E marte, 19.03.2024, 06:25 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Në Darëzezën turistike, buzë Adriatikut

E diele, 01.08.2010, 08:58 PM


 

Në Darëzezën turistike, buzë Adriatikut

 

Nga Pëllumb Gorica

   

Vera, plazhi, natyra e qetë, të shtyjnë të pushosh pranë deteve, liqeneve, diellit, rërës, klimës dhe ajrit të freskët. Është kënaqësi të udhëtosh këto ditë vere, por nuk është e lehtë të ndërmarrësh një udhëtim të tillë, kur thuajse të gjithë rendin në plazhet, përgjatë Adriatikut e Jonit. Kushdo që udhëton në verë do ta ndjej këtë lëvizje.

  Nisim udhëtimin për të kaluar ca ditë pushime në Jug të vendit tonë. Është një ditë e bukur me diell. Lemë pas Tiranën dhe nga dritarja vështrojmë fshatra e qytete, fusha, kodra, ndërtime, biznese. Jemi nisur për në fshatin turistik Darëzezë. Sot nuk është e vështirë të zgjosh kureshtjen për fshatra turistikë. Dhe në këtë pikëpamje Darëzeza nuk është e panjohur. Që të shkosh atje duhet të kalosh Fierin e rrethinat e tij. Ata që marrin rrugën ngazëllehen me peizazhin fushor, pyllin, detin, rërën, qetësinë dhe ajo u le mbresa të pashlyeshme. Do të gaboheshim nëse mendojmë se këto vende nuk na ofrojnë asgjë interesante. Sigurisht që aty nuk mund të gjesh një luks të tepruar, por në një farë mënyre edhe ka kushte dhe njeriu kënaqet edhe me thjeshtësinë që gjen. Nga investimet që kanë bërë banorët dhe komuna ka një mundësi më shumë që pushimet të mos duken monotone. Udhëtimi në Darëzezë të ngjall kënaqësi, si kur e shkel për herë të parë edhe kur familjarizohesh me të, ke se çfarë të tregosh e shkruash.

  Makina ecën në rrugën e asfaltuar e syri të rrok hapësira të gjëra të një peizazhi me ngjyrash të larmishme të stinës ku dominojnë e gjelbra dhe e verdha.  Rrezet e diellit i japin këtyre pamjeve një dritësim jete e poezie. Të josh e gjelbra e thellë. Një pamje që të çlodh sytë; gjë që e bënë të bukur ardhjen. Në sfondin e këtij gjelbërimi janë shtrirë shtëpi, biznese, fshatra si Dërmenas qendër e komunës nga varet Darëzeza, Pojani, Shënpjetra, Hoxhara. E përmes kësaj panorame ecim në rrugën e asfaltuar një vit më parë, që zgjatet deri në bregdet. Jo më pak se një vit më parë do të kaloje  këtu nëpër një rrugë gjithë gunga e gropa. Sot një realitet tjetër. Shtrimi i rrugës i dha një frymëmarrje fshatit turistik të Darëzezës e pushueseve që e frekuentojnë atë. Vazhdon rrugën që edhe pse nuk ka tabela orientuese e kupton nga lëvizjet e  shumta të automjeteve me pushues nga rrethe të ndryshme: Gramshi, Mallakastra, Berati, Elbasani, Kuçova ..., për t’u relaksuar në rërën e nxehtë dhe detin e kaltër, nën rrezet e diellit të shndritshëm  të diellit  të verës.

                                   x       x         x

  Darëzeza  shtrihet në fund të fushës së Hoxharës, rrëze pyllit të dendur me pisha, afër bregut të detit Adriatik. Atë e qarkojnë kanale të shumta, që kanë lidhje me detin Adriatik ndërmjet hidrovoreve. Deti nuk është larg. Mëngjeseve e mbrëmjeve dëgjohet përplasja e dallgëve të tij, që rrahin bregun njëlloj si zhurma e makinave në autostradë. Teksa vazhdojmë udhëtimin drejt Darëzezës, panorama e saj bëhet gjithnjë e më e qartë ku ndërtesat me dushet diellore, depozitat e ujit, antenat lart tyre, të lëbyrin sytë nën shkëlqimin e diellit të korrikut. Në mendje na vjen viti i largët 1988 kur këta banorë u shpërngulën nga shteti prej trojeve të tyre shekullore, Darëzezës e Dushkut. Kjo nuk u bë rastësisht, por kishte pasur arsyet e veta që i detyruan banorët të merrnin rrugën drejt bregdetit. Ideja e ndërtimt të Hidrocentralit të Banjës e përmbyti edhe këtë fshat, dhe me vendim të shtetit të atëhershëm monist filluan këtu një jetë të re.Për të mos e harruar fshatin ku u rritën prej brezash gjysh pas gjyshi, ata i vendosën fshatit të ri emrin e tij të vjetër, Darëzezë. Pavarësisht nga ndryshimi i vendosjes ata nuk harrojnë historinë e lashtë të vendbanimit të dikurshëm të mbushur me ngjarje patriotike nga më të ndryshmet. Në kujtesë të vijnë ato çfarë kemi lexuar e çfarë kemi dëgjuar nga vetë banorët. Traditat e bukura të krahinës, përballja me vështirësi të mëdha,përpjekjet për mirëqenie dhe zhvillimeve të reja ekonomiko, shoqërore, kulturore nuk i kanë harruar. Një traditë të bukur që ua trasmetojnë brezave është bujaria dhe mikpritja.Darzezasit të presin e përcjellin me ngrohtësi e dashuri. Duke u mjaftuar me kaq për të kaluarën e largët të banorëve dhe traditat e tyre, le të përmendim edhe faktin se si çdo vendbanim, Darzëza e Re po shkruan edhe këtu historinë e saj. Miss Shqipëria 2006 Klodiana Çela është nga ky fshat.Këngëtarja Greta Tafa.Për Darzezën janë shkruar edhe libra nga Fatmir Miraka e Shyqyri Tafa, etj.

                                          x       x         x

 Udhëtimi i shkurtër edhe për shkak të dëshirës dhe kënaqësisë sonë për të bujtur sa më parë në këtë fshat turistik. Sapo futesh aty, ndjen një puhizë të lehtë me aromë pishe që vjen nga deti. Shijojmë gëzimin që të fal freskia. Jeta e banorëve gëlon mes kësaj natyre ripërtëritëse, zhurmave të detit dhe erës së pishave. Është këndellse kjo natyrë edhe për vizitorin e thjeshtë që kërkon qetësi. Dallimi i parë për këdo që vjen për herë të parë është urbanistika e këtij vendbanimi. Një fshat disi i veçantë në ndërtim, i mbledhur me një dendësi banimi për km2, por edhe ndryshe në jetën e vet shoqërore, në krahasim me fshatra të tjerë të Fierit. Darzeza ka 400 familje e rreth1700 banorë. Sigurisht vitet e fundit ka pësuar ndryshime të theksuara në demografi në,hapsira publike, duke u  prezantuar me një mjedis tërheqës e të këndshëm, rrugë të shtruara, trotuare, ndriçim, pemë dekorative. Mendja dhe dora e banorëve i kanë zbukuruar edhe më shumë mjediset e banimit dhe me pak kujdes në infrastrukturën e brendshme të tij u afrohen fshatrave të Evropës me ndërtimet e reja e përshtatje të banesave ekzistuese. Darzezasit në përgjithësi merren me bujqësi, blegtori dhe kështu sigurojnë jetesën e tyre. Por edhe nga emigracioni, kryesisht në Greqi e Itali. Jeta i ka mësuar t’i përshtaten mjedisit dhe të marrin gjithçka të dobishme, por dëshira e tyre është për më shumë me mundësitë që kanë.Darzezasit janë punëtorë, çka është gjë shumë e mirë. E kur njerëzit punojnë djersa e ndershme merr vlera. Patëm rast ta konstatonim këtë në mënyrën më të gjallë te prodhimet bujqësore, që banorët e fshatit i tregtojnë si domate, shalqinj, bostan, speca, bamje dhe patate.

                                          x       x       x

  Qendra e fshatit është plot gjallëri. Kjo zakonisht ndodh në verë. Ai gjallërohet nga pushuesit e shumtë dhe merr përmasa të jashtëzakonshme. Respekti për njeriun, për njëri-tjetrin i bën këta njerëz që të përshëndeten miqësisht, të njohur e të panjohur, miq të vjetër, të afërt e të largët. Bisedat janë të gjata dhe përveç miqësisë që të ofrojnë  mund të mësosh shumë gjëra për këtë fshat. Ato ndizen edhe më shumë, sidomos kur vjen fjala tek e ardhmja, te jeta që po ndryshon nga dita në ditë. Ato ngjallin interes, madje edhe kur flitet për gëzimet e hidhërimet e tyre. Sigurisht do të ndjehesh i nderuar, por edhe i respektuar me bashkëbisedimet e mençura e plotë humor me Bektashin, Mehmetin hokatar e të respektueshëm, Zografin, Xhevitin, Nazmiun, Nuriun, Qemalin. Thjeshtësia që i karakterizon i jep bisedës rrjedha interesante, që të çon te problemet e gëzimet e tyre. Bektashi 70 vjeçar, i zbardhur i tëri si një bashkë leshi tregon për jetën në fshat, për ardhjen këtu, për vështirësitë e fillimit, mallin, për fëmijët në emigracionpër vendlindjen, Darzezën në Gramsh. Me Mehmet Xhelilin mund të bisedosh gjatë dhe përveç miqësisë që të ofron mund të mësosh shumë gjëra për këtë fshat. Ai është përfaqësues i Darzezës në këshillin e komunës Dërmenas. Nje burrë i qeshur dhe i prirur për të ngritur e kërkuar zgjidhje të problemeve sidomos në sezonin e verës, kur dyndja e njerëzve në fshatin turistik  të Darzezës i kalon përmasat e një qyteti të vogël.

                                      x      x        x

   Lokalet e shërbimit në brendësi të fshatit, por edhe ato në pyllin me pisha e bregdet kanë një gjallëri të veçantë dhe ja  vlen te ulesh e shijosh asortimentet e pijet.Të bën përshtypje një kompleks i veçantë në llojin e vet, që çdo ditë pret e përcjell dhjetëra pushues, të cilët shijojnë kuzhinën, qetësinë, intimitetin në natyrë, argëtimin, një befasi në ndërthurje midis modernes e traditës. Në të pastajmen, në shoqërinë e miqve tanë dashamirës iu drejtuam këtij kompleksi në afërsi të pyllit me pisha. Na çlodh një kafe e shijuar në natyrën e bukur të këtij mjedisi dhe hareja e fëmijëve që mbushnin këndin e lojërave me zëra gazmorë.

                                     x        x        x

  Dielli nga kupa e qiellit lëshon rrezet pingul mbi pushuesit e shumtë që kanë zgjedhur këtë plazh. Deti i qetë si një pasqyrë me të vërtetë për t’u admiruar. Flladi i pishave, edhe pse korrik, si një dorë përkëdhelëse të freskon e të çlodh. Kudo çadra, shezlongë… Pamje që dëshiron t’i fiksosh në celuloid. Çdokush që ndodhet pranë tij nuk mund të përshkruajë me fjalë kënaqësinë që ndjen nga soditja e qetë e pushimit në ajrin e pastër, pranë detit, rërës, nën rrezet e diellit. Prezantohemi me dhjetëra pushues nga Berati, Elbasani, Gramshi. Këtu do të takosh edhe njerëz të njohur të sferave politike e kulturore: pushtetarë, shkrimtar, këngëtar, me dëshirën për të pushuar në qetësinë që të ofron ky fshat turistik, me rërën e pastër, jodin, detin, pishat kanë zgjedhur këtë vend për të pushuar. Gjithsesi mbetet ende shumë punë për të bërë, sidomos nga pushtetarët, për të ardhmen e kësaj perle në breg të Adriatikut.

  Kushdo që e viziton këtë fshat turistik, nuk do të pendohet, sepse aty i ka të gjitha, ajrin, ujin, rërën, por mbi të gjitha bujarinë e banorëve të tij të mrekullueshëm.



(Vota: 12 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora