E premte, 29.03.2024, 12:29 AM (GMT)

Kulturë

Alberije Hadergjonaj: Ende nuk di not, do mësoj këtë vit në Durrës

E diele, 01.08.2010, 06:23 PM


Nga Eraldo Rexho


Sot në "Summer Pages" do të sjellim një nga rrëfimet më interesante të kësaj vere. Do të vijnë për herë të parë në një intervistë ekskluzive nënë e bijë, duke rrëfyer të dyja detaje nga rrugëtimi i tyre në muzikë. Albërie Hadërgjonaj, këngëtarja shumë e dashur për të gjithë ne, tanimë do të ketë edhe një rivale të fortë brenda familjes. Jo më larg se dje është publikuar në ekranet muzikore shqiptare kënga më e re e vajzës së saj, "Kopje pa kuptim". Një klip tejet interesant, që solli në sytë e të gjithëve ne një Anxhelinë shpërthyese...Po si e shikon Albëria përfshirjen e vajzës së saj në muzikë? Sa ka ndikuar emri i saj në nxitjen e këtij pasioni tek Anxhelina? Janë këto vetëm dy nga pyetjet që do të marrin përgjigje në vijim të këtij rrëfimi. Nuk do të mungojnë gjithashtu as historitë e Albëries për pushimet ndër vite, si dhe detaje të reja nga jeta private... Intervista është shumë speciale, duke na dhënë kështu mundësinë për të bërë një propozim tejet interesant për ju të dashur lexues. "Lexoni tërë kureshtje intervistën, por mos harroni, në sfond duhet të jetë patjetër kënga më e re e Anxhelinës..." 
Vera është stina më e ngjeshur me koncerte për të gjithë këngëtarët. Edhe për ju e dimë që është e tillë, po a keni në plan që në ndonjë nga këto mbrëmje të merrni me vete edhe vajzën tuaj? 
Jo, sepse Anxhelina nuk është akoma gati me repertor, do të presim edhe pak kohë sa Anxhelina të jetë gati me hitet e veta. 
Si e shikoni rrugën e Anxhelinës në muzikë? 
Shumë të suksesshme, pa diskutim. 
Do ta publikoni këngën e re vetëm pas pak ditësh, ndërkohë që vajza juaj e ka nxjerrë. I keni shpallur luftë të hapur njëra-tjetrës në muzikë? 
Lufta ka mbaruar tanimë, kemi marrë Pavarësinë në Kosovë dhe besoj se do ta zgjidhim me paqe edhe këtë marrëdhënie. (qesh) 
Keni menduar të realizoni ndonjë këngë nënë e bijë? 
Po, pse jo, shumë shpejt do të realizojmë një këngë unë, Anxhelina, si dhe dy mbesat e mia të mrekullueshme, Argjentina, që tashmë njihet si këngëtare super e talentuar e hitit "Shpirt i mbytur" dhe mbesa tjetër, Beatrixa, që ende nuk është lançuar. 
Mos ndoshta po e përgatisni Anxhelinën për ta bërë trashëgimtaren tuaj në skenë? 
Jo, sepse unë nuk do ta jap dorëheqjen nga muzika deri sa të kem frymë, por Anxhelinën e kam përgatitur për të qenë një këngëtare e denjë për skenat shqiptare dhe pse jo, edhe botërore. 
Suksesi i këngës për Ibrahim Rugovën ka qenë i padiskutueshëm. Cilat janë komentet që keni marrë dhe çfarë ju shtyu të realizonit një këngë të tillë? 
Komente madhështore nga adhurues të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Shtysën për këtë këngë e kam marrë nga vetë aktiviteti i tij, nga ajo çka ai bënte. Ka qenë një njeri i madh dhe shumë human për popullin e Kosovës në kohët më të vështira, dhe për më tepër ishte dukagjinas, siç jam dhe unë. 
Albërie, aktualisht jeni duke punuar për klipin tuaj të ri. Cilët janë bashkëpunëtorët dhe çfarë fabule do të trajtoni? 
Muzikën e kësaj kënge e kam bërë vetë, tekstin e ka shkruar Big Basta, ndërsa orkestracionin dhe produksionin e ka realizuar Shpëtim Saraçi. Tematika që trajtohet në këngë është dashuria e dështuar, një dashuri që nuk shkon, pavarësisht përpjekjeve të shumta. 
Jemi në stinën e verës dhe si të tillë, dëshirojmë të kujtojmë pushimet tuaja në vite, që nga fëmijëria e deri tani. Sa shpesh e frekuentonit plazhin kur ishit fëmijë? Me kë dhe ku shkonit? Sa ditë qëndronit? 
Të them të drejtën më shumë kemi frekuentuar malin kur kemi qenë fëmijë, pasi unë jam malësore. Sigurisht që edhe deti ka qenë pjesë e pandashme e pushimeve ndër vite. Pushimet i kam bërë në fëmijëri me mamin, motrën dhe vëllain, pasi babai im vdiq aksidentalisht kur unë isha në moshë fare të vogël, kur isha ende një foshnje. 
Po tani? 
Tani frekuentojmë vende të ndryshme, të gjithë familjarisht, unë, Mentori, Agnesa dhe Anxhelina. 
Cili është vendi më i bukur në të cilin keni pushuar? 
Miami beach ka qenë edhe vendi, në të cilin kam pushuar për herë të parë përkrah bashkëshortit tim. 
Kur keni qenë e re, ju ngacmonit djemtë kur dilnit në plazh dhe cili ishte reagimi juaj? 
Të them të drejtën jam martuar shumë e re, por sigurisht që edhe mua më kanë ngacmuar moshatarët e mi. 
Cila është lidhja juaj me detin? 
Deti në vetvete është një mrekulli dhe të përpin në të si me magji. Me të jam shumë e lidhur, më çlodh, më largon stresin. Hapësira e tij e pakufizuar të bën menjëherë për vete. 
A dini të notoni? Kur keni mësuar? 
(Qesh) Jo, ende nuk di...Këtë vit, kur të vij në Durrës do të mësoj. 
Keni bërë në plan që së shpejti të merrni pjesë në ndonjë festival? 
Po, sigurisht. Në momentin që do të kem në dorë një material të mirë dhe cilësor, do të prezantohem. 
Sa i përket gjyqit që Mentori po zhvillon për ditët e tepërta të qëndrimit në burg, si po shkon? 
Ju lutem, mos më lodhni me këtë çështje. Të shkojë si të shkojë, nuk më intereson, jam shumë e lumtur që e kam Mentorin në shtëpi. Të tjerat s'kanë rëndësi. 
Po Agnesa ka ndonjë të dhënë për muzikë, apo është e përkushtuar më shumë ndaj diçkaje tjetër? 
Agnesa është shumë e përkushtuar tek studimet, dhe ajo do të kujdeset për të mbrojtur të drejtat tona autoriale kur të ketë përfunduar shkollën. (qesh)



(Vota: 7 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora