E enjte, 25.04.2024, 08:57 PM (GMT+1)

Mendime

Engjëll Koliqi: Po vjen 10 dhjetori, kah duhet t'ia mbaj Kosova?!...

E shtune, 08.12.2007, 09:51 AM


PO VJEN 10 DHJETORI:

Kah do t’ia mbaj Kosova ?!...
 
Shkruan: Engjëll KOLIQI
 

Engjëll Koliqi
Lecco, 8 dhjetor 2007. – Po afrohet 10 dhjetori, shumë i përfolur dhe i diskutuar nga diplomacia botërore, respektivisht nga qendrat e vendosjes – për Kosovën e rreth Kosovës. Po afrohet kjo datë, kur treshja ndërkombëtare (Wisner – Ishinger – Harçenko) do t’ia dorëzojnë sekretarit të përgjithshëm të OKB-së – Ban Ki Mun-it raportin e bisedimeve shtesë mes delegacioneve të Prishtinës dhe të Beogradit, në 120 ditëshin e shtuar pas bllokadës së Rusisë në KS të OKB-së.
 Mbase, edhe “për të blerë pak kohë, OSBE-ja ka organizuar zgjedhjet e trefishta në Kosovë, më 17 nëntor, që megjithë disa parregullsive të vogla janë cilësuar demokratike dhe janë çertifikuar nga kryeadministratori Ryker. Sipas rezultateve, pritet që kandidati për kryeministër i partisë fituese (PDK) – Z. Hashim Thaçi të kontaktojë sa më shpejt me palët e interesuara për koalicionin qeveritar, për të themeluar sa më parë qeverinë e re, sepse jemi në një periudhë shumë të ndërlikuar kohore, kur qeveria duhet të jetë një motor i fortë dhe gjithnjë i ndezur, për të vënë në lëvizje Kuvendin, ku sa më parë duhet shpallur botërisht vendimi historik për një Kosovë të pavarur dhe sovrane, pa lëshuar pe në asnjë milimetër, mbi të gjitha trojet e mbetura, mbas shumë tkurrjeve nëpër shekuj nga regjimet pushtuese.
 Çka mund të themi, respektivisht çka mund të porosisim ne banorët e thjeshtë të Kosovës në këtë periudhë shumë të ndjeshme dhe të rëndesishme historike?!...  Besoj se kemi të drejtë t’u kërkojmë disa lëvizje të nevojshme dhe të domosdoshme lideerëve tanë që po drejtojnë institucionet shtetërore, më sa vijon:
• Të kostituohet sa më parë Kuvendi i Ri i Kosovës.
• Të formohet sa më parë Qeveria e Re e Kosovës (këshillohet koalicioni PDK – LDK).
• Të ndërmerren hapat e nevojshëm konform dinamikës së përshpejtuar të diplomacisë ndërkombëtare, që mundësojnë shpalljen dhe njohjen e pavarësisë.
• Të aprovohen nga Kuvendi, urgjentisht, simbolet shtetërore (stema e flamuri), si dhe hymni i Kosovës.
• Të përgatiten urgjentisht dokumentet personale të qytetarëve të Kosovës, me simbolet tona shtetërore (çertifikatat, letërnjoftimet, pasaportat, patentet e shoferëve, indeksat e studentëve, etj).
• Të themelohet urgjentisht shërbimi diplomatik i Kosovës dhe brenda katër muajsh (sa është afati i transicionit me pakon e Ahtisaarit) të hapen ambasadat tona, në vendet me të cilat kemi bashkëpunim dhe interese më të mëdha, si: në Bruksel, Uashington, Nju Jork, Berlin, Londër, Paris, Romë, Bern, Vienë, Stokholm, Shkup, Podgoricë, Lubjanë, Zagreb, Brasilia, Otava, Meksiko Siti, Ankara, Tokyo, Pekin, Nju Delhi...

Në rast të pengesave të reja dhe të bllokadës në procesin e statusit final të Kosovës na ana e Rusisë së Putinit, përfundimisht duhet të ndërmerren hapa të nevojshëm dhe adekuatë, kundër Moskës zyrtare. Si hap i parë në këtë drejtim, duhet mbyllur zyra e Rusisë në Prishtinë dhe të shpallet e padëshirueshme (non grata) prania ruse në Kosovë. Pastaj, në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Kundër Njerëzimit, duhet bërë kallëzim penal, respektivisht duhet ngritur aktpadi kundër Qeverisë së Rusisë dhe kundër ushtrisë ruse, sepse kemi fakte e argumente për angazhimin e drejtëpërdrejtë në luftë dhe gjenocid në Kosovë të eprorëve, ushtarakëve dhe makinerisë ushtarake të Rusisë, përfshirë edhe kaçatorët MIG të mbetur në hangaret e Goleshit, që pasoi edhe me okupimin e Aeroportit të Prishtinës nga trupat ruse, një ditë para se në Kosovë të hynin trupat e NATO-s.
 Në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Kundër Njerëzimit, duhet bërë kallëzim penal, respektivisht aktpadi edhe kundër Qeverisë së Serbisë dhe UNMIK-ut, për lojën politike me kufomat e mijëra qytetarëve të pafajshëm të Kosovës, të vrarë dhe të masakruar gjatë luftës, që ende po mbahen peng nëpër varrezat kolektive nëpër Serbi, dukuri kjo që tejkalon të gjitha krimet e njohura deri më tash kundër njerëzimit.
 Gjithashtu, përmes qendrave ndërkombëtare të vendosjes, Qeverisë së Serbisë duhet kërkuar edhe shlyerjen e borxheve të mëdha ndaj Kosovës – qoftë ato të sukcesionit, qoftë pagimin e dëmshpërblimeve të luftës, që kapin shumën e miliardave €uro.
 Mendos se me ndërmarrjen me kohë të hapave të propozuara këtu, që në ditët e para mbas 10 dhjetorit, veç mund të përcaktohet itinerari i Kosovës, në fazën e parë të rrugëtimit ndërkombëtar si shtet i mvetësishëm, që konform aspiratave tona të natyrshme kombëtare, duhet të jetë një fazë kalimtare e tranzicionit drejt jetësimit të aktiti të madh historik – të bashkimit kombëtar, respektivisht të shpalljes dhe njohjes së Shqipërisë Etnike, si një shtet stabil dhe shumë i rëndësishëm për ekzistencën paqësore dhe stabile t’Europës! Pa hezituar dhe sypatrembur, liderët tanë në krye të institucioneve shtetërore, kombëtare e politike, duhet t’ua bëjnë me dije qendrave të vendosjes dhe t’ua rikonfirmojnë synimin e drejtë dhe të natyrshëm të qetësimit të Ballkanit dhe t’Europës përgjithësisht, me njohjen  e menjëhershme të pavarësisë së Kosovës e pastaj edhe me kostituimin dhe njohjen e Shqipërisë Etnike, pra të Shqipërisë shtet mbi të gjitha trojet shqiptare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora