtetit të mbikëqyrur të Kosovës duhet parë si një proces që e forcojnë rrugëtimin e shtetit drejt proceseve politike, diplomatike, ekonomike, etj, etj., por edhe si një bazë jetike e Kosovës në kornizën e ligjit diplomatik, marrëdhënieve dhe së drejtës ndërkombëtare.

 

Njohja gjithashtu është pranimin zyrtar i statusit të pavarur të Kosovës dhe institucioneve të saj në tërësi, ndërsa mungesa e njohjes së shtetit të mbikëqyrur të Kosovës nga shtetet tjera mund të atribuohet si tjetërsimi, por edhe si një anashkalim i të drejtës zakonore të përgjithshme, pastaj ligjit diplomatik, të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, etj. Sepse siç mësohet “ligji diplomatik është pjesë e të drejtës ndërkombëtare që rregullon misionet e përhershme diplomatike të shteteve. Koncepti themelor i së drejtës diplomatike është se imunitetit diplomatik buron nga imunitet shtetëror. Një traktat të rëndësishme në lidhje me ligjin diplomatik është Konventa e Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike e vitit 1961. Prandaj njohja e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës nga shtetet tjera është tepër e rëndësishme si për bazën e saj shtetërore-politik e diplomatike ashtu edhe për mbijetesën e saj në raporte ndërkombëtare dhe në tërësinë e saj si shtet.

 

Kështu që lidershipi politik dhe tërë institucionet e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës të fokusohen në aktivizimin e ofensivës diplomacisë në këtë proces dhe kohë të favorshme për vendin, duke e ditur se pas mendimit të GJND-së, diplomacia e Kosovës ka mjaftë fakte të nxjerra nga konkluzionet e gjykatës në çantën e saj diplomatike për t'i bindur shtete tjera që ta njohin pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës. Shteti i mbikëqyrur i Kosovës tani duhet të bëjë një “revolucion pozitiv diplomatik” në procesin e njohjes dhe të arrij kështu kuadrin e njohjeve dhe të futjes nën ombrellën e botës demokratike si dhe politikës ndërkombëtare.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora